E enjte, 25.04.2024, 01:09 PM (GMT+1)

Mendime

Mustafa Nano: Ta denojme komunizmin. Po si?

E premte, 06.06.2008, 06:05 PM


Ta denojme komunizmin. Po si?

Nga Mustafa Nano

Këto ditë, një ngjarje në Republikën e Çeke, ktheu edhe njëherë në vëmendje të opinionit publik të atjeshëm kohët e regjimit komunist. Është nga ato ngjarje, të cilat në Shqipëri, edhe pse s‘do të kalonin pa u ndjerë (është e udhës të jetë kështu), nuk do të provokonin megjithatë një debat të ngjashëm me atë që provokojnë në Republikën Çeke e në vende të tjera, ku ballafaqimet intelektuale e akademike janë afërmendsh më të sofistikuara e më substanciale se sa këtej nga anët tona.

Përse është fjala? Autoritetet e shtetit çek gjetën rast për të nderuar me medalje e me dekorata 5 antikomunistë, të cilët në vitet ‘50 të shekullit të shkuar realizuan së toku një arratisje spektakolare e gati-gati të pabesueshme (me siguri, skenaristët e Hollywood-it duhet t‘i kenë mbajtur veshët pipëz me këtë rast, e në këtë kuptim nuk është çudi që kjo ngjarje e 50 viteve të shkuara të marrë trajtën e një filmi action-thriller).

Këta të pestë e fillojnë aventurën duke hyrë në një komisariat policie, ku pasi mposhtin rezistenën e atyre policëve të paktë që ishin me shërbim (vrasin një a dy syresh), futen në depon e armëve, armatosen deri në dhëmbë, dalin prej andej, dhe këtu zë fill saga heroike e tragjike, në fund të të cilës ata lanë të vdekur dy shokë të tyre e nja dhjetë policë e qytetarë, që dashje pa dashje iu bënë pengesë në këtë tentativë arratisjeje. Shkurt, arratisja nga njëra anë ishte e suksesshme (tre prej tyre ia dolën mbanë të dilnin nga dara e një rrethimi dhe e një ndjekjeje, në të cilën morën pjesë disa mijra ushtarë, policë e agjentë), nga ana tjetër rezultoi në një plojë të vërtetë. Por përmasa spektakolare e tejkalon përmasën makabre: atyre, duke qenë se kishin si objektiv të arrinin në Gjermaninë Federale, iu desh të udhëtonin gati një muaj rresht, në harkun e të cilit kaluan dy kufij shtetërorë, ecën rrugë e pa rrugë, natën e ditën, ngrënë e pa ngrënë, në të ftohtë e në acar, mbathur e zbathur, e gjatë gjithë kohës ndjenin pas shpine dihatjen kërcënuese të një mizërie policësh e ushtarësh çekë, gjermano-lindorë e sovjetikë. Shkurt, një perandori e tërë u mobilizua për të kapur tre "qyqarë". Në fund, fitimtarë dolën këta të fundit. Fillimisht arritën në Gjermaninë Perëndimore, e më pas - ky është një film i njohur - gjetën karar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rrëfimi i tyre konfirmohet nga shumë dëshmitarë të kohës; në këto rrethana, autoritetet shtetërore çeke i dhanë dum punës duke i dekoruar që të pestë me titullin e ‘heronjve antikomunistë". Duhet të jenë të shumtë njerëzit që, nëse do ta kishin në dorë shpërndarjen e dekoratave të tilla, do të bënin të njëjtën gjë (unë personalisht nuk e di nëse nëse bëj pjesë tek ky grup njerëzish; jam plot ndërdyshje përballë një ngjarjeje të tillë, s‘ka gjë se prirem nga heroizimi i të pestëve). Do të linin mënjanë bilancin tragjik të kësaj bëme unikale në llojin e vet (është pak e padrejtë, pasi viktima të tyre kanë qëlluar të jenë edhe të pafajshëm), e do ta linin veten të magjepseshin pas këtyre dashnorëve të lirisë, të cilët nuk donin të njihnin pengesë në tentativën për t‘i ikur thundrës së një regjimi shtypës e vrasës.

E megjithatë, vetëm një pakicë çekësh e mendojnë kështu. Duke përjashtuar ata që s‘kanë dashur e s‘kanë ditur të shprehin një qëndrim ndaj kësaj ngjarjeje (janë të shumtë edhe këta), gati gjysma e çekëve të anketuar kanë qenë të mendimit se këta njerëz nuk duhen dekoruar, dhe se këta, përpara se të shihen si heronj, duhen parë si terroristë. Dhe në këtë mes duhet thënë se bartës të këtij qëndrimi janë padyshim të majtët, e sidomos ata të majtë që në një mënyrë apo në një tjetër dallohen për lidhjet e tyre me të shkuarën komuniste. Por nuk janë vetëm të majtët; ka edhe liberalë, madje dhe do antikomunistë, të cilët nuk janë hiç dakord me heroizimin e një aventure të tillë, e ky qëndrim ka lidhje vetëm pjesërisht me vetë aventurën e me kontekstin historik, në të cilin ka ndodhur. Në fakt, është e vështirë të mos çmosh kurajon dhe vendosmërinë për t‘iu kundërvënë një leviathan-i të frikshëm hobbes-ian (i tillë ka qenë regjimi komunist në Çekosllovaki, e gjetkë). Por ky qëndrim nga ana e njerëzve me qasje liberale ka lidhje edhe me kontesktin e sotëm botëror, në të cilin një gjest i tillë i heroizuar mund të superpozohet fare lehtë e jo më kot me gjeste të tjera, ku pesë çekët e famshëm marrin pamjen e militantëve të Al Qaedës e ku bota perëndimore merr pamjen e leviathan-it komunist. Dekontekstualizimi i kësaj ngjarjeje të pesëdhjetë viteve më parë, e më pas kallja jo dhe aq e sforcuar e saj në kontekstin aktual, mund të ngjajë si pesë me hiç, por e vërteta është se në shumë rrethana gjestin heroik një hap e ndan nga gjesti terrorist.

Sidoqoftë, nuk është se vlerësimet mbi këtë ngjarje kanë ardhur më së shumti - po përjashtojmë këtu historianë, akademikë, politilogë e opinionistë të kualifikuar - prej përpjekjes apo prej merakut për ta dekontekstualizuar e për ta rikontekstualizuar këtë ngjarje; duhet thënë, se është pak e besueshme që të anketuarit çekë mbi këtë ngjarje të kenë qenë të prirur për t‘i ‘ngjyrosur e ndotur‘ vlerësimet e tyre me ngarkesën aktuale që mund të ketë kjo ngjarje. Si shpjegohet atëherë që çekët janë kaq të butë me një kohë të çmendur e kaq të "pamëshirshëm" me pesë njerëz që guxuan ta sfidonin këtë kohë? Si shpjegohet që ata janë më shumë të shock-uar nga pesë njerëz, të cilët shndërrohen në vrasës në emër të lirisë personale, se sa nga bëmat e pafundme të një regjimi shtypës e vrastar, i cili gjithçka e bënte në funksion të etjes për pushtet të një nomenklature të pashpirt?

Në përpjekjen për t‘u gjetur një përgjigje pyetjeve të tilla, një gazetar i njohur çek u ndal tek ethos-i kolektiv i çekëve; me fjalë të tjera, çekët nuk shquhen për rezistencë ndaj shtypjes, dhe në këto rrethana, veçimi e vlerësimi i gjesteve dhe jetëve heroike - nuk po e citoj; po e perifrazoj këtë gazetar - i bën ata me turp, i bën të ndihen keq; me fjalë të tjera akoma, ky gjest heroik i rizbuluar dhe i hedhur për diskutim publik i bën një pjesë syresh të riprojektojnë edhe njëherë jetët e tyre në ato kohë, dhe nga gjithë kjo u rezulton një déjà vu e papëlqyeshme; këta pesë njerëz nuk justifikojnë dremitjen dhe apatinë e çekëve nën regjimin komunist.

Të tjerë personalitete të jetës intelektuale e akademike çeke u ndalën tek shpjegime të tjera, më pak interesante, por më shumë ezauruese. Por parë me sy shqiptarë, nuk janë këto që m‘u dukën të rëndësishme. Ndërsa lexoja gazetën "International Herald Tribune", në të cilin ishte ky shkrim, që fliste për gjestin heroik e sugjestiv të pesë çekëve nja 50 vite të shkuara e për reagimin prozaik e të ftohtë të të gjithë çekëve në ditët e sotme, unë ngrija me mendje pyetje, për të cilat nuk është e lehtë të japësh një përgjigje. Ç‘qëndrim do të mbanin shqiptarët në një situatë të tillë? Do t‘i konsideronin heronj ca njerëz, të cilët e shihnin regjimin komunist si një regjim mizor e të cilët bash për këtë arsye, ndërsa vendosën të merrnin arratinë, nuk donin të bënin dallim midis nomenklaturës sunduese nga njëra anë e veglave të mjera e të pafajshme të kësaj nomenklature nga ana tjetër? Apo, ashtu si shumica relative e çekëve, do të gjenin motiv për t‘i konsideruar terroristë, e jo heronj? A mund të përligjet fjala vjen një akt i rëndë sabotazhi, synimi i të cilit ka qenë dobësimi i regjimit komunist dhe pasojat e të cilit kanë qenë mbjellja e viktimave të rastësishme? A është e drejtë që në regjim totalitar të llojit të atij që kemi jetuar, t‘i konsiderosh policët, agjentët, ushtarët, kufitarët e rënë në krye të detyrës, si viktima të pafajshme? Ç‘qëndrim kanë shqiptarët, kur vjen puna tek gjykimi i ftohtë, racional, larg emocioneve humane e mocioneve ideologjike, i regjimit totalitar të Enver Hoxhës? U duhet vënë veshi atyre që këmbëngulin tek ndërmarrja e një nisme të fortë e të bujshme politike, nëpërmjet së cilës synohet dënimi i komunizmit? Por ç‘do të thotë në terma konkretë ta dënosh komunizmin gati 20 vjet pas rrëzimit të tij? A nuk mund të ndodhë që përpjekje të tilla të shërbejnë si alibi për të fshehur dështime të bujshme e krime të tjera të bëra në kohët postkomuniste? Apo duhen parë si përpjekje për të vënë në bangën e të akuzuarve një regjim kriminal?

Ja, këto pyetje më erdhën në mendje, teksa reflektoja lidhur me debatin, në të cilin ishte mbërthyer shoqëria çeke pas dekorimit të vonuar të pesë antikomunistëve, teksa mora vesh se në Shqipëri po përkujtohej 35 vjetori i revoltës në burgun e Spaçit e teksa mora vesh se shoqata e ish-të burgosurve ka shprehur zemërimin e vet kundër Presidentit të Republikës, që nuk ka denjuar të dekorojë asnjë prej heronjve të Spaçit, e në vend të tyre ka dekoruar vegla putative të aparatit shtypës e represiv komunist, të cilët megjithatë, në ndryshim nga bashkëpunëtorë të tyre, janë shquar edhe në kohët komuniste, edhe në kohët postkomuniste, për një qëndrim korrekt, për një integritet etiko-moral, e për një qasje rigorozisht ligjore.

Sigurisht, revolta e burgut të Spaçit, ngado e sido që t‘i vish rrotull, përbën një akt absolutisht heroik, e në këtë kuptim është një ngjarje krejt e ndryshme nga ngjarja çeke; por të dyja këto ngjarje, tok me reagimin publik e institucional ndaj tyre (në të vërtetë, në Shqipëri nuk është se është provokuar ndonjë debat kushedi se çfarë), na japin e përcjellin të njëjtin leksion: mund e duhet të bjemë dakord mbi dënimin e regjimit totalitar të Enver Hoxhës, por nuk është e lehtë, e ndoshta as e drejtë, t‘i besosh logjikës së pastër manikeiste në shoshitjen e gjërave të asaj kohe. E kam fjalën që diktaturat janë të qarta në mizoritë e veta, por qëndrimet e njerëzve ndaj saj dhe klasifikimet e këtyre qëndrimeve janë një gjë më e ngatërruar se sa duket. Ka patur heronj ajo kohë (një pjesë syresh duhet t‘i kërkojmë tek organizatorët e revoltës së Spaçit), ashtu siç ka patur edhe qënie kriminale (një pjesë syresh duhet t‘i kërkojmë tek mandarinët komunistë të të gjitha niveleve, tek ata që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, në vend të përpjekjeve për të mbijetuar me ca dinjitet në një botë të çmendur, demonstronin urrejtje ndaj të ngjashmëve të tyre dhe zell antiligjor për t‘i shërbyer një regjimi totalitar). Por ka patur edhe një botë të tërë gri, ku nuk është e drejtë të kërkosh e ku nuk është e mundur të gjesh as shenjtë, as demonë; ose ku shenjti e demoni janë të ngallmuar brenda së njëjtës qënie humane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora