E shtune, 24.08.2019, 01:15 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Lëngon apo ka vdekur familja shqiptare?

E merkure, 08.01.2014, 10:00 PM


Lëngon apo ka vdekur familja shqiptare?

Nga Elvi Sidheri

Qysh mbrëmë teksa duke soditur të rejat e kanaleve informative shqiptare, vura re me ankth dhe revoltën e zakonshme të lindur së brendshmi në të tilla raste, se në malësitë e Voskopojës (Gjonomadh) qenë shfarosur 4 njerëz të pafajshëm, më lindi pra ideja për këtë shkrim, një shkrim nga ata që asnjëherë nuk kam dashur të shkruaj!

Ndoshta për efekt të përqëndrimit tek rezultatet e zgjedhjeve të qershorit, më pas të vëmendjes së shtuar popullore lidhur me momentin e ndërrimit zyrtar të qeverive e pak më tej për shkak të frikës madhore nga armët kimike dhe misteri rreth tyre, u duk së paku në pamje të parë, se ndoshta shqiptarët në mos patën reshtur, kishin nisur sidoqoftë të vriten e theren më rrallë midis tyre.

GABIM!

Shqiptari nuk është kurrësesi nga ata që e lënë diçka në mes pa e përfunduar fundja.

Për një arsye të tillë, të një tradite që do shpënë përpara, megjithëse kjo do të thotë që të shkelet përditë mbi kufomat e viktimave të krimit të çdo lloji, mbi gjurmët e pashlyeshme të dhunës nëpër trupat apo fytyrat e gruas, nënës apo motrës sonë (së fundi edhe tek flokët e prera kafshërisht të një gruaje në Durrës), prandaj pra krimi në familje nuk gjen frerë e as të ndalur në Shqipëri!

Nuk jam specialist i fushës, megjithëse disa gjëra duken sheshit dhe paaftësia e organeve kompetente dallohet sheshit (kur krimi shpërthen anembanë vendit, cilit i bie barra dhe përgjegjësia me ligj, për t’a luftuar këtë fenomen??), sido që të jetë problemi që përherë më ka munduar dhe të cilit, unë si dhe shumë të tjerë, nuk i gjejmë dot shpjegim apo për më tepër zgjidhje, është dhuna terrorizuese dhe për fat të keq, gjithmonë e më shpesh vdekjeprurëse brenda familjes.

Vitin e kaluar menduam se i pamë dhe dëgjuam për gjithë llojet e hamendësueshme të krimit brenda familjes apo atij që gërryen prej kohësh shoqërinë tonë, por nuk qe e thënë vetëm me aq...

Fillon 2014-a dhe brenda pak ditësh në pikë të mëngjesit dhe mes të qytetit, dy kambistë i rrahin dhe u vjedhin qindra milionë lekë si pa gjë, pa u hyrë ferra në këmbë.

Më pas në vijë direkte Uji i Ftohtë në Vlorë (tashmë i njohur botërisht përveçse për bukuritë e tij të padyshimta natyrore...edhe për masakrën e vjetshme në kulmin e sezonit turistik, kur tre të pafajshëm humbën jetën për një marrëzi të dikujt të cilit të tjerë njerëz i patën ngacmuar motrën)...bëhet sërish pra i pranishëm në kronikat e zeza të mediave tona, ndërsa na u bë e ditur se dikush është vrarë për mosmarrëveshje banale lidhur me çmimin e një ambienti.

Dhe “qershia mbi tortën” vdekjendjellëse të këtyre ditëve, do të ishin tashmë edhe dy ngjarje të tmerrshme, të pakomentueshme dhe të mënxyrëshme që na bënë të kuptojmë se çmenduria dhe dhuna kolektive, në mëmëdhenë tonë, siç duket nuk kanë të ndalur.

Me siguri (dhe kjo ishte arsyeja përse po shkruaj sot)...ajo çfarë ka ndodhur në një familje me banim në Durrës, ku gruaja e shtëpisë (që siç tregohet, punon në fasoneri, këput bretkun në fabrikë me orë të tëra dhe më pas kthehet në shtëpi për t’u gatuar, për t’i larë dhe pastruar dy parazitët që e qethën me përdhunë dhe e rrahën si shtazë, duke thyer edhe televizorin me kokën e saj, siç tregonin pamjet në lajme)...do të mjaftonte dhe dilte e tepronte për të ngritur në këmbë një shoqëri të tërë dhe për t’u rënë njëherë e mirë këmbanava të alarmit lidhur me institucionin lëngonjës të familjes shqiptare.

Sot bashkëshorti i saj (fjalë kuptimplotë kjo...po të ndanin vërtetë burrë e grua të njëjtin “short”, pra “fat”, atëherë në mos të rrihej sa dhe si gruaja e tij, të paktën edhe ky shtazë...e nuk dua të fyej kurrësesi kafshët duke i krahasuar më atë burrec grua-rrahës e flokëprerës, gjithësesi do duhej qethur në publik deri në qimen e fundit për t’a ndjerë ai vetë në palcë turpin që qëllimshëm dhe me shpirtligësi ekstreme i ka shkatuar të shoqes)...thonë të ishte deklaruar jo i penduar (mos o Zot), por si i pirë xurxull gjatë aktit të goditjes dhe qethjes së të gjorës.

Kurse i biri na e pati kuptuar gabimin dhe qe i gatshëm, po t’a falte e ëma ndaj së cilës pati ngritur dorën, grushtet dhe gërshërët apo brisqet për t’ia rruar kokën si ndonjë prostitute kuislinge (nga ato që përgjithësisht me pa të drejtë u akuzuan masivisht dhe u keqtrajtuan, rrahën dhe u qethën në mes të shesheve franceze apo holandeze e italiane, për shkak të bashkëpunimit të supozuar me nazistët në 1945-ën)...të kthehej normalisht në shtëpi pra.

Që kur nuk konsiderohet më si krim i mirëfilltë rrahja dhe qethja e nënës që të ka bërë kokën kështu??

Edhe po t’a falë atë monstër 17 vjeçar e ëma e ngratë, si mund t’a lejojë shteti, pa i dhënë një dënim në lartësinë e aktit të pashembullt (dhe të paligjshëm) nënëurryes që ka kryer, që ai të vejë në shtëpinë e vet, sikur asgjë të mos kishte ndodhur?

Si mundet që në një vend ku me apo pa leje, pallatet hidhen në erë dhe gjobat e trafikut shpërndahen si karamelet për Halloween në Amerikë, me apo pa shkak (kasa shtetërore supozueshmërisht e zbrazur, do mbushur në njëfarë mënyre)...që dikush i cili ka dhunuar egërsisht dhe pashpirtësisht të ëmën, të lihet i lirë vetëm sepse kërkon të falur?

Kaq poshtë kemi rënë vallë?

Nuk do doja t’a besoj dot që në këtë pikë të pakthimtë të zhytjes shumë kilometra nën sipërfaqen e vlerave shtetërore, ligjore, familjare, tradicionale dhe shoqërore të jemi degdisur si popull sidoqoftë.

Lëre pastaj edhe shkakun e kësaj ngjarjeje të turpshme jo vetëm për atë familje, por edhe për të gjithë neve të tjerëve që një gjak dhe gjuhë e origjinë ndajmë (falna Zot) me atë burrë dhe të birin e tij.

Gruaja e dhunuar dhe e qethur në fjalë, qe vonuar paksa kur do të kthehej nga puna për në shtëpi (për shkak se kishte vajtur në lutje apo të ndizte ndonjë qiri në kishë)!

Burri i saj rrahës dhe djali i saj qethës, patën dalluar me një syçeltësi të padëgjuar, duke u kujdesur për të vërejtur secilin detaj të dyshimtë, se bashkëshortja dhe nëna e tyre, i paskërka patur flokët (që prandaj ia prenë pastaj, ngaqë ajo grua nuk meritonte më flokë mbi skalpin e kokës, pas “turpit” dhe “çnderimit” të madh që gjasme u pati shkaktuar atyre vemjeve, morrave, krimbave të halesë)...të lagura!!

Kishte shkuar në kishë, në shtëpinë e Zotit, për të bërë një lutje, për të kujtuar ndoshta të afërmit që nuk janë më pranë saj, për të recituar një “Ati ynë që je në qiell”!

Krim i madh që dënohet nga “Këshilli Sipëror i Kujdesit ndaj Virtytit Familjar”...(i shoqi dhe i biri i saj)...me dru, ”dajak” si i thotë edhe populli, me thikë në fyt, vaj të valuar në kusi (për t’a djegur të shkretën porsi shtrigat e qëmotit në turrë drush si në mesjetë) apo brisk e gërshërë në flokë.

“U tha-u bë” dhe gruaja punëtore, e ndershme, që kthehej për shtëpi pasi kishte qetësuar shpirtin në kishë, hëngri shpulla e grushta, u qeth dhe mesazhi u dha sërish, se nderi dhe emri i mirë (i burrave pijanecë, të paaftë jo vetëm profesionalisht, por edhe tjetërkund në suaza më intime, i fëmijëve të cilët mohojnë qumështin e nënës së tyre)...u ruajt edhe njëherë i pacënuar!

Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë se i joni, është një vend që mëton me shpirt dhe pasion, integrimin në Bashkimin Europian, institucion që siç dihet, i gjen rrënjët e tij, shumë përtej marrëveshje ndërshtetërore të pasluftës së Dytë Botërore në mesin e shekullit të kaluar dhe që në realitet vjen në ditët tona si një refleksion sado joperfekt, i trashëgimisë më të mirë dhe të qytetëruar e kulturuar të kontinentit tonë të lashtë (nga demokracia helene, tek Perandoria Romake, Karli i Madh, Revolucioni Francez, kapitalizmi sakson etj).

Por meqë ajo që pati ngjarë në Durrës dukej të mos mjaftonte për t’a bërë sa më të qartë përditësinë tonë tronditëse, ja mbrëmë marrim vesh sesi dikush ka vrarë 4 njerëz për ato që deri vonë paturpësisht quheshin publikisht si “motive të dobëta”!

Njërin (thonë dajën e burrit të të dashurës së vet) dhe të shoqen e tij, i pati vrarë me gjakftohtësi për shkak se ia patën zbuluar (dhe rrjedhimisht qenë përpjekur që t’ia ndërprisnin) lidhjen e tij jashtëmartesore me një grua të cilën bashkë me të shoqin e saj (antagonistin, rivalin e tij pra në këtë kontekst përfundimisht mortor)..i vrau po ashtu pa iu dridhur qerpiku.

4 persona të vrarë pra, për çfarë?-Për një palo lidhje jashtëmartesore pa vlera apo rëndësi të veçantë, që në kokën dhe trurin e shkarë e të koklavitur të një krimineli vrasës, ishte bërë shkak e justifikim për të shfarosur këdo i zinte rrugën në arritjen e synimit të tij final, ndarjen e të dashurës së tij nga burri i saj.

Autori i krimit horror, nuk qe lodhur aspak teksa i tregonte arsyet e vrasjeve policisë, që të sajonte ndonjë shkak madhor për masakrën e tij.

Jo ore, pse të mundohej tjetri?

Këta janë njerëz tejet të lidhur me romancën, zemrën e dashuruar dhe ndjenjat e thella e të purifikuara nga çfarëdolloj mërie apo urrejtje dashurore në fund të fundit, aq sa në mes të një puthjeje shkarazi apo shkelje syri cepash, kur vërejnë se dashurorja e tyre, s’e ka fare as largësisht në mendje që t’a lërë të shoqin, apo aq më tepër, kur ndonjë i afërm i burrit të saj, e merr vesh për “intimitetin” në fjalë, atëherë t’ia kërcet pushka (kallashi) dhe nuk të pushon dot derisa të ketë rrafshuar me tokën gjithëkënd qënie të gjallë të ketë përreth!

“Dashuri e dëndur...e pjerdhur e fëndur” i thonë kësaj ore popull!

Tani që po shkruaj, po dëgjoj nga radio tingujt e një kënge të bukur teksti i të cilës thotë:”Loving you, is killing me...Dashuria për ty, po më vret”!

Fjalë më të duhura rrallë janë dëgjuar në momentin më të përshtatshëm mendoj.

Janë si ato shenjat e fatit, që të tregojnë se ke të drejtë në atë që po bën.

Nuk e di a e ka menduar kështu edhe e dashura (ndjesë pastë) e vrasësit masiv të larpërmendur, kur ai pati nisur dje t’i qëllonte edhe asaj me plumbat e automatikut të tij?!

Kjo nuk është as dashuri, as ndjenjë, as lidhje normale jashtëmartesore, as zemra nuk ka të bëjë me këtë makabritet, as romanca...asgjë prej gjëje!

Kjo është një provë më tepër e prapambjetjes mendore, kulturore, zhvillimore, botëkuptimore, qytetërimore etj, etj, etj e këtyre nënspecieve jokurrizore zvarranike me trajta vetëm trupore prej njeriu, që në vitin e 2014 pas Krishtit, ende sot e kësaj dite kryejnë krime të tilla.

Si është e mundur që vendi jonë, ndërsa kemi shkelur thellë brenda shekullit të 21-të, të mbetet akoma me një këmbë (e gjysëm) brenda jo mesjetës, por edhe Kohëve të Errta, këtë gjë nuk mund t’a shpjegoj as unë e as tjetërkush shumë më i mençur!



(Vota: 20 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT