E enjte, 28.03.2024, 12:19 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Enverizmi dhe 4 shkurti!

E enjte, 06.02.2014, 08:05 PM


Enverizmi dhe 4 shkurti (megjithë dëshmorë)!

Nga Elvi Sidheri

Bëhen 70 vjet nga “Masakra e 4 shkurtit 1944”, një ngjarje e rëndë e mbetur si simbol i gjakut të pafajshëm të derdhur nga okupatori nazist dhe bashkëpuntorët e tij, mbi popullatën e pafajshme civile të Tiranës.

Të mos ishte në fakt për prirjen e fortë filo-enveriste të ish ministrit të jashtëm Milo dhe të shumë prej pjesëmarrësve të eventit përkujtimor në nderim të kësaj date, pak arsye do të lindnin për të bërë një shkrim të tillë.

Faktet janë fakte, ashtu si edhe dëshmitë historike të kombinuara me kujtimet e atyre që atë ditë dhunën e pajustifikueshme që përgjaku kryeqytetin shqiptar, e patën jetuar në kurrizin e tyre, për këtë arsye një moment i zi siç ka mbetur në histori 4 shkurti, as mund të bjerë në harresë e aq më pak mund të mëtohet që të ndotet me sajesa të reja rehabilituese lidhur me kryerësit e asaj masakre të turpshme.

Deri në provë të kundërt, do pranuar se 4 shkurti erdhi si pasojë e një tentative hakmarrje të pakuptimtë të pushtuesve nazistë dhe mëkëmbësve të tyre shqipfolës, që goditi pa diskriminim mbi njerëz të pafajshëm duke vrarë 84 banorë të Tiranës dhe arrestuar e keqtrajtuar qindra të tjerë.

Por përkujtimi i drejtë dhe legjitim i një mënxyre të tillë nga veteranët e LANÇ-it (ata që kanë mbetur gjallë pas 70 vjetësh) dhe familjarët e viktimave të terrorit të 4 shkurtit, vijon rregullisht për fat të keq të përdhoset me përpikmëri nga fjalimet e marra dhe delirante të enveristëve të vonuar...edhe kur këta janë ish ministra të jashtëm, kryetarë partish demokrato-sociale e ish shkrimtarë të kohës së Nënës Parti!

...“Të kujtojmë Enver Hoxhën për të mirat që ka bërë njëherë, pastaj të shohim se çfarë (ndoshta) i ka bërë keq këtij populli”-citohej një pjesë nga fjalimi i ish ministrit të jashtëm, në ceremoninë e lartpërmendur.

Ka bërë mirë?

Çfarë ka bërë mirë kështu ky merhumi që akoma nuk e ditkemi, pa hë na e thoni ore “shokë” të Enverit (sipas këngës së njohur dikur...”Neve jemi komunista, shokët e “kriminelit”, pra kujt tjetër përveç Enverit)?

Edhe në 2014-ën do dëgjojmë ende të njëjtat broçkulla për shokun Enver dhe 200 petritët që s’kanë lënë të mirë (gjëmë) pa i bërë këtij vendi që aq shumë se ç’e kanë dashur, saqë e morën kryekëput në qafë dhe e telendisën (megjithë popull) në atë pikë, sa edhe pas tashmë 23 e ca vjetësh liri, akoma nuk e ka marrë mirë veten nga monstruozitetet e tyre 45 vjeçare!?

Ka një gjë këtu që nuk shkon dhe që padyshim në Shqipëri qysh pas vendosjes së demokracisë dhe përmbysjes paqësore të regjimit gjakpirës komunist, nevojitej të ishte vendosur me ligj në kushtetutë, pra që evokimi dhe lavdërimi e sidomos propaganda enveriste do të ishte dashur të qenë shpallur si “të jashtëligjshme” po aq sa edhe “propaganda naziste apo fashiste” në Gjermani ose Itali.

Po të kishte ndodhur diçka e tillë që në fillim, sot dikush (shumëkush...për shkak se enverizmi si pandemi e rrezikshme ngjitëse, përhapet ende shumë lehtë nëpër shoqëri, falë harresës kolektive apo teorisë përçmuese tipike për vende ish totalitare në rrezik barngrënie si ky i yni...”Ishim më mirë kur ishim më keq”)...do të mendohej dy herë e do të gëlltitej mirë, përpara se të nxirrte nga goja “mufka” të tilla “Enver-dashëse” në ambiente dhe përkujtimore publike.

Dëshmorët e 4 shkurtit dhe shoku Enver pak lidhje kanë njëri me tjetrin, sadoqë me të drejtën e tyre të lirë, familjet dhe pasardhësit e shumë prej atyre viktimave pa faj të dorës së përgjakur të një pjese tejet të vogël dhe të papërfillëshme të nacionalistëve shqiptarë, mund të ndihen për arsye të mirëkuptueshme më pranë së majtës politikisht.

Kjo sepse ndërsa këta martirë vriteshin e torturoheshin më 4 shkurt të 44-ës, shoku i dashur Enver, ua kishte shitur shpirtin (si dhe Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare, ku gjasme do të mbahej edhe një plebishit pas lufte, sipas premtimit të pambajtur nga ai vetë dhe druzhe Tito, që kishte si synim gënjimin publik të shqiptarëve të Kosovës dhe bërjen e tyre simpatizantë të kauzës partizane)...jugosllavëve dhe rusëve sllavë dhe Shqipërinë tashmë prej tij dhe emisarëve titistë, qe vendosur t’a priste dimri i gjatë e i ashpër monist.

Të ngatërrosh qëllimisht Luftën Nacionalçlirimtare (“Narodnooslobodilaçki Pokret-Lëvizja Nacionalçlirimtare” fjalë për fjalë në mënyrë identike i thonë edhe në serbisht ndërkohë...një tjetër nga rradha e gjatë e “rastësive” të pafundta mes ngjashmërive shqiptaro-jugosllave të asaj kohe)...dhe të përpiqesh vazhdimisht që t’a njëhësosh atë me figurën e shokut Enver, është një veprim i qëllimshëm me paramendim, që ka kohë që vihet në zbatim sa herë vjen ndonjë datë e tillë.

Shoku Enver padyshim ishte lideri i komunistëve shqiptarë (i panjohur gjerësisht deri para themelimit nga jugosllavët të Partisë sonë Komuniste), por luftën në terren, male e kodra me pushtuesin, e bënin pikësëpari ata partizanë të thjeshtë që më pas kur s’e humbën jetën në beteja, i pësuan varfërinë dhe shtypjet e mungesat më themelore të lirisë, ashtu si gjithë shqiptarët e tjerë.

Shoku Mehmet i cili me luftën qe njohur mirë qysh në kohë të Spanjës së viteve 30-të (si pjesëtar i Brigadave Ndërkombëtare)...e dimë vetë se çfarë fundi pësoi.

Shokun Spiro Moisiu s’e pyeste kush pas luftës e të tjerët kurrë nuk arritën dot në lartësinë e pamatshme të “Liderit të Pagabueshëm dhe Sypatrembur” (Enverit)!

Shokut Enver për t’a thënë si populli...“as që i plaste” ose s’e vinte aspak ujin në zjarr për gjermanët apo italianët si pushtues.

Po t’a kishte patur qoftë edhe mundësinë më të vogël, ai njeri, si qënie meskine pa fytyrë apo shtyllë kurrizore, do të kishte bashkëpunuar me plot dëshirë me pushtuesit, po aq mirë sa ç’bëri disa herë me ta, duke ua shitur për interesat e veta (rivaliteti brenda Partisë) vendndodhjet e disa komunistëve idealistë të orëve të para, si Qemal Stafa ose Vasil Shanto.

Shokut Enver i ra bingo kur u vu në krye të krijesës jugosllave, pra PKSH-së, e cila nën shembullin e komunistëve të përtej kufirit, megjithëse në përmasa tepër-tepër më modeste (faktet tregojnë se ndërkohë lëvizja partizane në Jugosllavi, ka qenë rezistenca më e fortë dhe efektive ndaj nazistëve në tërë Europën, për këtë arsye Jugosllavia kryesisht arriti të çlirohet vetë, me pak ndërhyrje ruse)...mori në duar përballjen me okupatorët.

Vendit i duhej një rezistencë e fortë, e mirëorganizuar dhe e papërçarë apo nguruese siç ishin në anën tjetër Balli Kombëtar ose edhe vetë Lëvizja e Legalitetit, për një shkak të tillë komunistët fituan shpejt terren në popull dhe siguruan edhe shumicën e mbështetjes së emisarëve anglezë.

Po ashtu, në kohë lufte, edhe vendimet ogurzeza për të nisur vëllavrasjen që do të përcaktonte qeverisësit triumfatorë të Shqipërisë së pas-çlirimit, u morën më lehtë dhe pa vrarje ndërgjegje nga komunistët dhe mbi të gjitha shoku Enver, teksa fronti nacionalist rrinte e kuvendonte pafundësisht ose mendohej çfarë të bënte.

Një njeri thellësisht oportunist dhe pa as më të imtën ndërgjegje si ky për të cilin po flasim (që na qeverisi për 45 vjet, ithtarët e të cilit sot e kësaj dite janë shumë më tepër se një grusht trutharësh nostalgjikë të regjimit)...thjesht diti të gjejë krahun ku do të përfitonte ai vetë më shumë e nga ku do të niste “karriera” e tij e pandalshme drejt pushtetit të pakufijshëm absolut që zgjati pa pengesa të veçanta, derisa ai mori frymë (i rrjedhur siç thoshin të ketë qenë vitet e fundit të jetës, apo jo!).

Prandaj në një vend normal, që i ka studiuar, zbardhur dhe njohur të gjitha pikat e errëta të së kaluarës së tij (siç nuk është kurrësesi akoma Shqipëria), tashmë do të kishte ardhur koha që përfundimisht Lufta Nacionalçlirimtare të ndahej me thikë nga figura diktatoriale e Enver Hoxhës.

Askush nuk e vë në dyshim as që partizanët ishin në përgjithësi të majtë...edhe komunistë po ashtu.

As faktin që brigadat partizane qenë përleshur më tepër me armikun pushtues, as heronjtë e dëshmorët e shumtë të kësaj lufte nuk ka sesi t’i harrojë kush, as faktin që Shqipëria në të mirë apo të keq, u çlirua prej luftës, trimërisë dhe gjakut të tyre.

E thënë kjo ndërkohë që do njohur më në fund (...nga të majtët të cilët mbajnë prej kohësh, megjithë të kaluarën e errët diktatoriale të gjenezës së tyre, “ekskluzivitetin” e përballjes me okupatorin gjatë Luftës së Dytë Botërore)...edhe prania dhe kontributi i faktorit nacionalist në këtë përpjekje të madhe të gjithë popullit shqiptar, me okupatorin nazifashist, duke filluar që nga emri i nderuar i Abaz Kupit i lidhur pazgjidhshmërisht me rezistencën “faqezbardhëse” ndaj zbarkimit italian në Durrës (ku regjimi meritat ia atribuoi tërësisht vartësit të tij Mujo Ulqinaku), tek figurat e Mid’hat Frashërit, Qazim Mulletit apo Riza Danit e mjaft të tjerëve.

Për t’a mbyllur, ashtu siç nuk u duk në 2012-ën fare me vend ndërrimi i emërtimit të një pjese të rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit” me emrin e nderuar të profesor Ibrahim Rugovës (mund të ishte gjetur ndonjë rrugë tjetër për të përjetësuar edhe në Tiranë emrin dhe veprën e pavdekshme të Rugovës)...në asnjë mënyrë lidhur me figurën e këtij kolosi të paqes, babait të pavarësisë së Kosovës, por si pasojë e tentativës për të rivlerësuar nëpërmjet emrit të njerit prej njerëzve më të shquar të historisë së shqiptarëve të Kosovës, personazhin negativ me origjinë nga ajo trevë, përgjegjësin direkt për vrasjet e 4 shkurtit 1944, Xhafer Devën...po aq duket pa kuptim përpjekja për të riaktualizuar monumentin e “Pesë Dëshmorëve” në Shkodër.

Duke nënvizuar faktin që ata pesë djem të panjollë idealistë, thuhet nga burimet e kohës që të jenë çuar qëllimisht në pritë në një rajon antikomunist nga vetë shokët e tyre të Partisë, sidoqoftë nuk do lënë pa vënë në dukje, që Shkodra para së gjithash, përveçse djep qytetarie, është edhe vatra e pashuar e lëvizjeve dhe mendimit të lirë antitotalitar në Shqipëri.

Kush mendon se “Pesë Heronjtë” duhen kthyer në qendër të Shkodrës (mund t’i vendosin diku tjetër brenda qytetit, rënia e tyre nuk ka arsye të mos kujtohet)...përpara se ai qytet të ketë një obelisk të denjë përkujtimor të mijëra shkodranëve viktima të pafajshme të krimit monist, të atyre të pushkatuarve, të të persekutuarve, të të internuarve baltovinave, minierave e djerrinave të humbura nga komunistët, të fretërve e intelektualëve të shfarosur nga regjimi, kush mendon kështu pra, e pakta e ka cazë gabim.



(Vota: 39 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora