E shtune, 20.04.2024, 03:58 PM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Shahu: Mocioni i opozitës së leshit kundër Jozefina Topallit

E enjte, 05.06.2008, 05:29 PM


Jozefina Topalli
Mocioni i opozitës së leshit kundër Jozefina Topallit

Nga Rexhep Shahu

Po bëhet gati një javë tollovie që ka rinisë stuhia në gotë për mocion për shkarkimin e Jozefina Topallit, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk më hyn në punë aspak se çfarë ka bërë a nuk ka bërë ajo dhe nuk rrekem të analizoj thëniet e kundërthënit e dy palëve kryesore politike. S’e kam këtë qëllim. Ajo që më duket gallatë dhe më shtyn të shkruaj është deklarimi i Levizjes Socialiste për Integrim (LSI) se mbështet pa asnjë kusht shkarkimin e Jozefina Topallit, është gati në çdo kohë e rrethanë, ditën e natën, paradite e pasdite, pa asnjë mëdyshje, pa pyetur e interesuar fare se pse e çfarë, por është gati ta shkarkojë Kryetaren e Kuvendit. Me çdo çmim. Me çdo kusht.
Duke folur kundër saj, duke dashur ta zvogëlojë e bëje si veten, historiani deputet i LSI, Xhufi, tejkaloi çdo normë (nuk e di çfarë arsye të thellë duhet të ketë njeriu a burri që të urrejë aq shumë një grua, që si për inat është edhe e bukur, nuk e di ç’inferioritet mund të të detyrojë si burrë a mashkull të urresh aq shumë një grua, që si për inat është edhe e bukur, që për hir të së vertetës është treguar ding burrë në drejtimin e atij Kuvendi dhe nuk i ka lënë asgjë mangut asnjërit nga ishdrejtuesit e tij, për kopetencë, profesionalizëm, thellësi, qetësi, siguri, maturi, pjekuri, që nga Arbnori, Gjinushi, Dokle, Pëllumbi etj), pra, tejkaloi çdo normë dhe veç shpatës së deputetit, nxori nga milli edhe pallën e historianit dhe synoi ta denigronte duke i thënë se ajo nuk rrjedh nga ndonjë familje fisnike por tregtare e leshit. Sikur të parët e saj janë marrë me tregti leshi. Lesh dhensh e lesh dhish, lesh të tjerrur e lesh të patjerrur, lesh të larë e të palarë. Lesh.
Ajo, Jozefina, që si për inat është zonja, më e zonja se shumë e shuma burra, që për inat është trime, guximtare, diplomate, dinjitoze, kurajoze, që si për inat, është e pavarur, e urtë dhe e sigurtë në mendimet e deklarimet që bën, në vendimet që merr, që si për inat është e barabartë me kolegët e saj të botës që i takon, pret e përcjell, ajo pra, me një qetësi e zgjuarsi që e ka si për inat, i tha Xhufit se nuk e kam ditë se je historian i leshit. Kaq mjafton për me t’i ulë veshët e mos me e pa rrugën deri te ndenjësja.
Kaq qe historia e leshit. Këtu mbaroi mocioni i leshit i deputethistorianit të leshit.
Por rrekem të gjej një përgjigje me veten, pse ndodh kështu me Jozefina Topallin e LSI-në. Pse ndodh që Ilir Meta kryetari që pati kapë edhe majat e shtetit, të ketë atë tërbim të pashoq kundër Jozefina Topallit. Se puna e Metës nuk është si puna e autorit të historisë së leshit, ani se urrejtja ndaj Jozefina Topallit është si e autorit të historisë së leshit. Pyes kështu sepse Jozefina Topalli nuk ka botuar e as shpërndarë mijëra postera me atë momentin kur Meta i kërleshur, këmishë jashtë e i zbërthyer iu sul Jozefinës. Jozefina nuk ka paguar asnjë televizion e jo më gjithë televizionet që ta japë dhjetë herë në ditë për një vit rrjesht si spot kampion televiziv pamjet e çastit kur ai kapërceu tre-katër radhë deputetësh, kalëroi mbi tavolina kolegësh, flaku tej vazo lulesh e Ndre Legisa të rrëzuar, kapaërceu si rrufe podiume ministrash dhe iu vërsul me tërbim asaj femre, asaj gruaje, asaj zonje, asaj nëne që njëherësh ishte edhe Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Gardistët që e mbajtën i kanë bërë nderin më të madh të mundshëm që mund ti këtë bërë ndonjëherë ndokush në jetë Ilir Metës dhe ndaj ai ende është edhe sot në politikë e në atë sallë kuvendi.

Po përfytyroj sikur të mos e kishin mbajtur gardistët. Çfarë do të kishte bërë Ilir Meta kundër Jozefina Topallit. Do ta kishte goditur me grushte në fytyrë. Do ta kishte kapur për gryke me thonj për t’ia nxjerrë shpirtin… Do të kishin ndërhyrë të tjerët. Po pastaj çfarë do të mbetej nga Ilir Meta. Ky është integrimi që na premton Levizja Socialiste për Integrim.
Por prapë e kam mendjen tek shkaku pse LSI ka atë urrejtje dhe e demonstron kundër Jozefina Topallit. Çfarë mund të ketë ndodhur. Çfarë u ka bërë Jozefina që të tërbohen burrat e LSI ashtu kundër saj. Çfarë e bën një burrë aq agresiv kundër një zonje të bukur. Bile deri atje sa të hetohet e rrëmohet në historinë e familjes, sikur të mos ngihen vetëm me përsonin. T’ia gjurmojnë jo fisnikërinë e padiskutueshme të familjes, që s’është meritë e Jozefinës, por historinë e tregtisë së leshit dhe të rrefejnë historianët histori leshi për shkak të urrejtjes. Ndoshta, po përpiqem të gjurmoj një pistë tjetër, LSI ka inat me PS-në pse PS-ja është më përpara, më e avancuar në gjetje të tilla për mocion ndaj Jozefina Topallit dhe LSI-së i vjen inat pse s’i bën ajo këto gjetje që të ndiqet nga PS-ja. A thua të jetë shkak ky kompleksi i të voglit, i të qenit i vogël, me vetëm pesë deputetë, që janë barabar si me qenë si mos me qenë, se nuk çojnë peshë në kandar. Pastaj, inati vjen e shtohet më tepër kur mendon se Edi Rama, si për inat të LSI-së që bashkë me të vegjlit e tjerë e kanë mbajtur peng këtë vend dhe duan ta mbajnë peng tash me komitete démodé, pra kur sheh se Edi Rama sa herë e lyp nevoja ai bashkëpunon me maxhorancën në të mirë të Shqipërisë dhe ai shkel me këmbë mbi të vegjlit që i sillen nëpër këmbë që të pengohet në to e të rrëzohet.
Por duket se është edhe një tjetër çështje. LSI si gjithë të vegjlit majtas, të cytur e të përdorur pa frena e freksion nga PS-ja që shpesh është në tokë djerrë e si peshk në tokë, merren vetëm me Gërdecin, e kanë varë gozhdën në Gërdec, ndërsa atje jeta vazhdon e njerzia jetojnë e po i kthehen normalitetit. Po sikur të mos jetë Gërdeci, ku do të garojnë, për çfarë do të garojnë e ligjerojnë politikanët e mëngjër. Sikur të mos ishte Gërdeci, me çfarë historish e mocionesh leshi do të merreshin.
Mos ta tjerr më gjatë se nuk kam për ta gjetur kurrë shkakun e urrejtjes së eksponentëve të LSI-së ndaj Jozefina Topallit. Nuk kam për të thënë, se nuk e di, se Edi Rama po e përdor pa freksion LSI-në dhe ndaj shfaq tërbim me të tjerët LSI-ja ngaqë nuk demonstron dot kundër Edi Ramës, në amanet të asaj gruas që u lutet se nuk duam as bukë as ujë as dritë as diell… por vetëm të shkojnë mirë shokët e partisë…
Po të vazhdoj ta tjerr e di se do ta bëj lesh këtë histori e do të më thonë: s’na the gjë tjetër veçse një histori leshi për një mocion leshi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora