E merkure, 24.04.2024, 09:45 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Ahmadinexhadi në Romë: nji verë e nxehtë për Iranin!

E merkure, 04.06.2008, 06:00 PM


Ardian Ndreca
Ahmadinexhadi në Romë: nji verë e nxehtë për Iranin!

Nga Ardian Ndreca
    
Irani shit dhe jo-arab ka pësue nji shndrrim të madh qysh prej fitores së revolucionit khomeinist, por mbi të gjitha ka fitue nji status të veçantë në Lindjen e Mesme, statusin e udhëheqsit dhe të mbrojtësit të atyne që shtypen dhe nepërkamben. Por Teherani sot jo vetëm shtypë dhe mbytë çdo za të lirë, kufizon liritë edhe ma elementare dhe tjetërson traditën e Persisë së shahëve dhe të poetëve hedonista, por edhe kërcënon nji shtet sovran: Izraelin. Asht paradoksal fakti se në Iran jetojnë hebrenj tash sa shekuj e atje kanë gjetë nji tolerancë të pëlqyeshme dhe i janë përshtatë rrethanave të jetës, e keqja ka lindë me politikat antisioniste në Lindjen e Mesme e të Afërt.
Të gjithë ata që ndoqën konferencën që u zhvillue tash së fundit në Tiranë rreth kontributit të shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve, vunë re fjalët e pazakonta të kryeministrit shqiptar ndaj politikës së Iranit dhe nevojës së ndalimit të revanshit dhe të rrezikut që paraqet regjimi i Teheranit për Izraelin.
Fjalët e kryeministrit Berisha vinin vetëm pak ditë mbas intervistes së presidentit Bush dhanë rrjetit televiziv Nbc, ku udhëheqësi amerikan theksonte nevojën dhe urgjencën e nji blitz-i ushtarak kundër Iranit, i cili po përshpejton veprimet për pajisjen me armë bërthamore dhe vijon me mohue të drejtën e Izraelit me ekzistue si shtet.
Konferenca e FAO-s rreth “Sigurisë ushqimore” po mbahet në Romë (3-5 qershor 2008) dhe në të merr pjesë edhe udhëheqësi iranian Ahmadinexhad, i cili viziton kështu zyrtarisht të parin kryeqytet europian. Ministri i jashtëm italian Frattini dhe kryeministri Berlusconi nuk do të kenë kohë me e pritë veçmas mikun iranian. Gjithashtu G. Fini nuk do të takojë ambasadorin iranian në Romë. Fitorja e së djathtës në Itali ka ba që kursi i politikës së jashtme të ndryshojë, tue u afrue kah SHBA-ja. Në lidhje me qëndrimin ndaj Iranit edhe politika e jashtme britanike dhe franceze asht shprehë ashpër, por edhe Angela Merkel-i anon nga linja e fortë.
Mohimi i holokaustit si fakt historik, mohimi i së drejtë së Izraelit për me ekzistue ndopak - bajnë që udhëheqja e Iranit të shihet me mosbesim të madh në të gjitha kancelaritë e vendeve perëndimore.
Mungesa e takimeve të randësishme në Romë, me sa duket ka shty Ahmadinexhadin me i kërkue nji udiencë Papës Ratzinger, të cilit - saktësojnë burime diplomatike të citueme prej shtypit italian këto ditë - udhëheqsi iranian dëshiron t’i ilustrojë linjën dhe vizionin e tij politik.
Flitet se ambasadori iranian në Romë Zohrevand asht në lëvizje të ethshme për me organizue diçka të denjë për kryetarin e vet.
Në anën tjetër Irani asht izolue tej maset në arenën ndërkombtare, mbështetja e personazheve si Hugo Chavez ka diçka folkloristike por në themel mund të shumzohet me zero.
Kurse Rusia sheh interesat e veta dhe mbron në Iran investimet që ka ba dhe jo drejtpërdrejt regjimin e Ahmadinexhadit, prandaj në qoftë se dikush do ta siguronte se ato investime nuk do të prekeshin atëherë ka mundësi që Rusia do të bante sakrificën mos me folë me za të naltë për disa ditë.
Kërcënimi i Bushit mund të jetë i vërtetë kësaj here. Nji bombardim i shpejtë prej anijeve luftarake dhe nëndetseve amerikane në rajon i stabilimenteve të pasunimit të uranit në Iran nuk mund të përjashtohet kategorikisht në javët e ardhshme.
Por çka mund të sillte nji “bombardim selektiv” në Iran? Nji përforcim të pozitave të Ahmadinexhadit apo nji rritje të tensionit të mbrendshëm dhe nji përforcim të opozitës demokratike?
Shumë herë aktet e ndërhymjes prej jashtë kanë sjellë kompaktësime mes anmiqve të mbrendshëm e kjo gja do të ishte fatale për destabilizimin e gjendjes në rajon. SHBA-ja përpara se me ndërhye me siguri do të sigurohet mirë që nji bombardim i mundshëm nuk do ta keqsonte gjendjen aktuale.
Ka shumë gjasa që t’i jemi afrue përtej pikës së kthimit nji raid-i të shpejtë ajror, i cili, thotë tash sa muej Washingtoni, asht gati në çdo detaj.
Le të shpresojmë në nji zgjidhje paqsore të çështjes, edhe pse vullneti i Teherani deri tashti ka mungue krejtsisht.
Ndërkaq Bush do të vizitojë Romën javën e dytë të qershorit, me rastin e tubimit të Lubjanës mes BE dhe SHBA-së, e posë Berlusconi-t do të takojë edhe Papën.
Pra, mundësia për dialog nuk do të mungojë, çka mungon deri tashti asht vullneti i mirë prej palës iraniane që vijon me kërcënue, kur e din se dikush mund t’i marrin përnjimend ato kërcënime dhe mund të përsërisë bombardimin e Osirakut të 7 qershorit 1981, kur tetë F16 izraelianë bombarduen bazën bërthamore tue e ndalë për disa dekada andrrën iraniane me u ba superfuqi bërthamore.
Në konferencën e shtypit të 3 qershorit në Romë, Ahmadinexhadi sulmoi Perëndimin, SHBA-në e deri edhe OKB, e cila simbas tij shumë shpesh ban nji politikë diabolike. Ai kujtoi përvjetorin e vdekjes së Khomeinit dhe e krahasoi atë me Jezu Krishtin, mbasi edhe Krishti tha ai ka qenë kundër agresioneve dhe kundër tiranisë, kundër luftës dhe padrejtësive. Drejtësia dhe dashunia, vijoi ai, kanë qenë idealet e profetit të madh Jezu Krishtit dhe të Khomeinit, ndërsa problemi ma i madh i njerzimit sot asht padrejtësia dhe dhunimi i të drejtave të njeriut.
Fjalë të bukura që do të mund të bindnin ndokend, po qe se jo ma larg se nji ditë përpara po ai njeri i mohonte për të satën herë publikisht Izraelit të drejtën me ekzistue si shtet – tue thanë se nji ditë do të fshihet prej hartës së botës. Në konferencë e shtypit Ahmadinexhadi iu përgjegj pyetjeve të gazetarëve tue thanë se ai kishte ba vetëm nji parashikim dhe jo nji kërcënim.
Dikush-dikush duket se ka nisë me i besue ma fort Ahmadinexhadit si parashikues hartash gjeografike sesa si paraqitës të mësimeve të profetëve të vjetër, prandaj ka shumë mundësi që vera që po afron të jetë nji verë e nxehtë për të dhe për rojet e revolucionit që e mbajnë në kambë.
Gjithsesi le të shpresojmë në nji zgjidhje që të mos i sjellin vuejtje dhe damtime popullit fisnik iranian, i cili me sa duket nuk asht aq kompakt në mbështetjen e rezultateve të revolucionit khomeinist dhe në aventurën bërthamore të Ahmadinexhadit me shokë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora