E premte, 29.03.2024, 10:14 AM (GMT)

Editorial

Një letër e rrallë e Faik Konicës

E shtune, 07.06.2008, 10:15 PM


Faik Konica
Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Një letër e 24 janarit 1896, dërguar Nikolla Naços, kryetarit të shoqërisë shqiptare “Drita” në Bukuresht, hedh dritë mbi personalitetin e Faik Konicës në fillimet e veta. Komentet mbi gjendjen e Shqipërisë nën Perandorinë Osmane dhe rezervat për Sami Frashërin

Në vijim të punës për gjurmimin e trashëgimisë së Faik Konicës, kohët e fundit më ra në dorë me ndihmën e prof. Ismet Dermakut, një tufë letrash të tij të hershme, nga të cilat do të veçoja të parën letër që njohim deri tani nga ai. Është fjala për letrën e 24 janarit 1896, dërguar Nikolla Naços, kryetarit të Shoqërisë shqiptare “Drita” në Bukuresht, e cila hedh dritë mbi personalitetin e Faik Konicës në fillimet e veta. E shkruar nga Parisi, kur sapo ka mbushur njëzetë vjeç, ai është në kërkim të lidhjeve me lëvizjen kombëtare të diasporës dhe liderët e saj. Pas 7 vjet qëndrimi në Francë, djaloshi shqiptar do të kryejë fakultetin e letrave në Universitetin e Dizhonit dhe më vonë do të studiojë për filozofi romane në College de France. Me këtë formim intelektual dhe i frymëzuar nga ideale patriotike, ai vendos të mos kthehet në Shqipëri, por t’i kushtohet në Evropë çështjes së çlirimit të atdheut. Ka zgjedhur të bëhet shkronjëtor (shkrimtar – N.J.) dhe ndonëse shumë i ri e fill i vetëm, nis veprimtarinë e tij patriotike në kryqendrën e metropolit evropian. Shkruan në frengjisht dhe dërgon për botim librin “Ç‘ka qenë Shqipëria, ç’është, ç’do të bëhet” si dhe studimin prej 80 faqesh “Ese mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për pavarësi në shek. XIX”, që ia çon “revistës më të madhe të Europës”, dy vepra këto që për fat të keq nuk na kanë arritur. Por ç’është më e rëndësishme, tamam në këtë vit ideon dhe përgatitet të themelojë një revistë politiko-kulturore me emrin “Albania”. Ndryshe nga patriotët e tjerë, ky intelektual me frymëzim perendimor e ambicje të mëdha, mendon dhe përpiqet të krijojë një vatër të lëvizjes shqiptare, jo në Stamboll, as në kryeqytetet ballkanike, por në mes të Evropës. Është tepër i ri për këtë ndërmarrje, po plot besim në vetvete dhe i vendosur t’ia dalë në krye këtij misioni atdhetar.

Në këto rrethana i shkruan letrën N. Naços, ku i prezantohet se kush është dhe ç’mendon për gjendjen e Shqipërisë. Me sa duket, nuk është e rastit që ky militant i ri i lëvizjes kombëtare, i drejtohet drejtuesit të “Dritës” në Bukuresht, jo vetëm si një prej veteranëve të saj, por dhe si përfaqësuesi më i njohur i krahut radikal e revolucionar. Nga shumë pikëpamje, ata kanë gjetur njëri- tjetrin, po të kemi parasysh pozicionin e tyre të përbashkët, qëndrimin kritik dhe vështrimin realist që mbajnë ndaj problemeve shqiptare. Kjo është arsyeja që Konica nuk i drejtohet drejtuesve të “Dritës” në Stamboll, Naimit e Samiut, që kanë diferenca përsa i takon taktikave dhe mjeteve të luftës kundër pushtuesëve turq. Ata ndjekin rrugën e propagandës atdhetare, punës për hapjen e shkollave shqipe, botimit të librave dhe gazetave, në një kohë që N. Naço është për një vijë luftarake. Kësaj vije do t’i bashkohet që në fillim dhe Faik Konica, duke iu kundërvënë platformës së “Dritës” së Stambollit. Strategjia e tij politike do të jetë: “Ja disa libërtha të gjora të kënduar nga nja dhjetë djelmosha … [sepse] nuk sillet në jetë një popull që po vdes me një apo dy abetare …”, po krijimi i një partie kombëtare, i një shoqërie sekrete në shembullin e “karbonarizmit” në Itali apo “filiki-eteria” në Greqi.

Ky qëndrim i hershëm radikal i Konicës do të vijë më pas duke u thelluar, aq sa do të çojë në një konflikt në mes tij dhe vëllezërve Naim e Sami Frashëri, të cilët jo vetëm nuk do ta mirëpresin por dhe do t’i kundërvihen. Nga një letër që do t’i dërgojnë dhëndrit të tyre, Murat Toptani, aktivist i lëvizjes shqiptare dhe adhurues i Konicës, do t’i shkruajnë se “qëndrimi i Faikut është i dyshimtë” sado erudit e i zoti të jetë, bile arrijnë deri atje sa ta akuzojnë se “synon shëmbjen e punëve të realizuara që prej 25 vitesh”. Për ta “Epiqendra e këtyre punëve sot është Stambolli. Jo Brukseli e Bukureshti”. Prandaj e këshillojnë dhëndrinse “ai që do t’i shërbejë Shqipërisë e shqipes”, duhet të bashkohet me ta.

Po Faiku dëshmon, që në hapat e parë se nuk bashkohet me ta, përkundrazi u kundërvihet. Kjo duket në botimin e “Albanias”, ku i shmanget alfabetit të Stambollit, po dhe në qëndrimin që mban dhe ndaj vëllezërve Frashëri, sidomos ndaj Samiut, të cilin e stigmatizon dhe e akuzon rëndë në letrën dërguar Naços. Kryesore në këtë letër janë përkushtimi dhe shqetësimi i Faikut për gjendjen dhe fatin e atdheut të robëruar. Sipas tij, s’ka në Evropë vend më të bukur e më të pasur se Shqipëria e megjithatë shqiptarët e gjorë vdesin nga uria dhe fajin për këtë e kanë pushtuesit turq që s’bëjnë asgjë për zhvillimin ekonomik dhe kulturor. Duke parë ngjashmëritë në mes atdheut të tij dhe Zvicrës, Faiku bën krahasime konkrete dhe arrin në konkluzione praktike, kur arsyeton se çfarë të mirash do t’i sjellë Shqipërisë turizmi me bukuritë dhe begatitë e saj. Por turqit nuk bëjnë asgjë,- thotë ai,- dhe harrojnë të mirat që u kanë sjellë shqiptarët me gjakun e tyre. Në këtë gjendje të rëndë është atdheu i shqiptarëve, kur vendet e tjera të Ballkanit janë çliruar, “Shqipëria po fle akoma” dhe ai pyet “Kur do të zgjohet e shkreta?”

Dhe është ky moment, kur Konica nuk përmbahet dhe stigmatizon rëndë Sami Frashërin, duke e akuzuar deri në dyfytyrësi. Qëndrimi politik e bën Faikun të nëpërkëmbë me pa të drejtë figurën politike të Samiut, kontributet e tij të pamohueshme në fushën e kulturës e të shkencës. Është e vërtetë se këto kontribute i dha kryesisht në kulturën turke, për rrethanat në të cilat u ndodh, por në të njëjtën kohë, ai u bë dhe ideologu i Rilindjes Shqiptare me veprën programatike “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, me alfabetin që hartoi dhe abetaretshqipe. Më kushtet që ishte Shqipëria, ai nuk mund të bënte shkencë dhe art, ndaj dhe mendja e tij e ndritur do të rrezatonte vepra iluministe, që në një farë mënyre do t’i bënin nder dhe kombit shqiptar.

Nga ana tjetër, Konica e kritikon Samiun dhe për një çështje delikate e të ndërlikuar, siç është konvertimi i shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, duke e cilësuar këtë dukuri historike burimin e “të gjitha të ligave”. Sipas arsyetimit të tij përqafimi i myslimanizmit prej shqiptarëve goditi unitetin e tyre shpirtëror dhe kjo nuk qe pa pasoja. Për Konicën në qoftë se shqiptarët do të kishin mbetur të tërë të krishterë, ata do të kishin fituar tanimë lirinë e pavarësinë si fqinjët dhe shembulli që ai i sjell Naços është Rumania ku ai jeton. I edukuar në Francën liberale dhe i ushqyer nga idetë volteriane, me një shpirt liridashës, siç pohon në një autobiografi të tij (1922), ai në vitet e rinisë joshet aq shumë nga kisha katolike, sa e frekuenton atë sidomos për muzikën dhe krahas emrit zyrtar mban dhe emrin Dominik. Nga burime të tjera, mësojmë se më vonë, ai u konvertua në fenë e Krishtit, por për arsye etike-politike nuk e shpalli publikisht.

Një gjë është e vërtetë që çështjes së fesë të shqiptarëve, Faik Konica i është kthyer më vonë herë pas here në publicistikën e tij dhe veçanërisht në veprën “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”. Në këtë cikël esesh, ai do t’i kushtojë një kapitull më vete, ku shpalos mendime dhe arsyetime objektive, qëndrime realiste, me argumente të sjella nga historia dhe lëmenjtë e pasur të dijes. Duke e analizuar çështjen e myslimanizimit të shqiptarëve në një kontekst historik e social, Konica konstaton se ata të ndrydhur në mes sllavëve dhe grekëve, bënë një përpjekje të dëshpëruar për mbijetesë kur për të mbetur zotër të trojeve të veta vendosën të përqafojnë fenë e pushtuesve me të cilën fituan prestigj politik e ushtarak në Perandori. Kështu shpjegohet sipas tij që “Shqipëria, vendi i fundit në Evropën Juglindore që iu nënshtrua turqve ishte gjithashtu vendi i fundit që fitoi lirinë”. Prandaj këshillon se “me që historia nuk ecën kurrë sëprapthi dhe ne nuk mund ta zhbëjmë të kaluarën, është e kotë t’i gërmojmë më tej këto çështje”.

Letra e njëzet vjeçarit Faik Konica që po u paraqesim lexuesve, më e hershmja që njohim deri më sot, paraqet interes nga shumë pikëpamje dhe në radhë të parë se ajo përmban embrionin e mendimeve kryesore, prej të cilave ai do të udhëhiqet në veprimatrinë e tij politike të mëvonshme. Vetëm pas dy muajsh, në letrën e radhës, ai do t’i paraqesë Naços, udhëheqësit të tij shpirtëror, programin e vet për lëvizjen kombëtare shqiptare, që shënon një stad të ri në mendimin politik të Rilindjes sonë.

Paris, më 24 të Jenarit 96

I dashur mëmëdhetar,

Mora letrën që zotëria jote më dërgove dhe s’munt dot të shkroj sa m’u mbush zemra me gaz. Të thom dhe unë pesëqint mij të mira për motn’e Ri, edhe ju thoni me shëndet të tërëvet shqiptarëve që janë atje.

Emëri im është : beg Faik – Dominik Koniza”, jam diali i beg Shahin Konizës, edhe i afërtë i Ali Tepelenës që bëri shumë të liga, por bëri dhe të mira se hapi sytë e shqiptarëvet, edhe ju tregojti që s’janë as turq, as gerqiotarë (grekë – N.J.), po djem të Shqipërisë.

Erdha këtu qëkur isha i vogël se doja të mësonj për të ryrë (hyrë – N.J.) në sefarite të Turqisë. Po kur këndova mirë, m’u hapnë sytë gadalë-gadalë, u mejndova edhe m’u duk që turqit na pinë gjakun, edhe s’do të na lëshojnë gjë. Të tërë ata që kanë parë Shqipërinë thonë që s’është në Evropë një vent aqë i bukur dhe aqë plot me zengjinllëke (pasuri –N.J.) të dheut. Po në është ashtu e vërteta, pse ngordhin të gjorët shqiptarë nga uria? Se turku s’hap udhëra … s’bën fabrika, s’bën shkolla, s’bën gjë fare. Në ishin këto në Shqipëri, do t’punojin shqiptarët, do të shitjin e do të blejin. Edhe jo vetëm këtë do ta bënte, por do të nxirrte ollafo (fitime – N.J.) nga të huajtë që do të vijin të rinë dy a tre muaj çdo mot. Shikoni Helvesien (Zvicrën – N.J.): s’blen as shet, po të tërë Helvetsrët kanë të holla se vendi është i bukur e vijnë atje shumë të huaj për të shikuar bukurinë e vendit dhe për të pirë ujin e lehtë, dhe për të hequr erën e mirë. Ne mos ishin turqit në Shqipëri do të bënim udhëra-të-hekurta edhe çdo mot, me mij (mijra- N.J.) do vijin Inglezët edhe të tjerët të huajtë.

Po le ta lëshojmë sa do të fitojnë të gjorët shqiptarët që ngordhin urie, dhe le të thomi që s’do të nxjerrin gjë. – Po pse s’na lëshojnë turqit të hapim shkolla dhe të kemi vivlla (libra – N.J.) dhe gazeta? Neve shqiptarët e bëjtim Fuqinë të madhe dhe istoria na tregon që përpara një qind vjet, të tërë shqiptarët, dhe katolikët dhe ortodoksët vijin në luftë. Neve që i bëjtim aq të mira turqëvet, ç’na bëjne turqit? S’na lëshojnë as gjuhën tonë. Edhe ermenitë (armenët- N.J.) që s’i ka bërë Turqisë një të mirë i lëshojnë të hapin shkolla dhe të tregojnë djemëvet e tyre gjuhën e mëmëdhesë. Dhe neve kemi në Korçë një shkollë, po do ta mbylljin turqit atë çast, në mos kishin frikë.

Kështu u mendova unë, edhe të tjera m’erdhnë në mendje. Tani mbarova gjimnazin dhe nuk u ktheva në Shqipëri, po m’erdhi në mend të rri këtu dhe të bëhem shkronjëtor (shkrimtar – N.J.), se di mirë shumë gjuhëra. Shkronj në gazeta herë herë dhe në dy muaj do të nxjerr një vivllë franceziote (frengjisht – N.J.) që do të ketë emër: “Ç’ka qenë Shqipëria, ç’është, e ç’do të bëhet”.

Ç’do të bëhet, Perëndia e di. Serbia, Maliziu, Rumania, Morea, Bullgaria hapnë sytë, edhe Shqipëria flë. Ermënia e Kandia po hapin sytë edhe Shqipëria po flë akoma. Kur do të zgjohet e shkreta? Cili i dha afqon (opium – N.J.) që të flejë aqë?

Vëlla, doja të të shkruaj. Janë dy vjet, po u mbajta se më thanë që Beg Sami Frashëri qe shoq i “Dritës”, edhe këtë njeri nuk e dua. Të më ndjenjë Zotëria jote, po jam i hapur dhe s’dua të të mbaj gjë të fshehur në zemër. Sami begu s’më pëlqen, se ka dy buzë: kur është me shqiptarët thotë që është shqiptar; kur është me turqit thotë turk. Shkrojti një vivllë turqisht me emër “Medeniet – Islamie” në të cilën vivllë thotë që Muhametarët (muhamedanët – N.J.) gjetnë më të bukurat gjërat e dheut, “Udhërat e hekurtat, Amerikën” edhe një mijë të tjera gënjeshtra. Në mos kishte zemrën aq të shkurtë (të vogël – N.J.) do të kishte menduar një çik, do të kishte parë që një shqiptar s’lipset të duaj Muhametarët, se nga këta erdhën të gjitha të ligat. Në mos ishin bërë Shqiptarët Muhametarë, edhe kishin mbetur si ca nga ata: Krishtarë (të krishterë – N.J.) do të kishim të tërë një besim, edhe do të bëheshim shpejt si Rumania u bë.

Po reshtoj që këjo letëra u bë shumë e gjatë: do të shkronj Zotënisë jotë në ca ditë një tjetër letërë, se kam të tjera të të thom. U falem shumë të tërëvet shqiptarëvet që janë atje, edhe jam i Zotnisë jote,

Shërbëtori

Beg F.-D. Koniza – Tepeleni



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora