E enjte, 28.03.2024, 11:34 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Atdheu dhe Feja

E diele, 09.02.2014, 07:59 PM


Atdheu dhe Feja

Nga Keze Kozeta Zylo

Shqiptarët e vërtetë asnjëherë se kanë ngatërruar Atdheun me fenë.  Atdheu për të gjithë ne në të gjitha kohrat qëndron mbi çdo gjë.  Luftrat shekullore, gjaku i derdhur lumë për gjuhën dhe Atdheun kanë bërë që ne të jemi bashkë kur thërret nderi i Tij.

Por le të ndalemi pak tek shkrimtarët dhe burrat e mëdhenj të Kombit tonë të cilët kanë qëndruar bashkë pa dallime krahinore dhe feje.  A nuk kanë ngelur hymn vargjet e Pashko Vasës "Moj Shqypni e mjera Shqypni" 1880, që edhe sot ngrenë në këmbë me emocion një popull të tërë.  Jo shumë larg, por para disa muajsh në festimin e 5 vjetorit të TV Alba Life ku merrnin pjesë qindra shqiptarë aktori i mirënjohur Pajazit Murtishi kishte ardhur që nga Çikagoja për të festuar së bashku, shqiptarçe.  Kur z.Murtishi doli në skenë dhe interpretoi poezinë e Pashko Vasës, të gjithë ç'ishin shqiptarë dhe amerikanë

(të cilët u ngritën për inerci) u çuan në këmbë dhe u ndalën gjatë me duartrokitje sidomos në vargjet: "Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu/ Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu/ E mos shikoni kisha e xhamia/ Feja e shqyptarit asht shqyptaria"!

Dhëndëri im amerikan me besim katolik u befasua nga ngritja e të gjithë pjesëmarrësve në këmbë dhe pyeti: "Pse u mirëprit aq me emocion kjo poezi"?  E sqarova duke intepretuar përkthimin e prof.Peter Priftit si: Awake, Albania, it’s time to rise/ And bind yourselves with brotherly ties/ Look not to church or mosque for pietism/The faith of Albanians is Albanianism!... Populli ynë mbijetoi se kishte mbi çdo gjë Atdheun.  Mirpo në këtë mbijetesë ka shumë shqiptarë trushpëlarë që kanë punuar nën rogoz ose hapur për t'i bërë lëmsh punët e Kombit dhe të fesë.

Konkretisht, kohët e fundit në media, forume dhe në rrjetin më të madh social f/b ka pasur një debat të ndezur, sidomos pas demonstratës që u zhvillua kundër Kryepeshkopit grek Janullatosit i cili është në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse në Shqipëri.  Demonstrata ishte organizuar nga "Rrënjët shqiptare", me president Marko Kepin të besimit katolik.  Shkak për këtë u bë nderimi që po i bënte universiteti i mirënjohur amerikan "Fordham", kryepeshkopit grek duke i dhënë titullin "Doktor nderi në letrat humane".  Shqiptarët e Amerikës u ngritën në protestë dhe kërkonin me të drejtë heqjen e Janullatosit nga Kisha Autoqefale Shqiptare i cili e ka pushtuar atë me dinakërinë greke dhe ka shkelur me të dyja këmbët nenin 16 të ne statutin e Kishës Autoqefale të vitit 1929, në të cilën thuhet se ndalohet përgjithmonë ndikimi i të huajve në Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare.  Shqiptarët u ngritën të protestonin kundër Janullatosit se ai nuk e meritonte këtë çmim, ngase ndikimi i tij në Shqipëri ka qenë vetëm në shërbim të shovinizmit grek.  Janullatosi nuk ka reaguar karshi dhunimeve dhe abuzimeve që janë bërë kundër emigrantëve shqiptarë në Greqi, i cili është i vetmi vend në botë që ju ndryshon emrat nga shqiptarë duke i shkruajtur si emra grekë, në se do të punësohen nga ky i fundit.  Janullatosi nuk ka reaguar karshi genocidit grek kundër popullsisë së pafajshme çame nga gjenerali famëkeq Zerva dhe qeveria greke.  Janullatosit as s'i shkon mendja për Kosovën që të ndikojë si "humanist" tek qeveria e tij qe të njohë pavarësinë e saj edhe pse jemi fqinj shekullorë me ta.

Fan Noli e shkëputi njëherë e përgjithmonë Kishën Ortodokse shqiptare nga Patrikana e Stambollit dhe e Greqisë duke dhënë meshë për herë të parë në shqip në Boston në vitin 1908.  Këtë pasuri kombëtare që na la Noli duhet ta mbrojmë me ligj, pasi u fitua me gjakun e martirëve të Gjuhës shqipe si Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Pandeli Sotiri, Dhaskal Todri, të cilët u helmuan nga priftërinjtë grekë, vëllezërit e një gjaku të Janullatosit.  Masakrat e tyre jane të pashembullta.  Është tepër e mjerueshme që disa sahanlëpirës dhe idhtarë të Janullatosit janë ngritur kundër demonstratës si dhe kundër shkrimit tim që shkruajta kundër krypeshkopit grek për të mos qenë në krye të Kishes shqiptare dhe të iki sa më parë nga trojet e Mëmëdheut tonë.  Këta mjeranë ose janë të paguar nga Janullatosi dhe qarqe të caktuara greke që jo pak e kanë përdorur paranë për të asimiluar gjuhën, njerëzit dhe për të marrë Vorio Epirin, tokat e bukura shqiptare, ose vertete ju jane shpëlarë trutë nga propaganda e priftit grek, që ka hyre si Kali i Trojës në zemër të Shqipërisë.  Këta vasalë të Janullatosit na dalin dhe na shkruajnë biografinë, apo hyjnë çmendurisht dhe në besimet tona fetare qoftë dhe ateiste, të cilat janë vetëm shpirtërore dhe s'ka të bëjë fare me Kombin.  Feja është shpirtërore, personale, secili e zgjedh vetë atë, askush s'ka të drejtë të ndërhyjë për aq kohë që t'i nuk prek ligjet e shtetit ku jeton.  Kush e bën këtë sjellë vetëm përçarje dhe abuzon me traditën e shkëlqyer të popullit tonë, tolerancën fetare e cila është një pasuri e vyer e Kombit tonë.  Brenda familjes sime qysh në shekullin e kaluar u mirëprit krahëhapur gruaja e xhaxhait tim, me besim ortodoks Aspasia, me të cilën shkuam një jetë të tërë gjithë dashuri e respekt, si dhe shumë të tjerë brenda besimeve që jemi lidhur, duke respektuar dhe çmuar njeri-tjetrin.  Sherrxhinjtë dhe të gjithë atyre që duan të ngatërrojnë fenë me Kombin ju them se askush nuk e di se cilës fe i përkas, sepse ajo është zgjedhja ime personale, është vetëm shpirtërore.  Këto s'janë gjë tjetër vetëm punë fort liga të cilëve dredhia ju është hedhur si kulpër pas trupit dhe mendjes.

Më duhet t'ju kujtoj këtyre zotërinjve në lidhje me besimet fetare të shqiptarëve thënien e Nolit se: “Njeriu mund të zgjedhë cilëndo fe që ka trashëguar prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tijën, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”.”   Le të mos e ngatërrojmë fenë me Atdheun, duke lavdëruar njerin besim dhe sharë tjetrin, sepse kjo lloj propagande çon ujë vetëm në mullirin grek, dhe aspak nuk i përket botës demokratike ku po jetojmë dhe punojme plot dinjitet.  Ndërsa të betuarit e Janullatosit ngrihen dhe e mbrojnë atë me jetën e tyre në tokën tonë, mendoni se çfarë mund të ndodhë me grekërit po të ishte një shqiptar jashtë ligjit në krye të tyre në Greqi (që kjo s'mund të ndodhë kurrë) ?  Shqiptari shan dhe mallkon shqiptarin duke iu ulur në gjunjë kryepeshkopit grek ngase i është betuar se për ty japim jetën, prandaj rri në Shqipëri, e ke vendin në krye të oxhakut.   Të ngrihesh kundër një pushtuesi të huaj në tokën tonë i cili është jashtë kanunores dhe idhtarët e Janullatosit ta mbrojnë atë ky është një mjerim i madh dhe luftë e hapur, si ligji i luftës që mbajnë ndezur në Greqi për të rrëmbyer Vorio Epirin.

Sa herë qe lexoj reagime të kësaj natyre më sjellin ndërmen Mark Twin i cili thotë se nga të gjitha gjërat që kam humbur me ka marrë malli shumë për mendjen.  Dhe mendja duke u bashkuar me të Janullatosit medoemos që helmohet dhe do të humbas përjetësisht Shqipërinë duke na kërcënuar, përçarë qëllimisht dhe tinëzisht me fetë për të lënë Atdheun mënjanë, të cilin e kemi mbi çdo gjë.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora