E marte, 23.07.2019, 09:01 PM (GMT+1)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Paranoiku

E hene, 10.02.2014, 09:25 PM


PARANOIKU

NGA KALOSH ÇELIKU

Skizofrenia si sëmundje “kriza” e shoqërisë moderne, shërohet me vite. Zakonisht, manifestohet me halucinacione akustike e deluzione paranoike. Çrregullim mental, i cili karakterizohet me shkatrrim të procesit mendor dhe përgjigjes emocionale. Deluzionet e madhështisë paraqiten kur ti mendon se je shumë i veçantë, apo ke fuqi e aftësi të veçanta. Paranoiku dëgjon gjëra që të tjerët nuk i dëgjojnë, sheh gjëra që të tjerët nuk i shohin, nuhat gjëra që të tjerët nuk i nuhasin, ndjen diçka që po ia prek lëkurën, pa e prekur fare, shijon diçka që nuk është aty në sofër. E përjeton veten si i huaj, një tjetër njeri, të cilit i mungon aftësia e vënjes të kufirit midis Un –it (vetes) dhe të tjerëve në ambientin rrethues të shoqërisë. Shkaku çrregullimit të të menduarit, i cili ka halucinacione pamore, dhe sidomos dëgjimore: dëgjon zëra, fjali të tëra me përmbajtje të këqia ose të mira të cilat beson se i vijnë nga jashtë për qëllime të caktuara “patriotike”.

Fatkeqësisht, shqiptarët siç duket këtë sëmundje serioze të shekullit, duan ta heqin qafe brenda një dite. Gabim i madh histroik. Konkurencë shkencore sot për sot i bënë vetëm Facebook. Amerika këto ditë ka zbuluar një bar të ri për shërimin e sëmundjes së shekullit, Facebook. Shërimi nga kjo sëmundje e rrezikshme që e ka pushtuar botën, të cilën shkenctarët e krahasojnë me drogën, hiç më pak kushton rreth katërmbëdhjetë mijë dollarë. Punë tjetër është ajo se, personazhi im Rradakja, nuk vuan nga kjo sëmundje e pashërueshme (droga), po nga paranoja, një sëmundje tjetër e rrezikshme patologjike. Fatkeqësi e shekullit, që sot për sot ende nuk ka ilaç. Prandaj, edhe nateditë rrinë në internet, u ka vënë pusi shkrimeve të mia me komente teknefese. Mirë, do te thoni ju, po nuk di të bëjë punë tjetër si Rradake Bostani?! Jo. Paranoiku ka mëkate mbi samarë që nga koha komuniste, sistem i egër monist që i la edhe pasoja, kur sa herë që ia bënin me gisht argatët e “Vetëshërbimit të kukullave” në gazetën e “vëllazërim - bashkimit”, ai na ndërseheshte me të katra pas shpine. Vite më vonë, Paranoiku me “fajin” tim si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar do të na përvidhet edhe në Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: “Ditët e Naimit” (1997), në Tetovë. Gjithë kohën, atëherë kur përpiqeshim të ngrihemi më këmbë si institucion, nga strofulla e Doktorziut që e ndërsente me gisht pas porte, ai do të leh gjithë jetën me një asht në gojë si Këlysh me zgjebe. Përçajë, krijuesit shqiptar dhe do të na ngatërrohet nëpër këmbë vite me radhë si kulturofag i dalldisur shqiptar. Përderisa, një ditë edhe nga atje nuk do ta përzënë me një shqelm bythëve si një bub të zgjebosur katundi.

Profesionin e lehjes pas shpine, nuk e ka harruar edhe sot e kësaj dite. Zoti ia ka dhënë këtë dhunti natyrore, e jo talentin dhe fantazinë për t’u ngjitur majave të larta me borë të Sharrit Plak. Mendja e rren se, nëse i ndërsehesh pas shpine ndonjë të Madhi, atëherë edhe ti vërtetë je i madh në katund. “Guximin” e mori para disa ditëve kur doli me shkrime teknefese për Adem Demaçin dhe Hashim Thaçin. Provokime rrugaçi me shkrime e komente i bënë edhe autorit të këtij shkrimi. Askushi, mendon se ndonjëri do të ulet me të në një sofër, ulë veten në nivelin e një kalemxhiu të çajtoreve. Dikur, kur e sheh se askush nuk ia varë “kalemin”, merr guximin dhe sulet me emër e mbiemër. Pavetëdije se, i gjithë ai mllef shtazarak do t’i kthehet aty për aty bumerang. Nuk shkon as një ditë, dhe kur sheh se askush nuk i pergjigjet, e injorojnë të gjithë ato që e njohin si kalemxhi, delë me një sqarim, se: dikush e keqpërdorë emrin e tij duke shkruar komente. Merreni me mend, njolloset alamet emri, i burrit me brekët mbi pantollona?! Përsëri, tërbohet si i përçartë plotë sharje e fyerje, flet jerm duke e zbuluar veten më në fund se, vetë është autori i atyre komenteve teknefese. Përpiqet, gjithë fajin t’ia hudhë tjetrit duke futur kokën si struci në zall me bythën për mejdani palare, në diell. Trusakatit, si nuk i shkon mendja se INA i ruan gjith ato E-maile dhe i di me emër e mbiemër autorët e komenteve. Edhe, e ka për obligim për hir të lexuesve t’i publikojë emrat e tyre, kur “fakiri” autorsinë e atyre komenteve pa asnjëfarë argumenti ia mveshë autorit të këtij shkrimi analitik parashikues për Nesër. Përmëtepër, lexuesi e di stilin e autorit për të cilin dyshon kjo Rradake skizofrenike pa asnjë bërthamë. E njeh origjinalitetin e tij larg me qindra kilometra po të shkruajë edhe vetëm një fjalë, e ku më një fjali ose koment.

Ironia e shekullit, edhe sot e kësaj dite pret t’i përgjigjen ata burra, humbin kohë të merren me këtë këlysh me zgjebe, që t’i shërojë komplekset e veta dhe lëvdohet në çajtoren e katundit se, ka polemizuar me të mëdhenjt e Kombit! Terapia ime shëruese: vetes t’i bie sa më parë përmbrapa te ndonjë mjek – psigolog, në psikiatri. Rreziku i kanoset në tru, ka simptome tërbimi. Nuk e kisha këshilluar të shkojë te Hoxha i Allahut pas ndonjë hajmalie. Mjaftë e ka një të tillë me shkronja arabe nën këmishë: Torbën me taxhi për qafe. Koha është për masa serioze parandaluese, t’ia përzënë xhindet. Sëmundjes skizofrenike me kohë t’ia presin rrënjët. Perndryshe, do të sillet rrugëve me kokën nën sjetull, i sëmurë gjithë jetën duke folur vetëmevete me xhindet nëpër qytet.

Edhe, Rradakja e shkretë nateditë me  vite vetëm ka lehur pas Ujk Malit. Herë pas porte, e herë i strukur nën ndonjë ferrë si lepur me frikën në bark. Shkaku se, Natyra ia ka falë për ditëlindje dhuratë frikën. Ëndërr e sheh Autorin e këtij shkrimi edhe në gjumë. Nuk e ka lexuar tregimin Lepuri me pushkë (1983), kur shkon te burimi të pi ujë dhe zateket ballë për ballë me Ujk Malin. Përpak  nga frika t’i shpëtojë në brekë. Shkaku se, pushka do edhe zemër. Mendimi filosofik vlen edhe për penën. Mësim i mirë ky për Rradaken, si ta përdorë dhe kur lapsin. Letërsia nuk krijohet me frikë. Mjerë ai kalemxhi, që guximin e tij e rrokullisë gjithë jetën në brekët e partive politike. Gjallë e mbajnë veten nën sjetullat partiake, aqsa janë në pushtet partizanët e tyre në Qeveri. Ditën, që ato vdesin nëpër kabinete, me vete i marrin edhe shërbetorët e tyre besnikë me “veprat” sakate arnë përmbi arnë në varr-piramidë si faraonët e Egjyptit. Ruajna Zot, rrezik është nëse edhe në Ditën e sotshme të mbanë për krahësh në letërsi Doktorziu!

Lufta me penë ende nuk ka përfunduar në fushën e betejës. Ende nuk i kemi përdorur të gjitha armët luftarake. Fishekun e fundit flakë më flakë si tek ajo kënga popullore kërçovare e Sulë Jetimit: A more vesh, moj e zeza grue/ me Kaloshin jam fjalue/ Tym për tymi n’atë përrue... Fusha e mejdanit i njeh vetëm trimat. Frikacakët, zakonisht dalin trima pas lufte. Liria e do luftëtarin, thotë  Niçe:

 

Moskokëçarës, përqeshës,

të egër – ashtu na do Urtësia:

ajo është grua

dhe gjithmonë e do vetëm

luftëtarin…

 

Robëria martohet me frikacakun. Historia, si fis i kaçakëve na njeh me pushkë dhe armët në brez. Edhe me penë. Burra të pushkës e penës, që kemi hyrë edhe nga oxhaku. Atëherë, patjetër duhet të keni durim, prisni t’i harxhojmë të gjithë fishekët: Përpara mejdanin, sesa armët.

Honxhobonxhot me këmbëngulje përpara mejdanit, na i kërkojnë t’i dorëzojmë armët e luftës. Strategji e tyre paranoike. Letra “dashurie” anonime më shkruajnë nën shkrimet e mia publicistike gjoja si komente. Në vend që të merren me shkrimin, gjithë kohën merren me fizionominë dhe jetën time private si shkrimtar: mjekrën, kësulën, rakinë e rrushit, shtambat me verë. Miken nën Rrap. Vjellin sharje e ofendime të nivelit më të ulët njerëzor. Flamurin “kombëtar kuqezi” në këtë betejë e mbanë Rradakja, që kur tërbohet nën shkrimet e mia, herë delë anonim duke e fshehur veten edhe në dimi të grave, e herë merr guximin edhe me emër e mbiemër. Papritmas, ndonjëherë shkon edhe aq larg në rolin e mjekut sa më shpallë edhe të sëmurë duke vjellë plot epitete: mediokër, psikopatologjik, smirak, hipokrit, djall i Tanzmanisë… I shkreti, ende e rren veten se do t’i përgjigjem këtij niveli të komunikimit, humbë kot kohë me shkrimin e komenteve.

Edhe kësaj radhe, le të mos gëzohet, nuk i përgjigjem atij teveqeli, po lexuesve të mi duke jua sjellur lakuriq e pis një fenomen të çuditshëm shqiptar. Fare nuk i shkon mendja se, unë nuk e urrej, por e dua marrëzisht trusakatin. Tek tashti bindem se, ia kam arrirë, qëllimit si shkrimtar. Rradakja e ka gjetur veten me shokë këmbekrye si “hero” i pulave partizane nëpër shkrime duke u rrokullisur mes dy “bardakeve” me çaj rusi. Tjetër punë se, ai ështe “hallall” e nuk ështe “haram”, nuk e pi verën e as rakinë. Megjithatë, na pajton Xhadia. Ligjërata e Hoxhës Allahut në YooTube, kur thotë, se: “myslimani” mirë nëse në këtë botë i ka dy, ose tri gra, në atë botën tjetër Zoti i jep edhe 92 të tjera si shpërblim, në Xhehnet. Gjithësejtë do t’i ketë, 95 gra në mesin e luleve. Omar Khajami po të ishte gjallë sot dhe ta dëgjonte ligjëratën e këtij Hoxhe, me siguri librit të tij me Rubaira do t’ia shtonte edhe një rubairë të arrirë artistike: O burra, t’i sulemi “armikut të pabesë”, pash më pash t’i biem Xhehnetit!

Vertetë, Rradakja ma kënaqi Lapsin. Zemra, kurrsesi nuk më thotë ta urrej, por ta dua si personazh trim hipur mbi gomar, të cilin e tërheq për kërpeshi te Pazari Grave Hojdodolja. Dyert e fantazisë, pasmesnate m’i hap krah më krah. Dorën në zemër, “flijimet e tia artistike” për një torbë taxhi, vërtetë më bënë shkrimtar. Krah për krahu me Hojdodolen  si trima pas lufte duke i shti edhe nëpër libra, në bibliotekë.

Dhe, Rradake Bostanin, nuk e vrava unë me penë, po ai vrau veten me “plumba” dumdumë mes komenteve teknefese…



(Vota: 289 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT