E enjte, 28.03.2024, 07:21 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Tritoli, një “zhvillim” makabër!

E diele, 02.02.2014, 06:33 PM


Tritoli, një “zhvillim” makabër!

Nga Elvi Sidheri

Ndërsa neve (shqiptarët) në kohëra të ndryshme jemi njohur si popull mikpritës, besëpathyer, të fjalës, karakterfortë e burra motesh, tashmë një epitet i ri rrezikon që t’i ngjitet shqiptarit, në këto vite të para të mijëvjeçarit të tretë.

Kur u pat menduar se tashmë i patëm lënë njëherë e përgjithmonë prapa emërtimet e 1912-ës si njerëz me bisht, fise jashtë botës së qytetëruar e gjindje e pabindur pa ndjesi të ligjit apo sens të bashkimit në një shtet (teza të frymëzuara dhe stisura kryesisht prej qëndrimeve raciste të akademive të shkencave të fqinjëve tanë jugorë e veriorë)...kur nisi të venitet edhe kujtimi i pakëndshëm i bunkerëve enveristë, kallashëve të 97-ës si dhe gomoneve të 98-ës, si për habi na u shfaq edhe tritoli i 2014-ës!

Tritol, kjo lëndë shpërthyese që përveç makinave të biznesmenëve, dyerve të shtëpive të tyre luksoze dhe pronave (apo jetës) së shumëkujt tjetër në këtë vend, po hedh në erë edhe paqen mendore dhe jetësore, praktikisht të çdo banori të Shqipërisë së këtyre ditëve.

Tritol, një mjet vrasës apo paralajmërues, i përdorur gjerësisht dhe pa kontroll kudo nëpër zona të nxehta lufte të aktualitetit të Lindjes së Mesme, si në Irakun e pastabilizuar e akoma thellësisht të ndarë midis sekteve të ndryshme ose etnive konfliktuale të pas rënies nga pushteti të diktatorit gjakatar Sadam Husein, ashtu edhe në Sirinë e ngatërruar të luftës së përgjakshme civile.

Tritol që dimë të jetë përdorur “mjeshtërisht” nëpër qindra atentate nga organizata të famshme terroriste si puna e IRA-s në Irlandën e Veriut dhe Angli apo ETA-s në rajonin Bask si dhe pjesën tjetër të Spanjës, gjatë fushatave të tyre të përgjakshme që mëtonin me anë të këtyre mjeteve të dhunshme, arritjen deri tek pavarësia e tokave të tyre.

Gjithësesi, në secilin prej rasteve të sipërpërmendura, tritoli ka gjetur përdorim vetëm ekskluzivisht në suazat e jashtëzakonshme të situatave të luftës, asaj të drejtpërdrejtë konvencionale, guerriljes urbane apo edhe terrorizmit të pastër antinjerëzor!

Ndryshe, tritoli mund të jetë përdur për shumëçka...ndoshta (mënjanë qëllimeve ushtarake) edhe për të çarë galeri minierash ose tunele mes malesh të larta shkëmbore, padyshim edhe për të rrëzuar me një goditje të përqëndruar përtokë ndërtesa të larta shumëkatëshe (zakonisht jemi mësuar përmes televizionit që këto ngjarje, si kuriozitete të mëdha, t’i shohim teksa ndodhin në Amerikë), por kurrësesi me një frekuencë të tillë të padëgjuar, kjo “armë” nuk qe përdorur për atentate kriminale të çdo lloji, siç po ndodh këto kohë tek ne.

Ka një rast që mund të konsiderohet paksa “homolog” me momentin “eksploziv” që po kalon situata kriminale tritolvënëse në vendin tonë...dhe bëhet fjalë pikërisht për periudhën e atentateve të mafias siçiliane kundër gjykatësit Falcone (“Masakra e Capaci-t”, siç e quajnë në Itali) dhe shpërthimin e pallatit ku banonte miku dhe kolegu i tij më i ngushtë, prokurori i njohur antimafie Borsellino pak më vonë.

Shteti italian që me mafien kishte flirtuar e luajtur dhe nga e cila pati përfituar prej vitesh të tëra, politika italiane që me mafiozët shpesh kishte zbritur në pakte e që gjithashtu pati lejuar infiltrimin e tentakulave të krimit të organizuar në rradhët e saj (deri në hierarkitë më të larta...thuhet), në çastet e dhimbshme e njëkohësisht tejet tronditëse të këtyre dy atentateve që e shkundën nga themeli shoqërinë e atrofizuar dhe tepër mosreaguese italiane, më në fund mori masa drakoniane për të ndalur valën e tritolit mafioz njëherë e mirë!

Ushtria mori në kontroll rendin në Siçilinë e trazuar, ndërsa policisë dhe karabinierëve iu la në dorë lufta e pakompromis kundër mafies dhe gjithë shfaqjeve të saj në shoqërinë italiane.

Edhe vetë Papa Gjon Pali i II, plaku Vojtila i dashur e i dhembshur, vajti personalisht në Siçili e u bëri thirrje të hapur kapove mafiozë (të njohur për të ashtëquajturën “devotshmëri” të tyre sipërfaqësore të krishterë, mes një krimi dhe tjetrit)...që të pendoheshin dhe të “konvertoheshin” nga kriminelë, në njerëz me ndërgjegje të cilët Zotit duhej që t’i frikësoheshin, duke ditur se për veprat e tyre në këtë jetë, do të jepnin llogari si përpara drejtësisë së njeriut në tokë, ashtu edhe përballë Perëndisë!

Qysh atëherë, Siçilia nuk mund të thuhet me plot gojë se ka shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga mafia dhe bëmat e saj, por sidoqoftë autoriteti i shtetit të së drejtës, i ligjit dhe i rendit publik, doemos ndihet më fort e qartë në atë ishull dhe tërë shoqërinë e vuajtur siçiliane.

Kjo është mënyra sesi një shtet dinjitoz dhe i ndërgjegjshëm për forcën e detyrat e tij parësore (siç është sigurisht pikësëpari mbrojtja me çdo kusht e jetëve të qytetarëve të vet për shembull)...reagon pa asnjë ngurim me vendosmëri ndaj një kërcënimi kaq të rrezikshëm sa ç’është tritoli bashkë me fuqinë e tij të pallogaritshme shpërthyese, sa edhe vdekjeprurëse!

Vija e hollë që e ndan  tritolit-vënien për qëllime tashmë shpesh edhe të rëndomta kriminale, nga një masivizim potencial i përdorimit të tij për shkaqe dhe objektiva të tjerë, duhet bërë e pamundura (dhe më tepër)...që të mos kalohet në asnjë mënyrë, sepse ndryshe pasojat do të ishin të papërfytyryeshme!

Zhvillimi i ngadaltë ekonomik e shoqëror, diktatura e tejzgjatur komuniste që e bëri shtetin edhe më të huaj (se ç’ishte)...e armik për njeriun e thjeshtë, hija shumëshekullore e sundimit të prapambetur osman, mungesa e zakonshme e ligjit, kanë bërë që krimi dhe shqiptari, për fat të keq të bashkëjetojnë paralelisht përgjatë 23 viteve të kësaj demokracie të brishtë që po jetojmë e ndërtojmë.

Por ka ardhur koha që të mos lejojmë të tërë si shoqëri, që krimi të marri përmasa të atilla të reja, saqë eksplozivi të hyjë pa pengesa në shtëpitë tona apo mes bulevardeve të qyteteve ku të afërmit dhe fëmijët tanë bëjnë xhiro ose pijnë një kafe të qetë, teksa ndokujt i ka rënë mendja që me telekomandë, të hedhi në erë makinën e viktimës së rradhës!

Kjo është diçka totalisht e papranueshme!

Shqipëria e vitit 2014 nuk mund të synojë Bashkimin Europian duke “kopjuar” Bagdadin ose Falluxhan në Irakun e përflakur nga shpërthimet dhe eksplozivi i ndasive sektare!

Ky popull nuk duhet të “ambjentohet” me tritolin, shpërthimet, eksplozivët poshtë makinave, dyert e hedhura në erë etj, ashtu siç në fakt duket të jetë mësuar me krimin në familje, me dhunimin sistematik të gruas e me maskat vrasëse që qëllojnë “shoot to kill” (gjuaj për të vrarë) autobuzët me emigrantë të ngratë që kthehen në atdhe nga punët e tyre në Greqi.

Ah po, patën qenë “nën efektin e hashashit”!

Lëndë haluçinante kjo, që ndërkohë në disa vende ka nisur edhe të legalizohet ose të lejohet për përdorim personal, duke mos u konsideruar më nga autoritetet e disa shteteve të përparuara perëndimore, si substancë me rrezik të lartë nga përdorimi.

Tani duke dashur t’i qëndroj sa më larg debatit lidhur me nevojën apo jo, të legalizimit të marjuanës (s’më intereson dhe nuk besoj të jetë ndopak prioritet për punët tona), sido që të jetë, po të ishte se marjuana paska të tilla efekte siç na u tregua lidhur me rastin e sulmit mbi autobuzin Tiranë-Athinë (ku dikush vdiq), si është e mundur që në Holandë apo tjetërkund, gjëra të tilla nga konsumuesit “e ligjshëm” të kësaj substance, nuk shkaktohen?

Për dy arsye...1) Sepse në Perëndim ka ligje që funksionojnë dhe gjindja i druhet në kuptimin e mirë të fjalës, shtetit të së drejtës...2) Për shkak se janë të tjera lëndë narkotike ato që mund të sjellin deri në atë gjendje emocionale që e shpie kriminelin në kryerjen e akteve të tilla të pashembullta, si për shembull, që në mes të natës, t’i qëllojë një autobuzi në ecje e sipër!

Nuk ka nevojë që dikush të marri shumë vesh nga ligji dhe legjislacioni juridik, që ngjarje të këtij lloji tragjik, të quhen si “Terrorizëm i pastër” dhe asgjë më tepër.

E di që ka njerëz që do të thonë se “terrorizmi” i mirëfilltë është gjë tjetër.

E qartë është edhe kjo gjë.

Këtu nuk bëhet fjalë as për sulme kamikaze, as për fondamentalistë që i vënë eksploziv ndonjë ambienti plot njerëz të pafajshëm, por sërish mua ky më tingëllon si terrorizëm, nuk kam ç’i bëj, kështu më është tiposur në kokë!

Sepse kur dikush del natën ndënë një rruge nacionale dhe nxjerr kallashnikovin me të cilin i qëllon pa iu dridhur qerpiku një autobuzi me pasagjerë, atëherë çfarë emri i do vënë një veprimi të ngjashëm?

Gjueti dhelprash ose fazanësh gjë, apo qitje për qejf?

Të kishte qenë thjesht fjala për një tentativë grabitjeje, si e panë autobuzin tek u largohej pa ndaluar, të mallkuarit do e kishin lënë me aq, po kur nisën të qëllojnë, e bënë vetëm për të vrarë!

Nuk është nevoja që dikush të vijë nga ndonjë sfond fondamentalist apo ekstremist, në mënyrë që të jetë i aftë dhe i prirur për të kryer akte të rënda terroriste.

Jo aspak, mjafton edhe një çunak i cili pasi i rrëkëllen ca teke raki dhe një dorë hashash “vendas” (ç’na duhet “malli” i importit neve, kemi tonin fundja...me forcat tona gjithmonë, si dikur që hanim bar, por idealet s’i shkelnim...edhe tani që kemi marjuanën tonë 100 % vendase)...shkon t’i bjerë autobuzit fatkeq të rradhës!

Përfundimisht do të ishte e udhës që shqiptarët të mos e “pranonin” tritolin si një “realitet të pashmangshëm” a largqoftë “normal”, ashtu siç vite të shkuara, krismat, plumbat e verbër dhe zbrazjet e karikatorëve të kallashëve, tingujt e tyre drithërues, na qenë shëndrruar në zhurma gati të natyrshme të netëve dhe zgjimeve tona.

E keqja do refuzuar gjithmonë!

Një e keqe e rrezikut më të lartë të mundshëm, siç është tritoli dhe fuqia e tij “shfarosëse”, është e qartë që do luftuar me çdo mjet, siç e kërkon ligji e kushtetuta, së pari nga ata që e kanë për detyrë rendin dhe qetësinë publike, por në të njëjtën kohë vetë populli, duhet të heqi dorë nga indiferentizimi i zakonshëm shqiptar, që ngahera ka lejuar të keqen  të ulet këmbëkryq në ambientin tonë, pa u shqetësuar kush seriozisht për këtë gjë!

Një shoqëri që krimin, vrasjen e tritolin, i konsideron si gjëra normale, nuk mund të ankohet për fajet e qeverisë që vetë e ka votuar e as për përhapjen e pasigurisë në vend.

Një shoqëri që krimin e denoncon, refuzon dhe përjashton nga përditshmëria e vet, ka të drejtë që shtetit të mefshtë t’i kërkojë rend e siguri!



(Vota: 15 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora