E merkure, 24.04.2024, 09:42 PM (GMT+1)

Mendime

Arben Kastrati: Hashim Thaçit

E merkure, 08.01.2014, 07:15 PM


Hashim Thaçit: Sutor, ne ultra crepidam

NGA ARBEN I. KASTRATI

Sikur të mos kisha frikë, do të thoja që Hashim Thaci është një katundar parekselancë. Do të thoja se është një njeri përsosshmërisht i papërsosur.

Sikur të kisha guxim, do thoja se Katundari Hashim erdhi në qytet dhe (drejt) në pushtet, që assesi nuk arriti të “integrohej”. E gjitha që arriti të bëjë si kryeministër, është se arriti të shndërrohet në një Katundar të Karamelizuar, për shijen e ndërkombëtarëve.

Kryeministrin Katundar të Karamelizuar të Kosovës (4K) e zgjodhëm ne. Ai është produkt i vendimeve tona. E ne jemi këta që jemi.

Sikur të kisha guxim, do citoja Xhaxhain tim që thoshte: katundarët janë të mirë nganjëherë, por e kanë një të keqe, shtohen shumë.

Ashtu dhe e sotmja qeveri, u shtua me fshatarë shumë. Rezultati: sundimi i rurales mbi qytetaren.

(Sado që të tentosh, është e vështirë që katundarin ta marinosh. Ka diç refuzuese në përbërjen e tij. Ka një përbërje të cuditshme që nuk lejon t’i depërtojë marinimi. Dhe për pasojë, vazhdon të mbaj erë. Erë, që e bën lehtësisht të identifikueshëm.)

Më tej, sikur të mos kisha frikë, do thoja atë që në ka mësuar historia, se katundarit i është ndaluar të mendojë, madje edhe me kushtetutë, edhe me libra fetarë edhe me cdo gjë…Çdo kush përpos katundarit, ka të drejtë të mendojë. Po ne ç’menduam kur Katundarin votuam?

Sado që nga (shumë) larg dallohej shtresa e fshatarizmës në fytyrën e tij, ai njeri i gjatë, i butë, na u duk krejtësisht i papërshtatshëm dhe i padenjë për krim. Dhe me ardhjen e tij në pushtet, një epokë e errët mori fund. Dhe filloi një epokë edhe më e errët; sundimi i asgjësë pa fund, sundimi i kategorisë së rëndë të katundarizmës. Dija u shndërrua në dhimbje.

“Elita politike” Hashim-iane erdhi nga farma ose thënë më mirë, “elita politike” në Kosovën e Hashimit na erdhi nga bagëtia e bujqësia (por jo nga ajo e Naimit).

Inferioriteti është një e keqe që shumica e shqiptarëve duan ta shërojnë me sasinë e parave (dhe me pushtet). Por askush s’është aq i pushtetshëm dhe aq i pasur sa ta blejë të shkuarën e tij. E pozita s’të jep dije. Dija nuk mund të blihet me para. As nuk është sëmundje ngjitëse. As nuk merret me grip nga të diturit.

Lidership-i i ri i Hashimit me shokë shumë, na dëftoi se është e vështirë ta ndash luftën për pushtet nga ajo për liri. Lufta për pushtet paskësh qenë më ambicioze dhe me doza më të forta të fanatizmit se ajo për liri…

Fillimisht instaluan anarkinë. Pastaj i erdhi radha sundimit institucional (me absolutizëm). Për pasojë morali u shndërrua në sifiliz, që s’e donte askush. Korrupsioni lulëzoi nën patronatin e “Gjarpërit”. Ndërsa Gjarpërinjtë e shumuan dhe u pasuruan nga dështimet.

Sikur të mos kisha frikë, do thoja se të tëra mediumet dhe të tërë gazetarët (le të më falin dy-tre gazetarë që bëjnë përjashtim) u shndërruan ”në një”. Të tërë u shndërruan në evnuhë dhe invalidë (të guximit foljor dhe të shkruar). Për pasojë, edhe mediumet u shndërruan “në një” (po lexove njërën gazetë, i ke lexuar të gjitha; po lexove njërin portal ke lexuar të gjitha…).

Prandaj, kur dëgjojmë lajmet, pra kur dëgjojmë Hashimin të na flasë me një lumturi lope dhe ne duhet ta adhurojmë si një yll filmi, në këtë botë perfekte të ndërtuar me fjalë, kemi përshtypjen se ne jetojmë në vendin ku lumenjtë rrjedhin mjaltë, ku lopët bëjnë “Milka-n” e gatshme…

Së paku një e drejtë na është dhënë, e drejta për të heshtur. Ndërsa nervi ynë për t’u rebeluar e për të kundërshtuar (e protestuar) padrejtësitë, ka kohë që na ka vdekur.

***

Sikur të kisha guxim, do të kisha thënë se ai ka shterpësi mendore dhe nuk pranon ta riparojë mentalitetin (e tij). Se është një i paditur me “autoritet” (pushtet).

E karakterizon një servilizëm i paparë (deri në dhimbje) ndaj të huajve, ndërkohë që përdor metoda skajshmërisht primitive për ta luftuar e neutralizuar tjetrin (shqiptarin) për të qëndruar në pushtet…

Sikur të kisha guxim, atij dhe bashkëkatundarëve të tij në qeveri, do t’ia numëroja të bëmat, por do të ishte sikur të tentoja të numëroja çdo yll.

Sikur të mos kisha frikë, këto do të ishin disa nga arsyet pse do doja që Hashim Thaci të bënte vetvrasje.

Ti ke instaluar papërgjegjësinë, që është kryekrim. S’ke koshiencë elementare mbi atë që është publike, njerëzore, kombëtare…

Me sukses e shndërrove Kosovën në vilajetin e fundit (ekzistues) Otoman. Sepse nën tutorizmin tënd po e shkul kombëtaren dhe po e instalon fetaren.

Ti me sponsorimin e vëllait tënd Erdogan, instalove myslimanizmin ekstrem, që do duhet kohë për ta çrrënjosur (nëse s’na ç’rrënjos ai neve përpara). Për ca para dhe ca vota, ti, vëllait tënd turk (se vëllezër shqiptarë s’të kanë mbetur), i privatizove çdo gjë të mirë dhe fitimprurëse në Kosovë (për para qesharake), në emër të - vëllazërisë myslimane.

Po arrin me sukses ta barazosh fenë me kombin. Kjo është gjëja më e frikshme për kombin tonë. Liderët fetarë, analfabetë dhe jobesimtarë, e kanë nuhatur mundësinë për dominim, sundim e pushtim përmes fesë. Jo se e duan fenë (fundja ky soj as që e kuptojnë religjionin dhe as që i besojnë) por se e duan dominimin. Dhe ti po ua mundëson dhe sponsoron dominimin udhëheqësve religjiozë për të mbetur në pushtet. Ju (të dyja palët) po e keqpërdorni Demokracinë që ta shkatërroni Demokracinë.

Ne, në këtë Kosovën tënde, nga shqiptarë të robëruar u shndërruam në myslimanë të liruar.

***

Trajton marrirat si emergjenca kombëtare. Lejon, insiston dhe sponsoron konvertimin nga Shqiptar në Kosovar. Lejon dhe sponsoron tentim ndërrimin e standardit të gjuhës Shqipe (kërkesëbërësit e kësaj keqdashjeje, janë koshientë se mund të pasurohen duke shfrytëzuar situatën anarkike që mbretëron nën udhëheqjen tënde të paditur, që shitet për votë).

Kosovarët e tu apo shqiptarët e mi nga Kosova, s’kanë problem me gjuhën standarde por me leximin, as me gegërishten e as me toskërishten por me rrugaçërishten, se e gjitha që arrijnë të lexojnë sot në KS janë meny-të e restoraneve dhe buletinet sportive (në kërkim të rrugëdaljes nga varfëria, të parët janë soji yt).

***

…Dërgon në Ambasadat e Kosovës fshatarët e tu, nga fshati në Paris, Bruksel, Londër…që Europianët ta kuptojnë saktësisht (atë që tashmë e dinë) se sa primitivë që jemi.

Caktimi i ministrave qesharakë dhe katundareskë (përfshi Ministrin e Katundarëve M.K.) që financojnë jashtëqitjet artistike e kombëtare.

Asnjëherë të vetme nuk i ke përdorur e as shqiptuar fjalët art, kulturë apo krijim. Dhe as që ke shijuar një krijim arti apo kulture. Ti shijon vetëm“Sopranot”, por në realitet. Ti je ende në fazën e shijimit të gatimeve të restoranteve. Shijimi i artit nuk të ngop. Arti është diç e huaj për ty. Ti vetmjaftohesh duke bërë para për veten, familjarët dhe bashkëkatundarët (ky është arti yt), do ti thoja sikur të kisha guxim.

***

Ke stimuluar për interesa vetanake dhe të bashkëkatundarëve të tu, masovizimin e masterizimit. Prodhimi i magjistrave nëpër shkollat private është shndërruar në industri dhe është masovizuar aq sa është shndërruar në gangrenë kombëtare…

Në atë qeveri tënden mbushur me magjistra, të mungon vetëm Ministria e Korrupsionit (e legalizuar, se ekzistenca e saj nuk vihet në dyshim). Kështu, do hapeshin vende të reja legale pune, punëtorët e së cilës ministri, do të pagonin taksa ashtu sikur që paguajmë ne. Fundja ne rrojmë nën pushtimin e qeverisë sate, vetëm që të paguajmë taksa dhe gjoba.

Në këtë depresion kolektiv që mbretëron, të gjithë (me profesion) jemi shndërruar në pesimistë profesionistë.

***

Buxheti i Kosovës është aq i ulët, sa mund të krahasohet me vlerën e një futbollisti europian.

Ende s’arrij të kuptoj se si, Kosova është prodhuesi më i madh në botë i thashethëmeve, analistëve politikë, analistëve ekonomikë, analistëve…, intelektualëve, OJQ-ve e OJQ-istëve, shoqërisë civile dhe projekteve të tyre…ka ngritjen më të vogël ekonomike në galaksi…

Kosova yte është bërë prodhuesi më i madh i kicit, i patriotizmit folkloriko-tallavaistë, i tallavasë, i teksteve të këngëve, i këngëve dhe i këngëtarëve…

Injoranca, është bërë pjesa jonë më e shquar kombëtare e njerëzore (ku më shumë vlerësohen defektet se cilësitë).

Lejimi i qetë i instalimit të mediokriteteve dhe metastazimit të marrisë e primitivizmit.

Prodhimi i tradhëtarëve dhe armiqve të qeverisë sate është shndërruar në industri.

Prodhimi masiv i pohuesve (apo “Po Shef”) është shndërruar në industri.

Prodhim masiv i pasaportave që na mundësojnë të udhëtojmë lirshëm vetëm në dy “vende fqinje”, Shqipëri dhe Maqedoni.

Prodhimi masiv i “heronjëve të gjallë” me poste dhe varfërimi masiv i luftëtarëve “të rëndomtë “ për liri.

Nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë në thellësi të paimagjinueshme të dëmtimit kombëtar, është klimaksi i të arriturave tua (pasojat e së cilës kemi filluar ti ndjejmë).

***

I dashur ThaQi (kështu ta shkruajnë mbiemrin gazetarët e gazetave që ti kontollon),

ti instalove pandëshkueshmërinë në këtë vend. Eshtë krimi më i madh që i ke bërë vendit.

Sikur të kisha guxim, për në fund, do të të thoja:

Kryedështak: nëse ke merita për të shkuarën, ku e merr të drejtën ta dëmtosh të ardhmen?

Si të zhbëhet kjo situate? Ja propozimet e mia:

Një: “Sutor, ne ultra crepidam” (Kundraxhi, merru me kundrat).

Dy:  Kërce nga lartësitë e egos tënde (do mbetej në vend).

Për një gjë jam i sigurt, në epitafin tënd do të shkruhet: “Shikoni veprat e mia dhe dëshpërohuni”. Ndërsa, është marria ajo do të të bëjë të pavdekshëm.

P.S.

Sikur të kisha guxim, do të arrija ta dëftoja edhe të vërtetën time, se dy herë e kam votuar Hashimin. Për herë të parë e votova që ta rrëzoja atë tjetrin dhe për here të dytë që të mos arrinte të vinte sërish në pushtet ai tjetri. Se isha i bindur, se ai (dhe ata) që kishin luftuar për lirinë e vendit, do të luftonin dhe për zhvillimin e vendit.

Dhe kjo logjikë më bën bashkëfajtor. Më bënë - kryekatundar.



(Vota: 9 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora