Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Drita Lushi: Poezia i kalon kufijtë e librave

| E hene, 27.01.2014, 07:59 PM |


KUR POEZIA I KALON KUFIJTË E LIBRAVE

Mendime rreth poezisë së Lumturi Ymeri (Bersava)

“Si mund t'i them: “Sa e lumtur jam”, kësaj bote?!

Kur qiejt,

dhimbjen e grumbulluar, ia përplasin furishëm kësaj Toke?!”

NGA DRITA LUSHI

Lexoj një, dy, tre poezi në një rrjet social,e më mbeten në atë pjesë të memorjes ku shijohet e bukura. Prandaj, kërkoj e kërkoj më shumë, derisa marr në dorë tre librat e Lumturi Ymerit, vargu i së cilës si një magjistar, të bën të ndalesh…

Atëherë mbaj sytë, vëmendjen, përqëndrohem  në libra, e mandej duke shijuar dhe ndjerë poezinë e saj, kuptoj që ato(librat), s’mbajnë dot atë peshë që përçon poezia e saj tek lexuesi.

Edhe në autorë me emër, ka periudha, që poezitë përsërisin njëra –tjetrën, madje ndihet një lloj monotonie, zbehtësie, përgjumje, uniformiteti e lexuesi duket sikur lexon të njëjtën poezi në njëzet të tilla(!).Ky “fenomen”,nuk ndodh tek Lumturia.

Të larmishme dhe të veçanta, poezitë e saj, aty ku duket se ngjasojnë, aty ndërrojnë stil, duke na sjellë një gjetje-veshje të re që na befason.

“Sonte qenkam e burgosura

Mes verës e vjeshtës

Hënës dhe ëndjes

Frymës dhe brymës

Luleve e lutjeve

Mekjeve e stepjeve”

-Shkruan ajo ,duke përshkruar një “gjendje” përmes krahasimeve , simboleve, e përjetimeve, mes  konkretes dhe abstraktes duke na dhënë një përshkallëzim poetik dhe emocional të veçantë.

Në fund të fundit, emrat janë thjesht një veshje e sipërfaqshme, që na bëjnë të kthejmë kokën, kur dikush na kërkon apo thërret. Është e qartë që poezia nuk fle brenda emrave; Poezia fle dhe zgjohet brenda shpirtit sa herë që zemra dhe dejet marrin hove ndjesish nga realiteti, ku gjithpërfshirja e emocioneve negative dhe pozitive shpërthejnë në mrekulli fjalësh e poezish sa të vjen të mos dalësh më prej tyre. Ekzaktësisht këto,ndiej kur lexoj poezitë e Lumturi Ymeri(Bersava).

“Ta rrokullis këtë gur prej zemre…

Pa le të më bjerë…këmbëve! “

-Shprehet poetja, duke na përçuar një peshë emocionale t  fortë, brenda këtij dyvargëshi.

Poezitë e saj janë të lira,e fjalët gjejnë njëra tjetrën pa vështirësi, me një  natyrshmëri lakmuese, e një forcë shprehëse dhe bindëse, të pëlqyeshme nga një spektër i gjerë lexuesish.

Gjithmonë kam qene e bindur, që përpara se të jesh poet, duhet  të jesh njeri. Nëse nuk je njeri, s’mund  ti futesh dot jetës ndër deje, s’mund ti lëvrish në gjak’.

E po s’bëre këto, as ajo s’të fal dot ndjesi të forta, sy përtej sysh, vështrime përtej vështrimesh, zemër përtej zemrës, duar përtej duarve, jetë përtej jetës, që të mund te formëzosh stalagmite vargjesh, e të mrekullosh  njerëz.

Lumturia  ia ka arritur kesaj “magjie”,duke qenë të gjitha në një,dhe një në të gjitha.

Ajo ështe grua, shoqe, e dashur, mike, e keto i shpalos bindshëm si poete, duke u ndjerë brenda tyre.

Duke lexuar poezitë e Lumturisë dy cilësitë që mëvijnë shpesh në mendje dhe përsëris në(n)zë janë :“Fuqishëm dhe bukur”

Ajo prek çdo skutë të mendjeve njerëzore, të vetëdijes e nënvetëdijes sonë e rizgjon mjaft ndjesi, malli, dashurore, atdhetare, amësie e familjare.

Ndjenjat e saj janë ashtu si të çdo gruaje dhe bije, por vetem një poete, mund ti këndojë ndjenjës atërore keshtu:

“Ç’është kjo mungesë

Ojna-tisur në mall?

Mes yjesh mbetesh

At-je…ku tretesh?

ATI IM”

Ajo shquhet jo vetëm për gjetjet metaforike, por mbi të gjitha për ndërlidhjen e tyre çka është “sekreti”- le të them i poezive të saj.

Shpesh poezitë e saj duken si lojëza- fjalësh duke ndërtuar një stil të bukur femëror në vargje.

Ne “Shpirt alien”ajo shkruan :

I (pa)dukshëm, i (pa)njohur

i(pa)kapshëm, i mistershëm

i llahtarshëm, i (pa)vdekshëm.

Duke përdorur ndërtimin e vargjeve në mënyre  leximi të dyfishtë, në një lojë gërme-fjalë-mendim, ajo e çon fantazinë pikërisht, brenda mendimeve e dyzimeve tona njerëzore, në pikëpytje, që secili mund ti japë përgjigjen sipas dëshirës.

Ajo vërtet shquhet për gjetje të befasishme, por ato janë aq të natyrshme sa të duket vërtetë  se e sheh poeten që :“ndal diellin në ikje”

“zbrazen ditët nga barku i dritës,

ngrij në pritje,

të ndal diellin në ikje”

Kur lexon poezitë e Lumturisë, i ndien aq të vërteta, sa të duket se i ke ditur gjithë jetën, vetëm se s’ke mundur ti shkruash. Ndihesh aq brenda tyre, sa pohon me buzëqeshje ose rilexim …

“Malli s’ka

As duar, as thonj

E prapë se prapë!

E gërryen shpirtin

Të gjejë një vend,

E prapë se nxë…!”

Ajo e krahason lotin me planetin më të vjetër në galaktikë, duke përshkallëzuar e kaluar përtej poezisë, si vijon:

“Loti ishte pa qenë ne,

Planeti më i vjetër në galaktikë

Ku lindën e qanë perënditë

Zotët e mitët e shkatërruan

Kur tradhtuan e flijuan perënditë

Sot jemi ne,

Në këtë Tokë

Zotër e robër”

Ajo të drithëron me ndjenjat amësore, të vëna në puthje, mundime, gëzime dhe lot, kur kujton vitet e birit të saj qysh në lindje.Kush më mirë se një nënë-poete do shkruante për ndjenjën dhe marrëdhënien më të adhurueshme në botë mama-fëmijë?

“U rrite jeta ime,

Majë gishtash

Vij të të puth në ballë,

Ti zbret lotëve të mij

Si njëzetre vite më parë…”

Poezitë e saj i shpëtojnë skemës moralizuese , të cilat s’kanë asnjë lidhje me artin e mirëfilltë,por ajo di të bëjë që përmes artit, natyrshëm të na përcjellë mësime.

Poezitë e saj janë gjetje interesante, në larmi tematike dhe formëzohen në fytyra të reja vargjesh, sa herë që ajo vendos ti hedhë ato mbi letër.

Zhytem nën Lega

eci me Jardë

ndizem në Omega

ngrij nën Gradë

 

Më lini pak në

Qetësi,

tani që jam

....NJERI....

Ajo i thotë kështu miqësisë:

 

“Ëngjëll, e di, s'je,

sigurisht, dhe un' jo!

Por më ndje!

Kur shpirtin vë

pasqyrë përpara teje,

edhe ti shihe aty

vetveten. . . . . “

 

Ajo duket se ecën në nje tra ekulibri me fjalën, por çuditërisht ecën pa dridhje, por me akrobatësira mahnitëse, me lëkundje të hijshme që veç të ndjellin të lexosh më tej.

Të mahnit mënyra e ndërtimit të një poezie, ku ajo shpalos ndjenjën e saj për fëmijët, si ndjenja më kuptimore dhe  ekzisteciale në botë.

 

TRE

 

Tru-

trup-

trung

jam tani!

 

Terr-

tmerr-

ferr

ishte dje!

 

Akuj-

avuj-

uj'

qesh përherë!

 

Shpreh-

shpresë

shpend

do jem nesër!

 

Ditë-

dritë

ndrit-

tek fëmijtë

E mi,

të mitë,

të mirtë!

 

Tre,

trembem-

tretem

për ta”

 

Fjalë të ngjashme me plus ose minus gërmash i “ngjit” sup më sup poetikisht, duke na dhënë një radhë rritëse ndjesish, si njerëzore por mbi  të gjitha një shije poetike dhe muzikore fantastike siç ndodh(jo vetëm) në  poezinë e mësipërme.

 

Poezia për Lumturinë është:”Vlim i shpirtit, kondensim në muret e mendjes”

E si e tillë, avujt aromatikë të petale-zuara në poezi ngjyra-jete-njerëzish do vazhdojnë parreshtur të vijnë drejt nesh të kondesuara në memorje!

Ajo guxon në poezinë e saj; nuk rri besnike e një forme, e një skeme, e një fjale apo e një teme;

“Nën dritën e abazhurit sonte

cepin e jorganit tërhiqe

hidhe tej

mbulomë me frymën tënde!”- shkruan ajo në poezinë “I(magji)natë përvëluese..”duke guxuar të flasë hapur poetikisht atë ç’ka të tjerët e mendojnë heshtur;Ajo vazhdon më tej:

“Grise dhe copën e tyltë

që mbulon atë hark epshndjellës

të nënbarkut

që mbaron në

trekëndëshin e zjarrit…”

Një pikë e fortë e Lumturisë është,se ajo shkruan mjaft hapur, duke i vënë çdo ndjenje, ndjesie, emocioni, gjendjeje,e  dukurie  emrin e vet.Kjo e ndihmon shumë të na shpalosë e të ndiejmë deri në ind, ç’ka ajo shpreh dhe ndjen duke u bërë dhe ne lexuesit, pjesë e ndjesive të poetes.Kur arrihet kjo, poeti ka fituar betejën themelore të artit të fjalës së shkruar.

Përgjithësisht  poetet s’mbahen mend për numrin e librave, që kanë lënë;as për titujt, kopertinat apo numërin e faqeve libërorë;

Ata  kujtohen e njihen pikërisht për poezitë që kanë mbetur në memorje e kujtesë.

Unë kam  bindjen se Lumturia është njëra nga to.Poezitë e saj kanë kaluar kufijtë e librave, dhe kanë hyrë në portat e kujtesës së lexuesve.

Përpos të gjithave, mua më mjafton të them se ajo ështe një krater i hapur, llava e të clit ështe në rrjedhjë  të vazhdueshme dhe do të vazhdojë të na befasojë me ngjyrësimin e saj poetik.

@ Drita LUSHI

Janar 2014

Shqipëri