Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Shikimin nga Atdheu

| E premte, 24.01.2014, 09:24 PM |


Në trevjetorin e vdekjes së gazetarit, publicistit dhe profesorit, Nazmi LUKAJ

EDHE NË AMSHIM SHIKIMIN E KE KAH ATDHEU...!

Sa herë që shkruhet në përvjetorët e vdekjes së njerëzve të përkushtuar, gjithnjë përpara me del rrugëtimi i tyre me ato ngrohtësitë, madhështinë shpirtërore, por edhe me përplasjet dhe dhembjet që peshë e mall e kanë vlerën e njeriut, të atdheut dhe të kombit. Në këtë rreth të çuditshëm mbase edhe vicioz, gjithnjë është dhe gjendet edhe intelektuali dhe gazetari e publicisti, Nazmi Lukaj, i cili tërë jetën ishte njeriu më i parehatshëm në aspektin e luftimit për ta bërë njeriun dhe botën e tij të lumtur.

Në këtë përvjetor, në trevjetorin e ikjes së tij nga kjo jetë, pothuaj se e tërë ajo “dosja” e tij madhështore e jetës dhe e veprës, zë vend interesant por edhe të begatë, e që është e përcjellë me shumë krenari, por edhe me dhembje, sepse, mu atëherë kur e kishte kulmin e punës dhe të energjisë shpirtërore dhe profesionale për të krijuar vepra gjithnjë më të mëdha iku për në botën e amshueshme.

Nga Sejdi BERISHA

Vetë pate thënë se muajt janar janë muaj me histori karakteristike

Sa herë që kemi biseduar për jetën, për kulturën, për historinë dhe për rrugëtimin e kombit dhe të atdheut, Ti Nazmi, përherë i theksoje disa karakteristika të rrjedhave shoqërore dhe kulturore, me të cilat asnjëherë nuk kemi qenë të kënaqur dhe me to as  nuk jemi pajtuar. Këtu ishte përqendruar edhe lapsi dhe mendja jote, puna dhe vlera në edukimin e gjeneratave të reja, të cilat edhe sot nuk të harrojnë dot.

Asnjëherë nuk zvetënohet puna dhe kontributi yt në mësimdhënie, as në themelimin e gazetës “Pavarësia”, as shkrimet tuaja në gazetën “Bota Sot” dhe së fundi edhe në gazetën “Nacional”, që botohet në Shqipëri. Dhe, sikur një punë dhe kontribut i tillë, tinëzisht ta gërryente shëndetin, kurse Ti nga dashuria e madhe për të punuar, sikur asnjëherë nuk hetove këtë ligatinë, deri në momentin e fundit. Lajmi për sëmundjen tuaj, ishte ky lajm ogur të cilin pothuaj se më së pari ma kumtove, mik i dashur Nazmi. Kështu që, trazimi im shpirtëror i ngjante një flake të madhe e cila sikur ma digjte çdo gjë përreth meje e teje.

Dhe, të kthehem sërish tek bisedat për muajin janar. Po, pra. Vetë pate thënë se në muajin janar kanë ikur apo janë shuar figurat më të shquara mbase edhe historike të kombit nëpër të gjitha periudhat. Kjo edhe ma detyroi udhëtimin e mendjes sime nëpër histori, e cila, kjo e kombit tonë sikur është më karakteristikja, më e hidhura dhe më e dhembshmja. Ashtu edhe është, nëse i cekim figurat e shquara, të cilat, ose u shuan, ose ikën tinëzisht ose u vranë nga dora tradhtare dhe dora e armikut. Kjo, është pasqyrë shumë e zymtë e rrugëtimit tonë, a?!

Për këtë arsye, Ti, Nazmi, sikur ia kishe drojën muajve janar, por kurrën e kurrës nuk e ke menduar se në kornizën e ikjeve të tilla të muajit janar do të përjetësohesh edhe Ti! Dhe, pikërisht në këtë kohë, sikur të rrëmbeu diçka shumë pakuptimshëm dhe jo njerëzisht. Andaj, si ta përshkruaj atë lumë kujtimesh të trazuara të atij dimri. Për këtë dhembje, kam shkruar disa herë edhe përpara. Si i tillë je përjetësuar edhe në libër.

Prandaj, kësaj radhe, Nazmi, shkurt do t’i përmendi ato çaste kur ike për në amshim. Dhembja ishte e madhe, kurse në asnjë moment nuk doja të besoja se tani nuk do të jesh fizikisht në mesin tonë, sepse, shumë ke pasur dëshirë që t’i përfundosh edhe disa punë dhe detyra e synime tuaja.

Shpirtin tënd të madh, dashurinë për jetë dhe për punë nuk mundi ta ftohë as acari i atij janari. Ndërsa, tërë madhështinë tënde, e dëshmoi varrimi yt, e dëshmuan edhe tri ditë të tjera, kur në ngushëllime nuk ndërpritej lumi i gjithë atyre njerëzve nga të gjitha anët e trojeve shqiptare, për t’i ngushëlluar më të afërmit tuaj.

Është e pabesueshme, por ato ditë, fillova ta krijoj edhe një tjetër bindje për ty dhe veprën tënde: po sa i ri ike, dhe aq shumë njerëz e paskan peshuar vlerën tënde si njeri, si gazetar, publicist dhe atdhetar. Me këtë, sikur më hiqej nga një grimë mërzia për ty, e cila zëvendësohej me krenari edhe më të madhe. Ky ishte respekti për ty dhe veprën tënde, Nazmi. Ja, edhe tani të premten, kur do të mbahet mbledhja përkujtimore për Ty, shton vlerën dhe peshën tënde.

Edhe familja po ta ruan dhe respekton veprën tënde

Mungesa jote në familje është e madhe, por interesant, malli dhe respekti për ty, sa vjen e bëhet gjithnjë e më shumë beden i të gjithëve, i secilit anëtar, i secilit fëmijë. Ata, pa asnjë pushim, po e sjellin në vend dëshirën dhe amanetin tënd që të bëhen të zotët e vetvetes, që të shkollohen dhe kështu të bëhen edhe faktorë edhe për ta ndihmuar shoqërinë. Për këtë, Nazmi, pusho i qetë, sepse, secili fëmijë yti është shembull në shkollë, bile edhe krenari jo vetëm e familjes por edhe e shoqërisë. Bashkëshortja jote, znj. Hajrije,është e përkushtuar për fëmijët tuaj, vajza, Ariana, i ka përmbushur të gjitha premtimet që ti ka dhënëm, duke ecur drejtë majave të diturisë. Në rrugë të njëjtë janë edhe Arianita dhe Afërdita. Kurse, djali Arianiti, është një djalosh që gjithnjë reflekton në shtyllën e rëndësishme të familjes.

Pra, familja jote, me fanatizëm po ta ruan dhe forcon përjetësinë e veprës dhe tërë atë zjarrmi që e kishe për fatin e popullit, të Kosovës dhe të atdheut përgjithësisht...

Babai yt dhe fatkeqësia e tij si dhe sëmundja jote, ta rëndonin shpirtin

Nganjëherë, gjërat e këqija askush nuk mund t’i programojë aq tmerrshëm, sa këtë e bën jeta vetë. Më kujtohet edhe fatkeqësia e babait tuaj, Kamberit, e cila e la të palëvizshëm dhe vetëm në karrocë. Ishte vështirë njeriu ta përballojë një gjë të tillë. Dhe, kur në ditën kritike udhëtonim për në spitalin e Prishtinës për të ditur për fatin e babait tuaj, ty Nazmi, të takuam tek Aviano, në Sllatinë.  Nuk gjendeshe në shtëpi, sepse ishe duke e kryer punën tënde prej gazetarit, dhe pastaj, së bashku deri në spital, disi e ruajte dhembjen me shpresën për babin tënd. Asnjë fjalë nuk e ndërroje, edhe pse, ne të tjerët ishim tërësisht të dërmuar nga tmerri dhe frika se a do të shpëtonte ai. Dhe, ngjarja kishte përfunduar që babai dhe të gjithë familja të “pajtohen” përgjithmonë me karrocën, me të cilën ai do të shoqërohet tërë jetën.

Por, çfarë ndodhi më pastaj. Tash babai e kishte harruar vetveten dhe gjithnjë ishte nën ethe për shëndetin tënd. Dhe sa herë që dukeshe se po luftoje me të madhe me sëmundjen, babai yt që ta kishte si lehtësim, më telefononte duke më treguar për vuajtjet e veta për ty dhe për sëmundjen tënde, e që sikur kërkonte që me ndonjë fjalë shpresëdhënëse t’ia forcoja shpirtin dhe zemrën. Ashtu edhe ishte. Por një ditë, zëri i babait tuaj i ngjirur, thellë ma kumtoi lajmin më trishtues: Sejdi, Nazmiu na iku!... Nuk kisha as forcë që bile ta ngushëlloja.

Kështu ishte, Nazmi, para tri vjetësh, por dhembja dhe respekti për Ty janë gjithnjë e më të mëdha.

Kaq, kësaj radhe, miku im i dashur, Nazmi... Edhe pas tri vjetësh, zemra dhe shpirti nxjerrin zjarrmi për Ty...!