E premte, 19.04.2024, 10:27 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Përse do kujtuar 20 shkurti 1991?!

E shtune, 15.02.2014, 08:47 PM


Përse do kujtuar 20 shkurti 1991?!

Nga Elvi Sidheri

Imazhi i parë që më është ngulitur në mendje nga ajo ngjarje e tashmë 23 vjetëve të shkuara, është sheshi Skënderbej pasditen e 20 shkurtit 91.

Sheshi e sidomos zona ku pati qenë monumenti, ishte mbushur plot me gurë dhe copa pllakash betoni, që dukej se qenë përdorur nga ana e protestuesve ngadhënjimtarë mbi statujën e diktatorit, ndaj forcave të rendit që u përpoqën më kot dëshpërimisht atë ditë për të mbrojtur atë simbol të urryer të një regjimi që nuk dinte dhe nuk donte me asnjë kusht që të jepte shpirt (metaforikisht...pasi ai sistem dhe vënësit në jetë të metodave, represionit dhe shtypjes së tij, vetëm nocionin e shpirtit që nuk e patën kurrë)!

Unë si fëmijë ende në moshë të herët për të kuptuar diçka të thellë nga politika, gjithësesi mbaj mend që zgjuarsisht dhe largpamësisht, më kishin larguar nga Tirana pasiqë me siguri prindërit e mi të kujdesshëm, ashtu si edhe mjaft të tjerë besoj, e kishin idenë dhe po e nuhasnin në ajër, atë gjë të madhe që kishte për të ndodhur atë ditë.

Realiteti i habitshëm shqiptar i atyre ditëve të zjarrta, në mendjen time ngatërrohet sot e kësaj dite, nëpër skena nga skenat e programeve të televizioneve italiane që duhet të kem qenë duke i ndjekur natën përpara 20 shkurtit, me grimca sekuencash të lajmeve të TVSH-së ku tregohet statuja e udhëheqësit, teksa tundet ca herë e më në fund, mrekullisht njëherë e mirë bie përtokë dhe më pas tërhiqet (siç e meritonte) koka e bronxtë e shokut Enver rrugëve të Tiranës nga njerëzia e revoltuar, sa edhe e lumturuar në ekstazën që përçonte rreth e përqark triumfi mbi një sistem 45 vjeçar.

Në përshtypjen time prej fëmije, doemos që atë pasdite të para dy dekadave e ca, sheshi Skënderbej do më jetë dukur si më i zbrazët, pa xhaxhin Enver me njërën dorë lart dhe tjetrën në xhep, që sundonte edhe në të vdekur (nga ferri më i përvëluar patjetër) jo vetëm qendrën e Tiranës, por edhe gjithë reston e Shqipërisë së ngratë.

Në të njëjtën kohë, gurët e shumtë që kishin mbushur vendin, përveçse si dëshmi të betejës së fortë të zhvilluar atypari për të rrëzuar e copëtuar monumentin e udhëheqësit, më qenë dukur (imagjinatë e zhvilluar fëminore siç rëndom ndodh në atë moshë plot fantazi)...dhe për habi më duken akoma, si pjesëzat e imta, të një sistemi të tërë, të një regjimi vrasës që brenda pak orësh ishte bërë “copë e çikë” dhe qe shkrirë porsi bora nën rrezet e diellit!

E vërteta është, që pas 20 shkurtit 91 asgjë nuk do të ishte më e njëjta!

Pasoi 31 marsi me zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri dhe “Fitorja e Pirros” e PPSH-së që mundi të mbante bastionet fshatare ku ende mbisundonte zinxhiri i organizatave bazë dhe celulave komuniste, përzjerë me dozën e fortë të prapambetjes gjysëmshekullore moniste si dhe varfërinë ekstreme post-kooperativiste, por që u thye keqas në të gjitha qendrat urbane të vendit, aty ku kultura dhe liria e të menduarit, nuk qenë shuar kurrë plotësisht, as edhe në ditët më të errëta të shtypjes së luftës së klasave.

Periudha e fushatës për zgjedhjet e 31 marsit më ka mbetur në mend me disa episode ndërkohë...

Kujtoj ende “luftën” e ethshme që zhvillohej mureve të pallateve të lagjes, ku siglat e PD-së opozitare sa herë zhgarraviteshin, për pak çaste do të qenë fshirë nga ndonjë “dorë” e majtë dhe pa kaluar ora, do të rishfaqeshin menjëherë papritur e papandehur.

Kujtoj po ashtu brezat e ndryshëm brenda familjeve shqiptare, që dallonin nga njëri-tjetri jo vetëm për shkak të bindjeve politike të cilat bëheshin të dukshme lehtësisht përgjatë bisedave të ndezura e plot pathos që zhvilloheshin mes tyre në tavolinën e bukës apo në kafe, por edhe nga ora kur niseshin për të votuar më 31 mars...më të vjetërit qysh në 7 të mëngjesit (e të qe e mundur, pse jo edhe në orën 5.00, pa zbardhur akoma dita e pa kënduar as gjeli më entuziast)...dhe më të rinjtë, paradite ose edhe pasdreke, me ngenë më të madhe.

Me nge dhe durim, sepse: “S’kishte më daulle që t’i çonte me detyrim nga gjumi që në pikë të mëngjesit për të votuar Frontin dhe Partinë që na printe në ballë”!

Nuk do të kishte fëmijë sado të painteresuar për çështje të zhvillimeve politike të ditës, që kaq gjë të mos e kuptonte dot,  duke parë sikur edhe përciptazi, sjelljet e të afërmëve të vet...diferencat e pakapërcyeshme në botëkuptimet midis gjeneratave të ndryshme, bindjet politike dhe gjykimin lidhur me një erë që po përfundonte (monizmin)...e të gjitha këto gjëra, të sqaruara vetëm nga ora kur secili prej tyre kishte vajtur të votonte atë ditë fundmarsi të 1991-shit.

Po ashtu nuk mbaj mend të kem vërejtur as gëzim të papërshkruar në sytë e krahut të moshuar të familjes (ata që patën votuar herët, kuptohet se për kë)...për fitoren e as ndonjë shenjë trishtimi të dukshëm të anëtarëve të rinj të saj (që e kishin marrë me përtesë, duke shfrytëzuar “privilegjin” e të votuarit absolutisht për herë të parë, për kë t’ua donte zemra, kur t’ua kishte ënda).

Mesa dukej të gjithë e dinin se epokat patën ndryshuar dhe një erë e re po niste, me tërë vështirësitë dhe të panjohurat e saj të shumta.

Kurse nga 22 marsi i vitit pasardhës (92-shit) më vjen para syve sidomos dëshpërimi i pangushëllueshëm i një fqinjës sonë të mirë dhe të dashur, e cila qante me dënesë aq sa dëgjohej deri brenda apartamentit tonë ngjitur me të sajin dhe që vajtonte sikur t’i kishte ndërruar jetë ndonjë i njohur i afërt, për “humbjen e pushtetit” (nga PPSH-ja që brenda ditës ca kohë më parë, qe shndrruar në PS)!

Duan të thonë të mirëinformuarit se psherëtimave, lotëve pafund dhe pikëllimit të saj të pakufijshëm, fre u kishte vënë përfundimisht i shoqi, një ish ushtarak i lartë i regjimit, i cili me një realizëm të spikatur, kthjelltësi dhe racionalitet të rrallë, i pati thënë: “Po çfarë humbe ti moj grua?...Cilin pushtet paske humbur ti, pushtetin e fshesës apo pushtetin e leckës dhe kovës së çimentos”?

Habia e vërtetë për cilindo që do t’a shihte realitetin shqiptar nga këndvështrimi i dikujt që nuk e ka jetuar atë kohë, ose më mirë, që nuk ka lindur në Shqipëri fare, është se si është e mundur që në një vend ku në një mënyrë apo një tjetër, 90 % e popullsisë  i pati vuajtur në lëkurë pasojat e atij sistemi (në mos persekutimet ose dënimet e pushkatimet masive, sidoqoftë mungësën totale të lirisë në çdo formë të saj dhe mbi të gjitha varfërinë e skajshme)...shumëkush jashtë “kastës dhe trashëgimtarëve të saj”, të qahej dhe të vijojë qurravitjen kronike edhe pas kaq vitesh, për rënien e regjimit?!

20 shkurti pra për Shqipërinë, është po aq i rëndësishëm sa ç’është edhe kapërcimi dhe shkatërrimi i Murit të Berlinit për gjermanët, sa lëvizjet sindikaliste të “Solidarnosc” në Poloninë e fillimviteve 80-të që kulmuan me tërheqjen e gjeneralit Jaruzelski dhe patën mbështetjen e pakursyer të Papës së madh polak Gjon Palit të II-të e mbi të gjitha, ajo ditë mund të krahasohet, bashkë me lëvizjen demokratike të dhjetorit 90-të, protestat studentore, grevën e urisë në Universitetin e Tiranës etj, me revolucionin popullor rumun që çoi në rrëzimin e Çausheskut dhe pushkatimin e tij dhe të bashkëshortes Elena.

Atë ditë kur thotë edhe populli...”U nda shapi nga sheqeri” dhe shoku Enver megjithë copat e monumentit të vet, pasi u kalërua dhe u tërhoq zvarrë nga njerëzit e thjeshtë të cilëve regjimi i tij u pati mohuar lirinë, të drejtat themelore dhe dinjitetin më intim...doli me turp dhe u shkul me forcën e vendosmërisë popullore, nga qendra e Tiranës, por edhe nga panteoni i historisë shqiptare ku kishte hyrë me përdhunë.

Sepse pikërisht dhuna pati qenë sinonimi i 45 vjetëve të regjimit diktatorial izolacionist megalloman që mbi shëmbëlltyrën e figurës dhe nën urdhërat e direktivat e tij, u ngrit dhe shtypi shqiptarët sistematikisht.

20 shkurti ishte pra fundi i përçapjes së tejzgjatur që mëtoi me të gjitha mjetet dhe metodat, ligjet e posaçme dhe trushpëlarjet më të mirëpërpunuara qysh nga 1945-a e në vazhdim, që t’a hyjnizonte figurën dhe veprën kriminale të Enver Hoxhës para dhe pasi i pati kthyer patkonjtë nga dielli “merhumi” në fjalë (në të gjallë apo si statujë).

Ajo datë u pasua nga mjaft ngjarje që e shenjuan thellësisht historinë e demokracisë sonë të brishtë shqiptare .

Në Shkodrën e traditave, qytetarisë dhe shpirtit të paepur, u vranë më 2 prill të atij viti nga dora e një regjimi të plagosur, por ende të etur për gjak të pafajshëm...edhe katër djem të rinj përballë godinës së Komitetit të Partisë.

Përtej gjithë sekreteve, të paditurave, të pathënave, mistereve dhe pikëpyetjeve që lidhen me atë ngjarje të dhimbshme e revoltuese, ndoshta, padashur aspak t’a relativizoj, ky mund të ketë qenë gjithësesi një nga ato raste tipike që në gjuhën italiane njihen si “Colpo di coda”, pra goditje me bisht të një bishe në grahmat e fundit, goditje që sidoqoftë janë po aq, në mos më tepër të rrezikshme dhe vdekjeprurëse se zakonisht.

Për t’a mbyllur, 20 shkurti tashmë mund të konsiderohet pa hezitim, si momenti kur shqiptarët ditën që të ngrihen mbi padrejtësitë, plagët, ndrydhjen, të kaluarën e errët, gjakun dhe kalvarin e tyre dhe brenda një dite, e shpunë statujën, emrin dhe veprën e diktatorit, përgjithmonë për në FERR, aty ku e kishte vendin.

Pas 23 vjetësh, sado të përpiqet më kot ndokush që figurën e këtij njeriu, monumentin e të cilit shqiptarët e gremisën pa mëshirë në 20 shkurt 1991...dhe bashkë me të edhe një regjim të tërë sadist, t’i lyejë me ngjyra pseudo-patriotike, me nuanca të zbërdhylura neo-rehabilituese apo edhe me reminishenca trulajthitura filo-moniste, gjithësesi kujtesa e asaj dite dhe pamjet e rënies së statujës së diktatorit, shërbejnë si një pikë referimi e pashmangshme për të treguar se kjo lojë ka marrë fund!

20 shkurti është pika ku shqiptarët ia treguan vendin fantazmës gjakatare dhe statujës së njeriut që i pati vrarë e internuar, dhunuar e çuar në kufijtë e urisë për një gjysëm shekulli.

Siç 1912-a përfaqëson pavarësinë, 1944 –a çilirimin nga okupatori i huaj, atëherë 20 shkurti është ngadhënjimi mbi frikën, shtypjen dhe të keqen që ngërthehen në emrin e Enver Hoxhës.



(Vota: 17 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora