Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Lidhja Shqiptare e Prizrenit

| E marte, 07.01.2014, 09:05 PM |


KARAKTERI KOMBËTAR I PROGRAMI TË LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT, 1943

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, u dha shqiptareve programin kombëtar për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe bashkimin kombëtar, kërkesat që përbënin themelin e programeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vijim. Ato mbetën te tilla edhe në përpjekjet e mëvonshme për liri dhe shtetëformim që vazhduan si të tilla edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore po ashtu edhe pas përfundimit të saj që u përfshin në programet e lëvizjes ilegale të shqiptarëve që mbetën nën pushtimin jugosllav.

Kërkesat kryesore te Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishin : çlirimin nga pushtuesit sllav, pavarësia kombëtare dhe bashkimi i të gjitha trevave shqiptare.  Sepse, e tërë kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt tjerë. Se nuk gjendet në Evropën e sotme ndonjë komb tjetër, i cili të jetë cunguar aq rëndë, dhe që t’i jetë bërë një padrejtësi aq e madhe sa ajo që pësuan shqiptarët në përfundim të Luftës së Dytë Botërore[1].

Gjatë LDB,  në jetën politike të Kosovës u kristalizuan dy rryma politike[2]. Siç dihej në pjesën e parë hynin komunistët dhe një pjesë e vogël e nacionalistëve që u bashkuan me Lëvizjen Antifashiste të cilët shpresonin se pas luftës do të çliroheshin trevat shqiptare nga çdo zgjedhë e huaj, nga ajo nazifashiste dhe nga ajo serbo-jugosllave.

Ndërsa në grupin e dytë merrnin pjesë të gjithë nacionalistët të cilët me kohë kishin hetuar tradhtinë e madhe që po përgatitnin komunistet jugosllav, ngase përvoja historike kishte krijua bindje tjera, se bashkëpunimi i Lëvizjes Antifashiste me LNÇJ dhe PKJ do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në Kosovë dhe në trevat shqiptare. Për këtë arsye ata kërkonin të mbronin me çdo mjet kufirin etnik nga synimet grabitqare serbo-malazeze-bullgare, ndërsa okupatorin italian e gjerman e konsideronin si të keqen më të vogël në krahasim me atë që do t’u vinte pas tërheqjes së tyre[3].

Përfaqësuesit e këtij grupimi, pas kapitullimit të Italisë, dolën me idenë për thirrjen e një Kuvendi kombëtar në Prizren, i cili do të hidhte bazat për krijimin  e një organizate kombëtare, me mision të ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Sipas nismëtarëve për thirrjen e kuvendit, Xhafer Deva[4] dhe Asllan Boletini[5], ata, materializuan idenë e tyre më 16-19 shtator, me thirrjen Kuvendit të Prizrenit dhe krijimin e një organizate me të njëjtin emër, si dhe të Komitetit Qendror të saj me kryetar Rexhep Mitrovicën[6]. Lidhja që do të krijohej do të kishte një mision të ngjashëm me atë të Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte organizata më e rëndësishme politike-ushtarake në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore[7]. Ajo u angazhua deri në fund për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët dhe kjo organizatë politike e ushtarake e përcaktonte qartë vijën që duhej ndjekur për arritjen e qëllimit final të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, bashkimin e saj me shtetin amë. Dhe është e vetmja  organizatë politike e kohës e cila të gjitha pikat e saja në Statut ia kushton apo përmend Kosovën dhe mënyrat apo objektivat e realizimit të bashkimit.

Në kuvendin e parë themelues të Lidhjes (1943), me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës u vunë themelet e Lidhjes[8].

Mbështetur në frymën politike të shkrimeve autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues, fillimisht Kuvendi kishte zgjedhë kryesin prej 7 vetave, por me miratimin e Statutit ishin caktuar 14 veta. Duhet përmendur që në Kuvend me propozimin e Tahir Zajmit[9] Kuvendi Themelues kishte proklamua Bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saja dhe kishte kërkua  bashkimin edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit. Ndërsa delegati nga Gjilani Avokati Esat Berisha[10] kishte kërkua nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës së demarkacionit me Bullgarin, gjë që nënkuptonte përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Po ashtu edhe delegati nga Rugova, Sali Rama[11], kishte kërkua që Shqipërisë ti bashkohen edhe tokat shqiptare që kishin mbetur nën Malin e Zi[12].

Në bazë të vendimeve që kishte marr kuvendi i Dytë  i LD të Prizrenit, më 21 janar 1944, veç të tjerave u vendos që, në përputhje me Statutin e organizatës, të zgjerohej KQ  në 14 anëtarë dhe u miratua Statuti i organizatës së Lidhjes, i cili  gjatë tërë kohës shërbeu edhe si Program i saj.

Sipas  Statutit, organizimi i Lidhjes përfshinte Kuvendin dhe Komitetin Qendror me seli në Prizren, pastaj komitetet e qarkut, rrethit, komunës dhe katundit. Komiteti Qendror u kryesua së pari nga Rexhep Mitrovica[13] (18-26 shtator 1943) së dyti nga Bedri Pejani[14] (12 tetor-26 korrik 1944) dhe së fundi nga Xhafer Deva[15], deri më 19 nëntor 1944.

Për të vërtetuar se Programi apo Statuti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit kishte karakter kombëtar duhet të sjell pjesë nga Statuti, i cili qartë flet për detyrat, për rolin dhe për rëndësinë e Lidhjes si organizatë gjithë kombëtare, participuese në aktivitetin politik, diplomatik, ushtarak, propagandistik e  çlirimtar të trojeve gjithëshqiptare. Lidhja nuk i përkiste asnjë grupimi (tarafi) politik antifashist të kohës si: LANÇ-së, Ballit Kombëtar as Legalitetit. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një mekanizëm logjistik i gjithanshëm i instancave çlirimtare- kombëtare dhe këtë e dëshmojnë kërkesat të cilat u ngritën në Programin[16] e Lidhjes se Dyte te Prizrenit (1943).

Kërkesat kryesore te Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishin : çlirimin nga pushtuesit sllav, pavarësia kombëtare dhe bashkimi i te gjitha trevave shqiptare me shtetin amë.  Sepse, e tërë kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt tjerë.

Në nenin 1, të Statutit, Lidhja pasqyron çështjen e themelimit, organizimit dhe të funksionimit të saj. Ndërsa neni 2. paraqet kompetencat dhe qëllimet e saja, andaj ky nen ishte titulluar :”Qëllimi”, i cili konsistonte, para se gjithash në mbrojtjen e trevave të çliruara, në çlirimin e krahinave të tjera shqiptare dhe në bashkimin e tyre me Shqipërinë në të cilën thuhej: Kjo organizatë ka për qellim mbrojtjen e tokave të lirueme si edhe të tokave të tjera t'ish Jugosllavis. Si mjet për kët qellim do të përpiqet të mbledhi dokumenta për Shqiptarësin e visevet në fjalë dhe t'organizojë popullin fizikisht e moralisht për mbrojtjen e këtij dheu[17].

Ndërsa në pjesën e 3, në të cilën përfshihen Kompetencat  toksore, Lidhja e Prizrenit përcakton “Kompetencat toksore të kësaj organizate të cilat shtrihen mbi të gjitha tokat e Sali sipershenueme, dmth. mbi Kosovën e lirueme, mbi qarkun e Dibres, si edhe mbi viset tjera Shqiptare t'ish Jugosllavisë. Malsinat mbrenda kufijve të 1913-tës që ma parë varrëshin prej qyteteve të Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës s'Madhe me qënë se ekonomikisht dhe gjeopolitikisht janë fare ngushtas të lidhuna me qytetët në fjalë, mund të përfaqesohen në Kuvend vullnetarisht dhe mund të marrin pjesë në organizatën e « LIDHJES S'IItë TE PRIZRENIT »[18]. dhe vije në përfundim se Lidhja do të punonte si në organizimin ushtarak dhe politik, ashtu dhe në propagandimin e nevojave për ruajtjen e Shqipërisë Etnike.

Në pikat në vijim, statuti paraqet organizmin e brendshëm të organizatës, si të KQ, të Komiteteve të qarqeve, komunave, fshatrave etj. Por në pikën 11 të Statutit “Organizata e LIDHJES së II-të të PRIZRENIT ka tagër”: paraqet udhëzimet se si duhet të përgatitë popullata shqiptare, si në aspektin moral, material e luftarak për t’i mbrojtur tokat shqiptare kudo që janë. Në nën nenin 1. Lidhja porosit se si duhet bërë organizimin e propagandës intensive me qëllim që populli shqiptarë të përgatitet shpirtërisht, materialisht edhe fizikisht  për mbrojtjen e tokës së vet.

Kërkonte me këmbëngulje mee u përgatitë për luftën diplomatike për konferencën e paqes, duke grumbullua të dhëna e dokumente të cilat dëshmonin e vërtetonin shqiptarësinë  e atyre viseve.

Kërkonte me organizua aparatin e vet administrativ, si mbas këtij statuti, ndër të gjitha viset e kompetencës së sajë tokësore me organe te çdo Prefekture, komune, Bashkie e katundi.

Po ashtu kërkonte në pikën 4) Me organizua stërvitjen paraushtarake të djelmoshave të pa rekrutuam, në konformitët me ligjin rreth organizimit të paraushtarakëve që ishte në fuqi.

Pastaj kërkonte me iu përveshë organizimit për stërvitjen e të gjithë meshkujve deri  në moshën  60 vjeçe, veç atyre nën armë, duke i inkuadrua si mbas organizimit të përshtatshëm. Pjesëtarët e këtyre grupeve nuk do të mbahen në stërvitje të vazhdueshme, por do të regjistrohen, do të japin betimin dhe do të qëndrojnë në shtëpitë e veta dhe do të thirren herë pas here për ushtrime ose veprime të tjera.

Për të vazhdua më tej se anëtarët e lidhjes do të kujdesën për sigurimin e mjeteve të transportit, të ushqimit dhe nevojave të tjera për veprimin e organizatës.

Do të kërkojnë prej autoriteteve shtetërore e para shtetërore ndihmën dhe përkrahjen e tyre, të cilët për sa të jetë e mundur u a akordojnë etj.

Në vazhdim po e botojmë Statutin e organizatës  "Lidhja e II e Prizrenit" , themeluar më 16-19 shtator 1943 në tokat e çliruara nga Jugosllavia dhe miratuar nga qeveria shqiptare më 14 mars 1944  pa asnjë ndryshim.

 

S T A T U T I

i Organizatës

« LIDHJA e II-të e PRIZRENIT »[19]


I
Themelimi
Në bazë të vendimevet, që morri kongresi i Prizrenit me 16-19 Shtatuer 1943, ku u-perfaqesuen tokat e lirueme siedhe të tokave të tjera t'ish mbretnis Jugosllave, thëmelohet organizata « LIDHJA E II-të E PRIZRENIT ».


II
Qëllimi
Kjo organizatë ka për qellim mbrojtjen e tokave të lirueme siedhe të tokave të tjera t'ish Jugosllavis. Si mjet për kët qellim do të përpiqet të mbledhi dokumenta për Shqiptarësin e visevet në fjalë dhe t'organizojë popullin fizikisht e moralisht për mbrojtjen e këtij thëzi.


III
Kompetenca tokësore

Kompetenca toksore e kësaj organizate shtrihet mbi të gjitha tokat e sipershenueme, dmth. mbi Kosoven e lirueme, mbi qarkun e Dibres, siedhe mbi viset tjera Shqiptare t'ish Jugosllavis. Malsinat mbrenda kufijve të 1913-tës që ma parë varrëshin prej qytetcve të Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës s'Madhe me qënë se ekonomikisht dhe gjeopolitikisht janë fare ngushtas të lidhuna me qytetët në fjalë, mund të përfaqesohen në Kuvend vullnetarisht dhe mund të marrin pjesë në organizatën e « LIDHJES s'II-të TE PRIZRENIT».


IV
Organizimi, kompetenca dhe funksionimi

Organizimi i Lidhjes së Prizrenit përfshin:



1) Kuvendi i Lidhjes me qëndër në Prizren përbahet prej antarvet nga nji delegat për çdo rreth administrativ (Qendra e Prefekturavet dhe e N/Prefekturavet).

2) Komiteti Qendruer, me seli në Prizren, përbahet prej katërmbëdhetë (14) antarësh.

Kryetari, dy N/Kryetarët dhe gjithë antarët tjerë të Komitetit Qendruer zgjidhen prej Kuvendit.



Kryetari dekretohet prej Keshillit të Naltë mbi proponimin e Kryeministris.

3) Komiteti Qarkuer, me seli në kryevendm e çdo Prefekture perbahet prej shtatë(7) vetvet, të cilët zgjidhen si mbas proçedurës së caktueme prej qarkorës së Komitetit Ekzekutiv të Tiranës me datë 24-IX-1943 mbi rregullimin e zgjedhjes s'Asemblistevet.

Po kjo proçedurë ndiqet edhe për zgjedhjen e antarve të Komitetit Rrethuer.
Antarët e komitetit komunal zgjidhen prej Kryepleqsive të katundeve te komunes me seli-qendra e komunës ; kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Qendruer në mes t'antarve të zgjedhun si ma sipër.


4) Komiteti Rrethuer, me seli kryevendin e çdo N/Prefekture, perbahet prej pësë (5) vetësh, të cilët zgjidhen si ma sipër, kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Qarkuer.

5) Komiteti komunal, me seli në kryevendin e çdo komune, përbahet prej tre (3) vetvet, të cilët zgjidhen si ma sipër, kurse Kryetari caktohet prej komitetit Rrethuer.

6) Komiteti katunduer, me qendër katundin, përbahet prej pleqsis së katundit.

V
Nënpunësat, në shërbim t'organizatës, emnohen prej Komitetit Qendruër mbi proponimin e Komitetit përkatës.

Në qoft se nuk gjinden nëpunësa në numer të mjaftueshëm për kryemjen e sherbimeve t'organizatës me lejën e kryetarit t'administratës së vendit, mund të ngarkohen me detyrat përkatse sekretarët Bashkijak ose komunal, kundrejt nji shperblimi prej arkës s'organizatës.

 

VI
Në marrëveshtje me Komandën e përgjithëshme të Mbrojtjes kombtare, organizata merr në shërbim si instruktorë oficerë dhe N/oficerë të cilët si mbas gradës, vehen në dispozitë të komiteteve të ndryeshëm.

Instruktorët pranë Komitetit Quendruer përbajnë shtabin e Komitetit.

VII
Funksjonet e kësaj organizate dhe kompetencat e organeve të sajë, rregullohen si mbas dispozitavet qi pasojnë :


1) Kuvendi i Lidhjes, i zgjedhun prej popullit, përfaqëson vullnetin e këtij dhe mblidhet tri herë në mot. Jashtëzakonisht Kuvendi mblidhet, kur thirret prej komitetit Qendruer, në rasë nevoje për me marrë vendime me randësi, ase mbi kërkesën e shumicës s'antarve të Kuvendit.


2) Komiteti Qendruer i zgjedhun prej kuvendit si ma sipër asht auktoriteti ma i naltë ekzekutiv i kësaj organizate ; përfaqëson organizaten, komunikon vendimet e Kuvendit, jep udhezime dhe urdhna komiteteve te ndryeshem gjerarhikisht, kontrollon komitetet ase urdhnon gjerarhikisht kontrollimin e tyne ; plotson organizimin e Lidhjes ; organizon stërvitjet, emnon funksjonarë të çdo natyre dhe çdo kathegorije t'organizatës, merr masa diciplinore dhe ndëshkimore kundër këtyne dhe harton buxhetin e organizatës.


3) Komitetët janë auktoritete t'organizatës ; këto përfaqesojnë në vendin e vet Komitetin Qendruer dhe veprojnë si mbas udhëzimeve dhe urdhnave te tij, që jepen e transmetohen gjerarhikisht.

Komitetët eprorë kan të drejtë inspektimi e kontrolli mbi Komitetët inferiorë. Gjerarkija e komiteteve asht analoge me ato t'auktoriteteve clvile të Shtetit. Kompetenca toksore e tyne koinçidon me atë t'autoriteteve civile të shtetit.

VIII
Funksjonët e mbrendëshme te Kuvendit dhe zgjedhja e Paris së tij rregullohen me vendimet e këtij kuvendi.


IX
Funksjonet e mbrendëshme të Komitetit Qëndruer e të komiteteve të tjera të varruna prej këtij, zgjedhje e antarvet zevendës t'atyne, që për arsyena të randa largohen prej Komitetit, themelimi i komitetive ku ënde s'janë themelue, plotsimi i organizimit si mbas ketij Statuti, rregullohen me vendimet e Komitetit Qendruer.

X
Emnimi, transferimi, gradimi dhe pushimi i nëpunsave të kësaj organizate kryhet me verdimet e Komitetit Qendruer si mbas normave ligjore në fuqi për nëpunsat e shtetit. Denimet diciplinore kundër nëpunsave t'organizates zbatohen prej Komitetit Qendruer si mbas ligjeve te shtetit mbi proçesin e Komitetit Qendruer ose komiteteve të ndryeshëm, si mbas ligjeve të shtetit. Në rasë se nëpunsat në fjalë kryejn nji faj që hyn në rrethin e ndeshkimeve penale, me proçes verbalin përkatës çashtja i referohet gjyqit përkatës për veprim.


XI
Organizata e LIDHJES së II-të të PRIZRENIT ka tagër :


1) Me organizue propogandë intensive me qellim të pregatisë shpirtnisht, materjalisht edhe fizikisht popullin per mbrojtjen e tokës së vet.


2) M'u pregatitë për luftën dipllomatike në konferencën e paqës tue organizue mbledhjën e dokumentave provuese të karakterit shqiptar t'atyne visevet.

3) Me organizue aparatin e vet administrativ, si mbas këtij statuti, ndër të githa viset e kompetencës së sajë toksore me organe te çdo Prefekture, komune e Bashki dhe katund.


4) Me organizue stërvitjen paraushtarake të djelmoshave ënde të parekrutuem, në konformitët me ligjën rreth organizimit të paraushtarakve qi asht në fuqi.

5) Me iu perveshë organizimit për stërvitjen e të gjithë mashkujvet deri me 60 vjeç, veç atyne nën armë, tue i inkuadrue si mbas organizimit të pershtatshëm. Pjestarët e këtyne grupevet nuk mbahen ne stervitje te vazhdueshme, por rre-gjistrohen, betohen dhe qendronjë ndër shtëpijat e veta dhe thërritën herë pas here për ushtrime ase veprime të tjera.


6) M'u kujdesë për sigurimin e mjeteve të transportit, t'ushqimit dhe të tjera pajime të nevojëshme për veprimin e organizatës.


7) Me kerkue prej autoritetevet shtetnore e parashtetnore ndihmen dhe përkrahjen e tyne, të cilët për sa të jetë e mundun u a akordojnë.

8) Me kërkue dhe me marrë në dispozitë oficerë dhe nënoficerë prej ushtris e Gjindarmeris dhe rrogat e këtyne do të vazhdojnë të paguhen prej arkës së shtetit.

XII
Financat
T'ardhunat e kësaj organizate, për me u-ba ballë shpenzimeve të sajë janë :

1) T'ardhuna nga ndihma të ndryeshme të dhurueme prej patrijotve, emnat e të cilvet do të rregjistrohen e do të shpallen. Këta shenohen edhe si antar ndëri, kur dhurata e tyne asht e konsiderueshme.


2) T'ardhunat nga shitje e pullavet fakultative, të cilat do të jenë Postare prej pësë (5) qindarka dhe per lutje zyrtare prej njizete (20) qindarka.


3) T'ardhunat nga fushata të hapuna herë pas here, me vendim të Komitetit Qendruer.

4) T'ardhunat nga pasunija e ish organizates serbe « SOKOL ».


5) T'ardhunat nga kontributi i Bashkive dhe i Komunevet të tokave te lirueme, kontribut icili dotë jetë dhetë për qind (10 %) mbi t'gjitha t'ardhunat vjetore brut të tyne. Bashkit dhe komunet në fillimin e çdo vjeti financjarë kur pregatisin buxhetin e tyne, janë të detyrueme me caktue në pjesën e shpenzimeve përqindjen e ma sipërme të sajueme në favorin e kësaj organizate dhe shuma qi do te resultojë do te derdhet n'arkën ma t'afërme të financës së shtetit, në llogari të arkës së Komitetit Qendruer.


6) T'ardhunat nga shitje e shëjeve (distingtive) t'organizatës.


XIII
Dispozita të posaçme

Shka nuk parashifet në kët statut dhe që nuk asht në kundreshtim me dispozltat e tij as me qellimin dhe misjonin e kësaj organizate rregullohet me vendimet e Komitetit Qendruer.


XIV
Marredhanjet e kësaj organizate me qeverrin kryhen nepërmjet Kryesis së Këshillit Ministuer.


XV
Organizata ka vulen e vet, ku shënohen fjalët: « LIDHJA e II-të E PRIZRENIT » dhe emni i zyrës. Po ashtu ka edhe shëjen (distingtiven) dhe pullat e veta, ku shenohen fjalët : « LIDHJA E II-të E PRIZRENIT ».


XVI
Organizata ka zyrat e veta në qëndër ashtu edhe nepër krahinat, ku janë themelue Komitetet. Këto gëzojnë përjashtimin nga taksat postare, telegrafike dhe telefonike, si mbas ligjes autorizuese.


XVII
Organizata asht person juridik dhe i gëzon të gjitha të drejtat përkatse ligjore.

XVIII
Vendimet, rregulloret, qarkoret dhe urdhat e kësaj organizate të daluna prej komiteteve dhe organeve të sajë kompetente, dhe në konformitet me kët statut, kan fuqi obliguese si për organët e veta dhe antarët e vet.


XIX
Kur e lyp nevoja Komiteti Qendruer i organizatës ka tagër me i tërhjekë vrëjtjën qeverris mbi sjelljet e nëpunsave të shtetit për të cilët kujton se u-nxjerrin pëngime aktivitetit t'organizatës.


XX
Mos-marreveshtjet eventuale midis autoriteteve lokale shtetnore dhe kësaj organizate zgjidhen në marrëveshtje midis tyne dhe, në rasë deshtimi, në marrëveshtje midis Kryetarit të Keshillit Ministruer dhe te Kryetarit te Komitetit Qendruer.

XXI
Organizata e naltëpermendun vazhdon deri në kryemjen e plotë t'aprovimit të sajë. Në mbarim të këtij qellimi organizata syprimohet me dekret të Pushtetit Sovran dhe pasunit e sajë destinohen në favor të shtetit.


XXII
Ky Statut i paraqitët Qeverris për aprovim dhe hyn në fuqi prej datës së shpalljës të Dekretit aprovues, Prizren, me 21 Kallnuer 1944.


Vertetohet se asht nji me origjinalin.


Kryetar' i K.Q. i L.II-të TE PRIZRENIT

Bedri Peja d.V.


Sipas dokumenteve thuhej se pas miratimit të Statutit nga ana e delegatëve, Statuti iu dërgua shtetit shqiptar- Këshillit të Naltë, për miratim në të cilën thuhej

SHTETI SHQIPTAR

KËSHILLI I NALTË


Mbi propozimin e bamun me shkresën Nr. 324 datë 14-11-1944 të Kryeministris,
Si ndigjoj dhe pëlqeu vendimin Nr. 96 datë 12-11-1944 të Këshillit Ministuer,

DEKRETON

Aprovimin e Statutit t'Organizatës « LIDHJA E II-të E PRIZRENIT », dhe urdhnon zbatimin e tij


Tiranë, Më 14 Mars 1944


KRYETARI :

Mehdi Frashëri d.v.


ANTARË :

P. Anton Arapi d.v.


Lef Nosi d.v.


KRYEMINISTRI :
Rexhep Mitrovica d.v.

 

Formimi i Organizatës "Lidhja II e Prizrenit" -Komiteti Rinisë Intelektuale të Prizrenit, 1944

 

Sipas të dhënave arkivore “Mbi organizimin e strukturave të brendshme të organizatës "Lidhja II e Prizrenit". Botuar në fletore, viti I, nr. 2 më 26.3.1944, rezultojnë këto të dhëna.

Pas formimit të organizatës politike e ushtarake të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Kryesia e Lidhjes kishte marrë përsipër që të formonte edhe Komitetin Rinisë Intelektuale. Me 7   mars, n’ora 17, 944, ftoi të gjithë intelektualët dhe intelektualet e qytetit në një mbledhje në sallën e shkollës Bajram Curri.

Kryetari i Komitetit - Bedri Pejani, kishte hap mbledhjen dhe me pak fjalë kishte fol mbi programin e gjatë të Komitetit, mbi veprimtarinë e zhvilluar deri në atë moment, mbi shkakun e mbledhjes dhe mbi kontributin që duhet të  japi Atdheut çdo shqiptarë e veçanërisht çdo intelektual, në këto çaste me rëndësi të historisë  Kombëtare[20].

Mbas referatit të mbajtur, Bedri Pejani s’bashku me anëtarët tjerë të kryesisë të Komitetit Qendrore ishte larguar nga mbledhja duke i lanë vetëm intelektualët që të jenë sa më të lirë që ta zgjedhin vetë, mbas dëshirës së tyre, Komitetin e Rinis Intelektuale prej shtat vetash.

Votimi për kryetar dhe anëtarët e rinj kishte zgjatë deri në orën 20 dhe unanimisht delegatet kishin zgjedhur për kryetar- Z. Kudret Kokoshin[21], ndërsa Z. Selman Riza, Ibrahim Fehmiu, Dr. Durmish Celina, Dr. Byrhan Shporta, Sylejman Aliu dhe Shefqet Veliu ishin zgjedhur  anëtarë të Komitetit të Rinisë Intelektuale.

Më 11 mars 1944, Komiteti i Rinis Intelektuale kishte fillua punën e rregullt në veprimtarinë e tij. Po atë ditë kishte miratua programin e vet dhe kishin vendosur po në këtë mbledhje: 1. Botimin e një gazete të përjavshme, dhe e kishin pagëzua me një emër simbolik “LIDHJA E PRIZRENIT”. Si çdo organizatë politike, edhe kjo caktoi si organ të vetin këtë gazetë. Në shkrimet e së cilës u propagua me të madhe ideja e krijimit të Shqipërisë Etnike dhe pa kursyer as një mjetë duhet mbrojtur ata kufij. Trajtonte tema me shumë interes për kombin dhe shtetin shqiptar, por nga numri i 12  prillit 1944, kishte hapur edhe rubrikën “Tragjedia e Kosovës” në të cilën njoftonte opinionin e gjerë për krimet e masakrat që ishin bë dhe bëheshin në Kosovë. Gazeta botohej nga Komiteti Intelektual shqiptar, ku merrnin pjesë penat më të mira të kohës.

Ndërsa nën pikën 2. Morën qëndrim që të formonin “Grupin Kulturuer”. morën vendim që çdo javë të mbanin konferenca për çështje të ndryshme; u mor qëndrimi që të bënin grumbullimin e dokumenteve e të dhënave që argumentonin krimet e serbëve e të italianëve në tokën Shqiptare të  Kosovës; për organizimin e Biblotekës; Formimin e Grupit Artistik (Filo-dramatik e Muzikor); Formimin e Grupit Sportiv; Çeljen e kurseve për të rriturit (burra e gra); Organizimin e Gruas Shqiptare;  Thirrjen me ftesa të veçanta, të gjithë intelektualët në një mbledhje të përgjithshme, në të cilën të caktohet përfundimisht programi dhe të ngarkohen detyrat për secilin[22].

Më 13. III. 1944, n’orën 16, ishte caktuar një takim me intelektualët , në të cilën thirrje iu kishin përgjigjur gati që të gjithë, burra e gra, të rinj e të reja. Me ç’rast,   kryetari i Rinisë Intelektuale,Kudret Kokoshi[23], e kishte hapur mbledhjen dhe kishte paraqit programin që grupi kishte përgatitë dhe të pranishmit kishin aderua aty ku dëshironin dhe ku e gjenin veten më së miri.

Në grupin kulturuar u regjistruan mbi 40 vetë, ndër të cilët 17 për gazetë, 6 për konferenca dhe 17 për mbledhje dokumentesh dhe për organizimin e Bibliotekës.

Në grupin Artistik 56 vetë, ndër këta 28 në degën Filo-dramatike dhe 28 në degën Muzikore

Mbas kësaj u caktua dita e konferencave dhe radha e tyre. Në fund të mbledhjes, nga grupi artistik u formua një orkestër prej 12 vetave dhe një kor prej 20 vetash. Ky grup javë për javë, mbas konferencës, ka për të dhanë një koncert për argëtim të rinisë. Po ashtu u organizua që të mblidhen ndihma vullnetare në dobi të ushtarit të të nesërmes.

Në mbledhjen e datës 15 mars, që kishte zgjati ma se dy orë, Komiteti i Rinis Intelektuale kishte marr këtë vendim:

1. Hapjen e kurseve për të rriturit më 21.III.1944, duke i ndarë në katër kategori. Në dhënien e mësimit ndër këto kurse, përveç arsimtarëve, do të marrin pjesë vullnetarisht edhe një grup intelektualësh jo arsimtarë.

2. Krijimin e një grupi për avancimin e Gruas Shqiptare. Për këtë gjë u caktua një komision i veçantë që të përgatisë projektin e organizimit dhe listat përkatëse.

3. Mënyrën e organizimin të manifestimit të datës 19-III-1944 dhe mbi ndihmën që me atë rast do të mblidhet në favor të Ushtrisë Kombëtare.

Për të pas një frytë të shpejtë në punë dhe që të shkojë çdo gjë me rregull e disipline, me 16 mars 944. të tre grupet u-mblodhën në sallat e ndryshme të Shkollës Bajram Curri për të zgjedhë secili këshillin e vet. Këto këshilla do t’a kenë përgjegjësinë e grupeve të tyre dhe do të interesohen për mbarë-vajtjen e grupeve që dirigjojnë.

U formua Këshilli Kulturuer, Këshilli Gazetar, Këshilli për përpilimin e programit të mësimeve që do të jepen ndër seksione të ndryshme, Këshilli Artistik dhe Këshilli Sportiv[24].

Çdo këshillë në krye të javës do të mblidhet për të bisedua mbi veprimtarinë e zhvilluar dhe për të caktuar punën që do të kryhet në javën e ardhshme.

Në mbarim të çdo muaji, u mor qëndrimi që secili këshill i secilit grup ka për t’ia paraqitë raportin përkatës Kryesisë së Rinisë Intelektuale rreth aktivitetit të zhvilluar prej grupit të tij.

Si pas të dhënave në këtë dokument, thuhej se simbas programit të parashikuar, me 19-III-1944, ishte bë shfaqja e pare e veprimtarisë së Rinisë Intelektuale. Ceremonia ishte hap para autoriteteve civile e ushtarake të vendit me një elitë burrash e grash të zgjedhur si edhe të Rinisë. Programi kishte fillua me ekzekutimin e Himnit të Flamurit prej korit dhe me një fjalim inaugurues të atdhetarit Ibrahim Fehmiut, i cili, në vija të përgjithshme, kishte prezantua programin që synonte të zhvillojë Rinia Intelektuale.

Po ashtu në këtë tubim ishte prezantua me një fjalë rasti edhe Kryetari i Rinisë Intelektuale, patrioti i madh, Kudret Kokoshi, që kishte bë një përshkrim të gjendjes politike të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke theksua rolin e rëndësishëm që mund të lozi një rini e mire, e shëndosh, atdhetare, e organizuar në shërbim të Kombit, sidomos në këto rrethana të vështira të jetës Kombëtare.

Në këtë tubim kishte marrë pjesë dhe kishte ligjërua një temë me shumë interes, që te të pranishmit kishte zgjua interesim. Profesor Lukë Çuni kishte mbajtur temën të titulluar: A ASHT KOSOVA SHQIPTARE?

Profesori e kishte ligjërua temën me një kompetence të pa diskutueshme, me argumente historike duke fillua prej Ilirëve e Dardanëve dhe duke dokumentua me emrat shqip të lumenjve dhe të qyteteve të Kosovës, të cilat megjithëse kishin kalua shekuj edhe sot ato ruajnë karakterin e fizionominë e tyre kombëtare[25].

Në mbarim të Konferencës ishte dhënë një koncert i pasur kulturor i përgatitur nga grupi artistik dhe nën drejtimin e kujdesshëm të prof. Z. Lorenc Antonit. Ndërsa për datën 26 mars, në ora 16, ishte paraparë një konferencë të cilën do ta organizonte Z. Tahir Zaimi me temën: “BAJRAM CURRI SIMBOL I ATDHETARIZMËS SHQIPTARE”, në shenjë përkujtimi të heroit të maleve të Kosovës me rastin e 19 vjetorit të vrasjes së tij.

Dhe krejt në fund duke parë e analizuar Statutin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe formimin e organizatës së Rinisë Intelektuale Shqiptare,  mund të konkludojm se Statuti dhe veprimtaria e organizatës kishin karakter kombëtar dhe demokratik ngase në pikat e tyre mbi të gjitha qëndronte çështja kombëtare duke luftuar për një Shqipëri Etnike në tokat e veta dhe më konkretisht nëpër mes Statutit bënte organizimin e forcave të gjalla popullore dhe intelektuale për të realizuar programin e lëvizjes kombëtare mbarë shqiptare dhe për të shpëtuar vendin nga më e keqja. Dhe është demokratike ngase në asnjë dokument apo material që del nga kjo organizatë gjatë periudhës sa veproi ajo,  askund nuk ka asnjë shenjë sado të vogël që kishte me shfaqë ndjenjën, pikëpamjen dhe qëndrimin shovinist, të cilat deri në fund ngelën të huaja për parimet themelore të Lidhjes

 

 



[1] Kristaq Prifti, Konsiderata etnike dhe historike rreth çështjes së bashkimit kombëtar të shqiptarëve, (Çështja e Kosovës- një problem historike dhe aktual), Tiranë 1996, 233

[2] Jahja Drançolli, Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe veprimtaria e saj (shtator 943- nëntor 944), E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike- ( 1 ), Prizren- Hamburg, 2005, 73

[3] Po aty, f. 75

[4] Xhafer Deva u lindi n? Mitrovicë më 21 shkurt 1904. Ishte djali i pestë, ndër shtatë djemtë e Ibrahim Agë Devës dhe Esmës nga familja Osmani. Ibrahim Deva, babai i Xhaferrit me prejardhje nga Gjakova, ishte pronar i një punishte druri. Mësimet fillestare Xhaferri i kreu në Mitrovicë, dhe të mesmen në Selanik. Xhaferi është shkolluar në gjuhët: shqipe, serbisht, turqisht, gjermanisht. U shkollua në Stamboll në "Robert College" . Xhaferr Deva vazhdoi studimet në Vjenë ku kreu edhe studimet për inxhinieri. Në bashkëpunim me Rexhep Krasniqin dhe Ernest Koliqin në kohën kur ishte ministër arsimi ky i fundit, hapë shkolla shqipe në territoret shqiptare të ish-mbretërisë. N? vitin 1943 ishte nd?r nism?tar?t kryesor p?r krijimin e "Lidhjes së Dytë të Prizrenit Nga gjysma e dytë e vitit 1944 dhe deri n? mbarim t? luftës ishte kryetar i organizatës Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe drejtoi qëndresën p?r t? penguar futjen e trupave partizane jugosllave n? Kosov?. N? vitin 1944 u emërua Ministër i Punëve t? Brendshme n? qeverinë e Tiranës. Pas mbarimit t? luft?s shkoi n? Austri në dhjetor të 1944, mandej në Itali, nga Italia në Egjipt më 1947; nga Egjipti në Damask të Sirisë në fund të 1947. Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse botimi i gazetës "Bashkimi i Kombit" në vitin 1948, si zëdhënëse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II Botërore. Këtu mundi të tubojë rreth vetës shumë bashkatdhetarë e patriotë, që kishin emigruar prej kohësh. Në vitin 1956, Xhafer Deva shkoi në Amerikë. Në fillim jetoi e punoi në New York, më vonë në Boston, kurse në vitin 1960 shkoi në Kaliforni, ku vendoset në Calavera Coubty, ku punoi si punëtor i thjeshtë në një punishte sharrash për lëndë druri, sikur që e kishte babai i tij, Ibrahimi, në Mitrovicë. Aty n? vitin 1966 rikrijoi organizatën "Lidhja e Dyt? e Prizrenit në Mërgim", q? propagandoi çlirimin e Kosovës e t? trojeve t? tjera shqiptare n? Jugosllavi. E respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë Atdheut; vërehet në krye të tubimeve politike shqiptare të udhëheqjes nacionaliste, në Aleksandri të Egjiptit, më 1949 dhe në Madrid më 1972; punon si kontabilist në Universitetin e Stanfordit, të qytetit Palo Alto të Kalifornisë, dhe referues në mbledhje të ndryshme akademike; Devën poliglot të përsosur shtatë-tetë gjuhësh; Devën, kokën e të cilit e kërkoi kryeministri i Serbisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që e kërkuan edhe komunistët jugosllavë deri në vdekjen e tij; Devën udhëheqës klasik popullor, për të cilin, edhe sot, në Kosovë thuhet: "Në kohë të Xhafer Devës, në kohë të Shqipnisë". Vdiq n? vitin 1978 më 25 maj.

[5] Asllan Boletini ishte djali i Isa Boletinit

[6] Zekiria Cana, Shpalime Historike, Prishtinë, 1998, 543

[7] Sabit Syla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 1939-1981, Instituti I Historisë, Prishtinë 2012, f. 88.

[8] Tahir Zajmi, Lidhja e II e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruksel- 1964, 43-44

[9]Tahir Zajmi u  lind në Gjakovë, i biri i Shaban Zajmit. Mësimet fillore i mori në vendlindje e më tej në Shkup. Ideja e pavarësisë e shtyu t'i bashkohej çetave të Bajram Currit. Më 1918 shtrëngohet me lanë Gjakovën, Një kohë qëndruan në Kukës dhe në Krumë e mandej në Shkodër. Veproi pranë Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” të irredentistëve Hoxha Kadri Prishtina, Salih Gjuka, etj. Më 1924 Luigj Gurakuqi e merr pranë ministrisë së Financave. Në vitin 1941 kthehet në Kosovë dhe angazhohet për jetësimin e Shqipërisë Etnike. Ishte njëri ndër drejtuesit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Nga fundi i vitit 1944 sikurse edhe shumë atdhetarë tjerë detyrohet të marrë rrugën e mërgimit politik. Kalon në Austri, Itali dhe vendoset në Izmir të Turqisë ku disa vite punoi në ndërtim. Disa vjet ma vonë kaloi në Belgjikë ku pati kushte ma të mira dhe mundësi për kontakte me bashkëveprimtarët në këtë vend dhe në vendet e tjera perëndimore. Vdiq më 1971. Është autor i veprës "Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”, Bruxelles, 1964 dhe “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, Bruxelles, 1970.

[10] Esat (Ymer) Berisha (1913 - 1944) u lind në Gjilan më 14 prill 1913 në një familje me tradita patriotike. I ati Ymeri, ishte me profesion hoxhë, kurse e ëma, Refiqja, amvise,të cilët patën 5 djem e 1 vajzë. Shkollën fillore Esati e regjistroi më 1922 dhe e kreu më 1926Gjilangjuhën serbe. Në vitin shkollor 19271928 regjistrohet në Medresenë e Madhe "Kral Aleksandri" të Shkupi, të cilën e kryen me sukses më 1935. Regjistrohet në në fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit në vitin shkollor 1935/1936. Pas fillimit të luftës së Dytë Botërore u detyrua t`i ndërpres studimet, ndërsa më 1942 u regjistrua në Universitetin e Zagrebit, ku edhe u diplomua në mars të vitit 1943. Gjatë studimeve sa ishte në Beograd u angazhua në Lëvizjen e Rinisë Përparimtare të Kosovës, e cila ishte e organizuar dhe funksiononte përmes Organizatës "Kosmet". Kundërshtoi publikisht planin e pushtetit jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Më 1937 ishte njëri ndër shumë studentë të Kosovës që nënshkroi Proklamatën kundër shpërnguljes së shqiptarëve me dhunë për në Turqi në bazë të marrëveshjes që Jugosllavia e kishte nënshkruar me Turqinë. Meqë me profesion ishte jurist, gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi një kohë si gjyqtar i Gjyqit Paqtues për Nënprefekturën e Gjilanit. Esat Berisha së bashku me Mehmet Devajën ishte delegat i Gjilanit në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në këtë Kuvend u zgjodh edhe anëtar i Komitetit Qendror. Avokati Esat Berisha në cilësinë e delegatit të Gjilanit kërkon nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës kufitare me bullgarinë fashiste duke u angazhuar që brenda kufijve të Shqipërisë të përfshihen trevat shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Me rastin e riorganizimit të Komitetit Qendror të lidhjes së Dytë të Prizrenit nga ana e Xhafer Devës, në korrik të vitit 1944, Esat Berisha caktohet përgjegjës për dikasterin e transportit. Pas 17 nëntorit 1944 kur shumica e anëtarëve të Komitetit Qendror të lidhjes së Dytë të Prizrenit vendosën të lëshonin vendin, Esat Berisha u gjend në mesin e atyre që nuk deshën të largohen nga Kosova. Pothuaj të gjithë ata që mbetën në Kosovë ose që kaluan në Shqipëri u ekzekutuan nga ana e organeve të pushtetit serb, i cili u vendos në Kosovë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Organet e OZN-së Esatin e arrestuan më 17 dhjetor 1944, ndërsa e pushkatuan të nesërmen më 18 dhjetor 1944 në mënyrën më mizore me të vetmin "faj" se kishte qenë anëtar i Komitetit Qendror të Lidhes II të Prizrenit. Më vonë ia vrasin edhe babanë - Ymerin, pa kurrfarë gjyqi, ndërsa vëllain Hamdiun, ia dënojnë me burg të përjetshëm.

[11] Sali Rama lindi në BogëRugovës me 1892. Komandant (major), strateg ushtarak dhe udhëheqës i shquar i Rugovës që luftoi për mbrojtjen e kufirit shqiptar kundër forcave malazeze të Knjaz Nikollës dhe Mark Milanit. Sali Rama mori pjesë në të gjitha ngjarjet e rëndësishme dhe u dallua si personalitet i rëndësishëm. Më 1911 merr pjesë në luftën e Beranës, ku rugovasit kishin shkuar të ndihmojnë popullatën e asaj ane.Më 1912 merr pjesë në betejën e pare të Moknës. Më 1919 ndalon çarmatimin e popullatës rugovase nga pushtuesi serb që e bënte në gjithë Kosovën, nën të drejtën e mbretërisë së porsaformuar SKS. Këtë vit e udhëheq rezistencën nga gryka të Tuneli i pare, për të mos i lejuar militaristët serb që të dalin në Rugovë. Po këtë vit kalon në Shqipëri nëpër Junik. Më 1920 kthehet në Rugovë, bën mobilizimin e masave dhe organizon një tubim popullor, ku marrin pjesë përfaqësuesit e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Plavës.Më 1921 Lëvizja për çlirimin e Kosovës është në vlug, ku Sali Rama dhe Ker Sadrija raportojnë së kanë më shumë se 100 luftëtarë të rregullt në dispozicion për këtë çështje. Më 1923 Sali Rama gjendet në Krumë, ku kishte shkruar për të pare mundësinë e marrëveshjes me qeverinë shqiptare për rezistencë të përbashkët.Për të i'u shmangur likuidimit të tërë të familjes se tije nga forcat serbo-malazeze, vetëdorezohet. Me 1947 Sali Rama dhe Zhukë Haxhija dënohen me vdekje - pushkatim sikur armiq të ish Jugosllavisë, të cilëve pastaj ky dënim iu kthye në 20 vjet burg të rënde (8 vite në Nish dhe 8 vite në Goliotok). Prokuror kishte Ali Shukriun. Në vitin 1946 dënohet i biri Azemi me 3 vite burg në Smederevë të Serbisë.Në nëntor të vitit 1956 maltretohen rënde dhe burgosen të bijtë Azemi dhe Beka si dhe vellau Avdiu i cili pas lirimit nga burg vdes. Me 26.01.1993 Republika e Shqipërisë, Presidenti i Republikës i jep zotit Sali Rama urdhrin për veprimtarie patriotike të klasit të I (parë).

[12] Zekiria Cana, veper e cituar, 550

[13] Rexhep bej Mitrovica lindi në Mitrovicë në një familje me origjinë podgoriçane, me mbiemrin Agopashiq. Mësimet e fesë dhe njohuritë fillestare i mori në gjuhën turke. Së bashku me Bedri Pejanin e Sali Gjukën më 1908-n udhëhoqi një fushatë propagandistike si parapërgatitje për Kongresin e Manastirit. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Dytë të Manastirit, më 1910. Merr pjesë në Shpalljen e PavarësisëVlorë, më 1912 ku firmosën me siglën Rexhep. Ishte ai që propozoi sekretarët e Kuvendit. U zgjodh kryetar i KQ të Lidhjes së Dytë të Prizrenit më 16 shtator 1943. Më 16 tetor 1943 u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar, i cili shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës” të përbërë nga Mehdi Frashëri, Fuat Dibra, Atë Anton Harapi, Lef Nosi dhe më 5 nëntor 1943 Regjenca emëroi qeverinë me kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore. Në maj 1944, jep dorëheqjen si kryeministër dhe kthehet në Kosovë. Në gjysmën e nëntorit 1944 grupi i kosovarëve, Rexhep Mitrovica, Xhaferr Deva, Tahir Zajmi, Xhelal Mitrovica, dhe Rexhep Krasniqi, mori rrugën e mërgimit. Pas një qëndrimi dyjavor në Zagreb ata lëvizën drejt Austrisë. Mitrovica kishte shëndet delikat dhe u detyrua të shtrohet në senatoriumin afër qytetit Feldkireh afër kufirit zviceran. Gjatë periudhës 1945-1947 Xhaferr Deva qëndroi në Austrinë perëndimore. Në verë të këtij viti, ai bashkë me Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin dhe Ali Dragën shkuan në Itali. Prej andej e tërhoqën edhe Rexhep Mitrovicën e përmirësuar. U vendosën në Gjenovë të Italisë dhe, pas dy muajsh, me ndihmën e një deputeti turk me origjinë shqiptare nga Prizreni, mik personal i Xhafer Devës, i siguruan Rexhep Mitrovicës lejen për të shkuar në Turqi.Rexhep Mitrovica vdiq më 1967 në Turqi.

[14] Bedri Pejani u lindi më 10 tetor 1885 në Pejë, në familjen e Abdi Pejës(THACI). Shkollën e Mesme e kreu në "Robert College" dhe studimet e larta n? Degën e Historisë në Universitetin e Stambollit. Delegat në Kongresin e Manastirit (1908),organizator dhe Kryetar i Kongresit te Dyte te Manastirit dhe sekretar i Komitetit i Komitetit të Kosovës” (1918-1924). Në nëntor 1912, u zgjodh përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës, firmoi aktin e pavarësisë me 28 Nandor 1912 me siglen 'Bedri Pejan”. Më 1920 bëhet redaktor i gazetës Populli me qendër në Shkodër. Përkthen "Kujtimet" e Hasan Prishtinës nga frëngjishtja, të cilit i ndiqte moton "edhe me djallin do të bashkëpunojsha për me bashkue Kosovën me nanën Shqipní". Gjatë harkut kohor 1921-23 është Kryetar i Partisë Popullore. Mbështetës i kryengritjes së Fan Nolit dhe anëtar i KONARE-s. Me fitoren e legalitetit largohet nga Shqipëria, Ahmet Zogu e dënon në mungesë e më tej do ta amnistojë. U angazhua në mbrojtjen e të drejtave të Kosovës dhe Çamërisë. Gjith? jet?n e vuri n? sh?rbim t? kombit e t? atdheut dhe p?r k?t? q?llim bashk?punoi edhe me Kominternin dhe me LNÇ. Nga janari deri n? mes t? qershorit 1944 ishte kryetar i Lidhjes s? Dyt? t? Prizrenit. M? 1945 u arrestua nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar duke i shprehur Petro Markos në fillim e pastaj në një shkresë prej 13 faqesh të daktilografuara që Petro Marko ia dha Hysni Kapos, siç i tha vetë ky i fundit Pejanit të bënte. Eshtë i besueshëm kur thotë se e nxiti krijimin e këtij divizioni që shqiptarët të armatoseshin dhe të mos i zinte rasti i keq, fundi i luftës, një fund që mund të vinte me të papritura të mëdha, me duart lart.”Vdiq” i helmuar, n? spitalin e Prizrenit, m? 6 korrik 1946.

[15] Tahir Zaimi, veper e cituar. 56

[16] Jahja Dranqolli, punim i cituar, 74

[17] Statuti I Lidhjes së Dytë të Prizrenit,

[18] Po aty,

[19] RF: dbv07091,VT: 1943, OR: AQSH

[20]Gazeta “Lidhja e Prizrenit”, viti I, nr. 2 më 26.3.1944. https://vargmal.org/ km/dbv11101

[21] Kudret Kokoshi lindi në Vlorë, më 18 shator 1908.Arsimin e mesëm dhe të lartën për Drejtësi i kreu, po atje dhe fitoi gradën doktor i shkencave juridike.Kishte pasion letërsinë dhe kreu edhe këtë fakultet. Po kështu, krahas gjuhës italiane që e zotëronte dhe njihte në mënyrë të shkëlqyer, ai përvetësoi edhe disa gjuhë të tjera të huaja.Udhët i kishte të hapura për të bërë karrierë në perëndim, po zëri i atdheut e thërriste dhe në moshën 26-vjeçare në vitin 1934 u kthye të shërbente në atdheun e tij. Më 1934, ushtroi detyrën e avokatit në Vlorë. Më 1936 emërohet ndihmës gjyqtar në Bilisht dhe Pogradec. Më 1939, u emërua gjykatës në Korçë, më pas në Shkodër dhe Tiranë. Më 1941, u emërua Kryeprokuror në Prizren, në atë kohë kur bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ishte bërë një realitet. Më 28 nëntor 1942, e gjejmë në udhëheqje të demonstratës antifashiste në Prizren ku u përlesh me forcat fashiste dhe u plagos në kokë. Sapo filloi Lëvizja Antifashiste, ai u angazhua që në fillimet e saj dhe në vitin 1943, është një nga eksponentët e Ballit Kombëtar në Vlorë. Në gusht 1943, është pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, ku u vendos bashkimi i shqiptarëve në luftë kundër nazifashizmit. Më 7 mars të vitit 1944, u zgjodh kryetar i Komitetit të Rinisë Intelektuale të Kosovës, ku anëtar ishte edhe patrioti Selman Riza. Komiteti ishte forum i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryetar ishte Bedri Pejani, formuar në shtator 1943. Për këtë aktivitet antifashist, në maj të vitit 1944, ndërsa ishte duke ushtruar veprimtarinë për forcimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe luftën kundër bishës nazifashiste, u arrestua nga Gestapua gjermane dhe u internua fillimit në Prishtinë dhe më pas në kampin shfarosës Mathauzen. Nga kampet e përqendrimit nazist u lirua në dhjetor 1944, u kurua nga sëmundjet në Grac të Austrisë dhe me gjithë se ju propozua të bënte karrierë në perëndim, ai ashtu si në vitin 1934, preferoi të kthehej në atdhe dhe t`i shërbente atdheut të tij. Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje si udhëheqës i Ballit Kombëtar, më pas me vendimin e datës 1 tetor 1945, dënimi ju kthye në 25 vjet.Vuajti dënimin në burgun e Burrelit dhe u lirua më 25 dhjetor 1964, pas plot 19 vjetëve. Kudert Kokoshi mbylli sytë më 26 prill 1991. Iku i lumtur, sepse pa të realizuar ëndrrën e tij për përmbysjen e diktaturës komuniste, prej së cilës populli shqiptar vuajti për 46 vjet.

[22] Po aty

[23] Po aty

[24] Po aty

[25] Po aty

sabile_basha@hotmail.com