E premte, 29.03.2024, 10:13 AM (GMT)

Kulturë

"Rrethim" anglez për Ismail Kadarenë

E enjte, 05.06.2008, 04:28 PM


Kadare
Pas 40 vitesh nga botimi në shqip, promovohet në anglisht libri "Kështjella"

Ismail Kadare, pas fitimit të çmimit "Man Booker International", ka promovuar në Londër përkthimin në gjuhën angleze të librit "Kështjella", ndërkohë që përkthyesi Devid Bellos ka zgjedhur si titull "The Siege" (Rrethimi). Ky është libri i shtatë që përkthehet nga Bellos. Hyrja e Kadaresë në sallën e qendrës kulturore "Mbretëresha Elizabeth" është pritur me ovacione dhe duartrokitje nga shqiptarët e pranishëm dhe adhuruesit britanikë. Fillimisht Kadare ka lexuar një fragment nga libri "Kronikë në Gur", në mungesë të një kopjeje në ato momente të "Kështjellës" në gjuhën shqipe. Prezantimi kësaj vepre ka nisur në formën e një bashkëbisedimi mes Kadaresë dhe Bellos që drejtonte pyetjet. Kadare fillimisht ka treguar me detaje rrethanat në të cilat ai e shkroi këtë libër. "Për mua është e pabesueshme që ky libër i shkruar 40 vjet më parë tani të botohet në gjuhën angleze. Ky libër është shkruar nën presionin e autoriteteve të kohës për të shkruar diçka ndryshe nga veprat e mia të mëparshme, si "Gjenerali i ushtrisë se vdekur", apo "Përbindëshi" ka thënë Ismail Kadare. Një ndër pyetjet e drejtuara nga Bellos ishte rreth studimeve të Kadaresë në Rusi, për të cilën ai do të jepte këtë përgjigje: "Këto studime ishin shumë të rëndësishme për mua. Shkova atje nga një vend i vogël në një qytet të madh me liri, por instituti ‘Gorki‘ ku unë studiova, ishte krijuar për të prodhuar shkrimtarë dogmatikë. Këtë e kuptova që në fillim. Dëgjoja me vëmendje leksionet e pedagogëve, por kur shkruaja bëja të kundërtën e asaj që na mësonin", tha ai. Sakaq, Kadare ka dhënë një përgjigje të ashpër, kur është pyetur të rrëfejë debatin mes tij dhe Nexhmije Hoxhës. Me një ton pak më të lartë se deri në ato momente, ai, duke përdorur ironi, ka thënë: "Madame Hoxha është një vrasëse. Ajo e priti këtë kohë që të më kundërvihej mua përmes një shkrimi në gazetë. Përgjigjja ime ishte se shkrimtarët e kanë obligim të jenë të sinqertë dhe të thonë të vërtetën. Ajo është më keq se një krokodil. Ajo është vrasëse. Të tilla akuza nga ‘Madame Hoxha‘ kanë qenë të vazhdueshme. E vetmja gjë që nuk kanë thënë ishte ‘Përse vazhdon të jesh gjallë. Përse nuk ke vdekur‘". Fundi i mbrëmjes me Kadarenë do të ishte sa emocional po aq i gjetur. Ambasadori shqiptar në Londër, Zef Mazi, në praninë e publikut u çua duke përshëndetur me fjalët: "Ismail, është nder për mua dhe vendin që unë përfaqësoj t‘iu kemi mes nesh në Londër. Nuk dua të
drejtoj ndonjë pyetje, pasi shpeshherë jemi takuar dhe kemi biseduar. Paçka se komisionit të çmimit "Nobel" nuk i është mbushur mendja t‘ua japë këtë çmim, ju e keni fituar atë, duke u kthyer në krenarinë e kombit tonë. Ju jeni padiskutim fitues. Edhe njëherë është nder të jesh mes nesh në këtë promovim", u shpreh ambasadori Mazi. Ndërkohë, një varg i gjatë njerëzish do ta prisnin shkrimtarin 72-vjeçar jashtë sallës ku u zhvillua bashkëbisedimi, për të marrë autografe mbi "Kështjellën" tashmë në anglisht, publikuar nga shtëpia botuese "Cannongate".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora