E hene, 16.09.2019, 05:33 PM (GMT+1)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Porosia anonime

E premte, 21.02.2014, 09:02 PM


POROSIA ANONIME

NGA KALOSH ÇELIKU

Shteti i “përbashkët” IRJ e Maqedonisë, hë për hë është një ndër shtetet më të pasigurtë në Ballkan për intelektulët që e ngrenë zërin për fjalën e lirë. Askund nuk ke siguri, në rrugë, shtëpi e punë. Në mes të ditës delë dudumi fizikisht t’i qëroj “hesapet” me ty para syve të policisë Shtetit “demokratik” me metodat më të ulëta njerëzore. E, sidomos në gjumë, cilit t’i teket vjen e t’i shkrep dy-tri plumba në kokë. Ose, ta djeg makinën para shtëpisë. Policia që e ka obligim të të ruaj si qytetar i këtij Shteti, dalësh në rrugë pa frikë, pish një kafe me miq në tavernë, është e pafuqi të të sigurojë rehati “artistike”. Jetën tënde e kanë në dorë partizanët e partive politike në pushtet. Historia vazhdon të përsëritet: Gomarit i zbret Nastradini me 60 kg mbi samarë, i hipë Nastardinica me 120 kg mbi shpinë. Dudumët, kur t’i e prek fenomenin e rrezikshëm në tel, do të arsyetohen poshtë shkrimeve të tua se: ti “përsëritesh”, i shkruan këto ngjarje edhe mbi “njëzetë herë” në mjetet e informacionit. Ndonjërit, ose ndonjërës që do t’i dhëmbë (digjet) më së shumti bishti i dhelprës dinake në Katund, do të dalë me emër e anonim krah për krahu me Hojdodolen duke të shpallur “spiun”.

I kam përballuar përndjekjet e mëdha si “irredentist“ shqiptar, bisedat informative” në polici, pritat në rrugë, helmimet, zjarret në banesë, vdekjen klinike në Voskopojë, Ringjalljen në Korçë, aksidentin e komunikacionit në Qafë Thanë, flakën e xhipit përpara banesës në “Çair” të Shkupit, nuk ia vlen më të ballafaqohem edhe me sulme të tjera të papara të këtij niveli kaq të ulët njerëzor në këtë mesbërllok shoqëror të “vëllazërim-bashkimit”. Shkaku, se: Përsëri, pas hetimeve policore unë mbetem fajtori në këtë shoqëri “demokratike”, që pretendon me gjithë këto kalorës të arratisur të shkojë në Europë. Vështirë e ke në këtë shtet ta vazhdosh luftën me penë, kur “miqtë” tu shiten shumë lirë, mos them pa pare. Përmëtepër, edhe të ndërsehen tinëz pas shpine. Fjalën e kam për “intelektualët”. “Gazetarët”, që nuk u shpëton nga syri e veshi as edhe një pordhë e politikanëve në pushtet, por nuk do të mund ta shohin e dëgjojnë xhipin tënd të ndezur flakë në mes të Shkupit. Hë për hë, unë Veten ende nuk e kam nxjerr ta shes në Bit - Pazar, si plaçkë lufte. Vetëm se, shkrimet, librat e mi dhe intervistat, që nga dita e sotshme nuk do t’i keni falas, pa para. Përfundimisht, kam vendosur të vdes i qetë mes dudumëve me librat e mi mbi kokë, i përcjellur në Shtëpinë e fundit rrëzë Çukës nga familja e ngusht e gjakut, pa fjalime “patriotike” mbi kokë, lotët e rrejshëm të “miqëve” dhe lotët e krokodilit të “patriotëve kuqezi” mbi varr për karrierë politike.

Dhe, dihet ceromonia e varrimit: prania e një qeni besnik dhe një maceje. Grave azgane me dajre e këngë dhe valle mbi varr me atë këngën e njohur popullore të Katundit tim “problematik” rrëzë Çukës:  Në ta jap moj nëne, si s’ta jape -jo.

Tekstin e kësaj kënge popullore, ndoshta e mbani mend, me siguri edhe këtë jua kam përsëritur e shkruar mbi “njëzetë herë”: Gruaja e do shumë burrin. Edhe, nateditë i thotë: Nuk e di ti bre burrë sa të dua unë si grua besnike. Një, dy, tre ditë përsëritet “dashuria”. Burrit një ditë i vjen te hunda. I thotë vetes: po, sikur ta provoj dashurinë e gruas?! Në kojshi si rrallëherë bëhet një dasmë e madhe me dajre e lodra. Burri shtrihet në shtrat: Grua, vdiqa! Aman, ore burrë mos vdis sot! Jo, vdiqa. Dhe, burri vdes, jep shpirt.

Gruaja bie në hall, e thirrë një plakë që ta ruaj xhenazen (kufomën). Pazarin e bëjnë pa probleme, dy shtëllunga leshi për gjithë natën. Vrik e vrik, gruaja vishet bukur si kukull, ndreçet e pispiloset dhe shkonë në dasëm. Plakën e la që ta ruaj xhenazen.

Plakës, dikur nga mërzia rastësisht i shkojnë sytë lartë në tavan. O Imzot, pastërmani i deles, i rrinte mbi kokë. Vetmevete, tha: po, sikur të marr një copë, nuk do të bëhet nami. E mori një shkam me tre këmbë, nxorri thikën nga brezi dhe hipi të presë një copë pastërma. Papritmas, i rrëshqet këmba nga shkami dhe rrëzohet si cung shelgu mbi barkun e xhenazes. Tëëërrt, pordhi xhenazja. Plaka u tremb, prandaj edhe tha me vete, do të shkoj ta pyes Nusen në dasëm, a pordhë xhenazja?!

Nusja në ato momente e hiqte vallen me dajre e këngë. Gratë brez për brezi, duke u përdredhur e përkundur, herë më njërën anë, herë në tjetrën anë ia kishin dhënë me dajre flakën. Plaka ngadalë iu afrua te veshi: Nuse, a pordhë xhenazja? Nusja duke hequr vallen pa e ndalur këgën i përgjigjet: Pordhë, moj nën -e, si nuk pordhe –jo.

Plaka, përsëri kthehet në shtëpi ta ruaj xhenazen. Dikur, i shkrep një dyshim i papritur në kokë. Mirë, po a do të m’i japë Nusja shtëllungat e leshit? Pse të mos shkoj edhe njëherë ta pyes për shtëllungat e leshit?! I përmbledhë të gjitha forcat: ngrihet nga shkami, e lidhë shaminë pas koke, shtrëngon dizgën e pashterkës dhe shkonë te dasma, në mesin e grave. Nusja në ato momente, ende nuk kishte dalë nga vallja. Plaka merr guximin dhe i afrohet tinëz Nuses: Po, a do të m’i japësh shtëllungat e leshit? Nusja, nuk e ndalë vallen e as këngën, po i përgjigjet: Në t’i jap moj nën -e si s’ti jape – jo.

Pasmesnate, dikur pak para agimit dasma merr fund. Nusja kthehet në shtëpi dhe ia jep plakës shtëllungat e premtuara të leshit. Burri çohet nga shtrati i vdekjes, merr një shkop thane pas dere dhe e bënë gruan siç themi ne në Katund, “bukë xhypi”. A, kaq shumë më paske dashur, oj grua?! Mëkot e lutë gruaja besnike për mëshirë, burri ia jep hakun e dashurisë. Mos them se, e rrahu bythëve deri në mëngjes me atë shkopin e atij Dijetarit mysliman, shtatë herë në ditë.

Rastet e këtilla kurrë nuk zbulohen, ose nëse kapen kriminelët nga policët e rendit, partitë politike në pushtet intervenojnë dhe i lëshojnë partizanët e tyre si të “pafajshëm” në liri. Punë tjetër është ajo se, kriminelët shëtisin më lirshëm se intelektualët: Pararoja e një shoqërie demokratike, Balli i Kombit Shqiptar. Mos them edhe se, jetojnë më mirë si mishi në dhjamë mes bollëkut dhe parave të partive politike në këtë shtet “demokratik”. Kriminelët dhe spiunët për këtë shoqëri shembullore janë qytetarë të “ndershëm”, intelektualët ua ngatërrojnë punët në këtë shtet “demokratik”.

Unë, nuk jam shqiptar “i ndershëm”, partizan i ndonjë partie politike e as “patriot kuqezi” me brekët mbi pantollona. Shaminë e pionierëve, ende nuk e kam lidhur përqafe me stemën e Shokut Tito nën jaknën e setres. Përmtepër, as Mic Sokol që e rrok topin për fyti. Që, nga dita e sotshme, nuk do të mirrem me trimat pas lufte të partive politike, po me vetëveten si shkrimtar: Librat, shtambat me verë nën Rrap. Dhe, Miken.

Kalosh Çeliku me këtë shkrim u jep fund shkrimeve të tija satirike dhe kritike në jetën publike, që moti kohë në shoqërinë tonë shqiptare na kanë mbi si ferra te pragu i derës përpara Shtëpisë, nga koha e komunizmit dhe na kanë rrokur me të dyja duart                                                                    për fyti, na  e kanë zënë frymën si popull. Shkaku, se: jam i pafuqi si shkrimtar dhe pa mbrojtje nga Njerka e partitë politike “demokratike”. Organizatat Joqeveritare “Humanitare” në këtë shoqëri para këtyre dukurive negative, i mbyllin sytë e veshët dhe ngrohin duart rreth flakës të zjarreve rreth oxhakut. Politikanët që i kemi zgjedhur vetë me “votën e lirë demokratike”, dhe prapë do t’i zgjedhim edhe disa mandate që të na prinë për në Liri, kanë truproje, shoferë të vetët dhe para të popullit. Makinat më luksoze, që askush nuk guxon t’ua vë zjarrin në mes të Shkupit (lagjes shqiptare, Çairit). Unë jam vetëm një Ujk i përndjekur me vite në mes të fushës, nuk kam truproje, shofer personal e as shuma marramendëse materiale që ta vazhdoj luftën me penë. Pasurinë e Babait ta harxhoj kotnasikoti për libra e budallaki shqiptare që haramët t’i ngrohin duart në mes të Dimrit. Edhe, atë: Përderisa, ju si politikanë e shtoni përditë e më tepër pasurinë në emër të popullit shqiptar: ndërtoni vila luksoze, firma private në emër të grave, dashnoreve dhe fëmijëve edhe të pas pesë brezave. Paratë i siguroni nëpër bankat botërore para syve të popullit që vdes përditë edhe për bukën e gojës.

Porosinë e mora: xhipin e ndezur flakë nën dritare para shtëpisë pasmesnate (12 shkurt 2014), në ora 04:15 para agimit kur i gjithë Çairi i Shkupit është në gjumë. Ngjarja ka ndodhur, kur disa persona të “panjohur” kanë hedhur benzinë paraprakisht mbi xhipin përderisa ai ishte i parkuar nën dritare të banesës para garazhës, dhe pastaj ia kanë vënë flakën, ende, Hoxha i Allahut pa e thirrë “sabahun” në minare. I pari ngjarjen e heton djali i vogë, i cili më zgjon nga gjumi bashkë me të vëllain, ku pas pak kohe në ndihmë na vjen edhe një kojshi dhe me kofa me ujë mezi e shuajtëm zjarrin. Interesant, pas largimit të kontenierëve me të cilët kriminelët e kishin bllokuar rrugën, menjëherë në vendngjarje erdhën zjarrfikësit dhe policia. Zoti Madh, për fat të mirë përveç dëmeve materiale nga zjarri i automjetit nuk u lëndua askush.

Vërtetë, më paskeshit dashur shumë, si ajo gruaja besnike - burrin. Humbje kohe është edhe në të ardhmen të mirrem me këto qyqe Bit – Pazari me kokat nën sjetulla, t’i muros mes faqeve të librave si kalorës të arratisur dhe hipë mbi Kandarin e Çajupit, strehojë në bibliotekë. Publikisht, them: Nuk do të mirrem t’i shpallë heronj mbi gomarë: as doktorzinjtë, as dhëndurët, as haxhi deputetët, as miniminisrat e kulturës, as kimçet, as car dushanët, as hajricat, as hoxhallarët e Allahut e as “vëllezërit” e Njerkës… Edhe, as këlyshët me zgjebe, që gjithë jetën më janë ndërsyer pas shpine me një asht në gojë. Por, për inatë: do të mirrem me shkrime satirike dhe dashuri hyjnore deri në varr. Gruan besnike, që e do aq shumë burrin.

Larg qoftë ajo, ta rreni veten se: Unë e kam dorëzuar armën e Çajupit (Kandarin)…



(Vota: 60 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT