E premte, 29.03.2024, 10:19 AM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Drita Nikoliqi Binaj

E diele, 16.02.2014, 06:23 PM


DRITA NIKOLIQI BINAJ

 

KU... KAH?

 

Kundër mendimeve të mia

si të nisem

rrugës se ndriçimit

të ecë rrudhave të kohës.

Si t’i bishtëroj

kohës

për dashuritë e ëndërruara

rrugës së diellit

si të kalëroj.

 

Si t’u kundërvihem

drithërimave të zemrës

me fuqi furtune.

Si të nisem

e nuk di kah

dora-dorës me kohën dinake

me erërat e tërbuara

mbështjellur.

Në cilin fillim

kah cili fund

nisja ime

Ku... Kah.

 

A DO TA GJEJ

 

Sonte

heshtja

dhëmbje e fjetur mik.

Si t’i quaj

dëshirat e mia

të parealizuara.

Si të pagëzoj

në ditëlindjen

e zogut tim të plagosur

Mik.

Nga netët e errëta

agimet s’më çelën.

Sonte

e theva gotën e shpresave

të këputura.

Cilën ditë e kërkon

në diellin tim të plaguar

të jetës sime të vogël

e dëshirave të mia

të mëdha.

 

ËSHTË NATË

 

Ç’fat i keq

kjo është vetmia ime

Ai që jep

gjithnjë është në rrezik

të humbë.

 

Dua të zhduken

lotët në syrin tim

dhe mëshira

në zemrën time.

 

Ç'vetmi më ka kapluar.

Është natë

prej meje si prej gurrës

shpërthen dëshira

kisha dashur të flas.

 

Është natë

tash zgjohen këngët

e të dashuruarve.

Por edhe shpirti im

është këngë e dashurisë

se të dashuruarit.

 

PËR TY

 

Dëshiroj të shkruaj

këngën më të bukur

dhuratë

për ditëlindjen tënde

miku im i mirë.

 

Por

më ngrihet mendja

Ku t’i gjej

ato shprehje

kur ti je më shumë

se kënga

e fjala e bukur.

 

Je zëri i qetë

i dëshirave

djepi i pa fund

i dhimbjeve.

 

Raja e fshehur

në gjirin tim.

Njeriu më besnik i jetës.

 

Të dua

fort dua

fort se ditën

e rinisë sime.

 

Ti ishe gonxhja e parë

që zbukurove

kopshtin e thatë

të zemrës së vetmuar.

 

Të dua

Si drita e syve tu

nëtët e errëta

m’i shndëriste

e dejtë si zjarri

m’i digjte.

 

Tani nuk je i imi

je fati  i tjetërkujt.

Por unë të dua

 

Të dua

fort se kurrë.

Ndoshta

edhe për atë

se je i huaj.

 

Në bulzën e lotit tim

përcolla ofshamën

e zemrës sime

ngarkuar me dhimbje.

 

Isha si qiell i thatë

pa gëzimin e hënës

në fytyrë

e pa yllin

e rinisë sime.

 

Si fole e vjedhur

pa dhimbje në zemër

e pa gëzime në sy.

 

Të putha atë natë

të derdhur

në saksinë e dëshirave

në lulëzim.

 

Qeshe

atë natë të ndezur

nga flaka e zjarrit

të syve të pangopur.

  

Jo nuk dua

që kjo këngë

të fashitet

si vullkan i lodhur.

Nuk dua

mallin që më djegë

për ty

ta lajë me lotë.

 

Ty

që më dhurove lumturinë

po t’i fali sytë

që të ngihesh

prapë me lotë

dhe lulet

që nuk vyshken

nga brëngat.

Të dua!

 

GËZHOJË ÇMENDIE

 

Gjithëçka pikturova

me emrin tënd.

 

Si të dalë

nga kjo gëzhojë

çmedie

e ndjekur

nga rrufetë e dëshprimit.

 

Rashë në prehër

të dhimbjes

në mes të errësirës

e qetësisë dhe frikës.

 

Me zemër të gënjyer

për atë

që kurrë s’e gjeta

e kurrë nuk do ta gjej.

 

Dua të vdes

për të lindur

në mëngjesin

e pranverave të ëndërruara.

 

E Ç'TË THEM

 

Kur të kthehesh

në këngët e mia

të dhuruara në vajë

si do të më njohësh

shpresa ime

e fundit.

 

Në ujërat e turbullta

zëri im pikëllim

me shpresat

e vuajtjeve tua

lule të vyshkura.

 

E ç'të them

pikëllimi im i fundit

gëzimi im i parë

në fishkëllimën e trenit

të harruar

në kohërat zhurmitëse

ç'të them?

 

KËNGË E PAPËRFUNDUAR

 

Je moment

i humbjeve të mia.

 

Ankth

që unë         

dua ta fshij

nga kujtesa ime

nga unë...

 

E kurrë

nuk të përfundova

moj këngë

e bukur

mashtruese.

 

SONTE

 

Sonte

në heshtje

përjetoj thellë

dëshirat e mia

të parealizuara

 

Me lotë pikturoj

sytë e tu të gjelbërt

në mes të errësirës

se përflakur

 

Sepse

me çdo agim

humbi

nga një pjesë shprese

 

Sonte

po tretem e trishtuar

në shqetësimin

e lamtumirës

 

Në buzëqeshjen

e hidhur

as ndarja nuk e turbulloi

shikimin tënd të kristaltë.

Ike...

 

ËNDËRR E NËTËVE TUA

 

Sikur jeta

të ishte përrallë

do të isha

ëndërr

e nëtëve tua.

 

Sikur agimet

të çelnin

vetëm në pranverë.

Çdo lotë

i shterrur

në fytyrën time

do të kërkonte

shkëlqimin

e humbur

në sytë e tu blu.

 

NË MJEGULL JETOJ

 

Nuk të ka pasur

askush kështu

si unë

që nuk të kam.

 

Në kryqëzimin e epsheve

në mjegullim

me kaplon shpresa.

STUHIVE - QETËSINË

DHIMBJES - HARENË

 

Në lëvizje - njëmijë dridhje.

Fluturoj dhe bije

E dij

se nuk të kam.

 

Të kërkoj

Të ndjej pa të prekur.

Në lojën e së vërtetës...

MASHTRIM.

 

Jetoj

për të qeshur.

Bie se bashku me shiun

kur shtëpia më qanë.

 

Peshë

e se vërtetës...

Në mjegullë jetoj

që të kem

E e dije

se askush

nuk të ka pasur

kështu si unë

që nuk të kam.

 

DO TË NA KËNDOJNË

 (Diçka ishte e turbullt)

 

Desha ta vras vetëveten

atë natë.

Gjithëçka

më ishte e çuditshme.

 

Më gufonte

edhe dhimbja edhe gëzimi

më bëhej

edhe errësirë edhe dritë.

 

Desha ta vras vehten

me thika mallkimi.

Atë natë

 

Tmerrshëm ishte

kur të godasin rrezet

e agimeve të vonshme.

E pëllumbat

t’i plagosin në fluturim.

 

Diçka më ishte e turbullt

ajo natë zhurëmitëse

e vallëzoja me ty

siluetë e dëshirave të mia.

 

I dhe fuqi

trupit tim anemik

dhe eca e eca

mijëra shkallëve të pikëllimit

deri te dëshirat e mia

të coptuara.

 

Më beson

fillimin e dhimbjeve tona

nuk e pranoj

fundin

nuk e di.

 

Një ditë

do të na këndojnë rapsodët

rapsodinë e dhimbjeve tona

me telat e këputura

të çiftelisë se fatit.

 

E do të na këndojnë

atë rapsodi

që kaherë e pritnim.

 

NUK MË KUJTOHET

 

Nuk më kujtohet

se ndonjiherë

ke qënë

banorë

i vargjeve të mia.

 

Por

jam e sigurtë

se emri yt

qëndron fshehur

në zemrën time.

 

Dhe më beso

nuk më është e qartë

ç'kërkon një kalimtar

strehim

në shpirtin

e një ëndërrueseje.

 

LOTËT QË DJEGIN

 

Je thellë në zemren time

si lumi

pa shtratin e vet.

 

Je në këngët e mia

në buzëqeshjet

në lotët

që djegin

e përvelojnë

 

Në çdo ditë

që kob ndjellë

në çdo dhimbje

që plagë shkakton

 

Je

fshehur thellë

në mua

si hije

që më përcjellë

si fantazmë

në dëshirat e mia

të heshtura

 

MË KOT

 

Kur u nisa

për ta gjuajtur fatin

armë

kisha shpresën

 

Më kot

në dridhërim

të kërkova

të të godas

 

Në gënjeshtrën

e syve tu

me plumbat

e mallit tim

të djegur.

Më kot!

 

SI T'IA BËJ

 

Në sy

rrrufetë.

Në fytyre

kaltërsi qielli.

 

Nga libri i vjetër

nxjerri

qafore fjalësh.

Në makinën shtypëse

histori e shkrumbuar.

 

Në damartë e mi

as gjak

as ujë.

 

Ç'kërkon

kjo puhi pranvere

në vronësinë

e fytyrës sime.

 

Ç'po bartë

kujtimet e djegura

motesh.

 

Ç'më kalamendin

këto fjalë

të pashkruara.   

 

Nuk e di

a do të më kthehet

djelli im

këtij mëngjesi.

A do të cicërojnë

Zogjtë.

 

Ç'mu dashtë

të të kërkoj

mes errësirës

e dritës

kur buzët

më janë ngrirë.

 

As ajo që nisem

As ajo që mbes.

E duartë

kah ti drejtojë

Ku ta hudh

këtë brengë

për ty

që kujtimet

mi ngjallë?

 

As ajo që e hudhë

as ajo që e mbajë.

 

KËNGËN E DUA

 

Natë e bukur

këndo

në këtë aheng

të qetë

e mashtrues

nostalgji ndjejë.

.

Dhimbjen

në sy e shoh.

 

Në këtë afekt

botën tënde

të qetë

dua ta shuaj

pa lotë.

 

Këngën...

edhe në dhimbje

edhe në gërç.

Këngën e dua.

 

Në këto ditë

të vështira

të njëjtë jemi.

 

Jemi fantazmë

e natës se kaluar.

Nënvetëdije

e dëshiruar

por

e heshtur.

 

Natë e bukur

për këngë vajtimi.

Vajtojmë se bashku.

 

Dhimbjet tona

nuk mallëngjejnë askend

në këtë mëngjes

të ndotur.

 

Ne vërtetë

të njëjtë jemi.

Të vetmuar

Të heshtur

e të përvuajtur.

 

KOHËN E KEMI ARMIK

 

E ngrirë

prej ndjenjave të tendosura

të lumturisë.

Në vetmi

për ty këndoj

kush e di

për të satën herë.

 

Sepse

kam nevojë për ngrohtësinë

e buzëqeshjeve tua.

Pëllumb

me zemër të përvëluar.

 

Këtë mbrëmje

me shpirt

të plagosur.

Pregadis

një hap të lehtë

të nisem kah ti.

 

Dhe tek vëreje

se kohën e kam armik.

Sepse

ditët para meje

ngelen në errësirë

të varrosura.

 

Kurse

ato prapa meje

në agun e huaj

të robëruara.

 

NUK JEMI MË

 

Këngën e fundit

e harrova

në këtë mëngjes

të bardhë.

 

Nuk jemi më

as ti as unë.

Vetëm një zë

i huaj

përshpërit

syve tu blu.

 

E në ta

është shkëndija

e të gjitha

gëzimeve të mia

që aq shumë

më mashtroi.

 

EDHE MË TUTJE E VETMUAR

 

Kur të takova

e humbur

prej lumturisë

mendova

do të zgjasë

sa përjetësia

 

Edhe pse

e dija

se kjo kohë që kalon

nuk do të kthehet më.

 

A thua kush troket

në derën time

kaq vonë.

 

E hap derën

dëshiroj ta di

por...

ti nuk je.

Mbetëm edhe më tutje

të vetmuar.

 

EJA

 

Eja

kurdoqoftë

po të kërkoj

në turmën e njerëzve

në teatër

në rrugë

në...

 

Eja

Eja në mbrëmje

në mesnatë

në agim

 

Eja së bashku

me lindjen e diellit

ose përëndimin.

 

Eja në mes

lindjes e perëndimit.

 

Eja

së bashku me shiun

borën e erën.

 

Eja

në dritën e diellit

të hënës

në errësirë

mjegull apo stuhi.

 

Eja

vetëm eja!

  

DRITË RRUFEJE

 

Çuditërisht

në krahërorin e tij

gjeta ngrohtësinë

e dëshirave të mia

 

E jeta

më buzëqeshi

si sytë e agimeve

 

Hyre

heshtazi

si dritë rrufeje

e rrezet m’i solle

befasisht

 

Në jetën time

të vogël

me shpresat

e mia

të mëdha.

 

NË VUAJTJE JAM SHNDËRRUAR

 

Pranvera në mua

zgjoi zemrën nga gjumi.

E gjithë qënja ime

të thërret

 

Shikimin

e kam ngulur në lumin

duke u shkrirë në kaltërsi

 

Desha të ik sa më larg

nga këto rrugë

nëpër të cilat

vrapuam së bashku

kah lumturia

 

Doja dike tjetër

të dashuroj

në agun e parë të mëngjesit

dike tjetër...

 

Doja t’i këthej

gjithë ato që ndjenja

për ty

e të mos dënesë më

në vuajtje jam shndërruar



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora