E enjte, 18.04.2024, 05:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Merita Halili, në Kongresin Amerikan, i pari koncert shqiptar

E hene, 02.06.2008, 07:17 PM


Merita Halili
Nga Anila Mema

Ka gati 13 vite që jeton në Amerikë, por këto vite për të kanë qenë vite pune, vite sakrifice, dhe eksperience. Të tria i ka përfituar dhe jo vetëm. Sot ka arritur të vlerësohet po aq sa edhe dikur në Shqipëri. Është fjala për këngëtaren e mirënjohur të muzikës popullore, Merita Halili, e cila gati brenda një viti është rikthyer për të dytën herë në kryeqytetin shqiptar. Herën e parë për “Sofrën Tiranase”, tashmë për një tjetër sofër po tiranase, për një gëzim familjar. E pas kësaj, të tjera skena të rëndësishme e presin në Amerikë. Fillon në datën pesë qershor në Manhattan një koncert në “Hillo Ballroom”, e më pas në “Kenedy Center” në Washington Dc e madje në evenimentin më të rëndësishëm, në Kongresin Amerikan, ku për herë të parë do të interpretojnë live për gati një orë në shqip, Halili e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Raif Hyseni në fizarmonikë dhe orkestra e tij. Janë projekte të rëndësishme po aq sa edhe ato që kanë dhënë deri më sot, po aq sa edhe familja e fëmijët. Veç jo më pak mbetet Shqipëria për këngëtaren e njohur. Një recital në Shqipëri do ta bënte të ndihej e lumtur. Megjithatë i duhet kohë.
Për të gjitha këto aktivitete, të gjitha këto projekte Halili i tregon në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”.

Vitet e fundit ardhjet tuaja kanë qenë më të shpeshta, kanë arsye padyshim?

Po, patjetër. Vjet erdha për “Sofrën e Tiranës”, më ftoi kryetari i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj gjë që e vlerësoj mjaft, pasi i kisha munguar për kaq shumë vite kësaj sofre dhe gjithashtu më ka munguar po kaq shumë. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme që unë mora pjesë në këtë eveniment që krijuam. Ndërkohë, ajo vizitë pasoi me një tjetër eveniment, gjithashtu vjen nga familjet e vjetra tiranase, që duan të ruajnë traditën. Jemi të ftuar në një gëzim familjar, Ilir Tafaj martohet dhe ne kemi ardhur për të qenë të pranishëm me muzikë.
 
Si kanë qenë këto vite larg Shqipërisë?

Unë do t’i quaja vërtetë vite pune, vite sakrifice, dhe eksperience. Janë tri gjëra të rëndësishme, të punosh s’është e thjeshtë, të krijosh eksperiencë të re dhe sakrifikosh.

I keni përfituar të tria?

I kam përfituar të tria, por Amerika më ka mësuar edhe diçka tjetër po kaq të rëndësishme, lirshmërinë që njeriu duhet të ketë për jetën. Lirshmërinë pa pompozitete, pa fryrje e gjëra të tilla. Në një kohë që unë kam ik pa fryrje nga Shqipëria.

Si ka qenë largimi nga Shqipëria. E kujtoni?

Sigurisht e kujtoj. Ka qenë fundi i korrikut kur jam larguar. Vajzën e kisha të vogël, 6 vjeçe ndërkohë kam qenë edhe tre muaj shtatzënë me fëmijën e dytë. Ishte e vështirë dyfish për mua të shkoja në vend të huaj, të emigroja. Por kjo ndodhi. Pavarësisht se vështirësitë hasen që në fillim me gjuhën për një njeri që e nis çdo gjë nga fillimi. Unë do ta them sepse kjo është realitet, në muajt e parë të them të drejtën gjithmonë kam derdhur lot, pastaj avash-avash ia mora dorën dhe fillova t’ia dilja mbanë.  

Pse keni derdh lot, nostalgjia, familja...çfarë?

Kam derdhur lot, se lash vendin tim. Qaja jo se më shtyu dikush që ta lija këtë vend dhe të ikja në Amerikë, por nga malli, kisha filluar një jetë të re dhe lashë një jetë tjetër mbrapa. Për këtë. Pak edhe nostalgjia bënte të vetën, familjen nuk e kisha pranë, shoqërinë, isha shumë larg tyre.

Ç’morët nga Shqipëria veç eksperiencës në muzikë?

Mora eksperiencën e madhe nga Shqipëria, pasi ika e formuar si njeri, si këngëtare sepse ika në moshën 29-vjeçe dhe mendoj që Shqipëria më dha vërtet eksperiencën e atyre viteve që punova në Ansambël, me të cilën u prezantova në botë. Ndërkohë, në Amerikë mora një eksperiencë tjetër, që nuk e kisha krijuar në Shqipëri. Dhe kjo më ka bërë shumë mirë për veten time.

Nëse rikthehesh pas në kohë, çfarë do vlerësoni nga ajo që ju ka dhënë Shqipëria?

Në Shqipëri, vlerësoj shpirtin, sepse me shpirt kam ikur dhe përsëri mendoj dhe më dhemb.

E pas këtyre vështirësive, të pashmangshme, ka ardhur edhe përfshirja juaj në botën e artit. Si ka qenë ajo?

Fillimet e para, kuptohet komuniteti mua më ka njohur që në Shqipëri. Ky ishte favor për mua. Kam nisur të këndoj në këtë komunitet në aktivitetet të ndryshme si private ashtu edhe nëpër mbrëmje që organizoheshin atje. Kështu më pas shumë muzikologë amerikanë që kanë njohur artistë nga e gjithë bota, filluan të vinin dhe të na ndiqnin në këto aktivitete. Nuk mund ta quaj rastësi, por dhe mund ta quaj rastësi, pasi aty ka filluar pikënisja e bashkëpunimit me Amerikën, me këta agjentë amerikanë, që kërkonin të përzgjidhnin artistë të mirëfilltë nga Shqipëria. Ata vlerësuan ornamentet që unë përdor, zërin gjithashtu dhe prej atëherë më kanë futur në rrjetin e aktiviteteve botërore gjithmonë.

E kujtoni ngjitjen tuaj të parë në skenë, por këtë herë jo në Shqipëri, në Amerikë?

E kujtoj shumë mirë dhe me shumë emocion. Bëhej fjalë për një koncert në një skenë në Bronks, në kopshtin botanik të tij në Nju Jork. Aty mbahej Festivali Ndërkombëtar i Botanikës dhe aty ne kemi përfaqësuar folkun shqiptar. 

E më pas?

Më pas ishte përsëri një festival tjetër që u zhvillua po në Kuinz. Aty më kujtohet që erdhën media të ndryshme amerikane. Kishin dëgjuar për një grup shqiptarësh që këndonin muzikë të mirëfilltë popullore shqiptare, sepse krahas interpretimit (amerikanët nuk e dinë gjuhën tonë) gjithmonë gjënë e parë që i tërheq është muzika, zëri këngët e bukura të interpretuara. Repertori që unë kam kënduar atje ka qenë në një gamë shumë të gjerë. Kam kënduar këngë shumë të larmishme nga të gjitha krahinat dhe kjo ka bërë që spektatori t’i duartrokasë. Por veç tyre më shumë i ka tërhequr kostumi popullor qytetar që unë kam veshur dhe për këtë kanë shkruar shumë në gazeta. Më kujtohet që “New York Times”, shkruante atë se kohë se kostumi popullor tiranas 80-vjeçar ka shumë ndriçim të arit dhe argjendit. Dhe gjëja e parë që më pyetën ka qenë sa vjeçar ishte ai kostum?

Ku qëndron sekreti i kësaj “hipnoze” me publikun amerikan?

Eksperienca ka bërë punën e vetë. Për të huajin është shumë mirë që të lexojë dhe gjithashtu të dish ta lexosh spektatorin. Të dish për kë po këndon, përballë kujt audience je. Por mendoj se sekreti i gjithë kësaj është se përveçse vlerës që ka muzika jonë folkloristike shqiptare është edhe mënyra se si konservon një publik që nuk e di traditën tënde, historinë tënde, kulturën tënde. Ne arritëm t’i bëjmë për vete amerikanët, sepse kemi bashkuar muzikës shqiptare dhe atë të Kosovës. Im shoq, Raifi, që është edhe fizarmonicist është nga Kosova dhe ka bërë kolegjin në Amerikë ku ka pasur kontakte me muzikantë të ndryshëm, muzikologë dhe etnomuzikologë, antropologistë. Kështu jemi vërtetë dy artistë me kultura të përbashkëta, por më të forcuar me njëri-tjetrin.

Pas këtyre peripecive të para kur ka qenë momenti që ke thënë po, këtë kemi dashur?

Që në prezantimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Botanikës, dhe tjetri ishte në Linkoln Center në vitin 1998, ku kemi kënduar para pesë mijë vetëve. S’u besoja syve dhe aq më tepër që të gjithë ishin amerikanë. Dhe aty ne thamë: Kjo ishte ajo që duhet. Atë kohë vazhdonin ende gazetat më prestigjioze që vinin në shtëpi, që nga “Star Leger”, “Daily News”, “New Jork Post”, “Washington Post”, të gjitha mblidheshin dhe kërkonin të prezantonin informacion për dy artistë që kishin ardhur nga Shqipëria. Dhe pas kësaj mendoja se vërtetë ne shprehëm vlerat e folklorit tonë dhe u bëmë pothuajse ambasadorë të muzikës popullore shqiptare. Dhe për këtë ndihem shumë krenare.

13 vjet në Amerikë, keni kontakte me artistët shqiptarë aty dhe cilat janë lidhjet tuaja me ta?

Zakonisht artistët takohen me njëri-tjetrin, bashkëpunojnë, por e veçanta e kësaj pune është që në komunitet ne kuptohet, do kënaqim zemrat e shqiptarëve të komuniteteve nga të gjitha vendet ku ata janë. Në rang botëror unë e quaj që ne po konkurrojmë me artistë botëror. Ndërsa me shqiptarët nuk e quaj konkurrencë, unë po bëj një punë që duhet ta bëj, çdo njeri punon në zanatin e tij dhe për këtë i vlerësoj të gjithë, sepse gjithsecili në mënyrën e vet jep kontributin e tij. Ndërsa lidhjet e mia me ta janë shumë të mira, me kolegët dhe koleget e mia, pasi nga natyra jam shumë natyrë e dashur dhe me shumë humor.

Me kë prej tyre keni shoqëri më të ngushtë?

Shoqet më të mira të miat, ato që dua i kam më larg. Por në përgjithësi mundohem të ruaj marrëdhënie të mira dhe të jem afër me komunikim të ndryshme me e-maile, telefona.

Çfarë skenash ju presin pas Shqipërisë?

Kemi tri koncerte të rëndësishme pasi të kthehemi në Amerikë. Në 5 qershor kemi një koncert në Manhattan, ku do të marr pjesë një orkestër kubaneze një Dj indiane dhe ne me muzikën shqiptare. Në datën 18 qershor për herë të parë në qendrën më të njohur në Washington DC në “Kenedy Center”, orkestra e Raifit së bashku me mua për herë të parë do të japim koncert. Po aq për herë të parë në historinë e muzikës shqiptare do paraqitemi në Kongresin Amerikan live për një orë me një koncert të veçantë, aty ku s’ka pasur ndonjë shqiptar që të ketë bërë koncert. Koncerti tjetër është më 12 korrik, kur do të mbahet festivali i Fizarmonikave Shqiptare në Manhattan ku do të jetë i pranishëm Raifi me orkestrën e tij.

Mund të na tregoni diçka më tepër për koncertin në Kongresin Amerikan, sa orë do të këndoni, me çfarë repertori, për çfarë audience?

Do të këndojmë për gati një orë me një repertor me këngën shqiptare në librarinë e Kongresit Amerikan, libraria më e madhe në të gjithë botën me 4 milionë libra. “World Music” na ka njoftuar që një vit më parë për këtë koncert. Repertori do të jetë i kategorive të ndryshme, por shumë specifik, shumë profesional. Duke nisur nga jare të ndryshme shqiptare deri te këngët e Shqipërisë së Mesme, të Veriut, apo Jugut. Do të shoqërohem nga orkestra ose ansambli i vogël i Raif Hysenit dhe do kemi një larmi këngësh ku do shprehen të gjitha vlerat e kulturës dhe folklorit shqiptar.

Sërish me kostumin tradicional e veshur?

Po padyshim që do të vishem me kostumin tradicional qytetar të Tiranës. Për amerikanët gjithmonë vishem me atë kostum që tani i ka kapur thuajse një shekull, ndërsa në aktivitetet e tjera në komunitete shqiptarësh vishem sipas rastit. 

Si i krijoni këto kontakte, keni menaxher apo thjesht ju bëhen ftesa?

Është qendra “Word Music Institut”, menaxherja jonë që na cakton koncertet vjetore që ka, me gjithë artistët e botës. Nga kjo qendër ne kemi qenë në Broduej dy orë live, dy herë në Linkoln Center. Ndërsa kur bëhet fjalë për koncerte në Shqipëri apo evenimente me shqiptarë padyshim që i zgjedhim vetë.

Çfarë repertori përdorni në Amerikë?

Varet. Por mundohem të këndoj këngë nga të gjitha krahinat, përmetare, beratase, vlonjate, gjirokastrite, shkodrane, tropojane, kosovare, maqedonase, struge, dibrane, varet si është edhe spektatori. Ndërsa nëpër koncerte që japim për festivale të ndryshme, mundohem të gjej këngë që janë vërtetë të kapshme për spektatorin. Bëj një gërshetim këngësh.

Do të riktheheshit në Shqipëri për ndonjë koncert recital?

Do të kisha shumë dëshirë të rikthehesha, me kënaqësinë më të madhe, por kjo derisa t’i plotësoj kushtet, sepse kuptohet duhen menaxhime të ndryshme. Unë dua që koncerti të mos jetë i formuar vetëm në një orkestrinë të vogël, do më duhet formacion më i madh, njerëz që të kem në skenë, dhe për këtë duhet punë. Pak rëndësi ka nëse do të jetë në Teatrin e Operës e Baletit apo në Pallatin e Kongreseve. Thjesht me rikthimin do sillja buqetë me këngë nga repertori im.

Në Amerikë folku shqiptar më bën më të përgjegjshme

Muzika shqiptare sot, aty ku këngëtarja e njohur e ka lënë, pas largimit në Amerikë i duket më e mirë, me muzikantë po aq të mirë. Por këngëtarja nuk hedh poshtë edhe faktin se të bësh muzikë tani është pak më e lehtë sesa në kohën kur ajo ka kënduar vetë në skenat shqiptare dhe e ka kultivuar këtë muzikë. “Ka avancuar teknologjia, veglat elektronike janë më shumë. Por do doja dhe do thosha jo si këshillë, që këngëtarët të ruajnë vërtetë vlerat, ashtu si ruajmë me fanatizëm neve vlerat e këngëve shqiptare. Të ruajnë vërtetë folkun shqiptar dhe mendoj se shumica e kanë filluar të nxjerrin në pah këngë të vjetra që i kanë përpunuar, duke lënë të kuptosh se edhe pse e harruar kënga përsëri jeton. Për këtë i vlerësoj shumë këngëtarët”, shprehet Merita Halili. Pavarësisht se turbo folku në muzikën shqiptare ka bërë të vetën ajo shton se, me hapjen e kufijve kjo është një krizë ballkanike. “Edhe bullgarët, edhe shqiptarët, edhe grekët e kanë këtë lloj krize se janë huazuar në të gjithë Ballkanin. Vetëm kanë ndryshuar gjuhën, por kënga është e njëjta. Është një fazë që edhe kjo do kalojë së shpejti”, thekson ajo. Ndërkohë për veten shton se duke qenë larg mundohemi të ruajmë më shumë vlerat tona. “Në Amerikë njihen të gjitha rrymat muzikore. Nëse do përfaqësosh denjësisht këngën shqiptare, për të cilën unë kam përgjegjësi nuk mund të këndoj tjetër veç këngëve të mirëfillta shqiptare që të dukem sa më e veçantë. Kjo më bën më të përgjegjshme”, shprehet Halili.

“Veç muzikës, jam nënë dhe grua e mirë”

Bashkë me Raif Hysenin, bashkëshortin e saj, këngëtarja e njohur e muzikës popullore kanë vite që bashkëpunojnë. Me orkestrën e tij të vogël, ata marrin pjesë në çdo aktivitet që agjencia muzikore “Music world Institut” iu përzgjedh. Por si është për dy artistët bashkëshortë, të punojnë së bashku. A ndikon kjo në marrëdhëniet e tyre në punë, a ndikon puna në familje. Vetë këngëtarja na e shpjegon në përgjigjet e këtyre pyetjeve bashkë me një rrëfim të shkurtër për fëmijët e saj.

Të punosh familjarisht është mirë apo vështirë?

Kur ke edhe familjen në marrëdhënie pune, njeriu duhet të jetë edhe tolerant, qoftë edhe në shoqëri jo vetëm familje. Por në punë ne e shohim njëri-tjetrin si kolegë, nuk e konsiderojmë si bashkëshortë. Kështu e kam ndërtuar në kokën time, por gjithmonë me tolerancë pa shqetësime dhe pa i sjellë probleme njëri-tjetrit, sepse ka edhe keqkuptime, njerëz të gjallë jemi.

Ju ka njohur muzika, a po ju keni bërë bashkë muzikën tuaj?

Na ka njohur muzika dhe shumë njerëz njihen në punë mendoj. Mund të njihen dhe rastësisht, njohjet sot vijnë nga mënyra të ndryshme. Ne jemi njohur në Amerikë të dy së bashku, Raifi i binte fizarmonikës. Më bëri shumë përshtypje si muzikant, si artist i formuar dhe aty nisën ngacmimet e para, tërheqjet mes njëri-tjetrit.

Jashtë muzike si është jeta juaj, familja, fëmijët...

Duke qenë nënë ke dhe preokupime familjare. Në shtëpi unë bëj detyrën e një nëne dhe kam përgjegjësi të madhe. Jeta nuk është vetëm muzikë, këngë, art por jeta është plot me të gjitha së bashku. Ndërsa vajza e madhe është duke përfunduar maturën dhe do të shkoj në kolegj, e dyta është në klasë të gjashtë në shkollë tetëvjeçare dhe e treta është e vogël pesë vjeçe këtë vit do filloj parashkollorin. 

E keni arritur vlerësimin e dëshiruar?

E kam arritur dhe që më kanë vlerësuar amerikanët mund të them plotësisht po. Kam qenë e vlerësuar dhe më kanë mbajtur të vlerësuar akoma atje. Por përsëri njeriu kërkon nga vetja të jap sa më shumë dhe unë mendoj që kjo do arrihet shumë shpejt. Kam bindjen për më shumë akoma.


Koncertet

5 qershor: Koncert në “Hillo Ballroom”, Manhattan

18 qershor: Koncert në “Kenedy Center” në Washington DC

19 qershor: Koncert në librarinë e Kongresit Amerikan në Washington DC

12 korrik: Festivali Ndërkombëtar i fizarmonikave në Manhattan ku merr pjesë Raif Hyseni me orkestrën e tij



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora