Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pjetër Gjoka

| E shtune, 27.08.2005, 07:37 PM |


Pjetër Gjoka: Aktori që luajti dy vjet në skenë pa dritën

Pjetër Gjoka

Pjetër Gjoka nuk është më. Ka shumë vite që televizionet shqiptare nuk japin më sekuenca filmike nga rolet e tij, por, megjithatë, autoriteti i gjeniut të skenës shqiptare ndjehet ende në korridorin e Teatrit Kombëtar, ku fotografia e tij shihej me kureshtje e respekt nga mijëra dashamirës të artit.

Nga z.Baxhul Merkaj

Kur vdiq Pjetër Gjoka, shumë aktorë të teatrit u shprehën: vdekja e tij është një legjendë, ngaqë ai do të jetojë me rolet e tij në kujtesën e brezave. Tani kanë kaluar më shumë se 17 vjet nga dita e vdekjes së tij dhe respekti për aktorin e madh është shumëfishuar. Pjetër Gjoka lindi në gusht të vitit 1912 në Ulqin. Në moshën 4-vjeçare vendoset në Shkodër. E ëma ka qenë nga Salca e Nikaj Mërkurit (Tropojë), ndërsa i ati nga Dushmani, Kurora e Dukagjinit.

Në vitet e para të rinisë u aktivizua shumë në atletikë, po kështu dhe si futbollist i skuadrës “Vllaznia”. Në vitin 1930 ka përfaqësuar vendin tonë në Lojërat Olimpike, në Greqi. Ai ka vendosur rekordin kombëtar në një apo trehapësh. Ky rekord është thyer në vitin 1964 për të rinjtë. Artisti i Popullit Pjetër Gjoka, këto ditë mbushi të 92 vjetët e lindjes së tij. Një jetë të tërë në skenë. Përjetoi 114 role, tipa, karaktere, jashtë lavdisë vetjake, por duke i dhënë përparësi suksesit të artit teatral. Tipat dhe karakteret e mëshiruara prej tij janë personazhe në proces zhvillimi të brendshëm psikik. Aktori i madh Pjetër Gjoka ka të përbashkët me kolegët e tij shumë cilësi, por ai ka të veçantat që do t’i shpalosim në këto shënime. Ishte viti 1976, zhvillohej festivali i teatrove dramatikë. Juria shpalli çmimet, çmimin e parë për aktorin më të mirë e meritoi Pjetër Gjoka. Ai u ngjit në skenë, ku e shoqëronte asistenti i tij. Aty, asistenti, pasi mori çmimin, ia drejtoi artistit. Pjetri zgjati duart, por ai ishte i verbër dhe nuk e gjeti menjëherë ku ishte kupa e fituesit dhe buqeta e luleve. Artëdashësit në sallë e kuptuan që ai nuk shihte nga sytë dhe e duartrokitën gjatë.

Artisti muzikant
Pjetër Gjoka merr pjesë në bandën e qytetit të Shkodrës, si vegël fryme përdorte kornon, kohë në të cilën djali i së bijës mbaroi shkollën në Gjermani për korno, i quajtur Gent Lazri. Por artisti ishte dhe këngëtar. Mësimet e para si këngëtar i ka marrë nga mësuesi prift, ku kohët e fundit u bë Kardinali i Parë i Shqipërisë Mikel Koliqi dhe drejtor shkolle në atë kohë ishte Patër Gjergj Fishta. Në këto kohë, në një bisedë, Mikel Koliqi është shprehur: “Pjetër Gjokën unë e kam pasur nxënës dhe ka qenë një tenor shumë i mirë. Tefta Tashko Koço zhvilloi në atë kohë një turne në Shkodër. Mbasi dëgjoi korin e kishës, i bëri përshtypje solisti Pjetër Gjoka. U njoh me të dhe e pyeti: “- A dëshiron të shkosh jashtë vendit në Itali për studime si këngëtar? Unë kam mundësi të të rregulloj!” Artisti u përgjigj: “Kam dy pleq në shtëpi, jam i vetëm, ata më kanë bërë kokën dhe kam detyrime karshi tyre. Ju falenderoj për kujdesin!”

Fillimet e punës së artistit në teatër
Qysh në vitin ’30 ka marrë pjesë në dramën “Dy princa dhe një vashë”, në Shkodër. Roli i parë ka qenë në “Një i vdekur”. Luante në një teatër amator, por dhe shokët e tij që ishin edhe ata amatorë, u futën në një bodrum dhe gjatë shfaqjes vendosën ta ngacmonin, duke e shpuar me një gjilpërë nga poshtë skenës. Skena e rolit të të vdekurit zgjati 15 minuta, ai nuk lëvizi, qëndroi si i ngrirë, por shokët e tij vazhdonin ta shponin, duke menduar se gjilpëra nuk kishte mbërritur në trupin e tij. Kur u mbyll perdja, ai nuk lëvizi. Pas pak u ngrit dhe tha: “Kujtoni se nuk e ndjeva, shihni vendin tërë gjak. Roli ishte i vdekuri dhe unë interpretoja të vdekurin...” Por shoqëritë kulturore atëherë lëviznin nëpër rrethe. Erdhën dhe dhanë shfaqje në Tiranë. Shfaqja quhej “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”. Aty Pjetër Gjoka interpretoi rolin e plakut ’70 vjeçar, i cili dërgohet nga trimat e Krujës në Stamboll, t’i mbushte mendjen Skënderbeut për t’u kthyer në Shqipëri. Artisti ishte atëherë në moshën 23-vjeçare. Shfaqjen e ndoqën me interes shumë shikues, edhe familjet shkodrane që jetonin në Tiranë. Një vajzë që kish ardhur te xhaxhai i saj, kur pa shfaqjen familjarisht, tha: “Sa bukur që luan ai plaku”. Kushërira kthehet dhe i thotë: “Nuk është plak, por djalë i ri!” Ajo vajzë e re, mbas disa vitesh, Liza Gjoka, e cila në rininë e saj interpretoi Marie Stuart të Shillerit, bëhet gruaja e Artistit të Popullit Pjetër Gjoka. Ndaj, ai gjatë jetës së tij shpesh thoshte: “Një pjesë të suksesit tim ia dedikoj me gjithë shpirt bashkëshortes sime, Lizetës.” Aktori nuk u nda nga skena për 52 vjet. Hyrja në teatër atij i solli diçka të re, të panjohur më parë, të thjeshtë, të kuptueshme tek aktorët e asaj kohe, ku mbizotëronte teatraliteti, deklamacioni, loja jo e natyrshme. Kurse loja skenike e Pjetër Gjokës ishte e kuptueshme, jetësore, e qartë, e natyrshme, pa sforcime, kapej lehtë nga spektatori. Lojën e tij e pëlqenin jo vetëm aktorët e vjetër, të cilët shprehnin admirim, por edhe aktorët e rinj. Interpretimi i tij skenik ishte i besueshëm. Pjetër Gjoka hyri në Teatrin Kombëtar në vitin 1945, ku prezantohet me një rol te pjesa “Te fundërrinat” e Gorkit. Pjetër Gjoka ka ndihmuar në kuptimet dhe kristalizimin e fiziononisë së Teatrit Kombëtar.

Qysh në atë kohë admirohet nga spektatori dhe duartrokitet prej tij. Në rrugën e artit skenik vazhdon në rolet te “Guvernatori i provincës”, Makar Dubrov, “Halili dhe Hajria”, në rolin e Shpend Gjet Plakut. Në këtë figurë, Pjetër Gjoka e kërkon lirinë me thjeshtësinë popullore. Figurat e realizuara bukur artistikisht te “Revizori”, “Otello”, “Vajza e thinjur”. Rolet, artisti është përpjekur t’i interpretojë gjithmonë duke u nisur nga të dhënat individuale. Në rolin e muzikantit të varfër, ai evidenton thjeshtësinë e figurës, dashurinë e muzikantit për të birin. Figurën e Milerit tek “Intrigë e dashuri”, Pjetër Gjoka dha një baba me virtytet më të mira. Ky rol është ndër më të realizuarit prej tij. Artisti i popullit Pjetër Gjoka, spikati dhe në mjaft role edhe në kinematografi, në filmin “Tana”. I spikatur është roli i Tasimit, mjek i dëgjuar, por që ka mbeturina. “Në këtë rol, ai i jep rëndësi fjalës. Studimi i tekstit është i domosdoshëm për aktorin dhe ai s’duhet ta nënvleftësojë atë”, theksonte vetë artisti. Disa nga rolet e tij të tjera janë te “Hamleti”, “Borgjezi fisnik”, “Mbreti Lir”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe më vonë “Arturo Ui”, duke interpretuar me virtuozitet rolin e “Dog Zboru”. Koha kalonte, por aktori i madh nuk e ndërpriste lidhjen e tij me artin skenik.

Loja teatrale e tij ishte e përmbajtur, pa shpërthime dhe plot emocione. Ajo ishte brilante dhe kishte origjinalitetin e vet, ndryshe nga temperamenti impulsiv i artistit Naim Frashëri. Pjetër Gjoka ishte dhe mbeti artist me potencë dhe autoritet. Edhe pse doli në pension, punën s’e ndërpreu. Punonte në teatër, film dhe vinte vetë në skenë drama të ndryshme. Kjo ndodhi në Tiranë, Vlorë dhe së fundmi në Gjirokastër. Bashkim Kozeli, dramaturgu i njohur, rrëfen: “Ishte 1 maji i vitit 1982. Ai punoi bashkë me mua për inskenimin e dramës sime “Pyesni malet”, me trupën e Gjirokastrës. Punoi me mjaft shpirt dhe drama u dha me sukses. Unë e quaj një fat të madh rastin që më dha kjo dramë për të punuar me gjeniun e teatrit shqiptar“. Ndërsa Drita Pelingu, aktorja e njohur shqiptare, rrëfen: Pjetër Gjokën e kam pasur shok dhe regjisor. E Veçanta si regjisor ishte referimi i përhershëm ndaj shembujve jetësorë. Proceset të njohjes ai i caktonte rëndësi themelore, për furnizimin e kujtesës emocionale, pasurimin e bagazhit jetësor të aktorit“.

Verbimi
Regjisori Albert Minga, duke rikujtuar Artistin e Popullit Pjetër Gjoka, tregon: „Ishim duke xhiruar filmin “I treti”. Të gjitha përgatitjet ishin bërë gati. Regjisori urdhëroi: - Qetësi, fillon xhirimi. Skena: Gulielm Radoja do të ndizte cigaren gjatë bisedës. Artisti Pjetër Gjoka do të pinte cigaren dhe do të përgjigjej. Skena po shkonte mbarë, por, në moment, regjisori ndërpret xhirimin. “Zoti Pjetër - më falni, po në një zyrë luksoze, cigarja nuk shkundet në tavolinë, por në taketuke. Atë çast Pjetri kontrolloi përreth vendit ku e kishte vendosur më parë dhe ngaqë nuk e gjeti aty, iu përgjigj: Dikush e ka luajtur nga vendi ku e kam vendosur unë, sepse ngaqë nuk shikoj, i provoj gjërat disa herë që të mos turpërohem në xhirim?!“. Pikërisht atë çast, Guljelm Radoja pranoi gabimin dhe tha se lëvizjet në tavolinë i kishte bërë ai. Atëherë Pjetri e porositi: “Ju lutem, herë tjetër mos lëvizni asnjë objekt nga vendet ku i vendos unë. Ja po ju sqaroj. Unë vij një orë e gjysmë para jush dhe vendos objektet në mënyrë të tillë, që të mos ju pengojnë, ju e dini që unë nuk shoh...“ Kjo ishte njëra nga mbresat e kolegëve të tij artistë për mjeshtrin e madh të skenës shqiptare, që gjatë gjithë jetës së tij mbahet mend për korrektesën dhe zbatimin e disiplinës së rreptë në punë. Për këtë gjë, gjatë bisedës që zhvillova me të birin e tij, aktorin e Teatrit Kombëtar Gjovalin Gjoka, mësova për punën madhore të artistit P. Gjoka, se si punonte ai me rolin gjatë viteve 1975-1977, kur nuk shikonte. “Inçizoja rolin e partnerit si edhe rolin e tij në kasetofon.

Kështu, ai përvetësonte tekstin”, shprehet Gjovalini. Dhe pas dy vjetësh errësire, artisti bëri një operacion në Itali dhe drita e syve iu rikthye. “Sytë i pata të mbyllur, mjeku më hoqi fashot, me ra drita. I mbylla përnjëherësh se mos më ikte kjo dritë që më erdhi“, tregonte ai për këto momente emocioni të jetës së tij. Për këtë moment, Gjovalini tregon se familja e tij dhe i gjithë mjedisi artistik është gëzuar shumë. Pjetër Gjoka i kishte dobësi fëmijët. Çdo ditë shkonte te krevati dhe prekte mbesën e vogël, e cila në atë kohë ishte katër muajshe. Ai nuk e shihte dot fytyrën e mbesës, por pyeste gruan: Të lutem, më thuaj si i ka flokët mbesa!?… Dhe aty për aty përshkruante me imagjinatën e tij portretin e vajzës së vogël. Megjithatë, kur i erdhi drita e syve, u befasuan të gjithë. Ai nuk takoi asnjë nga ne, duke thënë: “Hapuni ju të gjithë, të parën do shkoj të takoj Aurelën, sepse atë nuk e njoh fare. Më keni thënë që është e bukur, prandaj më takon ta përqafoj“, u tha ai pjesëtarëve të tjerë të familjes. Dhe Gjovalini tregon se shkoi te krevati ku flinte, e puthi, dhe tha “Qenka ashtu si e kam imagjinuar”. Vetë Pjetër Gjoka, për artin skenik teatror, është shprehur: Punonim të gjithë qysh kur regjia hidhte platformën.

Në fillim lexonim veprën me kërkesat e regjisë, duke menduar e kërkuar për të gjetur skenat, ngjarjet, pra jetën e mëparshme të personazhit, gjersa hynte në dramë një jetë e ngjashme me këtë karakter. Kështu mendimi do dilte më i pjekur, më bindës, sepse aktori depërtonte në thellësi, psikologji, në formimin kulturor të heroit të vet. Nën drejtimin e regjisë theksonim që në tavolinë, replikat, nëntekstet, lidhjen me partnerin duhej të evidentoheshin qartë. Përveç lidhjes me partnerin, vendosnim lidhje të thella të brendshme me vetë figurën që interpretonim, hynim në mendimet dhe psikologjinë e saj të veçantë”. Ai është mes nesh, mbasi është i përjetuar me rolet e tij, në zemrën e njerëzve dhe duke e ndjekur nëpërmjet ekraneve televizive. Ndonëse kanë kaluar 92 vjet nga lindja e tij, njerëz të tillë si Pjetër Gjoka mbeten të pavdekshëm.

Ballkan


Artisti i Popullit, Pjetër Gjoka, në 93-vjetorin e lindjes së tij

Aktori që për dy vjet interpretoi pa dritën e syve

Baxhul Merkaj

Nëse ai do të ishte gjallë, padyshim të gjithëve do të na pëlqente ta shihnim të ngjitej sërish në skenë aktorin Pjetër Gjoka. Por tani, kur kanë kaluar gati 20 vjet nga vdekja e tij, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kujtojmë jetën e tij në skenë dhe ta nderojmë në përvjetore. Përjetoi 114 role, tipa, karaktere, një pjesë e të cilave jetojnë edhe sot, ndërsa roli më i madh që iu desh të luante ishte ai me jetën dhe kapriçot e saj.

Edhe pse i verbër, më i miri i aktorëve
Ishte viti 1976 dhe zhvillohej Festivali i Teatrove Dramatikë. Pjetër Gjoka meritoi çmimin e parë për aktorin më të mirë. Ai u ngjit në skenë, ku e shoqëronte asistenti i tij. Aty, studenti, mbasi mori çmimin, ia drejtoi artistit. Artdashësit në sallë duartrokitën gjatë dhe atëherë kuptuan që artisti nuk shihte. Që nga ajo kohë kanë kaluar gati 20 vjet dhe aktori Gjoka ka mbushur këto ditë 93 vjeç. Me dhe pa dritën e syve, me mallin e atyre që s’e kanë pranë, historia e tij është një dëshmi e gjallë e dashurisë për skenën.

Minga: Atëherë kur xhirohej “I treti”
“Ky është artist i madh me përmasa mbinjerëzore”, shprehet regjisori Albert Minga, duke rikujtuar Artistin e Popullit Pjetër Gjoka, teksa kujton kohën kur po xhirohej filmi “I treti”.
“Të gjitha përgatitjet ishin bërë gati. Regjisori urdhëroi: Qetësi, fillon xhirimi.
Skena: Guljelm Radoja do të ndizte cigaren gjatë bisedës. Artisti Pjetër Gjoka do të pinte cigaren dhe do të përgjigjej. Skena po shkonte mbarë, por, në moment, regjisori ndërpret xhirimin.
“Zoti Pjetër – më falni, po në një zyrë luksoze cigarja nuk shkundet në tavolinë, por në taketuke, nëse... më falni edhe një herë mua, se nuk është gabimi juaj, sepse ju nuk shihni!”
Pjetri përgjigjet: “Regjisor, taketukja është këtu, ja pluhuri i cigares (vendos dorën mbi pluhurin e cigares). Ndërkohë artisti shtanget dhe gërthet i nervozuar: “Kush e ka luajtur taketuken nga vendi ku e kam vendosur unë?!”... Guljelmi pohon: “Unë!”
Pjetri thotë: “Ju lutem, herë tjetër mos lëvizni asnjë objekt nga vendet ku i vendos unë. Ja po ju sqaroj. Unë vij një orë e gjysmë para jush dhe vendos objektet në mënyrë të tillë që të mos ju pengojnë juve, ju e dini që unë nuk shoh...”

Rikthimi i dritës së syve pas dy vjetësh
Djali i tij, aktori i Teatrit Kombëtar, Gjovalin Gjoka, tregon sesi Pjetër Gjoka punonte me rolin gjatë viteve 1975 - 1977 kur nuk shikonte. “Incizoja rolin e partnerit, si edhe rolin e tij në kasetofon. Kështu ai përvetësonte tekstin”. Vetëm pas dy vjetësh, pas operimit që bëri në Itali i erdhi drita e syve, atëherë kur kishte provuar dhe interpretuar rolet e tij në errësirë të plotë. “Sytë i kisha të mbyllur, mjeku më hoqi fashat, më ra drita. I mbylla përnjëherësh, se kisha frikë mos më ikte kjo dritë që më erdhi.
– Hapi sytë, hapi, ajo që të erdhi, s’të ikën më, foli mjeku - u rilinde edhe njëherë për së dyti, më tha mjeku”, kujton Pjetër Gjoka atë moment kur iu rikthye drita e syve. Pjetër Gjoka, i kishte dobësi fëmijët. Çdo ditë shkonte te krevati dhe prekte mbesën e vogël, e cila në atë kohë ishte katër muajshe.
– Lizeta – thërriste gruan – Si i ka flokët mbesa!? Po faqet, është e bukur!?… Krijonte imagjinatën për mbesën, por kur i erdhi drita e syve, u befasuan të gjithë. Ai nuk takoi asnjë nga ne duke thënë: - Hapuni ju të gjithë, të parën do shkoj të takoj Aurelën, sepse atë nuk e njoh fare. Më keni thënë që është e bukur, prandaj më takon ta përqafoj. Shkon te krevati ku flinte, e puthi, dhe tha: “Qenka ashtu si e kam imagjinuar”.

Pjetër Gjoka: Pse e dashuroja rolin
“Punonim të gjithë qysh kur regjia hidhte platformën. Në fillim lexonim veprën me kërkesat e regjisë, duke menduar e kërkuar për të gjetur skenat, ngjarjet, pra jetën e mëparshme të personazhit gjersa hynte në dramë një jetë e ngjashme me këtë karakter”, kështu është shprehur Gjoka për vitet e tij të punës në teatër. “Kështu mendimi do dilte më i pjekur, më bindës, sepse aktori depërtonte në thellësinë, psikologjinë, në formimin kulturor të heroit të tij. Nën drejtimin e regjisë theksonim që në tavolinë replikat, nëntekstet, lidhjen me partnerin që duhet të evidentoheshin qartë. Përveç lidhjes me partnerin vendosnim lidhje të thella të brendshme me vetë figurën që interpretonim, hynim në mendimet dhe psikologjinë e saj të veçantë”, theksonte ai. Këto ditë ai mbushi 93 vjeç, por miqtë dhe kolegët e tij e kanë ende të freskët kohën kur ai ishte i ri dhe interpretonte në skenë, edhe pse pa dritën e syve.

Plaku 70-vjeçar dhe dashuria me Lizetën

Ishte një 70-vjeçar në shfaqjen “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, edhe pse mosha e tij nuk i kishte kaluar 23 vitet. Aty Pjetër Gjoka interpretoi rolin e plakut, i cili dërgohet nga trimat e Krujës në Stamboll t’i mbushte mendjen Skënderbeut për t’u kthyer në Shqipëri. Shfaqjen e ndoqën me interes shumë shikues edhe familjet shkodrane që jetonin në Tiranë. Një vajzë që kishte ardhur te xhaxhai i saj, kur pa shfaqjen familjarisht tha: “Sa bukur që luan ai plaku”. Kushërira kthehet dhe i thotë: “Nuk është plak, por djalë i ri!” Ajo vajzë e re, mbas disa vitesh, Liza Gjoka, e cila në rininë e saj interpretoi Marie Stuart të Shillerit, bëhet gruaja e Artistit të Popullit Pjetër Gjoka. Ndaj ai gjatë jetës së tij shpesh thoshte: “Një pjesë të suksesit tim ia dedikoj me gjithë shpirt bashkëshortes sime, Lizetës”.

PASAPORTA

Emri: Pjetër
Mbiemri: Gjoka
Ditëlindja: Gusht 1912
Viti i vdekjes: 1982
Vendlindja: Ulqin

Në moshën 4-vjeçare vendoset në Shkodër. E ëma ka qenë nga Salca e Nikaj Merturit (Tropojë), ndërsa i ati nga Dushmani, Kurora e Dukagjinit. Në vitet e para të rinisë u aktivizua shumë në atletikë, po kështu dhe si futbollist i skuadrës Vllaznia. Në vitin 1930 ka përfaqësuar vendin tonë në Lojërat Olimpike Greqi. Ai ka vendosur rekordin kombëtar në një apo trehapësh. Ky rekord është thyer në vitin 1964 për të rinjtë. Merr pjesë në bandën e qytetit të Shkodrës, si vegël fryme përdorte kornon, por artisti ishte dhe këngëtar.

Role:
Për 52 vjet Gjoka ka sjellë në skenën shqiptare 114 role, prej të cilave përmendim:
“Një i vdekur”
“Fundërrinat” e Gorkit (1945)
“Guvernatori i provincës”, Makar Dubrov
“Halili dhe Hajria”, në rolin e Shpend Gjet Plakut
“Revizori”
“Otello”
“Vajza e thinjur”
“Intrigë e dashuri”
“Hamleti”
Klaudi,

si dhe në dramat

“Borgjezi fisnik”
“Mbreti Lir”
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në rolin e priftit dhe më vonë ai shfaqet te drama “Arturo Ui” në rolin e “Dog Zborusë”, si dhe në të parin film artistik shqiptar “Tana”.

TO - Gusht 2005