E enjte, 25.04.2024, 06:21 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Dy pushtime të ngjashme të Shkodrës

E shtune, 25.01.2014, 06:22 PM


DY  PUSHTIME    NGJASHME    SHKODRES:

26 JANAR 1479  NGA  TURQIT, DHE  29 NANDOR 1944  NGA ...

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

EKSKLUZIVE NGA FRITZ RADOVANI

535 vjet ma perpara kjo Kështjellë Heroike e quejtun “Rozafat” filloi me u rrenue!

Muret rrethuese u gjuejten me gjyle topi dhe kalldramet u lane me gjak!

Po, Shkodranët, çka u bane? A mbeti kush gjallë me diftue per tá?...

Sikur të kishin shtetet tjera ballkanike historian si Don Marin Barleti, as nuk do të guxonte kush me hapë diskutime per Identitetin e tyne. Né e kemi dhe mundohemi me i nxjerrë bishta per me e errsue figuren e Tij, vetem, pse ishte Prift Katolik Shqiptar!

Në librin e Tij “Rrethimi i Shkodres”, fq. 87 shkruen: “...Të gjitha lagjet e qytetit, rrugë e rrugica ishin lye e zhye me gjakun e të krishtenëve. Shtëpitë shembeshin; kishët rrafshoheshin perdhé.” Dhe, ma poshtë Don Marini vazhdon: “A do të na bajë zemra t’i shikojmë barbarët tue hy në qytetin tonë midis brohoritjeve?”...

Me daten 26 Janar 1479 turqit hyne në Kështjellen “Rozafat”, të Shkodres...

Porsa hyne në Kështjellë vendosën gjithkah flamujt e tyne të robnisë!

***

Me daten 29 nandor 1944, partizanët “çlirimtarë” hyne edhe këta në Shkoder...

Rreth orëve të para të atij mengjesi të zi, hyne me forcë në Kuvendin e Fretenëve të Gjuhadolit, dhe në kompanjelin e Kishës Françeskane, pikrisht, aty ku At Fishta, me 13 Qershor 1913 pat vendosë Flamurin e Gjergj Kastriotit, aty partizanët e Enverit, vune “flamurin me yllin e kuq” të vetin, me të cilin “festonin çlirimin” e Shkodres, nga një tjeter pushtues, nga sllavo komunistët jugosllav që kishin vite që punonin per ketë ditë.

70 vjet perpara, në vitin 1944 persëritet edhe njëherë pushtimi i vitit 1479...

Po, këte herë asht mendue nga Aleatët, që Shqipnia Europjane të kontrollohej nga një ma besnikët sllavokomunist të Londres dhe të Moskës bolshevike, nga “shoku” Tito. Armët e veglave tyne besnike u ndigjuen shpejtë në Shkodren Heroike!...

Shkodra, “syni i pricipatës” duhej shue!

Besoj në kujtimet e partizanëve të shkrueme mbasi mësuene nder kurset e analfabetizmit, mbas hymjes në Shkoder të Qamil Gavoçit, Arif Gjylit, Asllan Licit etj., u kujtohen shkrepjet e revolverit të Qamilit, kur po fliste tek Bashkia “shoku” Arif Gjyli, apo vrasjet mbas shpine të Asllan Licit me vagabondët “çlirimtarë” në Zallin e Kirit...

Kur këta tradhëtarë “çlirimtarë” u ndodhën përballë nacionalistëve Abaz Ermeni e Jup Kazazi në rrethina të Shkodres, në Berdicë dhe në Anë të Malit, forcat komuniste kush i mbështeti, Populli i atyne krahinave apo forcat ushtarake jugosllave të rreshtueme mbas malit të Taraboshit? Ndërsa, në luftën e shpallun kundër Malësorve të Veriut në fillimin e Janarit 1945, me betejën kundër Popullit të Kelmendit, ku ndodhej Prekë Cali dhe pranë Tyne, krenët e “Beslidhjes së Veriut” që kerkonin lirinë e Trojeve Shqiptare nga sllavët, të gjithë u shpallën “tradhëtarë” dhe, si pasojë, krimineli Mehmet Shehu, me urdhën të komandantit të përgjithshëm gjeneral kolonel Enver Hoxhës, jo vetëm që theri  dhe vrau 118 Burra të Maleve, të cilët, i hodhi në proskë, por iu dogj edhe kullat, shfarosi dhe u plaçkiti gjanë e gjallë, vetëm me dhanë proven e “besnikërisë” komuniste ndaj armikut shekullor të Atyne Maleve! E bashkë me partizanët ishin në këte betejë edhe forcat ushtarake jugosllave, të cilat, bashkë me disa tradhëtarë shqiptarë të shitun tek sllavët e malazezët dhe të mobilizuem me brigadat partizane, nën drejtimin e Mehmet Shehut dhe Koçi Xoxes, u ranë mbas shpine Malësorve tanë. Të gjithë tue këndue kangë për “druzhe” Titon dhe kundër Veriut, u versulën menjëherë edhe kundër Klerit Katolik Shqiptar, që ishte frymzuesi shpirtnor i Atdhetarizmit në ata Male...

Kështu, Tokat Shqiptare deri maje Vermoshit, u okupuen nga ushtria shoveniste jugosllave “me yllin e kuq komunist” në ballë në “maskën” e tyne, e kjo maskë ishte partia komuniste shqiptare, e drejtueme nga tradhëtari Enver Hoxha.

Burimi i të gjitha fitoreve ishte “shoku” Tito dhe Stalini i “math”, prej nga buronte “drita e kuqe” bolshevike…që, u shpërndante anë e kand vendit tonë deri në skutat ma t’errta të birucave të sigurimit në Trojet Shqiptare…

Kush ishte ky drejtues i partisë komuniste në Shqipni, në vitin 1941? Per té do ti referohëm një Shqiptarit të njohun, që përcakton saktësisht “udhëheqësin” dhe qellimin e asaj parti që ai po e drejtonte: Ishte i ndjeri Muntaz Kokalari, qytetar i Nderuem nga Gjinokastra që shkruen më 9 Nandor 1944: “...Fatkëqësia e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë është se ka rënë në dorë të një njeriu përbindsh, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar e kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove, etj. Fëlliqi botën me borxhe. Né intelektualët e Gjinokastrës ia dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj, kërkon të na asgjësojë. Po, kam besim se këtij batakçiu bashkë me djajtë e kuq, shpejt ka për t’i dalë boja.” (Gazeta RD, 29 Prill 1995, Tiranë).

Ndersa “komandantët” partizanë shqiptarë që janë kenë në Kosovë, apo që kanë kalue në Veri nga Hoti në drejtim të Podgoricës dhe Tivarit, me brigadën e formueme në Shkodër me datën 29 nandor 1944, me qellim me çlirue Tokat Shqiptare kur po u largonin prej aty forcat gjermane e, që në të gjithë tekstet e “historisë” sot shkruhet: “Kalimi i divizioneve tona në Veri për çlirimin e ‘tokave’ të Jugosllavisë”, tregon kjartë marëveshjen e fshehtë të asaj kohë mes Titos dhe Enver Hoxhës, që Tokat Shqiptare për të cilat bahet fjalë ndër tekste, ishin cilësue “toka të Jugosllavisë” pa u “çlirue” ende, kur të gjitha ata ishin Toka Shqiptare dhe të banueme edhe sot nga Shqiptarët... edhe pse intelektualët e tyne mundohen me folë “gjuhen e njësuar”.

Duhet rikujtue edhe veprimtaria tradhëtare të Ramiz Alisë, Haxhi Lleshit, Fadil Hoxhës, Shefqet Peçit, Rahman Perllakut etj. me forcat çlirimtare të Kosovës, tue i lanë prè në pabesi të forcave jugosllave, tashma njihen nga të gjithë, edhe pse në Kosovë endè kjo tradhëti që u asht ba kosovarëve, nuk kërkohet me u shpallë botnisht, kur dihet se mija e mija prej djemëve të tyne u morën në Kukës dhe nuk mërrijti as gjysa e tyne në Tivar, ku edhe ajo pjesë e vogël kosovarësh që pat teprue rrugës, iu dorzuen “druzhe” Titos me u masakrue dhe me ushqye peshqit e Adriatikut në brigje të Tivarit.

Të gjitha këto ngjarje janë vetem një hapje e “syparit” atëherë kur, në Cirkusin Shqiptar, do të fillonte me u luejtë Tragjedia komuniste e permbytjes gjysëshekullore me Popullin Shqiptar!



(Vota: 14 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora