E enjte, 28.03.2024, 11:40 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Adem Zaplluzha

E shtune, 15.02.2014, 05:02 PM


Adem Zaplluzha me bashkëshorten Sulltanen

ADEM ZAPLLUZHA

 

THIRRE ATË ZONJË

 

Ulu miku im

ulu

Më pritë në stolin e parkut të vjetër

Para se të vdesin fjalët

T’i arnojmë kujtimet

 

Po më dridhen duart

Të lutem

Thirre atë zonjë flokëthinjur

Të na ndihmojë

Në punët e qepjes së dhembjeve

 

Sytë tanë nuk e shohin

Veshin e gjilpërës

S’dallojnë asgjë përtej hundëve

Sa di unë

Ajo nuk vuan nga diplopia binokulare

 

Kam parë edhe më herët

Se si i qepte këmishët e erës

Me siguri do na ndihmon

Është një zonjë e rënd

Me zemër të madhe

 

E kur t’i arnojmë kujtimet

Do kemi edhe punë të tjera

shihe si është shqyer

Lëkura e ime

Kurse për  plasat shpirtit

S’kemi se çka të flasim

 

QESHIM EDHE NE

 

Sa i ftohtë ky gur

Murana tejmatanë portretit

Fshihet në kornizën e kujtimeve

Dhe qan si një foshnje

 

Një i shtyrë në moshë

Ka disa pasione

Me një krehër druri

Në parkun e azilit të pleqve

I kreh mustakët

 

Dita lëpihet

Si macet e zeza në diell

Një zonjë e thinjur

Në një cep të parkut

I lexon letrat e dashurisë

 

Dita këtu nuk dallohet

Prej ditëve të tjera

Përpos kur kemi fasule për drekë

Qeshin tavolinat

E mbuluara me çarçafë plastike

 

Qeshim edhe ne

Sepse miku im i dhomës

Nuk mundet me i ndal

Gazrat e sotme

E as ato të së kaluarë

Kështu jeta këtu kalon

Askush nuk mundet

Me e kapur për dore

Kalin e egër që largohet

Për çdo ditë nga pak

 

NË NJË MULLI KAFEJE

 

Sot për drekë

Na i dhanë nga dy mollë

Miku im i vjetër

E grimconte si miu i bardh letrën

 

Kurse zonja

Me pallto të zezë

Në një mulli kafeje

I bluan kokrrat e pjekura të pemës

 

Pa asnjë dhëmbë në kokë

Ai atje në bankën e kuqe

Lexon shtypin ditorë

Por nuk i pëlqejnë mollët

Për çdo ditë i ëndërron

Germat e plumbta

 

Thonë se dikur kishte qenë poet

E kaluar poetit

Patë shkruar për një Lul të vocërr

Pastaj dikur më vonë

Ia pa sherrin e kësaj pune

 

Disa vite internimi

Dhe ja sot

I përcjellë të gjitha gazetat

Duke dashtë ta gjej

Mes ushtarëve të plumbtë

Lulin e tij të vocërr

 

PËR ÇDO KOHË DHE ORË

 

Nuk di

Se si hyri në pavijon

Një arkivol i vjetër

Por sa ora doli i mbështjell

Me një plaf të dhirtë

 

Askush nuk e ktheu kokën

Andej kah doli kufoma

Pamje e zakonshme

Në lagjen tonë

Kështu i gjuajnë pulat

Kur u bie sëmundja e tokës

 

Më vonë u dëgjua zëri

I trishtuar i sirenës

Hynë disa mantel bardhë

Dhe dolën

Po me një këmishë të bardhë

 

Sa bukur e kishin veshur

Portretin tim

Korniza e zezë i kishte lyer buzët

Me ngjyrë dheu

Sa që lakmonin milingona

 

OSE TË NXIRA

 

Ditët këtu

Nuk dallojnë aq shumë

Njëra prej tjetrës

Dikujt i bie tensioni

E dikujt tjetrit i ngritët sheqeri

 

Për çdo kohë e orë

Miqtë mi

Largohen si hijet

Për një kafe farmak

Kurrë më nuk kthehen të pinë

 

Gjethet bien të zverdhura

Ose të nxira

Stinët këtu përherë

Kanë disa lloje martesash

Por janë të qeta pa këngë

E daulltarë



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora