E enjte, 28.03.2024, 09:27 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 1914... 100 vjet ma parë

E shtune, 04.01.2014, 01:02 PM


Përgatiti: Fritz RADOVANI

1914...100 VJET MA PARË...

NGA  AT GJERGJ FISHTA OFM:

NJË  GJAMË  DËSHPËRIMI

Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka;

Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’ krahnorit

Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá

Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:

Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,

Pa Atme sot ka mbetë, pa plang, pa shpi!

2. N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;

Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,

E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina

Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,

Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

3. O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,

Burrat e dheut do t’  xêtê n’ gjumë pështetun,

Porsi n’ strofull luani xêhêt fjetun?!...

4. E ju, ‘dhè hyj t’ shkelzyeshem, qi pre’ Empirit

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,

Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,

Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme

E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,

E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?...

5. Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset

E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe....

Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit

Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,

6..E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,

E e shoftë me fise, popuj e qytete;

Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,

Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

Selit e saja grimë me grimë u theshin;

Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.

7. Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.

8. O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sot qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’ Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,

T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!

9..Me parsme tona n’ ata t’ hershmet mota

Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,

Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta

U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

10. Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun

Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;

Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.

11. E kur per pesqind vjet na nder veriga

Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,

E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga

Na reshte anmiku, tue na nxitë pa da,

N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti

E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na ngjiti.

12. Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,

Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;

Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,

Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.

13. Veç sot pse Evropa, sot qi asht t’ gjith uzdaja

Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,

Pse sot Evropa, - do Mbretni të Mdhaja –

Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë

E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?

14. O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè

Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,

E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,

As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,

Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

Shkoder 1914.

Komenti u përgatitë nga At Viktor Volaj, në vitin 1941, botue me titull“Lirikat”.

Me 16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik dhe kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika të Fishtës.

U botue herën e parë në “Hylli i Dritës”, Maji 1914.

1.Mbaroi Malcija!...: Malësia e Madhe, e cilla shpesh përdoret edhe pa mbiemën.

Megjithse Malazezët nuk pushtuen tjetër zonë veç Hotin e Grudën, me të drejtë Poeti thotë se humbi Malësia, pse Hoti e Gruda janë bajrakët e parë në Malësi e Hoti prini ndër lufta. – Lekë: Kështu thirrën malësorët e Malësisë së Madhe. – me drrasë t’krahnorit: me parzëm; Drrasa e krahnorit asht pjesa e krahnorit ku lidhen brinjtë. – Anmiku shkja...s’ka pse dron: Malësorët ishin kurdoherë nji pritë e fortë kundër sllavëve qi donin të pushtonin Shqipninë. – i dbuem: i karmuem, i qitun jashtë; - pa plang pa shtëpi: pa truell pa strehë banimi. Në këte rasë 575 shtëpi të Hotit e Grudës ikën e lanë vendet e veta, për mos me jetue nën sllavë. Këto dyndje janë kenë të vazhdueshme edhe ma vonë.

2. lkundun: përkundun. – tue lavrue: tue e thye, tue e punue tokën. – pengue: lidhë. – Qi bindën shekullin...: Të cillët çuditën mbarë botën tue luftue në vitët 1911-1912 kundër Turqve të Rinjë.

3. strukë nen t’zezen mblojë trathtare t’territ: Me 16 prill natën, Mali i Zi rrethoi Malësinë me 12 bataljone, tue i gjetë Malësorët në befasi. Poeti i krahason me luanin e xanun në strofull fjetë.

4. t’shkelzyeshem: t’shkelqyeshëm, vezulluesa. – pre’ Empirit: pjesa ma e naltë e qiellit. – permallshem: mallëngjyeshem. – tue ferfllue: tue vezullue, tue shndritë. – vreni m’sharte t’nierit: kundroni fatet, punët e njerzimit.

5. viset: krahina; t’perligjuna me luftë e gjak: të shperblyeme, të mbrojtuna me luftë të përgjakun.

6. E mallkue kjoftë Evropa...: “Kjo namë ngjiti me të vërtetë! Mbas tre muejsh, me 28 Korrik 1914, shpertheu ajo luftë e tmershme, e quejtun Lufta e Parë Botnore, e cilla zgjati deri në Nandor të vitit 1918. Në ketë luftë mbetën dhetë miljon të vdekun. Kjenë shkretnue vise, vorfnue shtete, rrxue dinasti të vjetra, as nuk muejt me i prue botës nji paqë të qendrueshme, por shqetësoi zemrat e popujve me traktate të dhunëshme, tue kallë luftën e sotme.” (1941).

7. E prej Lirijet ...: Me ia ndalue vrapin qi don me marrë kah Liria. – gobsija e kuj në Malësi...: Me kenëse nuk janë vende të frutëshme as Hoti as Gruda për me mëkambë Malin e Zi, asht politika shoveniste ruse e Moskovit qi çon peshë klysht e sajë, me pushtue e me shue Shqypninë. Poeti zbulon haptë politikat pansllaviste kundër Shqipnisë.

8. sosë: mbarim. – Kaina të kunorzuem: Gjaksorë të kunorzuem; kryetarët e mbretnive, me ketë emen Poeti përmbledhë shtetet qi kundërshtojnë Lirinë e Shqipnisë. – t’ sharruem: të humbun.

9. pallen: shpatën. – shtroje të buta: Poeti paraqet luksin e ambjentit oriental.

10. tue dredhun: tue vringllue. – Tartarit: Me ketë emen quen në përbuzje Turqit e Azisë.

– e poshtnueme: e poshter, për mos mirënjohjen ndaj Shqyptarve, qi kjenë pararojë e sajë.

Tue u bazue ç’prej fakteve historike të luftave të Skenderbeut, asnjëherë Evropa nuk ka mbajë asnjë premtim në lidhje me Shqipninë.

11. ngelëm: mbetëm. – reshte: bante, shkaktonte tue na nxitë, tue na mundue.

12. sa u nis me u endun: porsa xu fiell, porsa filloi. – skami e kobi: vorfnija e mjerimi.

13. Qyshë nji strofë ma përpara Poeti vé në dukje se shpesh ndera kthehet me dhunë në ketë botë dhe e mira harrohet. Megjithkëte nuk i mbushet mendja pse Evropa, pra: do Mbretni të Mëdhaja, tash qi të gjitha shtetet e Ballkanit kanë dalë me vete dhe Shqypnisë i asht dhanë Pamvarsija, kërkojnë me e cungue.

14. O Zot i lum....Kjo lutje shpërthen krejt e natyrshme prej zemrës së Poetit. Kundër dhunës e padrejtësisë së bame Shqypnisë thërret Hyjin Gjyqtar, qi të gjykojë mjerimet e kombit.

- pa hiri: pa dije, pa pritë e pa kujtue, pa pritmas, pa dashje. – heret si n’e vona: gjithmonë i Pushtetshëm, në të gjitha kohët i Pushtetshëm.

***

Shenim FR: Botohet në 100 vjetorin e padrejtësive ndaj Popullit Shqiptar.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora