E enjte, 25.04.2024, 06:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Bujar Qamili: Pretendoj çmimin e madh në Greqi

E merkure, 04.06.2008, 10:17 PM


Këngëtari i njohur shpreson të triumfojë në Festivalin e Këngës Popullore Ballkanike, ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë

Vendi ynë do të marrë pjesë për herë të parë në Festivalin Ballkanik të Këngës Popullore, që do të zhvillohet në Greqi nga data 3 deri më 7 qershor. Në këtë eveniment, Shqipëria do të përfaqësohet nga këngëtari i njohur i këngës popullore, Bujar Qamili. Festivali i Këngës Popullore Ballkanike ka nisur të zhvillohet prej 5 vitesh dhe gjithnjë është zhvilluar në Greqi, vendi organizator i përhershëm i këtij evenimenti. Shqipëria asnjëherë nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë garë të këngës popullore, por këtë vit organizatorët kanë menduar që vendi ynë, si vend ballkanik, të jetë pjesë e festivalit. Përzgjedhja e Bujar Qamilit, siç shprehet dhe vetë këngëtari, është bërë nga vetë organizatorët e festivalit. E për të nuk është nevoja të shkruhet shumë, sepse çdokush e njeh. Bujar Qamili është një ndër përfaqësuesit më në zë të këngës popullore shqiptare (më specifike asaj shkodrane) dhe me repertorin e tij të mrekullueshëm, është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, i dekoruar dhe me urdhrin "Naim Frashëri i Artë" në vitin 2001. Duke folur për gazetën "Shqip", artisti thotë se shkon me pretendime maksimale në këtë eveniment...

Është një përvojë e re padyshim. Si ndiheni nga ana emocionale, por dhe nga ajo profesionale?

Sinqerisht që është me të vërtetë një përvojë e pa shijuar më parë. Kam 30 vite që interpretoj këngën popullore shqiptare në çdo vend të botës, por asnjëherë nuk jam përballur me një sfidë të tillë kaq emocionuese, ku janë të gjitha vendet ballkanike me repertorin e tyre më të mirë, dhe ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë në një eveniment të tillë. Për këtë arsye, ky festival për mua dhe grupin tim që përbëhet nga katër instrumentistë, është mjaft emocionues. Për sa i përket përgatitjes profesionale, jemi duke bërë shumë prova me intensitet të lartë, pasi interpretimi do të jetë "live" dhe koha që kemi në dispozicion është e shkurtër.

Pse shumë e shkurtër?

Po çuditërisht ne jemi lajmëruar shumë vonë nga organizatorët e këtij festivali. Shkresa zyrtare në Bashkinë e Shkodrës ka mbërritur më datë 28 maj dhe festivali nis më 3 qershor, ndërkohë që ne prezantohemi para publikut më datën 5 qershor. Megjithëse jemi lajmëruar me vonesë, ne gjithsesi i falënderojmë organizatorët për ftesën.

Nga cilët është bërë përzgjedhja për të marrë pjesë në këtë festival?

Përzgjedhja është bërë nga vetë organizatorët. Ata kanë menduar që Shqipërinë për këngën popullore duhet ta përfaqësojë Bujar Qamili, pra unë. Ftesa është bërë në adresë të personit tim nga vetë drejtori i këtij aktiviteti ballkanik.

Me çfarë repertori do ta përfaqësoni Shqipërinë?

Pjesën dominuese e zënë këngët popullore shkodrane. Është kënga me të cilën jam rritur dhe arrita falë saj të marr pjesë në një aktivitet ndërkombëtar të këtij niveli.

A keni pretendime për titull, pasi në Shkodër jemi mësuar të sillni gjithmonë diçka nga mjeshtëria juaj interpretuese?

Pa diskutim. Prezantimi ynë do të jetë tepër dinjitoz dhe pretendimi ynë është për të sjellë në Shqipëri një titull, pse jo dhe çmimin e madh. Do të japim maksimumin për të treguar vlerat e mrekullueshme që ka kënga popullore shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora