Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Dushk për gogla

| E premte, 10.01.2014, 09:23 PM |


DUSHK PËR GOGLA

NGA KALOSH ÇELIKU

Njësiti policor “Alfa”, mori aksion për konfiksim të mjeteve piroteknike nga ana e shitësve të rregulltë në Bit-Pazar. Pamjet, ishin një kaos i vërtetë, ndërsa është vërejtë masë e madhe qytetarësh të cilët mbetën të frikësuar tek sa rridhte aksioni policor. Situata u tensinua, kur njësiti policor “Alafa” shkrepi disa fishekë nga automatiku në ajër. Veprim policor, që i nxehu gjakrat e disa shqiptarëve të cilët i bllokuan rrugët duke rrethuar policinë. “Heroizëm” i pashoq, për të cilin një gazetë e përditshme në gjuhën shqipe publikoi lajmin: “Alfat” pësuan fiasko në Bit- Pazar?! E, unë prisja këmbëkryq në këtë prag të Vitit Ri (2014), ndalimin e ndonjë shfaqjeje teatrore të “rrezikshme”, në Teatrin Shqiptar. Ose, konfiksimin e ndonjë pjese teatrore në Teatrin e Fëmijëve, në Bit – Pazar.

Përfundimi i kacafytjeve me bllokim të rrugëve dhe policisë, u kurorëzua me kompromis, që të ndërpritet aksioni policor dhe shitësve t’u kthehet malli i konfiksuar. Ditën e nesërme, “Babadimri” fëmijëve shqiptar në vend të librave, lektyrave shkollore, revistave për fëmijë dhe shfaqjeve teatrore, u shetë fishekzjarre me thasë.

Zyrtarisht, policia edhe konfirmoi aksionin e mbledhjes të mjeteve piroteknike. Vetëm se, edhe sot e kësaj dite nuk e di se cili polic shkrepi plumba në mes të popullit. Fushata parazgjedhore vazhdon në Teatrin Shqiptar. Drejtori thotë: “E kemi ulur çmimin e biletës në minimum dhe akoma nuk jemi të kënaqur me jehonën e publikut, ndërsa më ndodh të shoh sallatat e tjera të teatrove në Shkup plotë – me bileta që kushtojnë sa dhjetëfishi i biletës në Teatrin tonë, e përfundon fjalinë drejtori i Teatrit Shqiptar, në Shkup gjatë një interviste “ekskulzive”, në gazetën e përditshme “Koha”.

Edhe, vazhdon me “vajtimin” në intervistë: Kthimin e publikut shqiptar. Fije turpi nuk ka, lëvdohet me çmimet e fituara: 8 çmime (???!!!...). Fatkeqësisht, i mjeri nuk e di se, i mungon edhe një çmim, i nënti: Çmimi i publikut.

Interesant, që të dy drejtorët shqiptar, ballë për ballë me intervista në gazetë, nuk do ta lënë pa e përmendur Ministren e Kulturës, Zonjën Elizabeta Kançevska – Milevska: Realizimin e projektit kapitull të Qeverisë së Maqedonisë: “Rikonstruimi, sanimi dhe adaptimi i Teatrit Shqiptar – Shkup. Njëherit, shprehim nderime drejtë të gjitha personaliteteve politike shqiptare që mbështetën idenë tonë dhe kontribuan në realizimin e këtij projekti me vlerë mbarëshqiptare.

Mjerim kombëtar, për një drejtor Teatri Shqiptar, që fajin ia hudhë dhe revoltohet me publikun shqiptar?! Kulminacioni i ironisë: Ndarja e çmimeve për role më të mirë dy drejtorëve (aktorëve) shqiptar: Adem Karaga dhe Muzbajdin Qamili – Muçi në Festivalin e Teatrove, në Ferizaj.

Edhe, vazhdon dalldisja kulturore shqiptare: “Gjeniu” shqiptar thotë publikisht në mjetet e informacionit, kur gazetari e pyet: Cili është vlerësimi për kulturën shqiptare në përgjithësi dhe teatrin në veçanti. “Gjeniu”, përgjigjet: Disa segmente të rëndësishme pothuajse janë shuar, mungon kritika, mungojnë revistat, mungojnë festivalet… Megjithatë, burri i botës di edhe të lëvdohet: Fatmirësisht, po rritet numri i regjisorëve, skenografëve, kompozitorëve, kostumografëve që përsosen në shkolla të mirënjohura dhe sjellin risi në skenat tona.

O Imzot, nuk e dua çekanin e “patriotëve” kuqezi që para kamerave televizive iu sulën Car Dushanit mbi “Urën e Civilizimeve”, po tokmakun e vathës të Bariut të Sharrit Plak me gunën hedhur krahëve! Mendtë njëherë e përgjithmonë t’ua kthejë  në kokë dudumëve. Delen se si, e zë me kërlug në mes të kopesë. Merreni me mend: “Gjenitë” kanë kërkuar nga Ministria e Kulturës t’ua mundësojë realizimin e tri premierave, vazhdimin e projektit: “Teatri Shqiptar në qytetin tuaj”. Amani, mosni se na kënaqët me “vlera artisike” në Shkup, dhe mos e merrni më qafë edhe publikun e harruar me vite nëpër Parti politike të qyteteve tjerë shqiptar!

“Gjenitë” nuk ndalen me kaq, kanë kërkuar mjete për të realizuar katër pjesmarrje në festivalet jashtë vendit, mes të cilëve “Festivali i Teatrove” në Loçe të Italisë. Krah për krahu me “Gjeniun” tjetër Muzbajdin Qamili – Muçi, sipas gazetës “Koha” edhe pse i punësuar në Teatrin e Dramës Shqipe, aktori Muzbajdin Qamili – Muçi, kthehet në skenën e këtij teatri pas gjashtë viteve ndërprereje, që nga koha kur ishte drejtor në këtë institucion. Dhe, kthimi i tij për të nuk ka qenë dosido, por me një rol që i ka sjellë edhe një çmim, atë për rol më të mirë dytësor në Festivalin e Teatrove, në Ferizaj me shfaqjen “Jetë me qira” të autorit Refet Abazi, çmim ky që e ndanë së bashku me aktorin Adem Karaga, i cili aktualisht është edhe drejtor i Taetrit amë.

Teatër Shqiptar ky në Shkup, që në kohën e komunizmit i luante në skenë, dramat e shkrimtarëve disidentë shqiptar: Teki Dërvishi, Ymer Shkreli, Musa Ramadani, Beqir Musliu e Anton Pashku. Shfaqje teatrore për të cilat sot na ka marrë malli, për së dyti herë t’i shohim në skenën shqiptare. Ditë e sotshme kjo, kur “gjenitë” e partive politike shqiptare gëzohen me drama të arnauara nga shkrimtarë Oborri dhe miqt e tyre familjarë të arratisur nëpër parti politike. Pavetëdije se, këto lecka artistike të arnuara arnë përmbi arnë, nuk ua sheh me sy njeri i gjallë në skenë.

Punemadhe, edhe që i ndajnë çmimet me “juri profesionale” partiake, klanore e familjare njëri - tjetrit, janë larg problemeve që i ngatërrohen nëpër këmbë me vite popullit shqiptar. Inati të vjen, kur e kthen prapa kokën dhe sheh se, këtë gjysëm Teatri në Bit – Pazar e kanë kthyer drejtorët e emëruar nga Partitë Politike Shqiptare nën nivelin e të arriturave të drejtorëve të Partisë Komuniste. Publiku kur e mbushte sallën duke ndejtur edhe më këmbë për të parë shfaqjet tetrore të asaj kohe. Bileta për shfaqje teatrore nuk kishte falas, po kishte vlera të arrira artistike.

Sot për sot, gjysmë Teatrin Shqiptar në Shkup e kanë sakatuar Partitë politike Shqiptare me partizanët e tyre partiak, dhe jo ato maqedonase me emërimin e aktivistëve të tyre profesional si drejtorë të “vëllazërim-bashkimit”. Komunizmi, vërtetë kishte censurë dhe ishte i rreptë me kundërshtarët politik (i emëronte edhe ai partizanët partiak), ama nuk ta vëndonte në krye të të pri gomari. Neokomunizmi e ka dyfishuar cenzurën, dhe në krye ta vë të të pri gomari me samarin mbi shpinë.

Suksesi nuk duhet t’i mungojë dhe faleminderimi drejtorit shqiptar, “pasi këtë vit kaluam shumë mirë”, thotë Muzbajdin Qamili - Muçi. Dudumët, që falë partive politike shqiptare, vazhdojnë edhe në Ditën e sotshme  festive (2014) me të gjitha “forcat artistike” politike të na shesin dushk për gogla…