Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Dy “11 janarët”!

| E premte, 17.01.2014, 09:13 PM |


Dy “11 janarët”!

Nga Elvi Sidheri

68 vjet të largëta (jo edhe aq në fakt)...më parë, pikërisht më datë 11 janar 1946 qe shpallur Republika Popullore e Shqipërisë (komunisto-diktatoriale).

68 vjet të tjera të gjata pas kësaj date, në ndërkohë në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare të 136 viteve të shkuara (1878), dy qeveritë e shteteve shqiptare, mblidhen së bashku për të dekretuar edhe zyrtarisht “vrimën në ujë” të takimit të tyre “historik”.

Më tepër sesa “mosvendimet historike” apo retorikat përbashkuese ose përintegruese të dyanëshme drejt Bashkimit Europian apo në NATO (deklarata që fare mirë mund të bëhen edhe pa u mbledhur së toku në godinën e shenjtë të Lidhjes së Prizrenit), përshtypje tej fasadës tunduese (për nga aspekti nacionalist) të kësaj mbledhjeje qeverish, të bën po të jesh i informuar, data në të cilën kjo gjë ndodhi.

11 janar pra!

E të thuash që më në fund pas plot 23 vjetësh dhe dy dekadash e ca demokraci, po nisnim t’i harronim apo së paku ia kishim “dorëzuar” harresës më të thellë, këto datat enveriste model “11 janari”...”29 nëntori”...”8 nëntori”...”10 korriku” e kështu me rradhë.

Për fat për shembull, unë vetë megjithë ndonjë njohuri sipërfaqësore lidhur me koordinatat e “Shtëpisë së Partisë” (ku emisarët e druzhe Titos, direkt të ardhur ekspres nga Beogradi, themeluan Partinë Komuniste gjasme “Shqiptare” si satelit dhe bijë të nënshtruar të mëmës së saj sllave)...në Tiranë, deri tani kurrë s’e kam ditur fiks se ku e flamosura në fjalë, do të jetë ndodhur me saktësi.

S’e kam patur idenë dhe në të njëjtën kohë, kjo është gjëja e fundit për të cilën mund të më grishet sadopak kërshëria gjithësesi!

Po aq kam patur fatin e jashtëzakonshëm që atë shallin e  “Pi(rdh)onierëve të Enverit” të mos t’a vë praktikisht fare.

Kjo ndërsa faleminderit Zotit, në Tiranë kishin nisur me vrull ndryshimet demokratike dhe kjo ceremoni e pështirë besnikërie ndaj një kërrme gjakpirëse që i pati kthyer patkonjtë nga dielli, po e humbte peshën dhe rëndësinë, ndaj dhe mësuesit tanë, nuk para e vinin së tepërmi ujin në zjarr për të na detyruar neve nxënësve të mitur, që të respektonim këto pseudo-rregulla.

Kujtoj ende mëngjeseve në oborrin e shkollës edhe kryepatetizmin monist që akoma rezistonte atë kohë (qysh nga 1991-shi e lanë pasdore përfundimisht bashkë me tërë budallëqet e tjera të trashëguara nga sistemi)...pra recitimin nga një zë zakonisht tejet i përdëllyer e...”Në luftë për çështjen e Partisë jemi gati”.

Neve supozohej që do të nevojitej të përgjigjeshim ashtu si edhe mjaft breza të tjerë para nesh me një gjëmim të fortë zërash fëminorë të bashkuar: “Gjithmonë gati”!

Por në të vërtetë aq herë sa kjo iniciativë pas dhjetorit 1990 u ndërmor nga drejtuesit e shkollës tonë, përgjigja jonë nxënësore për këtë thirrje besnikërie kundrejt Nënës (cazë të përdalë dhe shushunjë) Parti...konsistonte vetëm në shumë kollitje të shtira apo kruajtje zërash në kor.

Mbaj mend të kemi patur edhe një copë bust të Shokut Enver në hyrje të hollit të shkollës sonë po ashtu.

Merhumi dukej dhe në fakt i bënte seriozisht konkurrencë dhe mëtonte edhe që t’a linte vazhdimisht në hije, pikturën e varur në mur të rilindasit të njohur, emrin e të cilit mbante dhe mban ende sot e kësaj dite me nder dhe krenari ajo shkollë në mes të kryeqytetit tonë.

Se nga vajti ajo statujë (gjysëmbust) e xhaxhit Enver, s’u mor më vesh ndonjëherë, por fakt është që askujt (nxënës e mësues), mungesa e tij, nuk i bëri më asnjë përshtypje dhe jeta vazhdoi në rrjedhën e saj pa “shalle pionerësh”...”Betime besnikërie ndaj Partisë” apo “Buste Enverësh”!

Me kalimin e viteve, ajo që m’a kujtonte akoma dukshëm praninë e idiotësive të para 90-ës, pati mbetur e kufizuar tek citatet e shkruara mureve të pallateve nëpër lagje të cilat i flisnin popullit (ushtar) për vigjilencë të lartë e gjëra të ngjashme.

Ka ende në Tiranë për shembull pallate ku lexohet “PPSH” mbi një faqe të tërë të godinës (pasi ndoshta tullat e përdorura për këtë qëllim, kanë pasur ngjyrë tjetër nga ato me të cilat është ndërtuar gjithë ndërtesa).

Koha bën gjithnjë të vetën dhe besoj e jam bindur se të mos ishte për tentativa artificiale që synojnë riaktualizimin (nga dera kryesore apo dritarja anësore e pse jo...edhe oxhaku)...e datave dhe reminishencave të tjera moniste, atëherë pluhuri i harresës dhe përçmimit popullor, do t’i kishte varrosur njëherë e mirë këto ngjarje.

Por kampingjet dhe festat “rinore” në Pezën (heroike), 29 nëntori që bashkë me Natën e Bardhë bëhet gjithçka, që të marrë më shumë peshë dhe rëndësi sesa vetë 28 nëntori i pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Vlorë 1912 e Krujë 1443, tani edhe 11 janari që hyn me prepotencë shpotitëse brenda shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, veshur me petkat e mbledhjes “historike” (Për çfarë?...Cili vendim specifik do të mbahet mend nga kjo mbledhje?), të bëjnë të reflektosh dhe të gjykosh ndryshe.

Po qe se lidhur me 28 apo 29 nëntorin, mund të ketë dualizma dhe mendime divergjente që nuk bien dot dakort për faktin se kur çizmja e fundit gjermane ka lënë realisht Shqipërinë, sidoqoftë për 11 janarin do të ishte e hamendësueshme që të ekzistonte në kushte demokracie (kur bashkërisht, sa për sy e faqe së paku, me përjashtim të ndoca nostalgjikëve të lajthitur...kushdo krah politik monizmin dhe krimet e tij i dënon ose bën sikur)...një gjykim unik nga çdo anë.

Ja për shembull, a nuk e lejonte axhenda “tejet e ngjeshur” qeverinë tonë, që të spostohej me autobuz apo pajton me kalë ose edhe në këmbë porsi atletë maratonomakë...drejt Prizrenit për të takuar homologët e tyre të qeverisë motër të Kosovës, në një çfarëdo date tjetër, përveç këtij 11 janarit?

Nuk takoheshin dot për ditë të diel këta të qeverive tona shqiptare (e ka dhënë edhe Perëndia, pasi punoi plot 6 ditë për të krijuar botën dhe njeriun, si ditë pushimi fundja të dielën, fiks për t’u mbledhur dhe pirë një kafe bashkë, bërë një dorë bisedë, mbajtur nja dy-tre fjalime publike dhe dhënë aty-këtu intervista për median, siç ndodhi me përpikmëri në fakt të shtunën me 11 janar 2014)?

Po të premten me datë 10 nuk mblidheshin dot?

Po të martën me datë 14 ose të premten me datë 17 janar (në kujtim edhe të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit në vitin 1468)?

Nga 31 ditët e muajit janar të këtij viti ku sapo kemi hyrë, vetëm data 11 ishte e lirë kështu?

Çfarë ishte, ndaloheshin vizitat tek shtëpia e Lidhjes së Prizrenit në ditë tjetër ndoshta?

Parashikoheshin reshje të mëdha bore dhe mjegull e dendur në Morinë, aq sa autobuzat tanë qeveritarë të mos e përballonin dot sfidën e motit të ashpër të atyre anëve?

Nga 365 ditë që ka një vit, fiks për 11 janar doli nevoja dhe rasti që të bëhet ky takim i parë i përbashkët i dy qeverive shqiptare?

Sa i bien kaq gjatë, pse nuk e bënë me 16 tetor (për lindjen e merhumit) apo me 8 nëntor për themelimin e Partisë atëherë?

Përse të stërgjaten kaq shumë anash e anash dhe të mos dalin direkt në temë në fund të fundit?

Kulmi sido që të jetë nuk është edhe aq thjesht tek kremtimi i kamufluar i një date diktatoriale si shpallja e Republikës më 11 janar 1946 (shpallje pa asnjë referendum siç ndodhi për shembull në Itali ku opsioni monarkik humbi me 2 milionë vota ose pa votim të lirë në ndonjë parlament demokratik)...që i shitet publikut sikur të jetë në të vërtetë një takim i përbashkët mbarëshqiptar i dy qeverive të shteteve tona.

Problemi dhe fyerja parësore që i bëhet sa vetë kujtimit të Lidhjes së Prizrenit, aq edhe inteligjencës së popullit shqiptar, qëndron në faktin që pikërisht kjo datë e ngarkuar plot simbolikë monisto-diktatoriale, pra 11 janari 1946...lejohet të futet me hundëpërpjetësi, në ambientet e godinës ku në 1878-ën patriotët shqiptarë nga të gjitha trojet tona, qenë mbledhur për të shpëtuar atdheun nga vendimet famëkëqija të Kongresit të Berlinit.

Dikush tashmë nevojitet të dalë dhe të propozojë zyrtarisht që tani e tutje, ajo godinë të mos njihet më vetëm si shtëpia e Lidhjes së Prizrenit më 1878-ën, por edhe si vendi ku në 2014-ën, një datë pjellë e diktaturës më të egër dhe shtypëse që ka njohur Europa...si 11 janari, u tentua ditën për diell që të rehabilitohet dhe përditësohet (“update-ohet” siç do të thoshin të rinjtë e sotëm internetas) duke shkelur paturpësisht mbi vlerat e përjetëshme të patriotëve të cilët 136 vjet më parë morën armët për atdhe duke ndezur flakën e parë të bashkimit mes shqiptarësh, që pas Besëlidhjes së Lezhës.

Si t’a quajmë tani?

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit dhe ngjalljes së 11 janarit gjë?

A nuk është turp diçka e tillë?

Tanimë do të kujtojmë bashkë me delegatët dhe burrat e Lidhjes së Prizrenit, me Abdyl Frashërin e Hodo Pashë Sokolin dhe mbrojtjen e Hotit, Grudës e Gucisë, Janinës e Çamërisë në 1878-ën...edhe 11 janarin 1946-ës të risjellë të kontrabanduar në 2014-ën tinzash brenda një takimi historik kabinetesh të përbashkëta ndërshtetërore shqiptare gjë?

Çfarë na pengon atëherë që të supozojmë se edhe me datë 8 nëntor, të themi që nuk do të shpiket ndonjë takim tjetër ose festa e vjeshtës, e gështenjave apo e rakisë së manit, mjafton që ajo datë në fjalë, të përkujtohet në njëfarë mënyre.

Kurse me 16 tetor fare mirë mund të krijohet ndoshta tradita e një koncerti, aktiviteti sportiv apo gjithçkaje që t’a bëjë edhe atë datë të kremtueshme me trajta të tjera nga origjinalja (ditëlindja e monstrës), por gjithësesi të festueshme për ndonjë arsye, sa për të mos u harruar sidoqoftë!

Që të mblidhen bashkë qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, s’do shumë mend të thuhet se është përherë gjë e mirë, kjo kuptohet.

Të lirohen tregtarët shqiptarë nga secila anë e kufirit ndërshqiptar, nga taksat dhe pengesat apo vonesat artificiale, të stimulohet bashkëveprimi ekonomik mes dy shteteve të të njëjtit gjak, vetëm të mira mund të sjellë për banorët e të dyja vendeve tona.

Po ashtu që të eliminohen tërësisht edhe barrierat formale kufitare, procedurat e mërzitëshme e anakronike midis dy shteteve të të njëjtës kombësi (më lehtë kalojnë francezët në Gjermani dhe anasjelltas, sesa shqiptarët e të dyja anëve të kufirit për në Shqipëri apo në Kosovë ndërkohë)...dhe që për shkaqe të tilla madhore të takohen dy qeveritë tona...edhe kjo në rregull është.

Më pas le të zënë karriket e vendet ku janë ulur dikur patriotët e Lidhjes së Prizrenit apo ku kanë ndejtur Ismail Qemali dhe anëtarët e qeverisë së tij të pavarësisë në 1912-ën në Vlorë, kjo gjë pak rëndësi dhe shumë simbolikë ka dhe paraqet.

Puna është që herë tjetër, do të bënin mirë që të shmangnin ca data nga 1941-shi e këtej, të cilat kanë pak si shumë të bëjnë me binomin e ndritur legjendar “Parti-Enver”!

Në atë pikë takimet ndërqeveritare le t’i realizonin si dhe ku t’ua kishte ënda pastaj.