E merkure, 21.08.2019, 08:23 PM (GMT+1)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: At Gegë Lumaj i Dukagjinit

E enjte, 30.01.2014, 07:29 PM


AT  GEGË  LUMAJ  I  MALEVE    DUKAGJINIT...

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

EKSKLUZIVE NGA FRITZ RADOVANI

At Gegë Lumaj ka lé në fshatin Plan të Dukagjinit me 15 Tetor 1904. Mësimet e mesme i mori në Lice të Françeskanëve të Shkodres, ndersa të naltat i ka perfundue në Romë...Vazhdoi Akademinë e Arteve per pikturë në Siena t’ Italisë, dhe u laurue atje.

Shugurohet meshtar në vitin 1931. Filloi me sherbye në Malësi të Shoshit derisa shkoi së fundi në një nga qendrat atdhetare të Veriut, në Iballe të Pukës, ku u arrestue nga sllavokomunistët e Enver Hoxhës, kur po thonte Meshë, me 17 Janar 1945. U dënue me 28 Gusht 1945, mbas tetë muejsh tortura me një grup klerikësh që asnjeni nuk dinte me tregue per shka u “akuzuen” kur perfunduen dënimet nder kampe shfarosje...

Asht Kleriku i Parë Katolik Shqiptar, që fillon Kalvarin e Gjenocidit komunist të viteve 1944 – 1991... dhe e mbyllë até me 18 Nandor 1990, po në Plan të Dukagjinit...

Kohen ma të gjatë nder burgje e ka kalue në Burgun e Burrelit...

Ishte “trim i çartun”, i matun dhe i heshtun si Burrat e motit t’ atyne Bjeshkëve.

Nuk kishte ma të voglën kreni për punët e mëdha që kryente në famullinë e Tij. Dallohej si trim. Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dioniz Maken dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe ky, i arrëstuem në Shkodër ndër ato ditë. At Dionizi më tregonte aty nga viti 1994, se gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohëj nga Sigurimi me hjedhë “thëmelet” e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat false në drejtim të tij nga hetuesi Ali Xhunga. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë kurrë me politikë. Njëfarë Nuri Llazanit, agjent i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se ky i kishte ndjekë me kalë kur Nuriu ishte kenë me një grup partizanësh... At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me té, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, të marrin dënimin ma të randë.

At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, u thotë: “Po më vjen marre mue sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”.

Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit.

Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun.

At Gega arrëstohet më 17 janar 1945, lirohët në mars të 1962.

***

E njoha në vitin 1966, kur pata hapë një ekpozitë pikture personale. Erdhi si vizitor me At Aleks Baqlin, dhe mbasi më la dhe një pershtypje modeste të veten, mbas pak ditësh erdhi me pi një kafe urimi tek shtëpia. Ishte hera e parë që kam dëgjue një prift tue folë me detaje per artin... dhe ishte prap hera e fundit që mbas pak muejsh do të zhdukeshin perfundimisht gjurmët e mbetuna pa u shkatrrue mbas vitit 1944, prap nga pushtuesit sllavokomunistë e anadollakë në permbytjen perfundimtare të Shkodres, që do të zbulonin fëtyren e tyne prej terroristësh me 6 Shkurt 1967...

Asht prap i Pari Klerik që u arrestue në “Revolucionin Kultural” të vitit 1967, kur u thirr me u demaskue në Istitutin Pedagogjik të Shkodres, në mars të atij viti...

At Gega ishte i bindun se do t’ arrestohet, po nuk iu tremb syni fare...

Me arrestimin e dytë At Gega, në vitin 1967 në “Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristjane”. Ai deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë në vitin 1945 hetuesëve Ali Xhunga me shokë, dhe prap tashti në 1967 Elham Gjikës dhe Dhimiter Shkodranit, si edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët e Evropës Perëndimore sot nëpërmjet të kësaj partie, duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti, mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë shka paskeni dashtë me ba ndër né, ju kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë).

I pathyeshem deri diten e vdekjes!

Arrëstohet në vitin 1967 dhe lirohët në vitin 1977.

Ka vdekë në vitin 1980, i rrëthuem nga dashnija e pakufi e kushrinjve të Tij, ndër malët e egra e shumë të dashtuna të Alpëve, prej të cilave At Gega, trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të Tij.

***

At Gegë Lumaj, një Françeskan i vertetë, filloi i pari Golgoten Shqiptare, dhe deri në vitin 1977 ishte vetem pesë vite pa pranga, hekura rrethues dhe polic...Bashkë me permbytjen në zjarrin e luftës civile në Shkoder, filloi dhe lufta kunder Klerit Katolik Shqiptar, një luftë e pashembullt në Historinë e Shqipnisë, e cila shumë shpejtë merr percaktimin e saktë: “Gjenocid komunist” i zbatuem nga sllavo anadollakët tanë.

Në gjysen e dytë të Shekullit XX (1944 – 1991), komunizmi në Shqipni ishte urrejtja sllave shekullore antishqiptare, që ushtroi Gjenocidin kunder Klerit Katolik Shqiptar, inteligjencës dhe Atdhetarëve tanë, me anën e një grupi anadollak tradhëtarë e antishqiptarë të shitun tek ata!



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT