E marte, 23.07.2019, 08:10 AM (GMT+1)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Dasmat politike

E enjte, 30.01.2014, 10:15 PM


DASMAT POLITIKE

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti e kam thënë: Manifestimet kulturore si shënime historike ose Akademi përkujtimore, janë politizuar nga partizanët e partive politike deri në palcë. E them këtë me plot gojën, shkaku se: Që, nga fillimi kam qenë bashkëthemelues i disa manifestime kulturore të asaj kohe me shokë. Ditët më të vështira të jetës sime, kur për një “gabim” të vogël politik, shkoje si qeni në rrush. Kohë, kur i organizonim këto veprime të “rrezikshme” edhe nëpër katunde malore, thirrnim sa për sy e faqe për të mbuluar veten nga Qoftëlargu, t’i fusim në lojë e të fotografohen para kamerave televizive edhe individë të dyshimtë me dosje policore komuniste - kriminalistike. Vetëm e vetëm, që të hapnim derën e mbyllyr me shtatë dryna për kulturën shqiptare. Tinëz t’u shpëtonim përcjelljeve të tyre në çdo hap nateditë pa asnjë ferrë në këmbë.

E të mos flasim për gjemba rruge (spiunë), të cilët sot nderohen edhe me çmime nga organizatorët (politikanët) e këtyre manifestimeve pa derdhur pikë djerse deri më sot për kulturën dhe popullin shqiptar. Mos them, “patriotë kuqezi” që për kulturën shqiptare nuk kanë dhënë deri më sot, as edhe një kafe. Larg qoftë se, bëjmë gjumë të rehatshëm nga këta dudumë në mesin e librave. Shkaku se, paraqiten rrufjanët  në telefon t’i ndërrojnë dy-tri fjalë me ty si shkrimtar dhe duan të blejnë “pula”. E ti u përgjigjesh, se: shet gjela. Bashkëpiseduesi anonim nervozohet: a, ti tallesh me mua si tregtar? Jo, i përgjigjesh: ti tallesh me veten si “blerës i pulave”. E kam shënuar numrin tënd, por kam harruar ta shënoj emrin, me çfarë profesioni merreni ju, zotëri? Thashë: me atë të gjelave. E ti me çfarë profesioni merresh tezgaxhi? Përgjigjet Këlyshi me zgjebe: Mirë, që nuk e di profesionin tim në këtë Shtet. Megjithatë, vazhdo të tallesh ti si shkrimtar, do ta shohësh më vonë një ditë, dardhës kur do t’i dalë bishti. Ëhë, tashti i them: dolëm te profesioni yt si “artist i popullit”. Ditën e mirë, “Blerës i pulave”!

Fatkeqësisht, shqiptarët në Ditën e Sotshme (2014), përsëri kthehen nëpër fise dhe katunde. Përmëtepër, në atë kohë kanë folur e shkruar në gjuhën e perspektivës të Njerkës dhe janë deklaruar nëpër intervista të gazetarëve si melezë të “vëllazërim – bashkimit”. Gjuhën shqipe e kanë mësuar pas ndryshimeve “demokratike” (1990) për interesa personale e materiale. Veten e kanë shitur te Pazari grave dje, e shesin sot, kush do t’u besojë se nuk do ta shesin edhe nesër?! Shenjat e nisjes i keni në sipërfaqe: Debati, që u mbajtë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, rreth zgjedhjeve presidenciale dhe kandidatit për president. Habia, në atë tribunë pa fije turpi merrnin pjesë përveç të tjerëve edhe Lubomir Fërçkovski, ish kandidat konsensual për president si ish dhëndër i shqiptarëve, i cili tha para disa viteve për Universitetin e Tetovës se, lindi:“foshnjë e vdekur”, krah për krahu me mikun e tij, Kim Mehmeti (analistin politik), që në atë debat i doli zot vëllait, tha: “Maqedonisë i duhet një president i tipit të Hamdi Bajramit - deputetit rom, që nuk i urren as shqiptarët as maqedonasit që s’ka dilema të shkojë tek cili do në dasëm, hyn pa komplekse edhe në xhami edhe në kishë, unë kështu e kuptoj këtë president që do jetë i natyrës i pranueshëm për të gjithë’, theksoi analisti dhe publicisti Kim Memeti. Punemadhe, që shqiptarët në kohën e komunizmit e kanë pasur presidentin shqiptar edhe të Jugosllavisë (Sinan Hasani), pse sot kënaqen me një president të IRJ të Maqedonisë rom, është rast studimi si fenomen shqiptar?! Inati të vjen, të plasësh jo nga barku, po nga kurrizi me këto kalorës të arratisur, siç thotë populli, që me vite i ngatërrohen nëpër këmbë popullit shqiptar. Përsëri, vetë populli thotë: atë që ia bën dikushi vetes, kurrë nuk mund të ta bëjë armiku. Tjetër punë është ajo se, në atë system komunist, ne nuk na ndihmonte shteti i “përbashkët”, po na ndiqte këmba – këmbës dhe na luftonte me gjithë arsenalin e tij policor e ushtarak edhe maleve. Mos them se, në atë kohë kanë qenë më të arrira si organizime kulturore për nga patriotizmi me vlerta artistike, sesa sot plot zhurmë kulturore në mes të Shkupit.

Metodat e përndjekjeve policore të personaliteteve shqiptare, sot nuk kanë ndryshuar shumë nga ajo kohë e egër komuniste. Dallimi: në atë kohë na ndiqnin “vëllezërit” maqedonas, e sot na ndjekin “patriotët” shqiptar. Sot, shteti manifestimet e këtilla kulturore i ndihmon sa për sy e faqe edhe me restaurimin e shtëpive të kulturës ku ta fusim kokën, edhe me mjete materiale sa për sye e faqe, por fatkeqësisht nuk i kemi ato vlera të arrira artistike dhe djema të zjarrtë me taban kombëtar, të cilët në atë kohë nuk i mbyste politika ditore e partive politike. Fatkeqësia, që këto manifestime të politizuara deri në palcë, hë për hë sot u duhen vetëm partive politike në pushtet për t’i mbuluar dështimet e tyre politike. Përmëtepër, puna e këtyre manifestimeve “kulturore”, është si ajo puna e përrallës popullore me dhelprën dinake kur bie në përrua, që i thotë ujkut: lësho “rrënjën” dhe kapu për këmbe të mos biesh bythekrye në greminë.

U lumtë, burra të mejdanit, më duket se na thonë edhe sot e kësaj dite  “vëllezërit” e Njerkës: Përditë, sa të mundeni themeloni parti politike shqiptare, sidomos të këtij sojit të fundit duke e ngritur lugat PPD –në, që të na pjellë edhe dy binjake me të njëjtin emër. E kënaqi skenën politike shqiptare në kohën e vet kur na erdhi si Nuse pa koçi. Pasmenate, ku ta dimë ne me cilin Kazanovë i polli PDSH-në dhe BDI-në dhe për një kohë mbeti shterpë, nuk polli më viça të palëpi në grazhd të Lopës.  Rrenë është ajo se, në Tetovë këto ditë i polli edhe dy viça të palëpi binjak. Politikanët e këtij soji, ju nuk u kanë munguar as në ish Jugosllavi me postet më të larta politike deri në Beograd. Palletet e Kulturës, i keni pasur me bollëk më të mirat sipas standardeve evropiane, të mos them edhe më të mira se ne “vëllezërit”. Vetëm udhëheqsit dhe drejtorët shqiptar të “ndershëm” jua kemi emëruar ne, Partia Komuniste. Truri u ka munguar ju shqiptarëve gjithë jetën. Truri. Fatkeqësisht, u mungon edhe sot e kësaj dite. Asgjë, nuk ka ndryshuar shumë nga ajo kohë qorre, edhe në Ditën e sotshme, përsëri me argatët tuaj në Qeveri, ne ua emërojmë partizanët e partive politike që duhet t’u prinë për në liri. Punemadhe, që nuk kanë aftësi profesionale, e rëndësishmja janë të dëgjueshëm dhe përshtatshëm për “vëllazërim-bashkim” në shtetin e “përbashkët”.

Përçudi, gjatë ndryshimeve “demokratike” manifestimet e këtilla kulturore, që nuk mund t’i shuante dje sistemi socialist, sot i ngulfasin partitë politike “demokratike” shqiptare dhe  na i rrëmbyen nga duart partizanët e tyre posa erdhën në pushtet. Ani, ndashtë. Mirë, që e vazhdojnë traditën e atyre “nacionalistëve” dhe “irredentistëve” shqiptar. Manifestimet e dikurshme të “rrezikshme” për shtetin (Njerkën), sot të marrin lirisht frymë nëpër përvjetore e Akademi përkujtimore. Vetëmse, nuk mund të pajtohem me ta kurrë, kur ua veshin këmbekrye petkun partiak para kamerave televizive. Zjarr e flakë nxjerrin nga goja duke u shtyrë me bërryla, kush i pari të hipi në binë duke iu sulur mikrofonit. Nuk i lënë të marrin frymë lirshëm, ashtu siç kanë lindur para përndjekjeve të mëdha me “vajet” e Çajupit në djep, në kohën komuniste.

Dorën në zemër, nuk jam kundër tyre, që t’i ndihmojnë sipas mundësive këto manifestime kulturore tradiconale, por jo edhe t’i përvetsojnë dhe politizojnë për qëllime të ngushta personale, familjare, miqësore e partiake. Arsyeja, janë manifestime kulturore që i takojnë mbarë popullit shqiptar dhe jo vetëm një partie politike kudo qoftë ajo dje ose sot në pushtet, këtej ose matanë gardhit. E dini, edhe pse e them këtë: padashtas me veprimet e juaja “atdhetare” ma kujtoni sistemin e egër komunist. Festat e tyre plot lule e fjalë të zjarrta para kamerave televizive. Duartrokitjet frenetike, posa dilnin në skenë ato burra të stolisur me dekorata lufte e lule që ua hidhte populli mbi kokë.

Atdheu shqiptar është i ndarë copë-copë nëpër disa shtete. Fatmirësisht, shqiptarët sot i kanë dy shtete. Nesër, mund të ndodhë t’i kenë edhe tri shtete. Ose, vetëm një shtet të përbashkët historik shqiptar. Nuk i dihet Ditës së Nesërme, a do të na vijë me shi, breshër ose me Diell. Në çdo qytet, këto parti politike shqiptare kanë lëmë katundi për të themeluar manifestime kulturore të dalin në dyluftime partiake duke u rrokur me njra-tjetrën fytas, masin forcat në arenën politike. Pse jo, edhe ta fotografojnë veten natë e ditë para kamerave televizive për fushatë parazgjedhore lokale e parlamentare. Vetëm, le të mos i përdhosin Datat Historike Shqiptare, që kanë lindur në rrethana të tjera dhe në një kohë tjetër para syve të policisë serbojugosllave. Situata këto të nxehta politike, kur i ndjeri Fadil Bekteshi me një copë buke në dorë dhe dy-tri domate në xhep, i shtinte plot vështirësi rrënjët e këtyre manifestimeve kulturore në mesin e shqiptarëve, që sot pa fije turpi i nëpërkëmbin partizanët e partive tona politike.

Ne kemi qenë edhe në Sërmnovë të Gostivarit, mes përndjekjeve të policisë së asaj kohe. Revistën letrare “Doruntina” pa ndihmën e shtetit të “përbashkët”, ua kemi shprëndarë pjesmarrësve para syve të policisë së fshehtë komuniste pa para. Revistë letrare, që sot vazhdon të dalë në dritë edhe me ndihmën e Minsitrisë së Kulturës kur t’u teket trusakatëve pa asnjafarë bagazhi letrar, po fatkeqësisht jo me atë vullnet dhe vlera të arrira artistike si zë kryengritës në atë kohë. Rebelit të kulturës shqiptare (Fadil Bekteshi), sot askush nuk ia përmend as emrin. Përmëkeq, as shokët e tij që i mbante me vete kudo anembanë trojeve etnike shqiptare dhe mezi i bëri shkrimtarë të struken nëpër  institucione dhe në Qeveri, të fundosen në kolltuke të lëkurës me rroga të shtetit e me honorare marramendëse. Vendlindja e tij, të cilën e bëmë së bashku në kohët më të vështira me Klub të Shkrimtarëve Shqiptar, Manifestim Kulturor Tradiconal: Jehona e Karadakut e me revistë letrare (Doruntina), ende heshtë e pagojë para zhurmës kulturore të partive politike. Ende, nuk gjeti kohë dhe hapësirë ta përkujtojë me një portret letrar, Orë letrare poetike, e ku më me ndonjë Akademi përkujtimore në vendlindje. Ose, pagëzojë Klubin e Shkrimtarëve me emrin e tij si themeleues dhe Kryetar.

Shqiptarët, nuk e di pse e kam mendimin se, janë si dhentë e nënkryeme pa çoban: një dele kërcen në ujë, dhe të gjitha të tjerat njëra pas tjetrës bythekrye hidhen në hurdhë. E kam fjalën këtu, për manifestimet kulturore me veshje politike, asaj kohe në Vendlindje, turr pas një kohe me një manifestim të këtillë me të njëjtin emër edhe nëpër disa qytete. Shoqata të ndryshme në Zvicër e Gjermani… Secili kryetar komune, secili patriot në qytetin e vet ku jeton ose punon, sot organizon nga një manifestim kulturor- politik dhe e reklamon veten para kamerave televizive si patriot krah për krahu me zonjat e rënda kuqezi. Dhe, secila parti, kur vjen në pushtet, ose pas zgjedhjeve lokale e fiton ndonjë komunë ia shton këtij manifestimi edhe heronjtë e vetë familjarë e partiak. Populli shqiptar u mbushë plot heronj familjar, farefisi e partiak, prandaj edhe është në këtë gjendje i përçarë pikë e pesë nëpër parti politike duke shpallur republika shqiptare edhe nëpër katunde. Dalldisje folklorike shqiptare fundekrye, që nga mbrëmja deri në mëngjes me këmgë e valle patriotike duke e derdhur gjakun deri në gju e vra shkaun me çifteli. Homazhe euforike duke u bërë dëshmorëve në Gostivar, Kërçovë, Tetovë e nëpër Kosovë për të mos i lënë të qetë as mes varreve.

Kotnasikoti, përdhosin qëllimin e themelimit të këtyre institucioneve kulturore dhe manifestimeve të nevojshme për atë kohë qorre. Pavetëdije, nëpërkambin fytyrat historike të popullit shqiptar. Nuk kërkojnë rrugë të tjera mes fushës dhe malit, dhiare të hipin në Baba Tomor. Malin e Perëndive. Ndonjë dele, pse edhe të mos kërcejë në përrua. Ose, në livadh, mes luleve. Buçës së Katundit, gjithmonë i kanë shkuar përmbrapa mos i bie udhës. E them këtë mendim nga përvoja jetësore: një shqiptar të hapi një dyqan me perime, pompë benzini, vetëshërbim… Menjëherë, të nesërmen përkrah tij kanë mbirë si këpurdhat pas shiut, po të njëjtët dyqane me prodhime të njëjta tregtare e bujqësore. Në vend, që pranë tyre të lind një fabrikë, hotel, Shtëpi Kulture, Teatër Shqiptar.

I njëjti veprim ndodhë sot edhe me institucionet kulturore shqiptare: shqiptarët nuk duan të themelojnë diçka të re në mesin e tyre ku jetojnë si banorë me shekuj, por përpiqen t’i imitojnë “vëllezërit” ose vjedhin njëri - tjetrin në ide dhe veprime “patriotike”. Turr festiv bëjnë në të katër anët e Atdheut. Edhe pse, herët është themeluar ndonjë manifestim tradicional kulturor, kohë kur pas disa viteve shqiptarët nisin në çdo qytet të themelojnë nga një manifesim kulturor këmbekrye veshur me rroba politike. Dorën në zemër, vit kur i doli zot si gjithmonë Vendlindja. Përgëzime partizanëve partiak për ndarjen e mirënjohjeve ideologjike familjes dhe farefisit, kujt si ti teket para syve të popullit shqiptar. E, për sa u përket disa qyteteve shqiptar, nuk e di pse sivjet në këto organizime nuk u përmend Skenderbeu, kur gjatë gjithë këtyre viteve ai ka qenë tabani kryesor kombëtar i këtij manifestimi kulturor që i mori dëshmorët e kombit si Nëna fëmijët nën sjetullat historike. Përjashtim, bëri Shkupi Dardan me iniciativë të një Shoqate joqevritare “Zgjohu”, ku u mbëlodhën dhjetra politikanë vetëm të një partie politike dhe dy-tre intelektualë të arratisur të rastit duke vënë kurora të luleve para këmbëve të kalit të Skënderbeut, në Bit - Pazar. Duartrokitje. Mos them: një shënim historik shumë i zbehtë për heroin tonë legjendar kombëtar Skënderbeu, përkarshi dasmave politike për dëshmoët e kombit të familjes, farefisit e Partisë politike. Manifestimeve të politizuara deri në palcë, kësaj radhe u mbajtën në Gjilan, Gostivar, Gjermani, Zvicër e nëpër Kosovë.

Rrezik i madh ky, për një popull historik me gjithë këto parti politike, që sa herë vijnë në pushtet merren me vetëveten se: çdo gjë ka filluar me ta si politikanë dhe ka përfunduar me “bashkimin e trojeve shqiptare” në një Shtet Shqiptar. Paralajmërim teknefes i Partisë Socialiste të Edi Ramës për “Rilindje” kombëtare. Qëllim patriotik të improvizuar, që mezi e “realizuan” me Thaçin në një takim të përbashkët të  dy qeverive  shqiptare përpara Shtëpisë historike të Lidhjes së Prizrenit. Nuk do të merrem këtu dhe humbë kohë me devijimin e lumit Radika, Arusha është ende në thes pas dere në stilin e Kalit të Trojës. Projektin, a e ka aprovuar Qeveria e Maqedonisë dhe, a e ka ndihmuar Banaka Botërore. E, as me qeverinë e Ramës, që një projekt të këtillë a e ka nëpër dorë mbi tavolinë. Mjerimi, gjithë jetën u morën me provokime politike, që pala tjetër ua hudhë në mes të lëmës për t’i realizuar pa pengesa projektet e tyre historike.

Vallë, mos Historia Shqiptare nis me partitë politike shqiptare sot për sot në pushtet?! Përmëkeq, me ndihmën e partive politike në skenë t’i rrënojnë ato institucione “ilegale” historike të themluara edhe me gjak në ato kohë të vështira, kur zjarr na digjej mbi krye, e sot jemi të detyrurar këto manifestimet kulturore t’ua lëmë në duar t’i nëpërkambin partizanët e partive politike. Përshtypje përpiqen të lënë, se: Historia Shqiptare ka filluar me ta si “rilindasë” dhe do të përfundojë me ta një ditë si “fitimtarë” në histori. Sot për sot, pikëpyetje e madhe?!

Porosia: Në këto dalldisje përkujtimore, nuk mund të lëmë anësh pa përmendur realitetin e ditëve tona, që na është ulur këmbëkryq në sofër. Përvojën e aspekteve që dalin nga Epoka e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skëndërbeu. Asnjëherë më shumë se sot, nuk është paraqitur nevoja për një pajtim të politikës shqiptare, që mjerisht është ndarë e përçarë edhe nëpër katunde. Koha është, që sa më parë të arrihet një pajtim i Lidershipit shqiptar në të gjitha trojet etnike, ashtu siç ka bërë dikur  i madhi Skëndërbe. Rilindasit tanë me penë e pushkë. Fjalën, këtu nuk e kam për “Rilindasët” e sotshëm, që u takuan para kamerave televizive, në Prizren. Populli që ka themele lirie gjakun e heronjve kombëtar, ka ardhmëri të sigurt në liri Ditën e Nesërme.  Burrat e gratë e Atdheut që niseshin në luftë me këngë: “se me vdek për atdhe, është njësoj sikur me le”,  nuk ka fuqi në botë që mund t’ua vrasë dëshirën dhe qëllimin e Bashkimit Kombëtar.

Kushtrimi i tyre ishte: Gjithmonë të bashkuar rreth flamurit për liri e bashkim kombëtar. Ne sot, na mbetet të punojmë nateditë pa u ndal në jetësimin e amanetit të atyre burrave të penës e pushkës. Ne sot, më shumë se kurrë, duhet jetësuar unitetin kombëtar, se vetëm të bashkuar dhe të pathyeshëm mundemi të mbijetojmë katrahurën e zhbërjes kombëtare nga egërsira e armiqve tanë të pangopshëm, që po zgjatë me shekuj.

Veprimet pa krye, që nuk na shpien larg, në ardhmëri t’ia lëmë histirisë. Akademitë përkujtimore të shndërruara në festa dasmash politike me këngë e valle deri në agim. Zënkat partiake mes vete se, cili është më patriot se shoku. Garat fisnore se, cila familje do të shpallë më së shumti dëshmorë e heronj pas lufte.

Ditën e Nesërme e kemi te pragu i Shtëpisë. Derë tjetër, nuk kemi për dalje pas Shtëpisë, të ikim malit. Moti ka vdekur koha e kaçakve kur hynin nga oxhaku. Tashti, nuk kemi as Derë të madhe. Portat i kemi harruar në Katund. E për sa u përket Portave Triumfale e kemi një në Shkup, por ajo është e Gruevskit. Nëna, ende pa dalë drita nuk na e ndez zjarrin. Babai me mauzerrin krahut rrëzë Çukës, nuk ka dalë në mal, po mes varreve. Koçia na është thyer në rrugë. Krushqit me atë këngën e mirënjohur popullore: Hajdeni, bini djemt e Shalës, përmes Sarajeve të Pashës, erdhën pa Nuse. Rrugë tjetër duhet gjetur koçisë. Patjetër, kokës t’i biem me të dyja duart me grushta: O shqiptarë, mos e shihni veten vetëm para kamerave televizive dhe t’u gëzoheni rrahjeve të krahëve para kamerave televizive nga armiku shekullor (shpallin “hero”), lakmoni rrokullisjen “artistike” të Arushës me dajre nëpër Lëmë.

Thirrja historike: Dalja në rrugë pas Çuke, për në Baba Tomor.  Nëse na e kanë mbyllur derën, ta hapim dritaren. Fundi i fundit, po të jetë nevoja edhe nga oxhaku. Manifestimet kulturore le të vazhdojnë të shënohen në Vendlindje, atje edhe ku u themeluan për herë të parë si data historike përkujtimore të Skënderbeut dhe dëshmorëve të Atdheut. Edhe atë, pa ngjyra partiake të partive politike shqiptare. Historikisht, duke u pri Skënderbeu në ballë, strategu i luftërave historike pa qëllimet e errta politike partiake për ta nxjerrë veten  në sipërfaqe disa politikanë si “shpëtimtarë” të Kombit. Shkaku se, dihet vendi i tyre ku mund ta tregojnë veten si patriotë në politikë me punë e jo duke u fotografuar nateditë para kamerave televizive nëpër manifestime kulturore.

Pragu i Shtëpisë, o burra: Patjetër, duhet pastruar nga kërrocat politike, që me vite na ngatërrohen nëpër këmbë. E kam thënë dhe e përsëris në këtë shkrim: pa i hequr kërrocat politike, kurrë nuk do t’i shkulim ferrat para dere!…



(Vota: 44 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT