Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Një spanjoll në Shqipërinë moniste!

| E marte, 11.02.2014, 08:10 PM |


Një spanjoll në Shqipërinë moniste!

Nga Elvi Sidheri

Hose Katalan Deus (lindur në 1949-ën) jeton në Madrid dhe është një gazetar me karrierë të gjatë pas krahëve, gjatë së cilës ka alternuar postet drejtuese në gazeta dhe revista të ndryshme spanjolle, me punën si reporter apo komentator.

Përgjatë një dhjetëvjeçari ka qenë korrespondent në Londër dhe Romë e gjithashtu ka ushtruar profesionin e tij si gazetar në Paris dhe Tiranë (ku kaloi 2 vjet mes 1974 dhe 1976).

Aktualisht përveç impenjimeve si kritik kulturor, shkruan libra dhe është analist lidhur me tema të ndryshme globale pranë disa organeve të shtypit spanjoll.

Intervista:

Çfarë dinit për Shqipërinë përpara se t’a vizitonit për herë të parë?

Njihnim vetëm propagandën ekzaltuese dhe triumfaliste që i bënin vendit publikimet e FRAP (Fronti Revolucionar Antifashist dhe Patriot) ku grupoheshin mbështetësit dhe mbrojtësit spanjollë të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij komunist.

Aty prezantohej Shqipëria si “parajsa e punëtorëve”, si fari i socializmit, një lloj Edeni Utopik.

Të gjitha këto na dukeshin si më të vërteta sesa versionet e shtypit të ligjshëm të regjimit të gjeneralit Franko, ku flitej shumë pak për Shqipërinë dhe në rastet kur përmendej, atëherë ajo tregohej si një burg plot mizerje.

Duke qenë unë komunist dhe marksist-leninist...doja që t’i besoja propagandës sonë...dhe në fakt i besoja!

Si ju dukej Shqipëria më parë dhe me çfarë përshtypje e latë vendin tonë pasi qetë larguar (dhe pas qëndrimit dy vjeçar në Tiranë)?

Sigurisht që ky versioni i “sherbetosur” dhe totalisht falls me të cilin qemë mësuar, u rrëzua përtokë në momentin që arritëm në Shqipëri në shkurt të 1974-ës.Asgjë nuk ishte ashtu siç na e patën treguar.Vinim të përgatitur mendërisht për të gjetur një vend të varfër, njerëz të thjeshtë dhe një ekonomi mbijetese, por realiteti e tejkalonte (për keq) çdo parashikim tonin.

Gjërat ishin mjaft më të vështira se çfarë dikush mund të përfytyronte, ushqimi gati komplet i racionuar, dyqanet praktikisht të zbrazura, vetë jeta e qytetarëve e kufizuar në mbijetesë, frika për të dhënë një opinion e bërë një kritikë, ishte e kudondodhur ndërsa prania shtypëse e strukturave shtetërore dhe qeveritare, ishte e padurueshme.

Ishte pra një diktaturë “shumë më tepër Diktaturë” se ajo që patëm lënë pas në atdheun tonë (Diktatura Frankiste që nisi pas Luftës Civile Spanjolle ku nacionalistët u vunë në fundvitet 30-të përballë Republikës Socialiste, revolucionarëve nga gjithë bota, falangave komuniste dhe anarkiste etj...dhe përfundoi me vdekjen e gjeneralit Fransisko Franko dhe nisjen e tranzicionit demokratik në vitin 1975)...ishte njëlloj si Spanja rurale e shekullit të XIX-të!

Ajo që neve si idealistë na dukej si më pozitive, ishte se dukeshin si minimale diferencat klasore, që në pamje të parë mbretëronte një “barazitizëm” brenda asaj gjendje mangësish të pëgjithshme.Por me kalimin e kohës viheshin re pa shumë mundim privilegjet e atyre që bënin pjesë tek krahu fitues (i kohës së Luftës Nacionaçlirimtare), pra Partia e Punës, Hierarkët, Komiteti Qëndror, antarët e saj të lartë apo jo, familjet e tyre nga një anë...dhe margjinalizimi i tërë atyrë që konsideroheshin armiqësorë ose “të vakët” ndaj sistemit.

Më në fund, pas dy vjetësh jete të përditshme në Tiranë, kur u largova në janar të 1976-ës, imazhi i idealizuar me të clin isha mbrujtur para se t’a shihja me sytë e mi të vërtetën, ishte zhdukur njëherë e mirë, por gjithësesi akoma e mbroja Shqipërinë zyrtare të kohës, duke u rrekur t’ia falja publikisht mangësitë dhe problemet, por së brendëshmi  e gjithë shpresa komuniste më ishte shteruar dhe bindjet e mia poltike qenë mallkuar.Pak muaj më vonë, në shtator të vitit 1976, vendosa përfundimisht që të abandonoja Partinë Komuniste Spanjolle, partinë që drejtonte edhe FRAP-in ku unë pata milituar.

Si ishte përditshmëria juaj në Tiranë?

Neve ishim disa të ftuar (miq të regjimit) të përkëdhelur dhe të mbrojtur.Jetonim falas në një vilë të ndërtuar prej italianëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një kat të madh me të gjitha komoditetet e nevojshme, me një verandë dhe të tëra shpenzimet e jetesës të paguara nga shteti shqiptar.

Kishim një person në shërbimin tonë, një grua të mrekullueshme të quajtur (ndoshta, pasi nuk më kujtohet mirë emri i saj)...Bizhia, e cila qe e ngarkuar për t’u marrë me gatimin dhe pastrimin.

Kishim edhe nga një rrogë të mirë nga e cila përherë kursenim mjaft me apo pa qëllim, për shkak se kishte shumë pak mundësi për t’a shpenzuar, shkonim nëpër restorantet e qendrës së Tiranës të dielave, hanim mëngjes tek Hotel Dajti, blinim ushqime të mira...kur kishte në dyqan pak herë në vit (fruta ose karkalecë deti)...dhe për të tjera, fusha ku më tepër shpenzonim ishte ajo e objekteve tipikë të artizanatit shqiptar, që i ruanim për t’ua dhuruar familjarëve tanë kur të ishim kthyer në Spanjë.

Punonim shumë.Unë në Radio Tirana si përgjegjës për emisionet në gjuhën spanjolle, gruaja ime në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” si mbikqyrëse e përkthimeve në spanjisht.Për më tepër, çdo ditë unë jepja mësime spanjishteje dy orëshe.Shpesh bëja edhe folësin gjatë transmetimeve radiofonike në gjuhën time.

Mbikqyrëm po ashtu edhe tre vëllimet e “Veprave të Zgjedhura të Enver Hoxhës” në spanjisht, që u botuan në atë periudhë, të cilët ende i ruaj, si nga kujtimet e pakta të asaj kohe.

Pasditeve dilnim për ndonjë xhiro me vajzën tonë të vogël, e cila erdhi në Shqipëri 4 muajshe.

Më tej shumë lexime të shtypit spanjoll e atij ndërkombëtar dhe nga pak televizor në mbrëmje.

Pushimet i kalonim një muaj në verë në Durrës tek njëra nga vilat e Partisë.Ndonjë ekskursion e vizita, pjesëmarrje në përkujtomore të ndryshme, takime dhe mbledhje me të huaj të tjerë që jetonin në Shqipëri si ne etj.

Shumë pak kontakte me njerëzit e zakonshëm, përveç atyre profesionale.PPSH-së nuk i pëlqente shumë që shqiptarët të mbanin kontakte me të huajt...edhe kur këta konsideroheshin të besueshëm (si ne).

Ishte një jetë profesionistësh pa probleme ekonomike, shumë e izoluar, mjaft intime.Si të qemë brenda një globi të mbyllur, nuk kuptonim asgjë nga realiteti që na rrethonte.

Ku punonit ju në atë periudhë?

Siç e thashë edhe më lart, tek Radio Tirana, por gjithashtu ishte parashikuar që unë të isha pjesë e çeljes së studimeve të spanjishtes në Universitetin e Tiranës, por plani pësoi një ngrirje në çastin e fundit pa u ditur arsyeja.

Atëherë kjo gjë u zëvendësua me formimin në spanjisht të dy punonjëseve të reja për Radio Tiranën (Elsa Bashkevani dhe Rina ?), kur pata ardhur në Shqipëri nuk dinin asnjë fjalë spanjisht dhe kur u largova dinin mjaftueshëm, u bënë përkthyese zyrtare të gjuhës spanjolle për shumë vite dhe njëra prej tyre vazhdon të jetë.

Domethënë që bëja profesorin e spanjishtes, redaktorin dhe spikerin e Radio Tiranës, mbikqyrësin e librave në spanjisht të publikuara nga shtëpia botuese zyrtare (ku Skënder Semini që kishte pas studiuar në Kubë, ishte përkthyesi zyrtar) dhe gjithashtu një tip ambasadori jozyrtar i miqve dhe mbështetësve spanjollë të regjimit shqiptar.

Si ishte organizmi i Radio Tiranës në seksionin e gjuhëve të huaja?

Radio Tirana ishte njëra nga transmetueset europiane që kishte më tepër emisione në gjuhë të huaja, rreth dy duzina.Në spanjisht kishte transmetim gjysëm orësh ditor, në orare dhe gjatësi vale të ndryshme për Spanjën dhe Amerikën Latine.Transmetonte lajme e komente nga/dhe që kishin të bënin me Spanjën dhe vendet Latinoamerikane, të redaktuara prej nesh (ishim unë dhe gruaja ime si dhe një dyshe tjetër spanjolle bashkë me dy kilianë që kryenim këtë punë) si dhe lajme e komente nga Shqipëria, të përgatitura nga Partia dhe personeli i Radios e të përkthyera nga ne.

Departamenti i gjuhëve të huaja i Radio Tiranës ishte i madh, seksioni në spanjisht kishte një shef, disa redaktorë (Piro Andoni etj) dy përkthyes shqiptarë (Leo Prela dhe Niko Revi)...

Nuk kujtoj shumë, mbaj mend që zinim një kat të tërë të ndërtesës së Radios që ndodhej përballë Ambasadës Kineze.Kishte indonezianë, neozelandezë, brazilianë (si për shembull Bernardo Joffilly, përkthyesi i vetëm në portugalisht i veprave të Ismail Kadaresë) njerëz nga gjithë Europa, nja 30-40 veta besoj.

Sipas llogarive të mia, aty punonin gjithësej afërsisht 100 veta dhe në studiot e regjistrimit punohej papushim vazhdimisht.

Drejtori i radios besoj se ishte Piro Vita.

A u mësua lehtësisht familja juaj me stilin e jetës në Shqipëri?

Gruaja ime kurrë nuk u mësua në fakt!Ia kalonte mirë sepse ishim bashkë dhe vajza jonë po rritej shumë më mirë se çdo kishte bërë po të kishim qenë duke jetuar si refugjatë poltikë në ndonjë vend tjetër, por sidoqoftë ajo i dallonte difektet e atij sistemi shumë më qartë sesa unë, vuante për shkak të mungesës së përherëshme të artikujve kryesorë të jetës së përditshme dhe nuk e ndjente aspak ngushëllimin që kisha unë nga ideologjia.

Kurse vajza ime e vogël mendoj se pati një fëmijëri të lumtur, shkonte në çerdhe, por ishte aq e mitur sa pak mund të thuhet për të.

Si e ndjenit (dhe kuptonit) ju impaktin e regjimit në jetën e e shqiptarëve të thjeshtë?

Si një larje të përgjithshme truri!

Shumë frikë, jetë tejet e varfër, një shtypje absolute që e kufizonte jetën e shqiptarëve në mbijetesën më të vështirë.

Kishte gjithashtu disa shtresa të privilegjuara të besueshme, ushtarakë, kuadro si dhe një pakicë e paarritshme drejtuesish që jetonte në zonën e ndaluar të Tiranës.

A kishte Tirana ndonjë lloj jete nate në atë kohë?

Zero absolute, për çfarë dinim neve të paktën.Besoj se sapo kishte përfunduar një persekutim i madh kundër influencës perëndimore në rininë shqiptare dhe ishte reduktuar së tepërmi mundësia për të ndjekur televizionet italiane.

Vetëm ndonjëherë, kur shkonim për të pirë ose ngrënë diçka tek kioskat verore pranë Liqenit Artificial, shikonim grupe studentësh pak më të relaksuar.Por sido që të jetë e vërteta është se gjithçka dukej si një manastir gjigant laik, njerëzish gri e të trishtë, burrash e grash të gjithë njëlloj.

Si ju dukej zhvillimi i jetës kulturore shqiptare gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë?

Ekzistonte vetëm kultura nacionaliste popullore e stilit socialist.U hap një muze i artit bashkëkohor, por ishte vetëm shkolla e të ashtuquajturit “realizëm socialist”.Kishte festivale muzikorë, por vetëm folklor tradicional me tekste propagandistike.Filmat që realizoheshin e shfaqeshin në televizor ishin të paktë dhe tepër të dobët teknikisht, gjithmonë në favor të regjimit.Shkrimtarët reduktoheshin vetëm tek Ismail Kadare (që na e prezantuan si ndër drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve)...e shumë pak më tepër se aq.Them se kurrë nuk vajtëm në teatër.Nga jashtë vinin vetëm gjëra kineze.Pra jeta kulturore ishte asfiksuese.

Si ju dukej gjendja e ekonomisë shqiptare në sistemin socialist?

Një gjë ishte si dukej së jashtmi dhe tjetërgjë ishte realiteti.Dukej se kishte njëfarë zhvillimi e progresi, por ishin gjëra tepër më inferiore, krahasuar edhe me vendet fqinje.Ndërkohë që diferencat me Europën  Perëndimore ishin të jashtëzakonshme.Eksportoheshin vetëm prodhime bujqësore dhe minerale.Kombinati siderurgjik (metalurgjiku) i Elbasanit dukej sikur të kishte lindur i prapambetur.Nxjerrja e naftës nuk besoj se i kaloi ndonjëherë përmasat simbolike po ashtu.Në atë kohë, me 30 vjet përvojë regjimi socialist, shpartallimi i sistemit ishte absolut.

A mundët juve personalisht të dallonit shenja të dukshme varfërie tek shqiptarët?

Në fshat jetohej shumë varfërisht, gati në mizerje.Në qytet më mirë, por pa e tejkaluar mbijetesën.Ishte një varfëri e pastër dhe me dinjitet ajo e shqiptarëve të zakonshëm, pa lypës apo papastërti nëpër rrugë, me rroba të pastra, por të shëmtuara, një jetë me qëllime minimale e asgjë më tepër.

Ishte e lehtë (apo e vështirë) për një të huaj, që të kuptonte realitetin e komplikuar që jetohej në Shqipëri në atë kohë (diktaturën, shtypjen e kundërshtarëve politikë, mungesën e lirisë së shprehjes)?

Ishte e pamundur sepse jetonim të izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë, ishim të predispozuar nga idetë tona politike që t’u besonim gjërave që na tregonin, asnjëherë ndokush nuk guxoi të formulonte edhe kritikën më të lehtë në praninë tonë, për arsye se do të luanin me jetën e tyre në atë mënyrë!

Fraza e zakonshme e njerëzve që punonin me ne ishte “Detyra jonë” kur binte fjala për kushtet e punës apo të jetesës.U dënua dhe pushkatua Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku dhe neve as që e morëm vesh një gjë të tillë.U zhduk edhe një shok peruan, Felix Soto, i cili kishte marrëdhënie tepër të papëlqyera nga autoritetet me një grua shqiptare, e nuk dëgjuam më për të dy ata.Më ndodhi njëherë që të komentoj kalimthi me studentet e mia nëse kishte një bazë detare në Vlorë dhe gati më përzunë nga vendi.Në fund të fundit, situata ishte aq idioteske saqë sot të duket e pamundur.

Si ju dukej ateizmi zyrtar i Shqipërisë?

I detyruar, brutal.Atëherë e aprovoja.Nuk e njihja dhe/ose aprovoja mënyrën e tmerrshme sesi u imponua ndaj shoqërisë shqiptare.

A i besonit me të vërtetë (ju, të huajt) gjithçkaje që propaganda zyrtare proklamonte?

Po, ishim miq zyrtarë, pra të barasvlefshëm me diplomatë mirëdashës kundrej regjimit, të indoktrinuar edhe vetë nga partitë tona.Por realiteti krijonte gjithësesi krisje të përcipta në bindjet tona, si fillim në mënyrë të pandërgjegjshme, pak nga pak të pamundura për t’u injoruar.

Çfarë ideje kishin shqiptarët atëherë për spanjollët dhe Spanjën?

Lufta Civile e humbur nga Republika, Brigadat Ndërkombëtare me praninë e Mehmet Shehut, sa burrë i keq që ishte gjenerali Franko, sa ekip i mirë që ishte Reali i Madridit dhe faktin që tipat si neve që vinim në Shqipëri, qemë të mirë, sadoqë pak të besueshëm për shkak të zakoneve tona dekadente, unë mbaja edhe mustaqe...!

Në fund, pas kaq vitesh, çfarë opinioni keni për Shqipërinë?

Një vend dhe njerëz që i kam përherë përzemër, të cilët gjithmonë do t’i dua shumë, që pëherë i kujtoj me lot në sy dhe të cilëve u uroj gjërat më të mira.Të gjithë ata që njohëm u sollën mirë me ne, mundem vetëm t’u jem mirënjohës.

...intervistoi dhe përktheu nga spanjishtja Elvi Sidheri