E enjte, 28.03.2024, 01:52 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Rezart Palluqi, prozator i nervit

E diele, 16.02.2014, 06:04 PM


REZART PALLUQI, PROZATOR I NERVIT PSIKOSOCIAL

NGA QAZIM SHEHU

Rezart Palluqi është shfaqur në llojin e gjatë të romanit me një hap të sigurtë, duke marrë përsipër të shkruajë mbi tema të ndërthurura të emigracionit dhe ambienteve sociale në Shqipëri.Prandaj dhe problemi që shtrohet në romanin e tij është se, nëse këta emigrantë të rikthyer mund të bëjnë diçka në këtë vend.Një temë tepër domethënëse që shtjellohet përmes një dileme ekzistenciale.Po kështu shtjellohet më së miri përmes një arritje artistike të lakmueshme se diçka edhe mund të bëhet, se njeriu ,në mundet, e gjen të arritshme një sukses ,pavarësisht se faktorët socpolitikë në Shqipëri shpien gjithnjë kah dekurajimi.Në fund të fundit këta emigrantë do mbeten si dallëndyshet pa fole, a është e mundur të ndodhë kjo, a mund të krijohet klimë tjetër për ta?Janë pikërisht ata njerëz që sollën në Shqipëri një koncept tjetër edhe të materializuar me fantazinë e tyre për ta konkretizuar me së miri me ndërtime nga më të bukurat.

Ajo qe më bëri përshtypje të thellë tek romani i Rezartit është patjetër ,stili i tij, thurja e një proze të lexueshme, fjalia e gdhendur dhe tipizimi i personazheve duke i dhënë ato në përmasën e një biografie jetësore të ngjeshur brenda kontekstit socpsikologjik.Por edhe një dinamizëm i rrëfimit nuk mund të ishte i tillë nëse në esencë nuk do ndiqej dramatika e jetës, përplasjet, ndeshjet, konfliktet dhe sërish ,këtu ,përmes tyre, nuk do zbërtheheshin formime njerëzish dhe karaktere, nuk do zbërtheheshin interesa, ambicje dhe nxitje të mëdha, hipokrizi të fshehta, nuk do zbërthehej një babëzi e tmerrshme e njëkohësiht disa vlera njerëzore të cilat mundohen të mbahen e mos bëhen pis në atë ambient të ndragët nga gjithë ai frustim dhe kalamendje e moralit të tronditur.Pra, të gjitha këto, autori i ndërthur bukur ,jashtë çdo konvence atmosferike, po duke i sjellë me një njohje të shkëlqyer të lëndës jetësore të cilën e transfiguron përmes figurës artistike duke na dhëne këshu edhe reflekset e tonuse filozofike.Padyshim , mbetet një roman që duhet t`i rikthehesh edhe për të nënvizuar një fjalor gjuhësor në shfrytëzimin e fjalëve krahinore elbasanase .Mbet një roman ku disa skena mund t`i rilexosh për përshkrimin e tyre plot ndjesi dhe emocion, përshkrimin e saktë dhe të plotë në formimin tërësor të personazhit.

Këto konsiderata në lexim dhe sidomos të mbetura në paslexim, dëshmojnë për një roman të mirë të shkruar me nervin e një shkrimtari që kërkon të thotë e shprehë jo vetëm kohën po edhe veten e vet,duke e bërë kështu Rezart Palluqin një nga prozatorët e rinj më të spikatur që ka guxuar të shkruajë roman jo thjeshtë si  histori dashurishë dhe ngatërresash, po më së shumti të ndërtojë personazhe që mbeten në mendje siç është Agimi dhe Florenc Dukagjini.Dhe ai iaka arritur të shkruajë një roman të mirë duke e bërë lexuesin të gjykojë dhe reflektojë dhe të ndjejë keqardhje pas leximit të romanit për fatet e personazheve dhe një zgjidhje më të mirë për to duke kërkuar; po autori prozator i prerjes realiste poetike, e çon zgjidhjen e tyre thjesht si nënshtrim ndaj banalitetit të jetës duke pranuar kompromis me moralin e shkatërruar vetëm për të mos prishur çerdhen e tyre materiale.Megjithatë poetika e jetës nuk është dëmtuar.Ajo aq bukur jepet në figurën e Mimozës,e cila fal kutitë e foleve të dallëndysheve tek sheshi i emigranteve.

Kjo poetikë është sa domethënëse aq mbresëlënëse dhe justifikon më së miri titullin, aq sa mbetet një shteg i mirë për tu çliruar nga ai ankth i trishtë , për të kërkuar një farë prehje dhe qetësi pas gjithë atij bërlloku moral, ku personazhë të etshëm për pasuri çfarë nukbëjnë që të ndjehen rehat në batakun e tyre që e kanë krijuar vetë po edhe shoqëria ua ka imponuar.

Autori i bën një prerje vertikale shoqërisë të kapur nga ethet e fitimit, një shoqëri e zhytur në korrupsion dhe e asfiksuar nga mungesa e vlerave morale, një shoqëri e transportuar nga dhimbjet në një botë ireale.Autori ka arritur të krijojë dy personazhe të realizuara ,Agimin dhe Florencin, të dy të spikatur me biografi të ndryshme po që i bashkon dëshira për të ecur përpara, po kështu dy tipe grashë si Emineja dhe Mimoza,edhe këto të ndryshme.Agimi e merr Eminenë nga ish prostitutë dhe e vitalizon, e kthen në grua duke treguar një shpirtmadhësi tronditëse po si ia shpërblen ajo këtë?Dredhitë dhe pabesitë e saj zbulohen radhë radhë duke sjellë tonet gri të një mungesë morale ashtu siç edhe ndodh me Florenc dukagjinin i cili jepet i ngurtë ,i pashpirtë dhe gjithnjë në kërkimin e një sfide kundër kujtdo veçanërisht kundër punonjësit të bashkisë.Dy shokët ndahen në karakter, njëri është i mirë vetë po ka një grua që s`e meriton, tjeri mbet i keq po çuditërisht gruaja e tij Mimoza duket se nuk është për atë.Kemi kështu parimin e një kontrasti plotësues, ku përmes punës dhe fjalëve thuren gjithnjë folezat e episodeve si një zinxhir ankthi të cilat mbajnë gjallë këshërinë.

E rëndësishme është të kuptohet se këta personazhe duhet të realizohen, ato nuk dorëzohen para asgjëje,luftojnë me mungesat dhe arrijnë.Edhe kur zbulojnë pabesitë e njëri tjetrit ata revoltohen dhe thua këtu do plasë diçka,do ndodhë të paktën një ndarjeje,mos ndoshta një vrasje.Po kjo nuk ndodh sepse ata tashmë janë përshtatur me të keqen dhe janë të detyruar ta pranojnë atë në heshtje, sepse diçka materiale kanë arritur, pas një pune në emigracion dhe aktivitetit të tyre tregtar.Kanë rendur e kanë rendur kanë marrë rreziqe në sy, kanë humbur hdhe kanë fituar po kanë mbetur dallëndyshe pa fole, sepse streha e tyre familjare nuk është gjë tjetër veçse një strehë e njollosur, përderisa duhet të bëhen pre e tradhtisë dhe vesit.

Rënia e moralit njerëzor në periudhë krizash dhe në një shoqëri që nuk e gjen vetveten është e vetkuptueshme dhe e natyrshme.Megjithatë autori nuki ndahet poetikës së jetës.Ajo jepet në guximin e personazheve për të vepruar,në një ndjenjë jashtë tekstore qëkrijohet për shëmtinë e veprimit të shumë personazheve, në një ëndërr që ngrihet vetiu sesi gjërat mund të ishin më bukur po të gjykoheshin pak më mirë.Poetika e jetës mishërohet në portretin e Mimozës, poeteshë ,një grua e devotshme e dhënë në fillim pas të shoqit ,Florencit po kur kupton dredhitë e tij, ajo jepet pas Agimit.Tek Mimoza shohim gruan e ndershme e të ndjeshme, bukurinë ideale të fjalës e të shpirtit, kërkesën e vazhdueshme për të gjetur të mirën e të bukurën.

Është e nevojshme të kuptojmë se autori i krijon personazhet të veçantë e të dallueshëm, kjo sepse ai relizon tri gjëra të rëndësishme.Njeh mirë ambjentin elbasanas dhe kohën, personazhin e vendos brenda një shtrati të gjërë dhe e thellon në biografinë e tij jetësore duke i dhënë parahistori brezash dhe histori vetjake,pastaj zotëron aftësinë që personazhin ta thellojë në marrinë e vet brenda një psikoze të pranueshme duke e futur në aventurën e kërkimit.Si i tillë personazhi veçohet dukshëm dhe vizatohet i plotë brenda konteksteve të rrethanave individuale që vijnë prej zgjidhjeve të tij, po edhe brenda konteksteve kohore.Ato të mbeten në mendje sepse janë tipa jetësorë dhe jo të sajuar,aspak konvencionalë, po të gjallë me një botë më vete,e biografi të shtrirë në disa aspekte dhe të konkretizuar realisht.

Autori krijon një minibotë me ambjente fshati,ambjenti i shtëpisë së Agimit, rrugët dhe mjediset e kafeneve, gjithashtu ai e zgjeron këtë me lëvizjen e personazheve të cilët duket sikur këmbëngulin pasi apatia është e padëshirueshme për të.Kështu mjaft e bukur është edhe skena e dhurimit të luleve nga Agimi në doganë që njerëzit të luteshin për djalin e tij të sëmurë.Është një botë sa reale aq edhe me konotacion poetik.Këtë mund ta bëjë çdo njeri, çdo baba, po sikur i shkon së tepërmi Agimit ,këtij njeriu të mirë të cilin e shoqëron Mimoza poeteshë.Këto skena ku futen në ndërveprim lëvizje njerëz të kombësive të ndryshme, marrin një karakter mbireal, surreal dhe bëhen interprete të ndjenjave më të ngrohta e më të sinqerta, sepse shpirti njerëzor gjithnjë ka dëshirë të zgjerojë hapësirat e tij.Është një nga skenat më të bukura ku ndërkëmbehen dialogë filozofikë kulturorë ku sillen dhe përsillen pamje të ndryshme njërëzore shoqëruar nga brenga e përhershme e Agimit dhe një farë çlirimi njerëzor ndaj së keqes.Skena të shumta herë erotike e herë dramatike janë dhënë në roman me natyrshmëri dhe njëkohësiht ato jepen në kuadrin e një vijimësie logjike të ngjarjes, po edhe të kontrapunkteve të cilat përcjellin ndjenja dhe mendime interesante.

Rezart Palluqi me romanin:”Dallëndyshe pa fole”, dëshmon se e ka të lindur talentin e tregimtarit lirikofilozofik po njëkohësisht ai zotëron edhe masën e rrëfimit, njeh mirë strukturën e romanit duke vënë gishtinmbi plagë sociale prej nga lindin drama të pafundme nganjëherë aq ngjethëse sa tësjellin një ndjenjë të madhe pasigurie dhe mosbesimi tek specia njerëzore.Ky është realiteti dhe ai nuk do t`i ikë kurrë parimit të vet krijues për të zbuluar tek ky realitet drama të mëdha sociale e psikologjike ku karakteret e ndërtuara keq ose të dobët thyhen lehtë.Këtij realiteti këto karaktere duhet t`i përshtaten duke u kthyer deridiku në tipa balzakianë, ndonëse jo me atë forcë.Ata nuk mund t`i sillen realitetit me parimet humane,sepse e dinë, do dalin jashtë tij, e duke dalë jashtë tij nuk do mbijetojnë.Edhe Agimi,që është një personazh i realizuar, me një ndjenjë të mirë për gjërat edhe ai është i detyruar t`i përshtatet të pranojë tradhtëtinë e së shoqes , vetëm pse ka gjysmën e biznesit me të.Ata kthehen nëautomatizimin e një realiteti banal ,të egër e kokëfortë në paudhësitë e tij.

Stili i Rezart Palluqit dallohet për shkathtësinë, elokuencën dhe zhdërvjelltësinë e frazës, gjithashtu për një ritmikë rrëfimore që vjen dhe ngrihet vazhdimisht .Ai e njeh mirë gjuhën dhee kultivon frazën, gjithashtu nëpër pasazhe të ndryshme ne gjejmë informacione që tregojnë një autor të lexuar, një njeri të kultivuar dhe mjaft shprehje të tij dallohenpër forcën sintetike aty ku autori pa mbetur impersonal është i detyruar të ndërhyjë me gjykime dhe paralelizma që përforcojnë situatën ose i sillen përshtat psikologjisë dhe veprimit të personazhit.

Romani është një tablo e mirë psikorealistepoetike e kohës së sotme, e njerëzve të saj , gjithashtu ai sjell kthesa dhe zhvillime të personazheve që vihen në provë për shkak të rrethanave objektive dhe pasionit të tyre ,për shkak të synimeve që i kanë ambicioze, e, në këtë rrugë janë gjithnjë dëshmitarë të uljengritjeve të valëzuara të realitetit që të obsesionon.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora