E enjte, 25.04.2024, 11:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Vjollca Tiku Pasku: Një libër i dëshiruar

E enjte, 13.02.2014, 08:33 PM


ROMANI “MATURA E PAHARRUAR” I SHKRIMTARIT VULLNET MATO NJË LIBËR I DËSHIRUAR NGA TË GJITHË MATURANTET DHE ADOLESHNTËT.

Nga Vjollca Tiku Pasku - shkrimtare

Teksa shikoja djalin tim katërmbëdhjetëvjeçar të përqendruar mbi një libër, vura re se në fytyrën e tij ravijëzohej herë pas herë buzëqeshja, më pas një psherëtimë dhe përsëri buzëqeshje. Dukej sikur ai libër përmbante një pasqyrë reflektuese emocionesh në rreshtat e tij. U afrova të shikoja se ç’farë po lexonte. Ishte libri” MATURA E PAHARRUAR” e shkrimtarit Vullnet Mato. U bëra kureshtare dhe nisa të lexoj edhe unë, duke u ngjitur të fluturoj në kaltërsinë e qiellit të hershëm të maturës time. Fillova të dëgjoj zërat rinor si rrjedhë ujëvare që mblidhen në gjirin e shkollës. Libri me rrëmbeu dhe pas tim biri e çova leximin me një frymë deri në fund. Në faqet e tij konfirmova dhe një here se energjia dhe ëndrrat e kësaj moshe reflektojnë drejtë yjeve. Rinia e parë është si xhevahiret e bardha të agimit, ku këndojnë gjithmonë zogjtë e dëshirave... Ata e veshin vetveten dhe botën me mrekullinë moshës së tyre. Shpesh shkumësi është si një mjegull e bardhë që krijon fantazia në dërrasën e zezë... Mendimet e tyre të zhdërvjellëta rrëshqasin si zhivë në botën e adoleshencës. Të nxitur nga ndjesia, se të mësosh, të studiosh dijet e njerëzimit, është sfida e parë në jetë, ata duket sikur e kuptojnë që do vijë dita të marrin stafetën në dorë, do të ndahen në profesione të ndryshme dhe do të japin më të mirën për vendin e tyre. Aty vizionet e tyre shpalosen me largpamësi dhe mendja e tyre është tërësisht  e hapur për hapësirat e botës së madhe që i pret... Moshën e adoleshencës do ta krahasoja me çelësin e parë të ndjenjave që hap të fshehtat e kësaj botë. Maturantët na jepen në kapitujt e këtij libri, si të rinj kurdoherë të zgjuar që rreken të fitojnë të ardhmen me mendjemprehtësinë e tyre. Natyrisht nuk u mungojnë lojërat, çapkënllëqet e ndryshme, apo ngacmimet.

Një personazh mjaft i dashur, është ai i Biban bullafiqit, i cili shkakton të qeshura me vargje të rimuara që përmbajnë thumba për elementet negativë të jetës shkollore. Një karakter ku në majën e gjuhës së tij, gjendet përherë humori dhe mirësia. Një tip i dashur si për shokët dhe shoqet e tij, po ashtu edhe për mësuesit e mirë, që janë si llamba e bardhë ku digjet flaka për të ndriçuar udhën e shtigjeve të dijes. Shpesh shpalosen ngjarje se janë pikërisht këta mësues që zbulojnë talentet e nxënësve dhe i motivojnë arsyen e nxënies së diturive.

Mësues Oresti është mishërimi i të gjithë mësimdhënësve të talentuar, i cili kishte gjetur sekretin si mund të hyhet në zemrat e nxënësve për të zgjuar dëshirën e futjes në të fshehtat e lëndës së fizikës, njësoj sikur të zbuloje shtigjet drejt një universi të ri. Ai vepron si një arkitekt në formimin e mendimeve të nxënësve dhe këtë e bën duke derdhur së pari dashuri prindërore. Ndaj ai ishte bërë shumë i dashur për ta, deri edhe në besimin e sekreteve të tyre.

Si kometa të ftohta sillen përreth nxënësve edhe mësues pa takt, që shpeshherë krijojnë përplasje me nxënësit, siç është mësuesja fanatike Sofika. Një mësuese historie, e cila ofendimin e kishte në fjalorin e saj të përditshëm, pa menduar fare se nuk kishte fëmijë para saj, por njerëz të rritur tashmë, që përgatiten të ecin me këmbë në tokë. Në ballafaqimin që kërkuan nxënësit me të, ajo tërhiqet e mundur në taktin e saj pedant, duke mos pasur asnjë arsye serioze për të vijuar këtë natyrë sjelljeje në të ardhmen, sepse pendët e mendjemadhësisë i rrëzohen përtokë dhe e bëjnë të mendohet thellë. Një nga nxënësit, i thotë: “Mësuesi i lëndës së historisë është një derivat i dijeve, ndërsa ne jemi shuma e përgjithshme e gjitha derivateve. Truri ynë është si një hardisk madh me kapacitet disa qindra gigabajt... “Atëherë pse silleni si kalamaj, e jo si njerëz të pjekur?”, mundi t’u thotë ajo...”Sepse nuk jemi dyzetvjeçar, jemi tetëmbëdhjetë vjeçar, që bëjmë edhe lodra, çapkënllëqe, të cilat janë pjesë e moshës sonë...Vetëm atë çast, ajo e kupton sa “kalamaj” janë këta tetëmbëdhjetëvjeçarë, të cilët me logjikën e tyre e lanë pa fjalë. Me ardhjen e një grupi kontrolli nga drejtoria arsimore, mësuese Sofika transferohet në një shkollë nëntëvjeçare.

Megjithatë, pjesa e shëndoshe e kolektivit mësimor bën që nxënësit maturantë të pasurojnë dijet dhe të zhvillojnë gjerësisht intelektin e tyre. Pasionet e kësaj moshe jepen nga autori si hëna e argjendtë që plotësohet ngadalë dhe merr formën e plotë. Ndjenjat e para lulëzojnë si pranvera e hershme me gonxhe të vogla. Janë dridhmat e para që vijnë me erën e dashurisë, e çelin lule kudo, në emocionin e zërit,  në sytë, duart e në të gjithë shtatin e tyre. Kjo valë misterioze zbulon aromën e dashurisë mes nxënësve tashmë të rritur. Një nga kapitujt me të bukur është dashuria e Sokolit me Alketën. Ajo dashuri rritet nëpërmjet shpirtit të tyre mbushur plotë dritë .Nga fryma e njëri-tjetrit ata zbulojnë ndjenja të reja si zbulimi i kontinenteve të rinj të pasur me shumë thesare. Por megjithëse janë në një moshë ku pasionet u fluturojnë si era pranverore, kjo dashuri kontrollohet nga sistemi i vetëmbrojtjes së Alketës, për të mbetur e pastër si kristal. Ajo e dinte se trupi i saj ishte një masë mjalti, ku kishte burimin dashuria, por mendonte se jeta është e gjatë dhe i dashuri i saj ka kohë për ta shijuar.

Libri mbyllet me mbrëmjen e maturës...Ku të gjithë japin premtimin, se megjithëse rrugët e jetës do jenë të ndryshme, shoqëria e tyre e çimentuar gjatë viteve të shkollës nuk do të ndryshojë. Flatrat e zemrave të tyre rrihnin plotë shpresë për të nesërmen, duke përfytyruar një botë më të mirë dhe më të bukur. I gjithë ky sfond libri jep realisht marrëdhëniet ndërmjet nxënësve, dhe me mësuesit e tyre... Bota e tyre psikologjike e përshkuar nga autori ish mësues, nëpërmjet gjuhës individuale, të bën në çdo faqe libri të ndihesh maturant. Gjatë gjithë kohës që lexova këtë roman, isha ulur padashur në bankën e maturantit dhe mora pjesë në të gjitha dialogët dhe ëndrrat e tyre. Rezonanca që të përshkon në çaste të tilla, është ta ndjesh veten në këtë botë të bukur, nëpërmjet realizimit të projektorit të ëndrrave të dikurshme. Tepër elokuente është dhe kënaqësia që dhurohet nëpërmjet dialogjeve, të cilët identifikojnë tipat psikologjik dhe krijojnë përfytyrime personazhesh të gjalla nga pranvera e parë rinore. Për të ndjerë brenda shpirtit, dinamizmin e madh, që të përshkon nga fillimi deri në fund të librit.. Kuptohet, se për të arritur këtë nivel artistik në vepër, autori është bazuar edhe në përvojën e tij personale, në punën e mësimdhënies për shumë vjet. E kush më mirë se profesori dhe shkrimtari Vullnet Mato, do t’i njihte nga afër këta breza njerëzor, që hyjnë në arenën e jetës, të pajisur me dije dhe tejet të përgatitur me psikikën intelektuale, për t’u ndeshur me vështirësitë e saj, për të stiluar agimet e reja të kësaj bote.

Ky roman është një pasqyrë vezulluese, që veç nxënësve, kushdo mund të shikojë aty vetveten në rininë e pare.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora