Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jusuf Osmani: Një vepër kolosale

| E premte, 14.02.2014, 08:57 PM |


NJË VEPER KOLOSALE PËR PROGRAMET POLITIKE TË LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

(Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Programet politike të Lëvizjes Kombëtare shqiptare 1878 – 1990), botoi Instituti i Historisë, Prishtinë, 2013, 429 faqe)

Nga Prof. Dr. Jusuf Osmani

Prof. dr. Sabile Keçmezi - Basha është emër i njohur e respektuar si intelektuale dhe veprimtare e çështjes sonë kombëtare por edhe protagoniste e transformimeve të rëndësishme në aspektin e zhvillimit të historiografisë sonë të kohës më të re  në kontekst të kontributit për çështjen kombëtare shqiptare, veprimtaria e të cilës shtrihet edhe përtej hapësirës tonë kombëtare.

Duhet theksuar se kujtesa njerëzore - të predikuarit e tyre të cilat bartën nga brezi në brez kanë rëndësi të madhe shoqërore dhe vlerë historike. Mirëpo pjesë e të predikuarit të tyre njerëzit me kohë e harrojnë. Kur njerëzit i shpjegojnë dhe i shënojnë  vlerat deskriptive në formë të shkruar, atëherë ato më gjatë mbesin në formën materiale, prandaj edhe vetëdija njerëzore mund ta reprodukojë dhe ta ruajë përherë.  Për këtë qëllim është angazhuar autorja e shumë librave shkencore prof. dr. Sabile Keçmezi - Basha, duke përfshire edhe këto dy të fundit, të cilat ditë më parë i ka  promovuar: Programet politike të Lëvizjes Kombëtare shqiptare 1878 – 1990 dhe Veprimtaria atdhetare ilegale në Anamoravë 1945-1968, libri i parë.

Studiuesja dhe krijuesja Sabile Keçmezi- Basha me punën e saj hulumtuese dhe shkencore, gjithnjë me vështrim kritik, i nënshtrohet fakteve dhe ngjarjeve të kohës nëpërmjet të dhënave faktografike për dy librat e saja të fundit për programet politike të Lëvizjes kombëtare dhe Veprimtarinë atdhetare ilegale në Anamoravë. Të dhënat  i japin veprave një shkëlqim në aspektin shkencor, duke e futur autoren në rangun e studiuesve serioz që veprat e saja kanë vlerë të veçantë. Prandaj, konsideroj se autorja me këto libra ka arritur që të jap kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve e botimeve të burimeve me të dhëna të reja.

Përkitazi me veprën e parë – Programet politike të Lëvizjes kombëtare shqiptare, autorja në parathënie të librit thekson se Organizatat e shumta kombëtare-politike patën dhe luajtën një rol të rëndësishëm në çlirimin e vendit. Ato, në frymën patriotike edukuan dhe ngritën vetëdijen kombëtare dhe armatosën masat e gjëra me ndjenjën e përgjegjësisë për realizimin e qëllimit suprem që, tokat shqiptare, të cilat kishin ngelur nën okupimin jugosllav, në një të ardhme jo shumë të largët, të çlirohen dhe të bashkohen me shtetin amë. Organizatat patriotike ilegale që u formuan në trojet shqiptare dhe në mërgatë (1945-1990), sikurse edhe veprimtaria ilegale gjatë atyre viteve, dalloheshin me frymën kombëtare dhe me angazhimin për të dalë nga ajo gjendje. Mjeti më i fuqishëm i lëvizjeve organizatave ilegale kombëtare, si në vend ashtu, edhe në mërgatën shqiptare, për të mbajtur gjithnjë idenë e bashkimit kombëtar, ishin programet politike.

Rëndësia e programeve politike të organizatave ilegale, të cilat u hartuan nga atdhetarët më në zë të kohës, është e madhe: ato kishin karakter kombëtar; ato njoftonin opinionin e gjerë shqiptarë dhe atë ndërkombëtar për qëllimet e tyre dhe për luftën shekullore dhe për përpjekjet e pareshtura të popullit shqiptar për të fituar dhe vetëvendosur për fatin e vet, si dhe frymëzimin për domosdoshmërinë e organizimit të rezistencës kundër robërisë.

Vepra “Programet politike...”  e shkruar nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha  ka strukturën, parimet dhe metodën shkencore të njohjes e të konkludimit, gjakftohtësinë dhe drejtpeshimin e arsyetimit, që i duhet një studimi me karakter të mirëfilltë shkencor.  Është një studim voluminoz që i paraprinë parathënia dhe shtjellohet e ndarë në dy pjesë, ndërsa ato në kapituj të cilët secila paraqet tërësi në veti. Në pjesën e parë paraqitën Programet politike të lëvizjes kombëtare shqiptare 1878-1945, duke filluar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878 e deri te Konferenca e Bujanit. Ndërsa, pjesa e dytë Programet politike të organizatave ilegale atdhetare në Kosovë 1945-1990, duke filluar nga formimi i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare më 1945 e deri më formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga e tërë ajo që është shkruar, autorja me këto dy vepra ka bërë një shërbim të vlefshëm studimeve të historiografisë shqiptare. Veprat në fjalë pa  dyshim së janë fryt i punës së gjatë dhe të jashtëzakonshme të studiueses dhe  hulumtueses së mirëfilltë, znj. Basha. Botimi i këtyre veprave është edhe një dëshmi se historia e Kosovës, si dhe figurat dhe ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizuan  periudhën të cilën e trajton dhe ndriçon autorja zgjon interesimin dhe vazhdimisht janë në fokus të studimeve të shumë veprimtarëve, publicistëve dhe  shkencëtarëve të periudhave kohore.

Thuhet se një ngjarje ka ndodhur vetëm nëse shënohet.  Një popull i cili nuk e njeh historinë e vërtetë të tij, një popull ende i mashtruar, që nuk njeh vetveten, identitetin dhe aspiratat kombëtare, nuk mund të jetë plotësisht i lirë, i qytetëruar dhe i vetëdijshëm për të përballuar sfidat e sotme e të nesërme, për të dalluar miqtë nga armiqtë dhe për t’u integruar denjësisht e kombëtarisht në bashkësinë e madhe demokratike. Popujt pa kujtesë dhe qartësi historike, por edhe pa identitet e të ardhme kombëtare, janë të destinuar të asimilohen e tretën. Që mos të harrohet e kaluara historike për tematikën e caktuara ka kontribuar profesoresha Sabile.

Në fund theksojmë se veprat në fjalë si për nga përmbajtja që shtjellon, nga thellësia kohore që trajton si dhe mbarështimi i mbështetur  në parimet e metodologjisë së punës shkencore, jo vetëm që përbëjnë një arritje të pakontestueshme të autores, por gjithashtu janë vepra me vlerë  historike e shkencore të pamohueshme.  Në tërësi fryma e librit është pohuese. I dendësuar në informacion,  do të shërbejë për të forcuar bindjen kontributin e atdhetarëve tonë dhe personaliteteve të kohës që kontribuuan për çështjen kombëtare shqiptare. Mendoj se për këtë libër padyshim do të kenë interes shumë gjenerata dhe studiues të çështjes sonë kombëtare në Kosovë dhe më gjerë.  Këto janë një bankë të dhënash për shumë studiues të së ardhmes.