E shtune, 20.04.2024, 04:31 AM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Male që puqen në vargmal miqësie

E diele, 05.01.2014, 02:07 PM


DY MALE QË PUQEN NË VARGMAL MIQËSIE:

FAIK KONICA DHE GUILLAUME APOLLINAIRE

Fletore koniciane nr. 2

NGA FOTAQ ANDREA

Na e ka ënda ta fillojmë këtë shkrim me emrin e Skënderbeut, si i pari shqiptar që çau edhe rrugën e komunikimit epistolar me katër papë të Romës, me Raguzën, Venedikun, Huniadin, Alfonsin, etj., falë kancelarisë së tij të fuqishme dhe ambasadorëve të shkathët e të zotë që dërgonte ku ia lypte nevoja. Pas tij, do kulmonte epistolari apo letërkëmbimi i Ali Tepelenës me Napolon Bonapartin, si dhe letërkëmbimi i të parit rilindës shqiptar De Rada me Lamartinin e madh, me nobelistin Frederic Mistral, etj. pa lënë këtu mënjanë princeshën e kulturës evropiane Dora d’Istrian, që mbante lidhje me dijetarët më të shquar të Evropës.

Dhe ja ku i vjen radha, pas tyre në kohë, Faik Konicës, për të zënë po aq vendin e nderit në lidhjet dhe marrëdhëniet e tij letërkëmbyese me figura të ndritura të botës shqiptare të kohës, me personalitete të njohura të Evropës, shkencëtarë, filologë, politikanë, diplomatë, shkrimtarë, artistë, etj. As që do ishte nevoja të përmendim këtu mori emrash me të cilët ai korrespondoi në rrafsh të brendshëm: gati krejt garda klasike rilindëse shqiptare, së cilës ai i dhuroi një tribunë siç ishte “Albania” koniciane, jo vetëm për të lartuar fuqimisht zërin e shqiptarizmës, por edhe për të themeluar e përsosur artin e të shkruarit bukur të shqipes.

Nga ana tjetër, në rrafsh të jashtëm, Konica do lidhej e do letërkëmbente me ajkën intelektuale albanologjike dhe me dijetarë evropianë të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX. Veçse, në këtë mes, nuk mund të rrimë pa theksuar se si një djalosh 21 vjeçar si Konica i drejtohet guximshëm me letër kryeministrit britanik të kohës, 79 vjeçarit Lord Gladstone, tek i shkruan për të drejtat e Shqipërisë. Dhe domosdo, “The Great old man” i kthen përgjigje, që rilindësi i ri shqiptar e boton tek “Albania” (nr. 2,1897). Po ashtu, veçojmë këtu edhe letërkëmbimin e Konicës, për vite me radhë, me “atin e tij shpirtëror”, orientalistin e mrekullueshëm francez Leon Cahun, i cili do t’i çelte kreshnikut të Letrave moderne shqipe rrugën e botimit që në moshën 19 vjeçare me artikullin e tij të parë në frëngjisht “Shqipëria dhe Turqit”.

Takimi Apoliner - Konica

Por, një mendje e ndritur erudite, një penë e stërvitur mjeshtërore, një gjak fisnik i domoçëm, një poliglot e “enciklopedi lëvizëse” si Faik Konica, nuk kish si të mos haste udhëve të jetës – që herët madje, dhe me parandjenjë e nuhatje origjinale –, një emër që shpejt do ndriste në rrafsh botëror: Guillaume Apollinaire. Është i rrallëkushi poet francez që meritoi, me veprën e tij atë emër simbol të Apolonit, “Perëndisë së Poezisë”, poeti që u shfaq madhërisht si teoricieni i madh i “Frymës së re të Modernitetit” në krejt fushat e artit dhe letërsisë, si pararendësi madhor i surrealizmit, farkëtuesi i simbolizmit, i formave të reja të të konceptuarit e të të shprehurit, nga kubizmi, te futurizmi, orfizmi, fovizmi, dadaizmi e gjer te arti naiv, automatizmi në shkrim, kaligramet, ritmet magjike, etj. me talent të paparë proteiform e gjithëpërmasor.

E ndërsa Apolineri shpejt do bëhej miku dhe strumbullari i tërë figurave të ndritura të fillim shekullit XX – Pikaso, Douanier Rousseau, Braque, Matisse, Cezanne, Max Jacob, A.Billy, A.Salmon, A. Jarry, e më tej F. Picabia, P. Fort, J.Cocteau, Tzara, Breton, Delaunay, të tërë të rinj magjikë të shekullit XX, që çanë shtigje të panjohura në emër të kultit të së resë dhe të origjinalitetit –, shqiptari Faik Konica, tek lartonte përditë emrin e Shqipërisë me “Albanian” e tij, do rreshtohej edhe vetë në paradën e modernitetit të kohës, duke ndjekur hap pas hapi hapësirën kulturore, letrare dhe artistike evropiane, krahas zhvillimeve të shpejta politiko-diplomatike të Lindjes e Perëndimit.

Ende nuk dihet si u puqën fillimisht dy male për të krijuar një vargmal, një epistolar faikio-apolinerian, nga i cili ruhen në Bibliotekën Kombëtare Franceze 45 letra të Konicës drejtuar Apolinerit, 45 rubinë që ndrijnë e vetëtijnë për nga tematika, erudicioni, shijet dhe stili i jetës, ku nuk mungojnë dertet e dashuritë, përparësitë në punën intelektuale, planet, ëndrrat, kënaqësitë e çkënaqësitë, lëçitjet, hokatë dhe hiret e shpirtit, madje as zogjtë dhe pulat e Konicës, që Apolineri diti t’i shndërrojë në... minj!

Thuhet përgjithësisht se Apolineri “shkoi” i pari te Konica, ndonëse Konica i shkroi atij letrën e parë më 15 shtator 1903. Jo. As njëri dhe as tjetri nuk i “shkuan” shoshoqit, ashtu rastësisht. Ishte diçka e natyrshme pjekja e tyre dhe, në fakt, as që ka rëndësi kush e ka bërë “hapin e parë” drejt tjetrit. Sepse, që të dy do njiheshin fillimisht nga larg; që të dy, në rininë e tyre më të hershme, kishin qenë frekuentuesit e rregullt të Bibliotekës së famshme “Mazzarine”, kryedrejtues i së cilës ishte miku i të dyve, orientalisti i madh Léon Cahun, autori i “Hasan Jeniçer shqiptarit, i Thrank Spiros” të vitit 1516, një roman historik nga më të mrekullueshmit për shqiptarët, bëmat e tyre dhe tradhtinë e Venedikut. E Cahun – teksa rriti dhe mbajti afër, atë fundshekull XIX, mes rafteve të panumërt të Bibliotekës madhore parisiane jo vetëm nipin e tij të njomë e të brishtë, në fizik e shije, Marcel Schwob, atë emër që shpejt do bëhej erudit dhe një nga shkrimtarët, poetët dhe përkthyesit e shquar francezë, i afërt me simbolistët –, “plaku” Cahun, me shumë nuhatje, diti të mbante pranë, me dashuri prindërore, Faik Konicën e viteve 1894-1895 dhe, më pas, Gijom Apolinerin e viteve 1899-1900. Ishte një simbiozë dhe osmozë e bukur lidhja e “plakut” me të “riun”, ashtu si në vargjet e Viktor Hygoit, që miku im Edmond Tupja i ka përkthyer jo pa patos e humor: “Rinia është e pashme, pleqëria është e hatashme”.

Pra, kemi njëfarë “dialogu intuitiv” Konica-Apoliner nga larg, në kohë e hapësirë, për një njohje fillimisht të tërthortë e ndërsjellë, aty nga vitet 1902-1903, midis dy të rinjsh të talentuar në penë dhe të pasur në ide e refleksion artistik, që i kishin dhënë tashmë provat e tyre shijeholla nëpërmjet botimesh.

Apolineri dhe dashuria e tij e parë e madhe

Është thënë e stërthënë tashmë nga hulumtuesit francezë, anglezë etj., se në qendër të këtyre letrave qëndron tema e dashurisë së madhe të Apolinerit për anglezen Annie Playden [Ani Plejden], me të cilën 21 vjeçari francez kishte rënë në dashuri që në vitet 1901-1902. Apolineri, në kërkim të saj, do grishej dy herë nga Faik Konica (më 1903 dhe 1904) që të bujte në Londër, në shtëpinë e shqiptarit, e të orvatej kësisoj të piqej e puqej me të dashurën e vet të paepshme. Më se e saktë. Letërkëmbimi nis e lulëzon në këtë lëndinë të shpirtit rinor siç është dashuria në moshë të re, dhe shumë letra të para të Konicës përqendrohen edhe mbi këtë temë. Ky motiv fisnik që nuk përjashton askënd, në asnjë moshë, është domosdo njerëzor dhe krejt i përligjshëm. Për më tepër që mendje të ndritura kanë ditur t’i japin emër “Dashurisë”, me përkufizime nga më të mahnitshmet, duke shkruar me penë të frymëzuar për të. Konica, me hiper-ndjeshmërinë e vet të tërësishme në tërë fushat e dijeve dhe ndjenjave, do ta përkufizonte Dashurinë, në Letrën 5, si një “Dhembje dhëmbësh nga të zemrës... që zgjat ndonjëherë për shumë kohë... dhe është e një dobie të madhe për pjekurinë e mendimit.” Disa herë dhe për disa çështje të mëdha, do e shohim Faikun tonë të vihet në rolin e profesorit për Apolinerin - kur nuk ishte më shumë se katër vjet më i madh nga ky për nga mosha. I shfaq këtij përvojën e pasur vetjake, dhe nuk mungon ta ngushëllojë Poetin, i cili shpjet do gjente te gurra Dashuri atë “In Spiritum” (Frymëzim) të domosdoshëm, apo shqip, atë “Perëndi brenda Vetes”. Dhe do rrjedhin nga kjo gurrë dashurie e Apolinerit për Ani Plejdenin dy përroska me ujë kristalor poetik, dy poema të tij, kryevepra në gjuhën frënge: “Kënga e të keqdashuruarit” dhe “I mërguari i Landon Road”, rruga ku banonte Ani, jo larg shtëpisë së Konicës në Londër.

Shumë herë shqiptari i dërgon frëngut lajme për “mikeshën” e tij, siç e quan Konica të dashurën e Apolinerit, duke u munduar ta psikologjisë nga afër temperamentin e saj, luhatjet në ndjenja të “një karakteri paksa të ngulët”, disi të ftohtë, të mbyllur, të heshtur, (“ndoshta keltik”- thotë ai), që priret për ta çuar çdo dashuri drejt dështimit, sado e përndezur qoftë ajo. Shumë herë vetë Konica, përballë këtij temperamenti të çuditshëm femëror e sheh veten disi në siklet, dhe mjaft studiues, amerikanë e francezë, që nuk kanë munguar ta kontaktojnë e intervistojnë drejtpërdrejt Anin e moshuar të viteve 60, e kanë anashkaluar këtë rol ndërmjetës, tepër miqësor, tepër të pastër të Konicës, si vëllai që kërkon t’i ndihë të vëllait në vuajtjet shpirtërore.

Një foto e rrallë me shkrimin e Konicës

Dhe jo vetëm kaq, por një zbulim i kohëve të fundit, një foto e rrallë e Ani Plejdenit me gërshetën e saj të prerë, (që u shit në ankandin Drouot të Parisit më 31 mars 2011) përmban, krahas fotos, shkrimin e shkrifët të Konicës, konkretisht në frëngjisht: “Me urimet tona më të mira. (Z. dhe Znj.) F.b.K. 1904-5. Chingford.”

Kjo foto e veçantë është kuptimplote, dhe çel disa pista të pashkelura nga specialistët e veprës së Apolinerit e të Konicës. Por, për të mos e lodhur lexuesin, po i japim të përmbledhura si çështje: 21 vjeçarja Ani Pejden pret gërshetin e vet në fund të vitit 1904 dhe ia beson Konicës për t’ia dërguar Kostros (Apolinerit), përvuajtësit shpirtëror të saj. Po ashtu, i beson edhe foton me flokët e prerë dhe me kapën femërore të modës angleze. Përse vallë? Të jetë një gjest lozonjar femëror nga ana e saj për të joshur edhe më shumë djaloshin francez të ndezur nga dashuria? Apo thjesht një gjest lamtumire për të, kur ajo po largohej përfundimisht nga Europa drejt Amerikës (pranverë 1905) pa qenë askush në dijeni? Apo mos është thjesht një grishje dhe provë nga ana e saj në kuptimin: “Eja më ndiq, në më do,” thjesht si në atë përrallën arabe që të dashurit i ka hyrë gjembi në shputë të këmbës dhe e dashura i thotë: “në më do, vuaj, mbaje gjembin brenda zemrës”. Dhe fakti është – siç del nga letrat e Konicës (Letra 25 – 2 shkurt 1905) – që Apolineri desh u nis për në Amerikë, pas së dashurës dhe gjoja për “afarizëm” sikur të mos kishte qenë Konica për t’ia prishur mendjen. E atëherë, hajt të dihej se ç’udhë do merrte vetë jeta e Apolinerit! Por e sigurt është (dhe po e themi me gojën plot!) që Franca do kish humbur doemos dhe përgjithnjë Gjeniun e saj të ardhshëm, Heroin e saj të Letrave moderne, sikur të mos kishte qenë Faiku ynë për ta ndalur në udhën drejt Amerikës!...

Nga ana tjetër, kjo foto, me urimet e Konicës për vitin e ri 1905, përmban (krahas rolit të tij si ndërmjetësi shpirtëror në lidhjen dashurore Ani-Apoliner), edhe një enigmë tjetër nga jeta personale, plot mistere, e Faikut. Me siguri që ai do na kish kërdisur me sharje e mallkime (siç dinte vetëm ai ta bënte mjeshtërisht - dhe me të drejtë!), tek s’lejonte kurrkënd ta cenonte në atë që ai e kishte të shtrenjtë, pikën e dobët, thembrën e Akilit. Fakti është që si Apolineri, si Ani e viteve 60 e kanë thënë prerazi: “Konica ishte në atë kohë i martuar në Londër”. Por jo. Sepse në vetë letrat e tij dëshmohet qartë që Konica asnjëherë nuk ka qenë i martuar, por vetëm ka bashkëjetuar (me dashuri të pastër!) me dy mikesha, në kohë dhe në vende të ndryshme: fillimisht me Sofinë (nga Ojonaksi i Francës, me të cilën pati, siç e dimë tashmë, djalin e tij të vetëm Henrikun në Bruksel) dhe, më pas, me Antonian (nga Eks la Shapela e Gjermanisë, me të cilën bashkëjetoi në Londër për vite të tëra), kjo e fundit e pasionuar pas gjuhëve të lashta dhe letërsisë. Vetë Apolineri e njohu nga afër këtë zonjë grua dhe kishte respekt për të. Nëse në letrat e tij drejtuar Apolinerit, Konica fillimisht e deklaron Antonian “mikesha ime”, më pas vëmë re që po ai e cilëson “gruaja ime”, dhe këtë e bën thjesht për të shmangur, për çdo rast, telashet e mëdha të frymës konservatore e paragjykuese të kohës, sidomos të mjediseve shqiptare, që tërë kohën kanë gërvëlisur poshtërsisht e pabesisht në jetën personale të tjetrit, sidomos kur ky gëzon statusin e “personit publik”. Le të kënaqemi pra duke thënë që Konica nuk ishte martuar veçse me shqiptarizmën, me dijen, përparimtaren, modernen. Sepse pikërisht këtyre iu përkushtua tërësisht, dhe ia arriti për mrekulli. Kush mendon të kundërtën, ne po i përgjigjemi me fjalën e Konicës: “Është krim të trazosh lumturinë e budallait”. Ngaqë Konica diti, si askush, të njohë, përtej gjithçkaje, edhe vetë shijen e jetës, të shijojë artin e të jetuarit, si rrallëkush. Konica ishte një “bon vivant”, i këndshëm në jetë, i thekur në shqiparizëm, më ka pohuar me fjalë aq të goditura historiani Sherif Delvina.

Paraja, Paraja!...

Por episodi i dashurisë së Apolinerit për Anin, është thjesht një degë në pemën e lulëzuar të miqësisë faikio-apolineriane. Sepse trungu, siç thamë, përbëhej tashmë nga ndjenja fisnike e afrimit dhe e njohjes së ndërsjellë të dy të rinjve, me interesa të mëdha në fushat e dijes, kulturës dhe letërsisë. Është e pamundur që Apolineri, i rrethuar nga miq të shumtë në Paris, të tërë avanguardistë të rrymave të mëdha moderne, të mos donte të dinte më shumë se si shqiptari i veçantë, për vite me radhë, botonte në Bruksel e Londër, një revistë dygjuhëshe me famë në rritje, dhe dërgonte sakaq  në frëngjisht artikuj për botim tek “L’Européen”.

Nga ana tjetër, s’ka si të mos kujtojmë se në një mbledhje të parë të të rinjve të talentuar për themelimin e revistës “Le Festin d’Esope – Gostia e Ezopit” me kryeredaktor vetë Apolinerin, (tetor 1903), nordiku Arne Hammer, sekretar i “L’Européen”, mes entuziazmit të paradokohshëm rinor, parashtroi çështjen më pikante të kohës: Ku do gjendej “verdhushka?” (paraja e shkretë!), pa të cilën kurrgjë nuk mund të bëhej, si vetë buka që s’bëhet dot pa miell.

Paraja, paraja...! Ishte bërë mendim i ngulët për të gjithë, sidomos për të rinjtë krijues, pika kulmore e vuajtjes, mbijetesës, e ndrydhjes, shndërrimit dhe shfrytëzimit të talenteve, punës negër, pengesë që, o lypsej kapërcyer, o rri e numëro pleshtat si në doganën koniciane të Durrësit. Dhe vetëm një qëllim fisnik në jetë, një Motiv i Madh e gjen (se s’bën!) rrugën e shpëtimit nga hall-havaleja dhe haleja “para”! A nuk shkroi me shpejtësi e talent të rrallë vetë Apolineri, (në emër të parasë e të mbijetesës) romanet erotikë e plot humor “Dashuritë e një hospodari” dhe “Bëmat e një Don Zhuani”, që sot kategorizohen si romane të erotizmit klasik? Po Konica ynë, a nuk shkroi edhe ai me pseudonimin Gjoni i Krujës (1909) dhe i shiti, shi nga halli “para”, dy romane të tij ende të panjohura prej publikut shqiptar dhe të përkthyera e studiuara nga autori i këtyre radhëve?

Por, le të rikthehemi më mirë tek Arne Hammer kur i propozon Apolinerit në mbledhje e sipër, atë fillim tetori 1903, ta mbajë vrapin fill e në Londër te Konica, i cili mbase do mund t’i ndihte, si bamirës, me ndoca të holla, shoqërisë rinore frënge të “Gostisë së Ezopit” (sipas G. Vergnes, “Jeta plot pasion e G. Apolinerit”, f. 114-122, Paris 1958). Askush në fakt s’e di – dhe s’ka si ta dijë! – nëse Apolineri i parashtroi Konicës ndonjë kërkesë financiare kur i bujti në shtëpi në Londër (shi dy javë para daljes së “Gostisë...”) dhe kur ky e priti në vatrën e vet me mikpritjen dhe bujarinë e shqiptarit, i cili, kur të hap derën e shtëpisë, të ka hapur edhe derën e zemrës. Por, pa u ndalur gjatë te çështja nëse Konica e ndihmoi apo jo Apolinerin me të holla për të promovuar revistën frënge “Gostia e Ezopit”, mund të hamendësojmë – nga disa të dhëna të tërthorta (si për shembull, viti 1903 ishte vit disi “i lulëzuar” financiarisht për Konicën, duke qenë që në atë kohë ai sponsorizohej nga M.P. e Jashtme e Austrisë dhe telashet financiare do t’i rifillonin nga mesi i vitit 1904) – se shqiptari Konica duhet ta ketë ndihmuar fillimisht frëngun Apoliner, duke bërë edhe një gjest financimi për “Gostinë e Ezopit”, gjest sado i vogël e simbolik. Nga ana tjetër, studiuesi dhe specialisti i shquar i veprës apolineriane Prof. M. Décaudin, nuk ka munguar ta rendisë Konicën ndër themeluesit e “Gostisë së Ezopit”. Po ashtu, reklama për revistën “Albania” të Konicës do të figurojë pandalshëm, krahas revistave më në zë franceze, në 10 numrat e revistës së Apolinerit (nëntor 1903-gusht 1904).

Konica i ushqen Apolinerit dashurinë për Shqipërinë, e më tej...

45 letrat e Konicës drejtuar Apolinerit, të karakterit dialogues – që do të thotë se janë pjesë e një letërkëmbimi dypalësh – shtrihen në l0 vjet (shtator 1903 - tetor 1913). Pak nga pikëpamja sasiore. Shumë nga pikëpamja cilësore, po të kemi parasysh edhe rrëmbimet, vërshimet, turbullimet e jetës me diagramën e vet të ulje-ngritjeve shpirtërore. Veçse me shumë të drejtë akademiku L. Starova e ka pagëzuar lidhjen Konica-Apoliner si një “Miqësi Europiane”, që e tejkalon gjerësisht kuadrin e miqësisë së thjeshtë. Dhe fakti është që lekërkëmbimi i të dy Mjeshtërve, të gjuhës shqipe dhe asaj frënge, nuk shfaqet kurrsesi si çastësor apo koniunktural. Përkundrazi, ai lind dhe përvijohet si një bashkëbisedim zemrash e mendjesh të ndritura, duke çikur madje caqet e intimitetit, aty ku shprehja e bukur shqipe “miku i mirë duket në ditë të keqe” merr kuptimin e vet më të plotë e domethënës. Sepse, kur Apolineri gjendet në hall, Konica di t’i gjendet pranë, jo thjesht me fjalë të mirë, por edhe me propozime e vepra. Po ashtu, kur Konica gjendet edhe ai në hall, Apolineri do dijë t’i ndihë, siç do shohim në shkrimin tonë pasardhës, “Fletore koniciane nr. 3”.

Në fakt, personaliteti i veçantë i Faik Konicës, veprimtaria e tij politike e patriotike, si dhe puna e pandërprerë studimore që ai bënte, lanë aq mbresa të thella tek Apolineri, sa ky nuk do mungonte nga ana tjetër t’i kushtonte mikut të tij shqiptar katër shkrime titulluar: “Faik beg Konitza”, “Kartmonedha e një diplomati të vjetër”, “Shqiptari” dhe “Rreth dy veprave për çështjen e gjuhëve artificiale”, ku komenton studimin madhor të Konicës “Ese për gjuhët natyrale dhe për gjuhët artificiale”. Por ama, e veçanta e të Përndriturit Konica ishte se ai ngacmoi tek Apolineri jo thjesht ndjenjën e miqësisë individuale, por në radhë të parë dashurinë e Poetit të madh francez për një popull të tërë, për popullin shqiptar, për historinë e tij, për mbrojtjen e të drejtave të tij për pavarësi e mëvetësi. Kjo ishte njëra anë e medaljes. Ana tjetër, që duhet

vënë me të madhe në dukje, si një meritë e padiskutueshme e Konicës, është se ai ngacmoi tek Apolineri, që herët dhe nga të parët, kozmopolitizmin e Poetit, dashurinë për popujt e vegjël që vuanin nga sundimet e huaja. Andaj dhe vite më vonë e shohim Apolinerin të shkruajë (1917), në  prag të vdekjes së tij të parakohshme, një parathënie prekëse për popullin tonë:

“Shqiptarët, thotë ai, janë sot më të pastrit ndoshta të indoeuropianëve. Nacionalizmi i shqiptarëve s’ka si të jetë i dyshimtë, as edhe kombësia e tyre. Lordi Hobhauz, që kishte shoqëruar Lord Bajronin në Shqipëri, shkruante në fillim të shekullit XIX, lidhur me popullsitë prej të cilave përbëhej Perandoria osmane: “Vetëm shqiptarët kanë ndjenjën e kombësisë, gjithë popujt e tjerë të Perandorisë s’njohin grupim tjetër veç atij të fesë”. Një Shqipëri e vetme moderne... do zgjidhte doemos çështjen e Kostandinopojës... Çështja shqiptare u duket diplomatëve që rregullojnë fatet e botës tepër e vogël në krahasim me çështjet tepër të mëdha që i detyrohen vëmendjes së Gjithësisë së tronditur. Diplomatët e mëdhenj ndoshta gabohen. Ndoshta krejt të habitur, do venë një ditë në Janinë a Krujë, kryeqyteti i lashtë i Skënderbeut, të vendosin me dorën plot emocion themelet e një Europe të re”. (Apoliner, Parathënie për librin “Shqipëria dhe Franca” të Elise Aubry).

Një Europë e re, një Europë e Bashkuar. Është ëndrra e parë e Viktor Hygoit tek mbolli “Pemën e Shteteve të Bashkuara të Europës” në shtëpinë e tij që më 14 korrik 1870, ëndërr që iu desh rreth 80 vjet për t’u konkretizuar, pas luftërash të tëra. Sot, kur Shqipëria është në prag të realizmit të ëndrrës së saj për t’iu bashkëngjitur familjes europiane, ëndërr që u parapri e u parandie edhe nga fjalët e mësipërme profetike të Apolinerit, nuk ka si të mos ndjejmë e bekojmë fuqinë e mendjeve gjeniale Konica-Apoliner, miqësia e të cilëve qëndron në themel të miqësisë shqiptaro-frënge, në themel të lidhjeve historike shqiptaro-europiane.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora