E premte, 29.03.2024, 05:50 AM (GMT)

Kulturë

Begzad Baliu: Si e kam përgatitur vëllimin e parë Çabej

E diele, 08.06.2008, 12:33 PM


SI E KAM PËRGATITUR VËLLIMIN E PARË ÇABEJ

Nga Begzad BALIU

Interesimi për veprën e Profesor Eqrem Çabejt ka lindur shumë kohë më parë. Madje për të saktësuar, këtë kohë, do lidhur me daljen e kompletit të tij në gjashtë vëllime, dhe me sjelljen e tyre në shtëpinë tonë, diku në vitin 1978, kur unë nuk kisha më shumë se 12 vjet. Në raftin e mbushur me qindra libra nga më të ndryshmet, veprat e Çabejt për mendjen time qëndronin më krenaret. Megjithëse isha një fillorist, që atëherë kisha lexuar shumë libra, madje edhe nga më të vëllimshmet (dhe pretendoja që për një verë – pushime, t’i jepja fund edhe romanit të Sholohovit “Doni i qetë”), në mendjen time peng e kisha kompletin e Çabejt. Pretendimet ishin marramendëse. Dy vëllimet e para të “Studimeve etimologjike në fushë të shqipes” nuk i merrja dot në mend çka më thoshin. Nga vëllimi i tretë kuptoja pjesërisht vetëm ndonjë kapitull të veprës “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe” leximin e të cilës e ! përsërisja shpesh. Nga vëllimi i katërt, gjithashtu vetëm dy-tre studime të përgjithësuara. Nga vëllimi i pestë mund të lexoja diçka më shumë. Ishte një vëllim ku ishin përfshirë tekstet e Çabejt, të shkruara jo vetëm për gjuhën, por edhe për letërsinë e sidomos për folklorin dhe etnografinë, prandaj nga këto tekste jo vetëm mësoja shumëçka, por shpesh isha krenar, që për ndonjë autor unë isha më i informuar sesa Çabej në kohën e tij! Nga vëllimi i gjashtë, i cili trajtonte veprën e Buzukut, ashtu sikur nga dy vëllimet e para unë nuk kuptoja asgjë, ndoshta me përjashtim të kapitullit hyrës.
Besoj, e gjithë kjo histori është përsëritur edhe gjatë kohës që unë isha gjimnazist, sado njohuritë i mia kanë qenë më të gjera, ndërsa pjesë nga vepra e Profesor Çabejt, (sot mendoj krejt jashtë planit mësimor), arsimtari i gjuhës na detyronte t’i përshkruajmë pavarësisht se a e kishim veprën e tij apo jo. Në vitin e dytë të shkollës së mesme e kisha lexuar dhe rilexuar vëllimin e pestë dhe kryesisht vëllimin e tretë e të katërt prandaj bashkëbisedoja shpesh me epërsi me studentët e Shkollës së Lartë Pedagogjike të qytetit të Gjilanit. Jetonim bashkë në konviktin e qytetit dhe shpesh bisedonim në mësonjëtoren e tij. Një ditë studentët më propozuan që të shkoja edhe unë në ligjëratën e lëndës Historia e letërsisë shqipe. Ishte fillimi i vitit dhe profesori nuk i njihte të gjithë studentët, prandaj as mua nuk më identifikoi. Atë ditë bëhej përsëritje e tri ligjëratave të dëgjuara. Në përsëritje, p! a dashjen time, mora pjesë edhe unë. Ato që i thoshin studentët nga njohuritë e marra në “Historinë…” e Dh. S. Shuteriqit unë i plotësoja me të dhënat më precize të Çabejt. Në fillim ngurroja dhe më dridhej zëri, por deri në fund të orës u çlirova plotësisht. Kur profesori dha pesë minutat e pushimit ndërmjet orës unë u rrethova nga studentët dhe u zbulova nga kolegët e konviktit. Nga turpi se do të më zbulonte edhe profesori mora fletoren e shënimeve dhe ika nga ora tjetër, për të mos shkuar më kurrë.
Çabej më ndoqi edhe në fillim të studimeve. Vitin e parë të studimeve kisha vendosur që të përcaktohem në drejtimin shkencor me të cilin do merresha gjatë gjithë jetës. Mirëpo më parë se sa të vendosja, hulumtova fushat e studimit në të cilën mungonin ekspertët. Onomastika ishte njëra nga këto fusha, ndërsa në bisedat që zhvillova me njërin prej studiuesve, dr. Rexhep Doçin, përveç Pyetësorit për mbledhjen e lëndës, më preferonte sidomos studimet e Çabejt në fushë të historisë së gjuhës në përgjithësi dhe në fushë të onomastikës në veçanti. Gjatë kësaj kohe ishte ribotuar vepra e plotë e Çabejt dhe për herë të parë u botuan edhe vëllimet VII –IX. Vepra e Profesor Çabejt vazhdonte të më bënte për vete.
Në vitin 1993 në Famullinë e Kishës Katolike “Shën Ndou” ishte organizuar një grup i të rinjve për të themeluar Shoqatën e Rinisë Demokratike “Pjetër Bogdani”. Aty u gjeta edhe unë. Shoqata organizohej në fusha të ndryshme të dijes dhe çdo grupi i jepej e drejta për të mbajtur emrin e tij. Tashmë isha gati. Aty për aty vendosa për themelimin e Qerthullit të Onomastikës me emrin e Profesor Çabejt. Ishin dy vite jo pa suksese, dhe shoqata më nderoi me një fletë falënderimi. Gjatë kësaj kohe përpilova disa plane të mundshme për hulumtime, sado nuk u kryen shumë sosh, ndërsa prej atyre që ia ndava vetes ishte edhe një “Bibliorafi e komentuar e veprave të Çabejt”. Mbase më shumë se kurdo, këtu ka filluar mbledhja e çdo teksti që botohej nga Profesor Çabej ose për Profesor Çabejn, sado mbledhja dhe sistematizimi i teksteve, ruajtja e revistave letrare, krijimi i dosjeve për autorë dhe tema të veçanta kanë qenë veço! ri e interesimit tim, që kur isha gjimnazist. Po këtë kohë realizova një studim, të cilin e botova në të përditshmen “Rilindja”, me titull: “Kontributi i Profesor Eqrem Çabejt në fushë të onomastikës”.
Megjithatë, vetëm pas regjistrimit të studimeve pasdiplomike u përcaktova për një projekt që lidhej me një studim të plotë monografik lidhur me Çabejn. Mentori im i propozuar Prof. Rexhep Ismajli më propozoi temën “Kontributi i Profesor Çabejt në fushë të studimit të fonetikës historike të shqipes”. Megjithëse projektin e pata punuar me përkushtim dhe dija e fituar në atë drejtim mund të quhet bazë e krejt asaj që kam shtruar në fushë të studimeve Çabejane në veçanti dhe në fushë të historisë së gjuhës shqipe në përgjithësi, gradën e magjistrit të filologjisë, për shkaqe objektive (të vendit të punës) e kam fituar në një projekt tjetër të lidhur gjithashtu me Çabejn “Çështje të studimit të onomastikës në veprën e Çabejt”.
Më 1997, kur po mendoja se aktiviteti i Qerthullit të Onomastikës “Eqrem Çabej” në kuadër të Aksionit të Rinisë Demokratike “Pjetër Bogdani” duhej avancuar, pata përgatitur një elaborat të mjaftueshëm për ngritjen e tij në një Qendër të Studimeve Shqiptare “Eqrem Çabej”, mirëpo më parë se sa elaborati, statuti, programi hulumtues, studimor dhe botues, fjalën e kishin mjetet materiale dhe donacionet të cilat nuk arrita t’i siguroj deri në fillim të luftës.
Më 1998, në 90-vjetorin e lindjes së Eqrem Çabejt, kur në Institutin Albanologjik përgatiteshim për të organizuar një simpozium kushuar Çabejt, më ra në dorë një vepër bibliografike e përgatitur nga studiue të Tiranës dhe Shkodrës. Në fund të vëllimit ishte botuar një bibliografi e përzgjedhur kushtuar studimeve për Çabejn. Prej asaj pasqyre unë kuptova dy gjëra: 1. se bibliografia e artikujve dhe studimeve për Profesor Çabejn në Shqipëri ishte më e varfër; 2. se brenda kësaj bibliografie mungonin shumë artikuj dhe studime nga studiues të Kosovës. Me qëllim të kompletimit të saj autorëve të saj iu pata nisur në Shkodër disa ekzemplarë të revistës “Shenjëzat” dhe “Jeta e re”, të cilat ishin botuar në shenjë të 90-vjetorit të lindjes së Çabejt, bashkë me një letër, me të cilën u propozoja që t’iu bashkohem dy autorëve të mëparshëm për ta kompletuar atë bibliografi edhe me artikujt dhe studimet shteru! es të bëra në Kosovë. Nuk e di nëse më është kthyer përgjigjja sepse ishim në luftë, por libri “Bibliografi e shkrimeve për Profesor Çabejn” siç duket edhe sot u botua duke vjelë vetëm ato materiale që unë ia pata përcjellë Profesor Jup Kastratit dhe Universitetit të Shkodrës.
Në dhjetor të vitit 2002 unë kisha gati vëllimin “Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt 1952-2002”, të cilen e kisha projektuar edhe si projekt botimi në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Pasi kaloi procedurat e recensuese dhe teknike libri ishte gati për botim në fund të dhjetorit. Ishte momenti për të shkuar në shtypshkronjë kur drejtori i atëhershëm i Institutit “zbuloi” Amerikën. Ne vëllimin e kësaj bibliografie kishte vënë re se kishte jo vetëm tekste të botuara por edhe tekste ne dorëshkrim, letra, rezyme të lexuara në konferenca shkencore të nxjerra nga arkivat personale të autorëve të tyre apo nga arkivat e institucioneve ku i kisha gjetur. Kjo do të thotë se në veprën time unë nuk kisha ruajtur “rregullat klasike” të bibliografive të gjertanishme, të njohura kudo, por kisha bërë një aventurë, e aventurat nuk mund të bëheshin në një institucion shkencore, sikur ishte Instituti!
Kjo ishte e mjaftueshme që të anulohej libri im para se të hynte në shtypshkronjë dhe të priste botimin deri në fund të vitit 2006, kur botimin e saj e bëri të mundur editori i shtëpisë botuese “Focus”.
Pra, duke u marrë me veprën e Çabejt, jo një herë, më shumë se me të gjitha elementet jam detyruar të merrem paraprakisht me bibliografinë e tij dhe bibliografinë për të.
Kjo vepër, para së gjithash është rezultat i këtyre aktiviteteve rinore dhe i këtij aktiviteti të pandërprerë shkencor për veprën e Çabejt.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora