Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Hajrica

| E enjte, 23.01.2014, 08:03 PM |


HAJRICA

NGA KALOSH ÇELIKU

Hajricat janë haxhuze me fytyrë gruaje, që populli shqiptar i njeh që nga sistemi komunist si “sekretarica”. Kohën e findit “demokratike, ”Hajricat i shohim edhe nëpër institucionet kulturore të Shtetit të “përbashkët”. Vendeve të punës, u dalin zot duke “punuar” për kulturën dhe Letërsinë Shqiptare. Edhe, haxhuzet e hazdisura, ashtu siç i ka falur Zoti e Natyra, fundekrye të bukura, përpiqen t’i shërojnë komplekset e tyre tek kultura dhe Letësia Shqiptare. Nateditë rrinë përpara pasqyrës: Pasqyrë, pasqyrë kush është më e bukura në këtë botë?! Pasqyra pa hamendje u përgjigjet: Buça e Katundit. Edhe atë, nëse i shkonë përmbrapa ndonjë Qen Sharri me zgjebe. Një Zot e di si erdhën dhe kush i solli nëpër ato vende pune pa dituri elementare e fije meritash njerëzore: nëna, babai, ose ndonjë shofer i Nënës Parti. Vetëm një gjë e di, dhuratën e një ministri shqiptar, mos t’ia përmend emrin se do të më zë goja qelb, i solli në ministri në rolin e Babadimrit. Haxhuze, që edhe gjatë kohë shqiptarëve do t’u ngatërrohen nëpër këmbë e ndërsehen pas shpine. Nuk e di, a posedojnë ndonjë diplomë univeritare të ndonjë Universiteti Shtetëror ose privat, shkolle fillore te Hoxha në Katund.

Haxhuzet, gjysmanalfabete, mjafton të ulen në karrige, pranë tavolinës edhe shpien në vend urdhërat e atyre “patriotëve”, që i kanë ulur nëpër ato vende si endacake rruge nëpër Bit-Pazar. Interesant është, haxhuzet që nuk i njeh as nëna e vet, e ku më mëhalla shtëpi përmbi shtëpi, kur përpiqen të shesin mend si autoritative. Edhe, nga njerëzit e kulturës kërkojnë dëshira të përrallave arabe. Qilima fluturues. Ose, Shkopin magjik të Babashehut, tua përzë xhindet mbi varr, të mos mbesin përjetë shterpa. Llambën e Aladinit, nuk e duan se, gjithë këto rrotullime akrobatike duan t’i bëjnë natën.

Kohë kjo, kur shumë shkrimtarë e poetë me diploma universitare sillen rrugëve si të papunë, Hajricat na janë ulur këmbëkryq nëpër institucione pa bagazh letrar dhe vendosin për kulturën shqiptare, vlerat artistike të krijuesve shqiptar. Punemadhe, që në jetën e tyre nuk kanë lexuar një libër, shkruajtur as një varg, asnjë rresht së paku në fletore. Përditë e përnatë, të veshura “kuqezi” duke marrë pjesë nëpër dreka e darka si dashnore të shoferëve të ministrave. Hanëm mëdhaja, që për nga bukuria përrallore, si hëna kur bënë dritë në qiell, ta plasin syrin. Njëqind vjet, nuk të shkon mendja për grua, po t’i shohësh me sy këto bukuroshe çarshie të përrallave shqiptare.

Edhe Hajrica, është rrugaçe e sojit të vet me diplomë, që në atë vend pune e solli Nëna Parti për maltertimin e krijuesve shqiptar, gjoja se është në shërbim të tyre si administratore e kulturës shqiptare. Haxhuzja harron se, edhe copën e bukës e fiton falë krijuesve shqiptar e jo shteteve turko-arabe. Vendin e punës pa merita ia ka zënë krijuesit shqiptar. Dibidusja nuk ka faj, faj ka Ali Ahmeti, që me kësi malli të kalbur vetëm për një përdorim në Bit-Pazar, pretendon të na shpie në Europë. Kulturën shqiptare ta nxjerrë me pak shpirt nga fundosja e hurdhave partiake. Vite me radhë duke punësuar e emëruar nëpër komisione kulturore partizanë të partive politike pa asnjfarë bagazhi kulturor e letrar. Herë hoxhallarë, herë tollumbaxhinj e herë partizanë të partisë politike. Nëse, Ali Ahmeti është nga Kërçova për bërllokun shqiptar lokalist, nuk kanë faj: Safet Hyseni, Xhelal Ademi e as Begzat Rrahmani të cilët edhe ata janë nga Kërçova. Faj, përsëri ka Ali Ahmeti me shokët partizanë dhe bërllokun klanor me torbën e taxhisë përqafe, që pranon të shkojë atje ku nuk e ka vendin, vendosë për kulturën dhe Letërsinë Shqiptare.

Edhe, një ditë Hajrica më merr në telefon, më thotë: Mezi e lexon kërkesën me belbëzime, më duket se bëhet fjalë për Manifestimin Kulturor Ndërkombëtsar, Ditët e Humorit dhe Satirës: Xha Deralla, në Kërçovë?! Urdhëroni, zonjë! Çfarë është problemi?! Përveç, kërkesës nuk keni asnjë dokument tjetër në Ministri. E pamundur, i përgjigjem. Vërtet, një dukuri e këtillë më ka ndodhur edhe herët tjera, po nuk ia kam vënë gjithaq veshin. Me siguri, edhe kësaj radhe i keni “humbur” mes gjithë atyre kërkesave dorë më dorë nëpër komisione?! Zonjë, a mund të më tregoni për cilët dokumente bëhet fjalë?! Përgjigja erdhi përmes telefonit: Programin e Manifestimit dhe vërtetimin në Regjistrin qëndror të Republikës së Maqedonisë. Nuk ka problem, unë e kam edhe kopjen tjetër të kompletuar të Manifestimit dhe do t;ua sjellë nesër. Ama, zotëri ti tallesh me mua si grua serioze?! Sekretari Shterëror i Minsitrisë së Kulturës më ka porositur që të të marrë në telefon dhe meqenëse së shpejti bëhet shpallja e konkursit, mirë është sa më shpejtë të m’i sillni edhe vërtetimin e Regjistrit qëndror, edhe programin e manifestimit. Jo, zonjë i thashë: Unë nuk tallem me ty, por ti tallesh siç duket me kulturën shqiptare. Dikur, më plasi marrja. Zonjë, vërtetë unë i dua gratë, por jo edhe Hajricën e Nënës Parti. Megjithatë, nesër do të ta sjelli edhe kopjen e dytë komplet me gjithë program. E di, më tha azganja, ti je i privilegjuar në Ministri të Kulturës. Qesha. E vërtetë, kam vend pune mu pranë zyrës tënde në Minsitri me sekretare personale. Përmëtepër, nëse do ta dish këtë vit e “mora edhe një çmim shtetëror” duke përfituar edhe pension jetësor nga Minsitria e Kulturës. Ditën e mirë bukuroshe, dhe mirëupafshim nesër pa xhinde që të paskan pushtuar natën, ia mbylla telefonin.

Ditën e nesërme, trokita në zyrën e Hajricës. E hapa derën dhe i pashë tri adminstratore me kokën mes grumbullit të letrave mbi tavolinë. Vetëm Hajricën e gjeta me pasqyrë në dorë. Hajrica, më duhej i them njërës nga gratë. Unë jam, u ngritë matanë një tavoline Hajrica. I solla, ja ku e keni të gjithë dokumentacionin faqe për faqe. Hajrica, e mori fletëparaqitjen e projektit, që për ta arsyetuar veten e kishte ndarë me kohë, por padashtas e pash se, e kishte ngatërruar edhe me dokumntacionin tjetër të manifestimit. E zbuloi veten para meje pavetëdije si shkrimtar. Unë u shtiva se nuk pashë gjë me sy në atë zyrë. Në rregull, ky është programi, por jo këtë vërtetim nga Regjistri qëndror, por një vërtetim tjetër, ja mu si ky që kam unë mbi tavolinë. E, marrëveshjen me hotelin, ku e keni, zotëri? Zonjë, i them: unë u jam përmbajtë kërkesave të konkursit. Askund, nuk figuron një gjë e tillë në konkurs. Po, të doni, ja shikoni konkursin. Hajrica e zgjati qafën bashkë me kokën. E pashë se, Hajrica nuk e kishte lexuar as konkursin. Mirë, po statutin ku e keni të Shoqatës?! Zonjë, në konkurs nuk kërkohet edhe statuti. Tekefundit, ne nuk jemi Lidhje e panjohur për ju si ministri pa adresë, veprojmë dhe punojmë në këtë shtet të “përbashkët” mbi njëzetë vite si institucion. Hajrica nga zemërimi u bë tymeflakë. Nuk pata rrugë tjetër, dola jashtë duke ia përplasur derën dhe duke e lënë me pasqyrë në dorë në mesin e atij grumbulli të madh të letrave mbi tavolinë.

Tri ditë më vonë, Ministria e Kulturës e shpalli Programin në veb - faqen e vet administrative. Përçudi, mes atyre menifestime, nuk e pashë Xha Derallën. Plakun me mjekër të bardhë, që këtë grua teknefese me siguri në mes të Dimrit Madh do ta nxirrte pas Çuke ta dërgojë te prindërit si mysafire, që të shoh një ditë të bardhë. Edhe revistën letrare Stili 97, një zë i ri në letërsinë shqipe e cila krijuesve të rinj ua hapi dyert krah më krah. Sidomos, femrës krijuese shqiptare. Revistë letrare që deri më sot kishte dalë në kohë edhe më të vështira (57 numra), Hajricat e Minisitrisë Kulturës po ia zenin frymën, e ngulfatnin para syve të lexuesve. Mes atyre emrave nuk e hasa as emrin e një krijuesi të burgosur politik, Safet Hyseni. Mëkot e kërkova edhe emrin e një krijuesi tjetër kërçovar, Xhelal Ademi, që vite me radhë mu si në kohën komuniste edhe sot ia merrnin të drejtën e botimit. Edhe Begzat Rrahmanin me krijuesë të tjerë kërçovar, që sipas konkursit kishin konkuruar me projekte personale. Kotnasikoti e kërkova me sy edhe vendasin e tyre, Remzi Salihun. Bujar Gania Plloshtanin të fsheur mes atyre projekteve. Përçudi, nuk ma zuri syri as Fadil Currin me shtëpi në Shkup. Shkrimtarin e përndjekur ende pa nënshtetësi, edhe pse i rritur dhe shkolluar në Shkup me diplomë universitare të “Shën Kirili dhe Metodi”. “Irredentistin e rrezikshëm”, që gjatë Luftës së fundit të Kosovës (1999), policia maqedonase pas një nate që e kishte marrë në ”bisedë informative” nga Shkupi e depërtoi në Kosovë mes bandave kriminele serbe. Jo, në vend të tyre e hasa një aktor të “vëllazërim-bashkimit”, që edhe ky kur  kishte parë katundarët e tij se si me libra e pushtojnë Ministrinë e Kulturës, turr si kolegët e tij aktorë Bit-Pazari, kishte vendosur të bëhet shkrimtar. Dramat e tia arnë përmbi arnë t’i vë edhe në skenë. Kulminacioni artistik, t’i botojë edhe si libër. Sytë filluan të më dhëmbin nga emrat e sojit anonim të Katundit Madh të “shkrimtarëve”. Anëtari i komisionit kishte qenë nga Katundi Madh i tyre dhe e kishte mbushur programin me “vepra” të arnuara leckë përmbi leckë nga letërsia botërore. Që, po ua hoqe emrat nga ballina, të duket se librat e tyre i ka shkruajtur vetëm një autor. Realiteteti, bota sot për sot njeh vetëm kërcime në letërsi. E, jo “shkrimtarët”, që me përjashtim të dy - tre emrave, ende janë nën nivelin e krijuesve të mirënjohur shqiptar: Sadudin Gjura,  Mehmadali Hoxha, Nexhat Pustina, Abdylazis Islami e Murat Isaku. Nuk u zemrova me Hajricën, ecejaket në Minsitrinë e Kulturës paskan edhe përfitime. Faleminderit Hajricës, përndryshe nuk do të kishte lindur ky shkrim i gatuar me kaq zjarr artistik. Përgëzime!

Fajin nuk e ka Ministrja e Kulturës, po Ali Ahmeti me shokët partizanë krah për krahu me Shoqatën e Botuesve Shqiptar dhe Lidhjen e Botuesve Shqiptar, që këtyre të arratisurve ua ka hedhur nga një asht para këmbëve. Goditja kulturës dhe Letërsisë Shqiptare nuk i vjen nga pala maqedonase, por nga mashat tinëzare shqiptare. Metodë e njohur kjo historike, siç thotë populli: hidhe gurin dhe fshihe dorën! Vite me radhë duke nëpërkëmbë kulturën dhe librin shqip. Herë me Hoxhë, herë me Tollumbaxhi e herë me rrugaçë Bit-Pazari (Askushë), që në jetën e vet nuk kanë hedhur në letër ndonjë varg, as rresht në fletore, partitë shqiptare në pushtet u japin guximin që si anëtarë komisioni të vendosin për kulturën dhe Letërsinë Shqiptare. Fatkeqësia, të ulen ballë për ballë me dy shkrimtarë të palës tjetër maqedonase, në një tavolinë. Kulminacioni i ironisë, njëra shoqatë e sulmon Ministrinë e Kulturës e tjetra i delë në mbrojtje në mjetet e informacionit. Fenomen i çuditshëm shqiptar, që ndodhë vetëm në mesin e këtij populli. Përndryshe, për nga veprimet kulturore të këtyre shoqatave, kape njërën dhe bjeri tjetrës sa të mundesh me të dyja duart nateditë. Fajin duke e kërkuar te pala tjetër, e jo te vetëvetja që vite me radhë janë duke organizuar vetëm pazare e “karavane të librit”. Përçajnë botuesit shqiptar në dy shoqata botuese, kur ne në IRJ të Maqedonisë nuk kemi shtëpi botuese as për një shoqatë. Tri-katër shtëpi botuese më në zë i kanë shqiptarët në këtë Shtet, të tjerat dalin në skenë vetëm kur partia e tyre vjen në pushtet ose ndonjë anëtar komisioni me Auto Shkolla, librari e shtypshkronja. Njëra nga këto shtëpi botuese “Albas”, moti ka heq dorë nga Ministria e Kulturës për ndihmë materiale.

O Imzot, Katundin e Madh me gjithë këta “shkrimtarë, poetë e doktorë të shkencave”, po e mbulon pamëshirë bërlloku. Kohë qorre kjo, kur sot më së shumti kemi nevojë për tollumbaxhinj e barinj të deleve, sesa për doktorë shkence e shkrimtarë…