E enjte, 25.04.2024, 08:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Clint Eastwood, nga kauboj në ikonë

E diele, 08.06.2008, 06:36 PM


Clint Eastwood është një ndër njerëzit e rrallë që e suporton në mënyrë të mrekullueshme famën që ka. Por ajo është një famë që shpesh ka ndeshur edhe në debate, kundërshti, përplasje, mosvlerësime. Katër vjet më parë kur doli një nga filmat e tij më të suksesshëm, "Million Dollar Baby", që i dha çmimin "Oskar" si filmi më i mirë dhe regjia më e mirë, ai u sulmua nga disa grupe të krishterësh. Ata ishin kundër vetëvrasjes së një atleteje të paralizuar. "Ata që nuk e kanë parë filmin thanë se ai ishte në favor të euthanasisë, por në fakt, nuk është e vërtetë, por disa rrethana dramatike të filmit të bëjnë të interpretosh të kundërtën", thotë regjisori. Në këtë linjë të kundërshtisë, 37 vjet më parë ai mori pjesë si aktor në një film që mbetet edhe sot shumë i diskutueshëm. Ai quhet "Dirty Harri". Ai është historia e një polici që është kundër burokracive të institucioneve dhe që vendos t‘i ndjekë kriminelët sipas mënyrës së vet. Sapo ky film doli u kritikua si fashist, apo i pamoralshëm, duke qenë se bëhej fjalë për një vënie në vend të drejtësisë personalisht, duke injoruar institucionet. Por ky film që pati shumë bujë i dha Eastwood njëherazi edhe shumë famë. Pavarësisht sulmeve që iu bënë, ai pati sukses dhe askush më tepër se vetë njerëzit mund të vendosin për një vlerë, apo antivlerë. Për një kohë të gjatë ai ishte një nga filmat e preferuar të një brezi të tërë dhe tani ka vendin e tij të pamohueshëm në historinë e kinematografisë amerikane të shekullit të kaluar. Ky ishte një film që e shndërroi aktorin dhe regjisorin e famshëm nga një kauboj i zakonshëm në një ikonë njerëzore dhe kinematografike. Në të njëjtin vit me daljen e filmit të famshëm, Eastwood bëri edhe regjinë e parë të tij me filmin "Play Misty for Me". Ky ishte fillimi i një karriere shumë të suksesshme që ende nuk ka reshtur së funksionuari e së prodhuari sukses. Sergio Leone, regjisori i famshëm italian i filmave "Western", që ka realizuar shumë filma me Eastwood thoshte për këtë të fundit se Clint ka vetëm dy shprehje të fytyrës: "Njërën me kapele, e tjetrën pa kapele". Kjo është e vërtetë. Fytyra dhe tiparet e Clint sikur janë gdhendur dhe ngrirë në një pamje fikse që shpreh një qetësi të lumtur. Madje, pikërisht kjo lloj mimike që i ngjan të famshmes së komikut Stan Laurel, bëri që dikur ta përflisnin si fëmija i jashtëligjshëm i aktorit të madh. Por trupi i tij, ndryshe nga fytyra që e tregon disi moshën e avancuar, është i drejtë e i thatë siç ka qenë gjithmonë. Clint është 78 vjeç, por duket të paktën dhjetë vjet më i ri. Sekreti: ushtrimet fizike, dietat e forta dhe sipas shumë gjasash të bërit baba në moshë shumë të madhe. Eastwood ka shtatë fëmijë me pesë gra të ndryshme. E fundit e pasardhëseve të tij është një vajzë në moshën 11-vjeçare me bashkëshorten aktuale, Dina. Kjo jetë e pasur sentimentale e lidhjesh të shumta pasqyrohet edhe në disa prej krijimeve të tij, filmave plot pasion që kanë pasur shumë sukses. Kategoria që është thuajse gjithmonë e pakënaqur me Eastwood është ajo e politikanëve. Kjo edhe sepse regjisorit i pëlqen që të flasë dhe të tjerët ta dëgjojnë për ato që thotë. Dhe kur Eastwood flet, ata që e dëgjojnë janë të shumtë. Në vitin 2005 ai u betua se do ta vriste me dorën e tij dokumentaristin e famshëm, Majkëll Moor, nëse do t‘i ishte shfaqur te dera e shtëpisë. Marsin që shkoi ai ishte përzënë nga bordi i Parqeve Shtetërore të Kalifornisë, prej guvernatorit të shtetit, Zhvarceneger, për shkak se kishte kundërshtuar ngritjen e disa rrugëve të reja që do të kalonin për nga pylli. Edhe pse shumëkush e identifikon si mbështetës të republikanëve, Eastwood pëlqen më tepër mendjen e vet. "Unë nuk u kushtoj ndonjë vëmendje të posaçme as demokratëve, as republikanëve. Kam qenë dhe jam një person i lirë. Jam për lirinë në të gjitha kuptimet. Nuk dua të përzihem në çështjet e të tjerëve, sikurse nuk më pëlqen që të ndodhë edhe e kundërta. Sa për politikanët, për ta do të thosha se ata janë abuzuesit më të mëdhenj që kam parë ndonjëherë dhe abuzimi i tyre bie në kurrizin e të gjithëve", thotë Clint.

Për sa i përket garës aktuale presidenciale, ai nuk ka ndonjë preferencë. "Ime shoqe ka qenë prezantuese lajmesh në Arizona dhe e ka njohur personalisht MaCcain. Ajo e pëlqen dhe unë prej saj. Në njëfarë mënyre e kemi mbështetur kur konkurronte kundër Bushit, 8 vite të shkuara, por nuk kemi qenë kurrë aktivë". Këto ditë Eastwood nuk e ka shumë mendjen te filmat me të cilët ka bërë epokë në të shkruarën, edhe pse po të bisedosh me të zor se mund të mos e përmendë filmin që e konsideron si kryeveprën e tij: "The Outlow Josey Wales", një film që e konsideron si kryeveprën e tij. "Më pëlqen më shumë të jetoj në të tashmen se në të shkuarën dhe mbi të gjitha të bëj ende ëndrra për të ardhmen. Megjithatë, ëndrrat në moshën time kanë dy cilësi: e para duhet t‘i realizosh sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse nuk i dihet se sa kohë ke ende në dispozicion dhe e dyta ato janë ëndrrat e tua të vërteta, sepse ti nuk ke më frikë se mos të shkatërrojnë jetën, pasi jeta jote tashmë është në fund".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora