E premte, 19.04.2024, 11:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Problemi i të shkruarit

E hene, 10.02.2014, 08:59 PM


Problemi i të shkruarit

Nga Dr. Ilir Muharremi

Njeriu nga vetja nuk mund të nxjerrë kërkimin për frymëzim pa filluar të absorboj, pastaj gjatë nxitjes, euforisë rrugore krijuese has në ushqime të ndryshme të cilat mënjanohen, dhe disa prej tyre ruajnë vërtetësinë. Shkrimtarët, piktorët, muzikantët e në përgjithësi artistët , shpallin publikisht krijimin e vazhdueshëm, krijimin e them se kështu e identifikojnë, por ata nuk janë të vetëdijshëm se veç përpiqen të imitojnë, t’i përsëritin pamjet e vërtetave subjektive të cilat në fund rikrijojnë një realitet egoist individual. I tërë krijimi është vetëm një imitim i pamasë nën maskën e individit dhe cilësohet nga vetë dora e krijuesit si imitim më i lartë. Që në fillim këta krijues shpallin veten të ditur, dhe vërtet janë të ditur derisa mundimi i tyre fillon të përshkohet, zmadhohet, pasurohet duke ngritur në shkallë të lart egoizmin krijues, por ata harrojnë se ishulli i tyre është pa të ardhme, pa një vazhdim mbi fuqinë që ishte në fillim, pastaj forcat shterohen, dhe fillojnë të përsëritin apo të citojnë mendime, përshtatin fraza duke i konstatuar si të tyre. Këta krijues besojnë në atë që nuk ju takon, por si mos të besojnë kur janë konsumuar dhe kanë thithur aroma të ndryshme.

Shkrimtarët tonë edhe pse përpiqen të ikin nga periudha e djeshme, prapë se prapë jetojnë në të djeshmen, jo pse duan të shpartallojnë frontin e tempujve, por nuk mund të eliminojnë me një të rënë të lapsit. Periudha e djeshme qe ajo e komunizmit, errësirës në art, ata përcaktoheshin nga marrëdhënia politike dhe jo nga cilësia e veprës. Shkrimtari ishte intelektuali i shtetit me një krijimtari artificiale, pasi që klasa sunduese përshkoji krijimtarinë duke mos lejuar regjistrimin besnik të fakteve dhe sinqeritetin emocional të krijuesit. Ishte vështirë të dallonim shkrimtarin prej historianit, e historia është diçka që shkruhet nga fitimtarët dhe merret me të kaluarën, arti pohon të ardhmen. Kështu që imitimi i rreshtave, vargjeve, ngjyrave në pëlhurë, këngëve shërbeheshin nga pushteti, dhe instinkti natyral i artistit imitonte shijen politike. Kjo gjë ende është e mbështjellur në ego, madje edhe sot përpiqet të dominojë, derisa letërsia është një shpërthim emocional, individual, egoist, një imitim i shfaqur nga koha e foshnjërisë. Mbetet ende aktuale kjo thënie e Aristotelit:  “Njeriu ndryshon nga kafshët e tjera, se prirjen për të imituar e ka në shkallë më të lartë dhe njohuritë e para i merr me anë të imitimit”. Nuk mund ta mohojmë se të gjithë njerëzit ndjenë kënaqësi nga imitimet. Instinktin e imitimit, harmoninë dhe ritmin e kemi nga natyra.

Sot, shkrimtarët kosovarë përpiqen të kenë një farë vlere duke ngritur një temperament të fortë madje edhe duke u krahasuar me kafshë të fuqishme, të ndjeshme, dhe pena e tyre është më shumë huazuese , kombinuese nga interneti se sa imitimi natyral, ajo që u tha më lartë. Prapë se prapë errësira në të shkruar mbetet mu sikurse ajo e komunizmit, ajo nën influencën e pushtetit e kjo, nën influencën e plagjiaturës së shumëfishtë.  Të lexosh drama, poezi, proza, tregime , asnjëherë nuk do ndeshësh me veçanti, por gjithnjë do të mundon ajo se dikund e ke dëgjuar këtë, me një të klikuar mund të zbulosh çdo varg të huazuar, apo ide. Shtrohet pyetja si duhet të jenë veprat e vërteta artistike? Ato gjithmonë janë të përmasave njerëzore dhe ato thonë pak, kjo pak nxjerrët nga një furi shpirtërore, një rrëmujë e madhe që ka në vete bukurinë. Nuk ka histori, e as tregim për atë që ishte, por krijim dhe vetëm krijim. Bukuria për artistin qëndron jashtë të gjitha hierarkive sepse tek ajo janë shtruar shumë kontraste dhe qëndron mbi shumë gjëra të kundërta. Por, si mund të nxjerrim një bukuri kur kemi kaluar në faza tejet të errëta historike, asnjëherë nuk ishim të lumtur për të shpikur diçka mbi lumturinë, gjithnjë revolta ishte në kufijtë e absurdit, dhe ky njeri apo shkrimtar influencohej nga ajo që ndodhi. Kapërcimi është i pamundur dhe strehimi në iluzione të së bukurës do kërkon kohë. Një  gjë nuk mund t’ia fal shkrimtarëve tonë, imitimin e shkrimtarëve  botëror, madje shumë prej tyre ndërrojnë edhe pamjen fizike, jetën e bëjnë sikur që e bënin mjeshtrit, stilin e të shkruarit e kanë të ngjashëm, tregimin përpiqen ta ndryshojnë, por edhe kjo është e vakët sepse mungon një thellim intelektual. Por, vepra vjen si përgatitje e përvojës ajo është si një faqe e diamantit ku ndriçimi i brendshëm fokusohet pa u kufizuar. Në çdo rast pretendimi vije si ngarkesë për përjetësi, por fatkeqësisht veprat e autorëve tonë vdesin për dy ose tri vjet.

Artist i madh është një njëri i dhënë shumë pas jetës dhe të jetosh do të thotë të ndjesh dhe të mendosh. Çfarë jetuam ne? Kaluam në një katrahurë, dhe kjo dëmtojnë çdo qelizë, qëllimi ishte të bëheshim kështu ku jemi, po tamam kështu, por nuk duhet pajtuar me këtë qëllim, duhet të lirohemi dhe koha është shëruese. Përpiqemi të fluturojmë pa krahë, krahët i huazojmë nga të tjerët, por prapë nuk jemi ashtu si duhet të jemi. Aspak nuk e kam fjalën për tekste të ngjyrosura në të cilat mbretëron vetëm përshkrimi i shkëlqyeshëm. Fjalët fillojnë në momentin kur mbaron mendimi. Çdo gjë gjendet në kufij, dhe në këtë moment fillon rreshtimi i fjalëve. Këta adoleshentë që mbushin faqet, bibliotekat kanë filozofinë vetëm në gjestet. Unë flas për shkrimtarët filozofë që janë e kundërta e shkrimtarëve me mendimet e tyre. Kështu duhet të jetë një shkrimtar të thellohet në filozofi e jo histori.  P.sh, siç janë: Kamy, Dostojevski, Kafka, Sartri, Balzaku..... Ata përfillin veprën si fund dhe fillim. Mendimet e tyre qenë të paftë ta ndryshojnë realen, imitimi natyral i instinktit artistik erdhi si kënaqësi në vepër, filozofia paraqitej si e pashprehur ilustrohej dhe kurorëzohej. Por, unë kam një qëllim tjetër dhe përpiqem që shkrimtarët t’i dërgoj drejt iluzionit egoist, jo ta përsëritin vetën, të përkthejnë diçka të nënvetëdijshme që më vonë do bëhet pengesë. Qëllimi i shkrimtarit duhet të jetë i ndërtuar mbi iluzionin sepse iluzioni është paragjykim i çështjes së caktuar. Iluzioni efektin negativ e ka se shpesh trillohet fiksohet në kokën e personit dhe përgënjeshtron realitetin. Nuk mund ta ndërrojmë realitetin, por mund ta përgënjeshtrojmë, qëllimi duhet të jetë jo ashtu si është, por si ke dëshirë. Këtu distancohemi nga realiteti universal dhe mbjellim rrënjë në realitetin individual. Kjo e dyta është e vërtetë për shkrimtarin. Iluzioni pozitiv nxitë shkrimtarin të krijoj produkt final të ndritshëm në shkencë, filozofi...... Por, shkrimtari bënë realitet iluzionin dhe çdo gjë që është në imagjinatë jetësohet në praktikë. Edhe pse shkrimtarin e ndajmë nga shkenca.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora