Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: ''Revolucioni Ideologjik Kulturor''

| E marte, 04.02.2014, 09:04 PM |


“REVOLUCIONI  IDEOLOGJIK   KULTUROR”  DHE  FEJA...

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

I njihni këta dy objekte fetare? – Besoj, se po! Duhet ti keni lexue edhe kush janë e cilit shekull i perkasin! Historinë e tyne nuk besoj se asht nevoja me ua shkrue! Kur i asht dhanë urdhni kandidatit të K.Q. të PPSh, “shokut” Fadil Ymeri në Vaun e Dejës, per me hjellë n’ erë me dinamit Kishen ku asht kunorzue Gjergj Kastrioti e Donika, ka qarkullue një “barceletë”, se “shoku” Enver “nuk ka dijtë gja fare” se do të rrenohet!

Po këte, a e besoni ju lexues të nderuem?.. E pra, edhe këte e ka shkrue një nga “dr...prof...” që thonë, se ishte edhe “akademik”. Kur e kam ndigjue po të kishe ndonjë gradë edhe unë, do ta kishe vertetue se “ashtu asht kenë”! I shkreti Enver, “sa shumë gjëra i ngarkojnë të gjorit!” thonë “ata”... që e kanë njohë afer...

Po këte tjetren a e dini ju? Urdhni per me shkatrrue të gjitha Kishat Katolike në Shqipni, nuk kishte nevojë me u persëritë per sejcilen Kishë, ashtusi, edhe urdhni “mos me prishë asnjë xhami, pa dijenin e Enverit, nuk kishte nevojë me u persëritë, mbasi qeveria shqiptare duhet t’ ishte e “kujdesëshme” në lidhje me mardhanjet me Turqinë!

Kështu, “gabimi” kje i vartësëve, që per qejfin e tyne anadollak prishen një nga Kishat ma të vjetra Monumentale, dhe ruejtën një Xhami të pushtuesëve turq, sa me i tregue atyne që vijnë në Tiranë, se “merrni vesh me ké keni punë!”...

Po “drejtuesit” e besimeve të ndryshme a u pajtuen me këte “Revolucion”, dhe cili kje qendrimi i tyne? Kedo me pyetë u pergjegjë: “Të gjithë u persekutuen njëlloj!”

Edhe né që e jetuem atë “Revolucion” duhet me e besue këte “gënjeshter”, se nuk po them “rrênë”, mbasi “rrênat” perditë po hahen me bukë nga i shkreti Popull !

Mbas fjalimit programatik të Enver Hoxhës, me 6 Shkurt 1967, në muejn Mars t’ atij viti, filloi “demaskimi i Klerit Katolik Shqiptar” me At Gegë Lumaj, në Institutin Pedagogjik të Shkodres, nen kujdesin e anadollakur boshnjak Ramiz Alia, nga Xhemal Dini e Musa Kraja, pranë komitetit partisë së rrethit Shkoder, ku përgatiteshin edhe të gjitha diskutimet per sejcilin “servil” që do të fliste nder këto mbledhje. Mbas At Gegës, u vazhdue me Don Mark Hasin, At Pjeter Meshkallen...Imz. Ernesto Çoben, që ishte edhe drejtues i Klerit të gjithë Shqipnisë...U vazhdue me pushkatimet e shfarosjet:

1. Imz. Ernesto Çoba (1913 – 8 Janar 1980)Vdes në sigurimin e shtetit Tiranë...

2. Don Zef Bici (19 Maji 1919 – Pushkatue me 10 Maji 1968.

3. Don Mark Dushi (19 Nandor 1920 – 10 Maji 1968) Pushkatue.

4. Don Marin Shkurti (1933 – 1 Prill 1969) Pushkatue.

5. Don Shtjefen Kurti (24 Dhjetor 1898 – 20 Shtator 1971) Pushkatue.

6. Don Anton Doçi (15 Qershor 1915 – 1973) Pushkatue.

7. Don Mikel Beltoja (17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974) Pushkatue.

8. Don Prekë Nikçi (1921 – 15 Mars 1974) Mbytet në fabriken e çimentos            në Krujë.

9. Don Mark Hasi (1920 – 11 Shtator 1981) Vdes në kampin e Ballshit.

10. Don Lazer Jubani (23 Prill 1925 – 29 Korrik 1982) Helmatiset nga sigurimi...

11. Don Lec Sahatçija (Dhjetor 1906 – 4 Prill 1986) Vdes në burgun e Tiranës.

12. Don Nikoll Gjini (1911 – 1987) Vdes në kampin e Zejmenit.

13. Imz. Lazer Sheldija (1928 – 10 Shtator 1988) Vritet në ShBA, nga sigurimi...

14. Don Pjeter Gruda (1 Gusht 1922 – 13 Janar 1989) Vdes në kampin e Sarandës...

***

Gjenocidi komunist në Shqipni, ka vra dhe zhdukë vetem nga viti 1967 – 1989 të gjithë Klerikët Katolik Shqiptar të siperpermendun...

Janë arrestue, torturue, dënue, janë internue dhe ridënue deri në zhdukjen e plotë nder kampet e shfarosjes së Republikës Socialiste të Shqipnisë edhe këta Klerit Katolik Shqiptar, të perfshimë në këte Gjenocid të ashtuquejtun “Revolucion Ideologjik e Kultural”, vetem mbas vitit 1967:

1. At Pjeter Mëshkalla, 25 vjetë burg.

2. Don Mikel Koliqi, 38 vjetë burg dhe interrnim.

3. Don Nikollë Mazrreku, 37 vjetë burg e interrnim.

4. At Zef Pllumbi, 28 vjetë burg e interrnim.

5. Don Simon Jubani, 26 vjetë burg.

6. At Gegë Lumaj, 20 vjetë burg.

7. At Gjergj Vata, ban mbi 10 vjetë burg si pasuesit...

8. Don Frano Illija.

9. Don Ndoc Sahatçija.

10. Don Nikollë Troshani.

11. Don Zef Simoni.

12. Don Kolec Toni.

13. Don Ndré Krroqi.

14. At Anton Luli.

15. Don Ndoc Ndoja.

16. Don Gjergj Simoni.

17. Don Marjan Arta.

18. Fratel Gasper Jubani.

19. At Ferdinand Pali.

20. At Aleks Baqli.

21. At Leon Kabashi.

22. Don Martin Trushi.

23. Don Nikollë Pergjini interrnohet.

24. Asht burgosë Popi i Shkodres Popoviq, bashkë me vllaun Markon.

Emnat e Klerikëve të Besimeve tjera ti shenojnë “historianët” e tyne.

***

? Mbas vitit 1967, janë prishë e janë tretë të gjithë Eshtnat e Vorrezave të Kishave të    Shqipnisë, tue fillue nga Katedralia qind e sa vjeçare e Shkodres.

? Mbas vitit 1967 në Shqipni, nuk ka mbetë asnjë Kishë Katolike.

? As ky terror me vrasje e shfarosje...endè nuk quhet Gjenocid !?..

Melbourne, Shkurt 2014.