E enjte, 25.04.2024, 04:02 PM (GMT+1)

Editorial

Vrasja e Azem Hajdarit, rihapet dosja

E merkure, 04.06.2008, 09:18 PM


Dhjetëra fashikuj tërhiqen nga arkivi i Prokurorisë së Tiranës. Hetuesit: "Kemi fakte të reja". Dyshime për motivet e ekzekutimit: Ndoshta politike

Vrasja e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, më 12 shtator të vitit 1998, e cilësuar si "vrasja e shekullit", del nga arkivi i Prokurorisë së Tiranës dhe përfundon në zyrën e Kryeprokurores Ina Rama. Dy ditë më parë, zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë shkundur dosjen nga "pluhuri" 6-vjeçar në zyrën e arkivit të akuzës kryeqytetase për ta tërhequr më pas në Drejtorinë e Krimit të Organizuar për një hetim të ri. Një automjet ka shërbyer për transportimin e dhjetëra fashikujve të dosjes voluminoze, nga provat në vendngjarje, deklaratat e dëshmitarëve okularë, dëshmitë e të akuzuarve pas ngjarjes, e deri te konkluzionet e prokurorisë dhe vendimi i gjykatës. Burime konfidenciale nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për "Shqip" se një lëvizje e tillë është realizuar pas indicieve për fakte të reja për vrasjen e liderit të dhjetorit. Ndërsa burimet zyrtare pohojnë se nuk janë të autorizuar të japin shpjegime. Gjithsesi nga të dhënat e marra rezulton se dosja është dërguar edhe në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, e cila pritet ta përkthejë dhe më pas ta nisë drejt Turqisë, ku disa muaj më parë është arrestuar Izet Haxhia, i dënuar me 25 vite burg.

Në dosjen voluminoze, sipas burimeve, janë shënuar të gjitha raportet e prokurorëve të çështjes që kanë përfaqësuar akuzën në gjyq. Ata shkruajnë se gjykimi i kësaj çështjeje ka vazhduar për 70 seanca në Gjykatën e Tiranës për të dënuar 4 bashkautorët, njëri prej të cilëve i vdekur. Për vrasjen e Hajdarit, Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmanin, i cilësuar si organizatori dhe ekzekutori kryesor, së bashku me Fatmir Haklajn, i cili ishte vrarë në Tropojë. Në dosje shkruhet se është dënuar me 25 vjet burg në mungesë Izet Haxhia, me 20 vjet, Ismet Haxhia, ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Isamedin Haxhia dhe Fatmir Meta janë dënuar me kohën e paraburgimit. Sipas prokurorisë, Azem Hajdari nuk është vrarë në cilësinë e deputetit, por për hakmarrje. I vetmi i dënuar që mundi të largohej ishte Izet Haxhia, i cili u arrestua në Antalia të Turqisë për llogari të policisë shqiptare.

Gjithashtu në dosjen e prokurorisë shkruhen të gjitha diskutimet në seancat gjyqësore midis akuzës, mbrojtjes dhe gjykatës. Diskutimet dhe provat në vendngjarje do të bëhen objekt hetimi nga zyrtarët e organit të akuzës, pas tërheqjes së dosjes. Burimet konfirmojnë se pritet të merren sërish në pyetje personat që kanë fakte të reja për vrasjen e Azem Hajdarit dhe truprojës së tij Besim Çera. Ndër dëshmitarët që mund të merren në pyetje janë edhe zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike në vitin 1998, që kanë dalë në media, duke akuzuar persona të veçantë për ekzekutimin.

Refuzimi

Berisha nuk dëshmoi në gjyqin e Mulosmanit

Procesi maratonë i çështjes "Hajdari" u mbyll pa deklarimet e tre dëshmitarëve shumë të rëndësishëm për zbardhjen e së vërtetës, kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ish-truprojës së tij, Izet Haxhia dhe Jaho Mulosmanit. Rrjedha e procesit mund të kishte qenë krejt ndryshe nëse këta tre dëshmitarë do të rrëfeheshin para trupit gjykues. Në vendimin përfundimtar gjykata shpalli si motiv të vrasjes së deputetit Hajdari, hakmarrjen. Sipas saj, Haklaj e kishte vrarë Hajdarin pasi dyshonte se ai ishte implikuar në vrasjen e të vëllait më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës. Ky motiv vazhdon të mbetet i pandryshuar pavarësisht deklaratave të shumta të opozitës dhe liderit të saj Berisha, për një rigjykim të atentatit të 12 shtatorit, që tashmë ka hyrë në histori si "vrasja e shekullit". Ndërkohë, mbrojtja e Jaho Mulosmanit ka dërguar çështjen në Gjykatën e Strasburgut me pretendimin se: Si ka mundësi që njerëzit që pretendojnë që dinë fakte rreth veprimtarive kriminale të personave të ndryshëm, i deklarojnë dhe nuk paraqiten në organin procedues?

Drejtësia turke kërkon prova për implikimin e ish-truprojës së Berishës

"Izet Haxhia pranoi të bashkëpunojë"

Tregon para gjykatës turke fakte për vrasjen e Hajdarit

Bashkëpunimi i mundshëm i Izet Haxhisë në Turqi ka detyruar Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare të shpejtojë procedurat për një hetim të ri të vrasjes së Azem Hajdarit. Burime nga akuza qendrore thanë se drejtësia turke ka sjellë një kërkesë për dokumentacion të plotë për implikimin e mundshëm të Haxhisë, pasi gjatë marrjeve në pyetje në seancat gjyqësore, i dënuari me 25 vite burg, ka rrëfyer për herë të parë fakte të reja për "vrasjen e shekullit". Gjithsesi, burimet zyrtare nga akuza qendrore mohojnë një informacion të tillë, duke deklaruar se Ministria e Drejtësisë i ka dërguar materialet e dosjes drejtësisë turke për një ekstradim të tij. Por, megjithëse kanë kaluar muaj të tërë nga arrestimi i tij, gjykatat turke nuk kanë aprovuar ekstradimin e tij, duke i dhënë të drejtë paraprakisht mbrojtjes së tij. Sipas tyre, ekzistojnë fakte se implikimi i Haxhisë në vrasjen e Azem Hajdarit është për çështje politike dhe se deklaratat publike të krerëve të PD-së në vitin 1998 duket se do të detyrojnë gjykatat turke të miratojnë kërkesën për azil politik të Haxhisë. Burimet nga akuza qendrore thanë se, nëse Izet Haxhia ekstradohet, atëherë ai do të pyetet me hollësi në lidhje me ngjarjen e 12 shtatorit 1998, si dhe për disa ngjarje të tjera. Ai është konsideruar nga prokuroria shqiptare si një nga dëshmitarët kyçë të kësaj ngjarjeje dhe nëse ai pranon që të flasë, dëshmia e tij mund të implikojë të tjerë persona. Haxhia ishte i vetmi ndër personat që kishin marrë pjesë në vrasjen e Azem Hajdarit, i cili nuk ishte arrestuar ose nuk ishte vrarë. Ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë me 25 vjet burgim dhe ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në këtë vrasje.

Izet Haxhia, ish-truproja i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, gjatë qeverisjes së parë të tij, ka qenë një njeri me shumë influencë në selinë blu. Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes "Hajdari", Haxhia është takuar me miqtë e tij tropojanë të kryesuar nga Fatmir Haklaj dhe kanë planifikuar vrasjen e deputetit. Grupi i tropojanëve, i përbërë nga Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani, Feriz Kërnaja, vëllezërit Ismet dhe Izet Haxhia si dhe krutani Naim Çangu, kanë planifikuar atë që më pas do të quhej "vrasja e shekullit". Nga hetimi ka rezultuar se roli i Izet Haxhisë në këtë vrasje ka qenë jo i vogël. Asnjë nga personat e tjerë nuk ka pasur mundësi që të hyjë lirshëm në selinë blu dhe këtë mundësi ia ka dhënë Izet Haxhia. Natën e 12 shtatorit ai ka hyrë në selinë e PD-së dhe ka shkuar në zyrën e deputetit Azem Hajdari. Pasi është takuar me të, i ka thënë se jashtë selisë ndodhej një makinë e zezë me targa të Vlorës. Në këtë makinë ndodheshin disa tropojanë, të cilët donin që ta takonin. Bazuar në fjalën e Haxhisë, Azem Hajdari ka dalë nga zyra e tij dhe pas tij kanë shkuar truprojat Zenel Neza dhe Besim Çera. Sipas hetimeve, Izet Haxhia ka qenë në dijeni edhe të shumë detajeve të tjera lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Për të gjitha këto, Haxhia është dënuar nga gjykata me 25 vjet burgim.
"Izet Haxhia është një nga personat që kanë marrë pjesë fizikisht në vrasjen e Azem Hajdarit. Ai është një nga pjesëmarrësit dhe për pasojë një nga dëshmitarët kryesorë të kësaj çështjeje. Dëshmia e tij mund të jetë shumë e rëndësishme. Gjatë hetimit në prokurori dhe shqyrtimit gjyqësor të çështjes, ne nuk kemi pasur mundësi që ta pyesim vetë Izet Haxhinë. Ai është gjykuar në mungesë dhe është përfaqësuar nga një avokat",- pohojnë burimet e prokurorisë. Sipas tyre, shteti shqiptar, megjithëse ka filluar në mënyrë urgjente procedurat për ekstradimin e tij nga Turqia, ende nuk është bërë e mundur sjellja e tij në Shqipëri, pasi gjykata turke çmon se jeta e Haxhisë në vendin tonë rrezikohet. Burimet shpjeguan se në momentin e parë që ai do të vijë në Tiranë do t‘i komunikohet vendimi i gjykatës, si dhe do t‘i kërkohen shpjegime në lidhje me këtë çështje.

Mundësia

Hetues shqiptarë në Turqi

për të pyetur ish-truprojën

Nëse vendoset mosekstradimi i Haxhisë në Shqipëri, atëherë ekziston mundësia që hetues shqiptarë të shkojnë në Turqi për të marrë në pyetje një nga të dënuarit e vrasjes së Azem Hajdarit. Pritet që ish-truproja e Berishës të pyetet me hollësi në lidhje me ngjarjen e 12 shtatorit 1998, si dhe për disa ngjarje të tjera.

Kronologjia

12 shtator 1998

Vritet deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, dhe shoqëruesi i tij, Besim Çerja. Plagoset në atentat edhe Zenel Neza

20 minuta pas vrasjes

Shefi i opozitës Sali Berisha doli në një konferencë shtypi. Ai akuzoi strukturat shtetërore dhe drejtpërdrejtë me emër shefin e rendit të Tropojës, Jaho Salihi

6 maj 2001

Forca speciale të Ministrisë së Rendit arrestojnë në Bajram Curr Jaho Salihin (Mulosmani) teksa flinte dhe u soll në Tiranë me helikopter

20 prill 2002

Jaho Salihi në deklarimet e tij përfundimtare rrëfen ngjarjen, ku thotë se autori i vrasjes së Azem Hajdarit është Fatmir Haklaj, tashmë i vrarë

29 prill 2002

Gjykata e Tiranës jep vendimin, duke shpallur fajtor Jaho Salihin me burgim të përjetshëm; 25 vjet Izet Haxhisë dhe 20 vjet burg për Ismet Haxhinë

1 qershor 2008

Zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme tërheqin dosjen e vrasjes së liderit të dhjetorit nga Prokuroria e Tiranës dhe fillojnë rihetimin

Vendimi i gjykatës në vitin 2002: Vrasja e deputetit është kryer për hakmarrje. Tashmë dyshohet për motive politike

Enigmat e vrasjes së shekullit

"Çfarë e shtyu Mulosmanin të bëhet një ndër organizatorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari?". Kjo është pyetja që ngre Gjykata e Tiranës në vendimin e datës 29 prill 2002 për organizatorin e vrasjes së deputetit të PD-së në vitin 1998. Më pas, duke verifikuar materialin e prokurorisë dhe mbrojtjes ka arritur në përfundimin se: Këtu futen lidhjet e ngushta familjare dhe shoqërore mbi baza klanore dhe interesa kriminale me personin në kërkim, Fatmir Haklaj...". Arsyetimi i Gjykatës së Tiranës duket se nuk është i bindshëm për mbrojtjen e katër të akuzuarve, të cilët prej më shumë se 6 vitesh kërkojnë një rihetim të çështjes. Pas ardhjes së Ina Ramës në krye të organit të akuzës, lindi një fije shprese se enigmat e "vrasjes së shekullit" tashmë do të merrnin përgjigje. Dhe kështu ndodhi. Në vitin e parë të punës, Kryeprokurorja urdhëroi dy ditë më parë marrjen e dosjes nga Prokuroria e Tiranës me të gjitha provat e saj dhe një rihetim të të gjitha fakteve dhe provave. Një kopje e dosjes u dërgua në Zyrën e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, e cila pritet ta përkthejë dhe ta nisë atë drejt Turqisë pas informacioneve se ka prova të reja për vrasjen e Azem Hajdarit.

Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se dosja do t‘i nënshtrohet një verifikimi të plotë, që nga provat për dënimin e Jaho Mulosmanit e deri tek implikimi i Izet Haxhisë. Hetuesit e Ina Ramës do të zbardhin vendimin e datës 29 prill të vitit 2002. Gjyqtarët Arben Micko, Ilir Çeliku dhe Ilir Mustafaj dënuan me burgim kapital Mulosmanin, ideatorin dhe organizatorin e vrasjes, si dhe bashkëpunëtorët Izet Haxhia, 25 vjet, vëllain e tij Ismetin, 20 vjet, dhe Isamedin Haxhinë me 2 vjet e 6 muaj burg. Sipas vendimit janë zbardhur të gjitha lëvizjet nga Tropoja në Tiranë dhe se si nisën përplasjet për vrasjen e Shkëlqim Haklajt.

Dosja e prokurorisë

Vrasja ka ndodhur më datën 12 shtator të vitit 1998 rreth orës 21:15 minuta pranë selisë së PD-së, ku është vrarë deputeti Hajdari, Besim Çera dhe u plagos Zenel Neza. Sipas organit të akuzës, Mulosmani është cilësuar si organizator dhe ekzekutor, ndërsa të katërt të pandehurit e tjerë në rolin e ndihmësit. Jaho Mulosmani ka takuar Fatmir Haklajn (tashmë i vrarë), i cili i ka kërkuar ish-shefit të rendit në Komisariatin e Tropojës t‘i vinte në dispozicion një makinë, për të shkuar së bashku në Tiranë. Një ditë më pas rreth, orës 19:00, dy makinat, njëra "Mercedes Benz", me targa VL 0676 B, në të cilën ndodheshin Jaho Mulosmani, Fatmir Haklaj dhe Naim Cangu, ndërsa tjetra tip IVECO policie, ku ndodheshin shoferi i saj, dëshmitari Agim Logu, Izet Haxhia, Halil Haklaj dhe Elez Haklaj, pasi kanë lëvizur rreth qendrës së Tiranës, makina tip IVECO ka ndaluar afër ushtarit të panjohur, pranë kinema "Partizani", ndërsa makina tip "Mercedes Benz" ka ndaluar pranë selisë së PD-së. Sipas vendimit, kanë pritur atje për një kohë dhe rreth orës 21:15 shohin se nga selia e Partisë Demokratike doli deputeti Azem Hajdari, i shoqëruar nga truproja e tij, Besim Çera, dhe më pas bashkohet me ta dhe Zenel Neza, e që të tre së bashku drejtohen për nga vendi ku kishte ndaluar makina, në të cilën ndodheshin Mulosmani, Haklaj dhe Cangu. Sapo Azem Hajdari afrohet te makina në fjalë, prej saj dalin menjëherë Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani dhe Naim Cangu, duke qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Azem Hajdarit dhe Besim Çerës dhe duke plagosur rëndë Zenel Nezën. Ndërsa plagoset rëndë, nga Fatmir Haklaj, Naim Cangu dhe nga plagët e marra vdes në spital.

Arratisja dhe dyshimet

Mulosmani dhe Haklaj, së bashku me të plagosurin Cangu, nisen në drejtim të spitalit Kirurgjik. Haklaj komunikon me radio me të pandehurin Izet Haxhinë, duke i thënë që të dilte me furgonin IVECO te rruga e spitalit. Nga provat e administruara, rezulton se një ndër autorët e krimit është Mulosmani, në rolin e organizatorit dhe ekzekutorit njëkohësisht. Sipas prokurorisë, Mulosmani u mundua të justifikohej me qenien rastësisht në vendngjarje. Vërtetohet se Izet Haxhia është takuar me Mulosmanin më 11 dhe 12 shtator 1998. Nga tërësia e provave dhe rrethanave të ngjarjes, del se krimi u realizua për motive të dobëta të hakmarrjes. Kjo rezulton nga zanafilla e krimit, e cila është lidhur pazgjithshmërisht me viktimën pjesëmarrës në vrasjen e Fatmir Haklajt, me të cilin i pandehuri Jaho Mulosmani ka organizuar dhe realizuar vrasjen. Prokuroria e ka kualifikuar vrasjen sipas nenit 79/c, duke e lidhur me faktin e denoncimit të viktimës Fatmir Haklaj, si vrasës në një mbledhje të Parlamentit. Mbi bazën e këtij fakti, ajo ka përcaktuar motivet e vrasjes së deputetit për shkak të kësaj cilësie, por provat e marra në gjykim, rrethanat e zhvillimit të ngjarjeve, deri në momentin e realizimit të vrasjes se deputetit Azem Hajdari vërtetojnë se vrasja është kryer për motive të dobëta. Viktima Fatmir Haklaj e ka akuzuar deputetin Azem Hajdari se kishte pasur dorë në vrasjen e vëllait të tij, Shkëlqim Haklaj, më datën 5 janar 1998. Nga tërësia e dosjes penale, hetuesit e Ina Ramës kanë dyshime mbi motivet e dobëta të cilësuara nga prokuroria dhe gjykata në dënimin e autorëve. Tashmë dyshohet se vrasja e Azem Hajdarit ka ndodhur për motive politike.

Dënimet

JAHO MULOSMANI
-Deklarohet fajtor për vrasjen me paramendim, kryer në bashkëpunim të Azem Hajdarit. Burg të përjetshëm
-Deklarohet fajtor për vrasjen me dashje kryer në bashkëpunim të Besim Çerës. 20 vjet burgim
-Deklarohet fajtor për vrasjen me dashje, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë të Zenel Nezës. 15 vjet burgim.
-Përfundimisht gjykata e dënon me burgim të përjetshëm.

IZET HAXHIA
-Deklarohet fajtor për vrasjen me paramendim kryer në bashkëpunim të Azem Hajdarit. 25 vjet burgim

ISMET HAXHIA
Fajtor për vrasjen e Azem Hajdarit. 20 vjet burgim.

ISAMEDIN HAXHIA
-Fajtor për armëmbajtje pa leje. 2 vjet e 6 muaj burgim.

FATMIR META
- Deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Azem Hajdarit.

Jaho Mulosmani

I dënuari përjetë, gjatë intervistës për "Shqip", tregonte frikën e qeverisë

"Po bëhet luftë për të mos e rihapur dosjen"

I akuzuari për vrasjen e Azem Hajdarit, në një intervistë për gazetën "Shqip" disa muaj më parë, tregonte frikën e qeverisë për të mos rihapur dosjen "Hajdari". Jaho ka deklaruar se: "Jam i bindur se po bëhet luftë e madhe për të mos e rihapur dosjen "Hajdari". Kanë frikë se do të dalë e vërteta dhe vendim tim, këtu në burg, do ta zërë dikush tjetër". Më tej arsyetonte se vendimi ka qenë skandaloz, duke ushtruar një proces politik dhe pa fakte. "Edhe vendimi i dytë për dënimin tim me burgim të përjetshëm këtë qëllim ka, për t‘i thënë Strasburgut se bëhet fjalë për një njëri të dënuar dy herë. Sa për vrasjen e Azemit, mund t‘ju them se, më 12 shtator, ndërsa ai po kthehej nga një miting i PD-së, në Fier, ka ndaluar në Lushnjë. Në këtë qytet, zoti Hajdari është takuar dhe ka pirë kafe me disa djem, të cilëve u kërkoi mbështetje për Partinë Demokratike. Gjatë kohës që po pinin kafe, Azemit i ka rënë telefoni celular tri herë. E kërkonin nga Tirana dhe i thanë të kthehej urgjent. Ata që ishin të pranishëm e dinë se si u habit zoti Hajdari. Sot, çuditërisht, dy nga ata djemtë, me të cilët Azemi piu kafe, janë në burg si anëtarë të Bandës së Lushnjës" deklaroi Mulosmani, duke lënë të kuptohej se vrasjen nuk e kishte kryer vetë, por disa persona të tjerë. Gjithsesi ai shprehte besimin se qeveria aktuale kishte influencuar në drejtësi për dënimin e tij për të dytën herë. Arsyetimi i Mulosmanit mbështetet edhe nga pretendimet e avokatëve mbrojtjes, të cilët me aplikimin në Strasburg pretendonin se pikërisht procesi i dytë ndaj Jahos ishte një falsitet. Sipas tyre qeveria pretendonte të influenconte Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në vendimin përfundimtar, duke i lënë të kuptohej se ky person ka marrë dy dënime. Gjithsesi, mbrojtja është e bindur se procesi që po zhvillohet në Strasburg do të fitohet nga aplikanti dhe jo nga qeveria, pasi nuk ka parashtruar fakte.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora