E shtune, 20.04.2024, 08:34 AM (GMT+1)

Mendime

Edmond Tupja: Mërgimtarë në vendlindje

E diele, 08.06.2008, 03:43 PM


Edmond Tupja
Mërgimtarë në vendlindje

Nga Edmond Tupja

Dikur, nën zgjedhën e diktaturës komuniste, kishte njerëz që mendonin se ...popullsia shqiptare mund të ndahej në dy kategori: të burgosurit e mirëfilltë, pra, popullsia e burgjeve, dhe pjesa tjetër e shqiptarëve, të burgosurit jashtë burgjeve, çka ilustron më së miri izolimin e plotë në të cilin e zhyti enverizmi Shqipërinë e mjerë socialiste. Sigurisht, kjo analizë bëhej me zë fare të ulët dhe në mjedise hermetikisht të mbyllura, sepse binte kryekëput ndesh me ideologjinë e egër zyrtare të asaj kohe.
Frymëzuar nga kjo analizë fare e thjeshtë, por tronditëse, sa herë dëgjoj në radio e shoh në televizor lajmet lidhur, ndër të tjera, me mërgimtarët shqiptarë që kthehen në atdhe në numër të konsiderueshëm për të kaluar pushimet me familjet a pranë tyre, ose me raste festash të shënuara të natyrave të ndryshme, më tundon ideja t'i bëj një analizë të ngjashme dypolëshe edhe dukurisë së mërgimit të sotëm të bashkatdhetarëve të mi.
Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj që fjalët shqipe "mërgoj", "mërgim" e "mërgimtar" po përdoren rrallë e më rrallë, sepse po u bëjnë konkurrencë fjalët e huazuara "emigroj", "emigrim" dhe "emigrant". Pavarësisht kësaj, fakti mbetet fakt:  gati një e treta e popullsisë shqiptare jeton dhe punon jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Ne, shqiptarët e këtushëm, i quajmë ata emigrantë (d.m.th. njerëz që mërgojnë në një vend të huaj), kurse banorët e vendeve ku ata janë sistemuar prej vitesh, i quajnë imigrantë (d.m.th. njerëz që kanë mërguar nga një vend i huaj).
Një ndër problemet kryesore të mërgimtarëve shqiptarë, por jo vetëm shqiptarë, nuk është thjesht gjetja e një pune dhe e një shtëpie, por edhe integrimi i tyre dhe i fëmijëve të tyre në shoqërinë pritëse, gjetja e një ngrohtësie në mënyrë që ata të mos ndihen krejt të huaj dhe, çka është më e padurueshme, të diskriminuar.
Tani, në kuadrin e arsyetimit tim dypolësh, jam i mendimit se pjesa tjetër e shqiptarëve, ajo që, natyrisht më e madhe në numër, ka qëndruar në atdhe, brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, por që ka lëvizur ose është duke lëvizur nga një krahinë në tjetrën, nga një rreth në tjetrin, nga fshati në qytet, nga qyteti i vogël në qytetin të madh, por kryesisht nga fshatrat e qytetet e rretheve drejt Tiranës e rrethinave të saj, kjo pjesë e popullsisë shqiptare, pra, ka krijuar, edhe ajo, reflekse mërgimtarësh: e dëshiruar për kushte jetese më të mira, edhe ajo kërkon punë (të zezë, gri apo të bardhë, pak rëndësi ka për të) për të fituar bukën e gojës apo të gojëve të familjes, një shtëpi për të futur kokën apo kokat e familjes dhe, mundësisht, pak ngrohtësi për të mos u ndier e çrrënjosur. Edhe kjo pjesë e popullsisë shqiptare përballet me praktika diskriminuese: po ju kujtoj termin përbuzës, gati racist, "çeçen", që ende përdoret për të shenjuar të ardhurit nga zonat e thella veriore të Shqipërisë (meqë ra fjala: i sugjeroj lexuesit tim të lexojë, lidhur me peshën e rëndë e të hidhur të këtij termi, romanin e Fatos Kongolit "Te porta e Shën Pjetrit" botuar në Francë me titullin "Tirana blues", d.m.th. "Trishtim Tirane"). Fatkeqësisht, përdoruesit e këtij termi harrojnë se edhe të parët tanë, pa përjashtim, kanë zbritur dikur nga malet në fushë, ndërsa të parët e të parëve tanë kanë qenë të gjithë, pa përjashtim, në kohëra parahistorike, njerëz shpellash që ushqeheshin me mish të gjallë. Në këtë këndvështrim, ne të gjithë jemi shpellarë, çeçenë, të paktën në zanafillë. Kurse sot, të tërë jemi mërgimtarë në vendlindje, njerëz të vetmuar që bëjmë përpjekje gati të dëshpëruara për t'u integruar. Them "përpjekje gati të dëshpëruara", sepse bartim në shpirt, kush më shumë e kush më pak, me ose pa vetëdije, barrën e rëndë të izolimit jo thjesht 50-vjeçar, por 550-vjeçar, ndoshta edhe më tepër.
Dikur, kur isha fëmijë, dëgjoja të vjetrit që thoshin se jabanxhiu duhet ndihmuar. Kështu, tiranasit bujarë mirëpritën kosovarë, çamë, dibranë, lebër e të tjerë të ardhur nga vise të ndryshme të tokave shqiptare dhe i ndihmuan ata të mos ndiheshin rrënjëshkulur, të huaj, pra, të integroheshin. Sot, kur në Tiranën e transformuar si peizazh dhe mendësi janë vendosur shumë të ardhur, edhe vetë tiranasit e vjetër ndihen paksa mërgimtarë në qytetin e tyre. Mërgimtarë në vendlindje. Si unë, si ti, lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm. Si ne të gjithë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora