Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Trakte në Gjirokastër!

| E premte, 21.02.2014, 08:10 PM |


Trakte në Gjirokastër!

Nga Elvi Sidheri

U zgjua Shqipëria, Tirana e gjithë njerëzia ditën e 20 shkurtit të vitit të 2014-ë të Perëndisë (erës së re sipas gjuhës së ish sistemit të mëparshëm)...me kujtimin e ngjarjes së madhe të para 23 viteve, përmbysjen e statujës së merhumit dhe grushtin final ndaj regjimit të tij, që ende nuk pranonte kapitullim.

Por, diku në rrugët e qytetit të gurtë në jug të atdheut, aty ku ndërthuren arkitektura otomane, kështjella e Argjirosë fisnike, prozat e pavdekshme të Kadaresë së madh, emrat e familjeve të njohura gjirokastrite, Viroi, Zagoria dhe Lunxhëria, në mëngjesin e kësaj dite, na u fanepsën sërish do trakte, si të qemë duke jetuar brenda filmit më tipik, të realizmit socialist!

Padyshim që përgjatë natës së shkuar (mes 19-ës dhe agimit të 20 shkurtit), ndoca pleq memorie-gjatë, Enver-dashës e Parti-adhurues, porsi në imazhet më të “paharrueshme” të epokës së celulave ilegale, do të jenë mbledhur dhe do t’a kenë pleqëruar mirë e mirë këtë punën e trakteve...

Duke parë që mundësi për të vrarë ndonjë “kuestor” fashist nuk ekzistonin më (pasi “taljani” mbas kapitullimit, ia pati mbathur si pushtues i mundur, tashmë prej jo pak, por plot 70 vjetësh nga mëmëdheu ynë), që po ashtu edhe ndonjë qen roje të ngratë gjerman (apo “nazist”, si t’ia bëjmë me shtazën e gjorë, a mund të konsiderohet e influencuar nga ideologjia hitleriane edhe kafsha?)...nuk kishte kush t’a helmonte më (çdo përputhje me “Tomkën dhe shokët” është absolutisht e qëllimshme)...atëherë mbetëm thatë!

Patjetër që në mendjet e ilegalëve të vonuar nostalgjikë, e këtyre harabelave të Partisë, këtyre “Yllkave me bastun dhe kapele Republikë...të xhaxhit Enver”...do ketë shëndritur si rrufe në qiell të hapur edhe ideja e grabitjes së ndonjë “shaptilografi” armik, në kujtim të aksioneve pak të thuash...”heroike” të trimave ilegalë, njësiteve guerrilë të Shqipërisë së 1941-1945-ës.

Por ca shaptilografi ka dalë prej shekujsh nga përdorimi (mund të ketë mbetur brenda Muzeut Historik Kombëtar, tek sektori i Luftës NacionalÇlirimtare si dëshmi e trofeve të luftës, por nuk jam i sigurtë pasi atë pavijon s’e kam vizituar shpesh, duke preferuar lashtësinë, “Rilindjen” dhe Rilindasit e vërtetë që e shpunë Shqipërinë drejt pavarësisë dhe shtetformimit etj)...ca godinat qeveritare ku objekti në fjalë “ndukej” heroikisht nga ilegalët sypatrembur, tashmë zotërohen nga shteti shqiptar (i majtë ndër të tjera) dhe përvjedhja nëpër ato zyra, do tingëllonte cazë keq...

Atëherë çfarë u mbetej “trakte-shkrues-shpërndarësve” të lartpërmendur??

Asgjë më tepër sesa të riktheheshin edhe njëherë të rinj, 20 vjeçarë (siç citohet të ketë thënë vetë Lideri Ynë i Pamposhtur dhe i Pagabueshëm...: “Sikur të jeshë edhe njëherë njëzet vjeç, do të përvishja llërët dhe do të veja për të jetonjur dhe punonjur në fshat”...kjo ndërkohë që në të njëjtin moment që kjo frazë i dilte nga goja, po vetë ky njeri, shullohej për shtatë palë qejfe në mes të lagjes më luksoze dhe të paarritshme të Tiranës, pra ku tjetër veç “Bllokut”)...dhe t’ia nisnin punës si dikur, me përgatitje traktesh antifashiste, antikulake, antiborgjeze, antikapitaliste, anti-“kllasava të përmbisura” (kalimi nga “Y-ja” në “i” është karakteristik për zonën për të cilën flitet)...anti bustgremisjes së para 23 vjetëve pra!

...”Kjo gjë, sepse shoku Enver, nuk guxonet të përmbiset, sepse ay dhe vepra e tija, rron dhe do të rronjë, në zëmbrat tona në jetë të jetëvet”! –do të kenë thënë mes vedi pensionistët ish ilegalë.

Ndërkohë zemra u gufonte, goja u jargëzonte e fjalët u gulçonin me pathos të paparë!

Ndërsa në dhomëzën ku do të qenë mbledhur tok, si një grusht i bashkuar rreth kujtimit dhe figurës së “Udhëheqësit” legjendar, me atmosferë të gjallë e ilaritet në sallë, njëzëri do të kenë marrë zotim dhe vendosur, që qysh me natë, t’i stolisin rrugët, muret, cepat gjysëm-shurrëtore, shtyllat etj, me fotot e Enverit, teksa populli i Gjirokastrës për ta s’e çau fare, duke i lënë në marrinë e tyre.

T’a bëjnë një gjest të tillë kuptimplotë për t’a dhënë kudo (në ara, fabrika e kantiere)...“haberin” se zëri i komunizmës, stalinizmës, leninizmës e mbi të gjitha “Enverizmës” është gjithmonë gjallë...edhe kur ata birbot ish kulakë, përfaqësonjësit e kllasave që përmbisëm, vramë, pushkatonjëm, varëm, torturonjëm, i lamë të vdesën urie, i mbitëm e kumbisëm në këneta (Maliq e jo vetëm), i qëlluam në kufi (edhe në vitin 1990-ë kur diçka e tillë, pra arratisja nuk përbënte më “tradhëti të lartë ndaj atdheut)...e më tej i tërhoqmë zvarrë në mes të Shkodrës...edhe kur këta njerëz pra, çoç mendojnë se u bë deti kos dhe do na ngrenë puplat për të përkujtuar rënien e monumentit të shokut Enver!

“Me të thënë e me të bërë”...pleqtë Enver-dashës, të përdëllyer gjer në palcë nga qurravitja për “Udhëheqësin”, sa edhe të revoltuar pamasë nga përçapja miting-bërëse e “armiqve të Partisë dhe të Popullit”, me iniciativë dhe vetëveprim, si një trup i vetëm, me vetëmohim porsi stakanovistët e palodhur të ndërmarrjeve socialiste dikur, iu përshtatën teknologjisë moderne dhe shumëfishuan në kompjuterët “kapitalistë” (“Nëse s’keni armë, gjeni, merrjani atij qeni”!-thotë një shprehje e dikurshme...edhe këta truvyshkurit tanë, nën këtë moto i janë vënë përdorimit të teknologjisë kapitalisto-perëndimore me një qëllim sublim, atë të denoncimit të aktit të shëmtuar, sa të rrëzimit të statujës së merhumit, aq edhe kremtimit nga “shtresat e përmbysura” të kësaj date)...traktet me foton e shokut Enver!

E në fund ia arritën qëllimit të tyre!

“Shoku ynë Tili” (më falni se ngatërrove filmin)...domethënë, shoku ynë Enver, i rizuri muret e Gjirokastrës mëmë, qyteti ku ai e pati nxjerrë kokën e vet gjakatare në këtë botë (për të sjellë ferrin direkt-ekspres për popullin e vet).

Vërshuan mediat dhe nisën të flasin poshtë e përpjetë për këtë thagmë të re shqiptare.

Nga njëra anë në Tiranë opozita, të hequrit pa të drejtë nga puna, të supertaksuarit, të zhgënjyerit e parilindur të post 23 qershorit të kaluar, përfaqësuesit e kllasava të përmbisura nga bashkëluftëtarët, bashkëpartiakët dhe mbi të gjitha ( pa e përgjithësuar)...edhe “bashkëkriminelët” e këtyre pensionistëve Enver-dashës e trakte-shpërndarës të Gjirokastrës, të gjithë këta pra ngrinin zërin e protestës në Tiranë, duke kujtuar njëkohësisht 20 shkurtin 1991, kur opozita e parë shqiptare në 45 vjet, bashkë me sindikatat e pavarura, studentët, gratë dhe popullin e Tiranës, rrëzuan njëherë e mirë bustin e urryer të shushunjës Enver...dhe nga ana tjetër, diku, në qytetin e tij të origjinës, plasën edhe traktet enveriste!

Siç thoshte në fjalën e tij edhe zëdhënësi i trakte-vënësve pensionistë, ashtu siç pas 20 shkurtit 91, shpërthyen gjithë gjirizet, haletë më të qelbura dhe kanalet e ujërave të zeza të Shqipërisë, thënë pra ndryshe, duallën rrugëve “Vullnetarët e Enverit” me tërë barrën e trutharjes më të thellë, parrullave injorante e debilitetit njerëzor të ngritur në kult dhe histeri masive (budallëku ngjit përherë)...edhe sot më 20 shkurt të 2014-ës, direkt e nga vrima e WC-së së historisë shqiptare, u gjetën do njerëz të sklerotizuar totalisht, që të na sillnin 23 më vonë, pamjet idiote, qesharake dhe tragjikomike të dashurisë së perënduar për shokun Enver.

Asnjë problem!

Është më mirë kur gomarllëku del sheshit, sesa kur frustrimi i disave (ose shumëkujt) ndrydhet në heshtje të përvuajtur...

Meqë qeshë tepër i zënë me kundrimin e tratjave tejet interesante të fytyrës së çoroditur dhe komplet jashtë dimensionit bashkëkohor jetësor të krye-pensionistit ish ilegalo-njësitas guerril...trakte-përpunues dhe ngjitës, më shpëtoi pa e vënë re, një detaj i rëndësishëm kur vjen puna me tipa të tillë.

Ishte fjala pa as më të voglin dyshim, për orën me turinjtë e merhumit të stampuar nën akrepa!

S’do mend që do e ketë patur në dorë, se ndryshe s’ka kuptim, çfarë enveristi i denjë do të ishte, çfarë lloj anëtari celulash të “mçyera” (fshehta) Partie, ish ilegali shpatullgjerë, syshqiponjë, vetullhark, nga ata që pasi groposnin “Debatikun” shtatë pash nën dhé e vrisnin laraska (doemos kur s’u dilte para ndonjë “peppino” italian se me atë gjermanin, s’kishte “cic-mic”, s’ta bënte të gjatë ai)...më pas kalonin në pikë të vrapit nëpër kopshte e hardhi të gjindjes së thjeshtë, gjersa të qenë siguruar se ia kishin hedhur paq?

Mua vetë, mënjanë deri në njëfarë pike habisë legjitime që shfaqja e këtyre fosileve të një epoke të errët tashmë të harruar (kur të lenë t’a harrosh)...normalisht më shkakton, këto ndodhi dhe sigurisht edhe këta njerëz që bëhen protagonistë të tyre, më bëjnë të vë buzën në gaz.

Fundja për këdo që atë kohë s’e ka jetuar, apo që ka lindur pas 90-ës, ja ku i keni ore njerëz të dashur dhe të nderuar, pasojat e pariparueshme të lavazhit të trurit nga regjimi i atij njeriu që para 23 vjetësh të afërmit, miqtë dhe prindërit tanë, e hodhën përtokë (si monument, emër dhe trashëgimi) me mllef, urrejtje dhe tmerr...

Doni të dini sesi “nuk mendon” me kokën e vet, por me “trutë e gomarit”...dikush që ka kaluar nëpër proçesin e gjatë dhe të mundimshëm të skalitjes së figurës së shokut Enver brenda zemrës, trurit dhe shpirtit të tij, ja ku i keni...

Në vend që t’ia këpusi një xhiro nga liqeni i Viroit tjetri apo që t’ia marri një dore të shëndetshme “domino” me shokët, del burri i botës në moshë, për të shpërndarë trakte nëpër qytet!

“O të kripsha trutë”!-thotë populli, e shumë mirë e ka!

Po shko ore burrë të sigurohesh që nuk e ke harruar protezën e dhëmbëve mbi komodinë kur je zgjuar nga gjumi në mëngjes (gjumë me ëndërra plot me fjalime të “Udhëheqësit”, pamje pleniumesh, kongresesh, tullonash, “nga Fitorja në Fitorje”, “Bar do hamë dhe parimet s’i shkelim”, “Patatja është edhe bukë edhe gjellë” e kështu me rradhë)!

Lëri këto traktet se s’janë punë për ty më!

Ka mëngjes-drekë-darkë kanale tematike apostafat për këtë qëllim në platformën tonë më të madhe dixhitale, që shërbejnë për të na transmetuar edhe tek brezat e rinj, për të na mëkuar qoftë edhe foshnjet tona, me dashurinë për Partinë dhe Enverin, me atdheun tonë që atë kohë na paskësh qenë fushë me lule, kështjellë e pamposhtur, far i socializmës e dërr-dërr...gërr-vërr sa të duash me këtë ritëm dhe temë pafundësisht.

Puna është se me trakte-pa trakte, me rishfaqje pandalur të filmave propagandistikë të regjimit, me “memuaret” e ronitura të ish rojeve apo shërbëtorëve të kokave të sistemit monist që botohen përditë si pa të keq, gjithësesi, duan apo nuk duan trakte-vënësit e “lajthitur” si dhe nostalgjikët e tjerë, ajo kohë sido që të jetë “Vate dhe nuk ngëthenet më” për t’a thënë në dialektin e pensionistëve që mbushën Gjirokastrën mur më mur me trakte!