E premte, 29.03.2024, 08:12 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Mes Zapateros dhe Erdoganit!

E shtune, 04.01.2014, 01:03 PM


Mes Zapateros dhe Erdoganit!

Nga Elvi Sidheri

Në mars të dhjetë vjetëve më parë, Spanja e qeverisur për dy mandate rradhazi me sukses dhe rritje ekonomike të admirueshme prej gati 7% nga ish kryeministri Aznar, i drejtohej zgjedhjeve parlamentare me një garanci gati të plotë se të djathtët do të fitonin sërish pa tepër komplikime.

Por atentatet e stacioneve të trenave në Madrid ku dora ekstremiste vrau qindra të pafajshëm dhe përhapi terror anembanë Spanjës e botës së qytetëruar, siç rezultoi më pas, ndryshuan thellësisht edhe vetë hartën dhe axhendën politike spanjolle, duke sjellë papritur dhe papandehur në pushtet  PSOE (Partido Socialista Obrero Español), socialistët e drejtuar nga lideri i tyre dhe kryeministri i ardhshëm Zapatero.

Në një farë mënyre sadoqë pakkush e ka thënë me zë të lartë, gjithësesi votuesit e trembur dhe të tronditur spanjollë, atëherë u kushtëzuan në zgjedhjen e tyre supozueshmërisht “të lirë” politike, nga bombat vrasëse të Al Kaedës, duke shkaktuar kështu rënien e qeverisë të suksesshme të së djathtës së përfaqësuar nga Partia Popullore dhe ardhjen në pushtet pa ndonjë meritë të veçantë apo program të mirëfilltë zhvillues për vendin, të së majtës spanjolle.

Çelësi i fitores së të majtës pati qenë faktkisht mbështetja nga ana e Aznarit, e pistës terroriste baske (ETA) si dyshim parësor unik për autorësinë e atyre atentateve.

Në fakt për terrorizëm bëhej fjalë gjithmonë, por me autorësi ekstremiste dhe fondamentaliste të një burimi tjetër.

Gjëja e parë që mori si vendim qeveria e majtë Zapatero porsa vuri këmbë në zyrat e pushtetit në Madrid, ishte menjëherë tërheqja e trupave spanjolle me vrap nga Iraku (ashtu siç veproi njëlloj edhe qeveria Prodi në Itali në 2006-ën).

Pra mund të thuhej se terroristët e patën marrë fitoren e tyre politike (përçarjen e koalicionit në Irak dhe tërheqjen e trupave spanjolle) duke diktuar fort mbi vendimarrjen demokratike të popullit spanjoll (zgjedhjet parlamentare) me anë të sulmeve terroriste në zemër të Madridit.

Tashmë ish kryeministri Zapatero, aventurën e tij politike e mbylli pa nder apo aq më pak ndonjë grimë lavdie, në vitin 2011 kur në zgjedhjet e parakohëshme të shkaktuara nga situata tejet e rënduar ekonomike në vendin e tij, ai dhe partia e vet socialiste, u mundën keqazi nga të djathtët e Mariano Rajoy (i dyti i përjetshëm në kohën e Aznar) dhe përfunduan pashmangshëm në opozitë.

Spanja gjatë qeverisjes së majtë të Zapatero & Co pasi për disa kohë (për inerci të reformave dhe rritjes së madhe ekonomike të nisura dhe implementuara nga qeveria paraardhëse e Aznarit)...njohu njëfarë stabiliteti ekonomik dhe një lloj mirëqënieje relative, gjithësesi dikur filloi të binte në një pikiatë të pandalshme që e çoi vendin drejt humnerës financiare dhe një papunësie galopante që ende lundron në shifrat 26 %.

7 vjetët e pushtetit të socialistëve me Zapateron në krye, në Spanjë dhe më gjerë kujtohen mbi të gjitha për dy gjëra.

1)Lejimin e martesave mes të njëjtit seks.

2)Faktin që në qeverinë e dytë Zapatero (atë të pas zgjedhjeve të vitit 2008) kishte një prezencë të shtuar femërore, ku ministrja e mbrojtjes ishte femër...shtatëzanë ndër të tjera.

Më pas “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”!

S’them apo pretendoj që çdo politikë apo vendim i qeverisë së majtë Zapatero të ketë qenë i të njëjtit lloj sipërfaqësor me veprimet “fasadë” të sipërcituara!

Po ashtu mendoj se teksa njerëzit e të njëjtit seks gëzonin mundësinë për të “shijuar” lidhjen e tyre intime edhe brenda institucionit martesor apo ndërsa gratë shtatëzëna apo jo, drejtonin ministri kyçe dhe mjaft maskiliste për nga tradita shumëshekullore, si ajo e mbrojtjes, sikur pra bashkë me këto zhvillime...edhe ekonomia spanjolle të kishte ecur normalisht e për më tepër të mos ishte fundosur thellë e më thellë, atëherë ndoshta Zapatero nuk do të ishte zhdukur pa lënë gjurmë nga skena politike e Spanjës së sotme.

Por gjërat janë ndryshe!

Sepse duke u fokusuar kryesisht tek propaganda majtiste dhe duke qeverisur pa thelb apo përmbajtje, Zapatero i cili bashkë me partinë e vet, erdhën në pushtet rastësisht, të shtyrë përpara nga një ngjarje tejet tragjike, pa gëzuar fare ndonjë besim të vërtetë tek populli i cili i votoi vetëm si pasojë e rrethanave specifike të një situate të jashtëzakonshme pak ditë para zgjedhjeve të 2004-ës (atentateve të 11 marsit të atij viti), kapitullimi i socialistëve spanjollë ishte pra i parashikueshëm.

Puna është se bashkë me ta rrezikoi rrokopujën edhe vetë Spanja!

Ndërkohë në anën tjetër të kontinentit tonë, aty ku mbaron Ballkani megjithë Europë dhe nis Azia e Vogël bashkë me të madhen, sa në Stambollin e lashtë dhe të pamatë, aq edhe në Ankaranë zyrtare, sundon (qeveris) një burrë shteti që rëndom cilësohet edhe si “gjysëm sulltan”, i quajtur Erdogan.

Mënjanë tërë bëmave të tjera të shumta dhe të panumërueshme të tij (shtypje e gazetarisë së lirë, minoriteteve dhe kundërshtarëve politikë, cënim serioz i laicitetit dhe trashëgimisë Qemaliste të Turqisë moderne, armiqësim me tërë botën demokratike dhe afrim me grupe të ndryshme ekstremiste të Lindjes së Mesme, ngushtim i lirive themelore të qytetarëve turq e tentativa të hapura për imponimin e normave fetare në jetën e përditshme të shtetit etj), Erdogani njihet edhe për një qëndrim sfidues ndaj Europës së Bashkuar.

Kritikave dhe sugjerimeve për më tepër liri shprehjeje dhe mendimi (apo proteste, duke gjykuar nga imazhet e shtypjes shtazarake të lëvizjeve demokratike-laike të Gezi Parkut në Stamboll)...që vijnë nga Brukseli, apo arsyeve reale përse tratativat midis BE-së dhe Turqisë kanë ngecur në moçal prej dekadash, Erdogani dhe të tijët i përgjigjen përherë me një frazë të zakonshme, të cilën i pari lider europian që e “bëri të vetën”...ishte kryeministri-udhëheqës i ynë.

-“Europa është një klub ekskluziv i krishterë”!

Kështu pra thotë ngahera Erdogani kur fjala bie tek pika nevralgjike e mospërparimit turk drejt demokracisë dhe mirëqënies e lirisë, apo edhe qytetërimit të vërtetë europian, që duam apo s’duam, megjithë shumë difekte të kritikueshme, në Bruksel dhe BE e ka sot qendrën.

Do pranuar se rrugën për në BE s’e ka askush të shtruar, as fushë me lule jo që jo!

Kroacisë iu deshën 9 vjet të mundimshme durim, megjithëse ekonomikisht shkëlqente dhe të ardhurat për frymë i kishte më të larta se shumëkush edhe brenda BE-së.

Rumunët dhe bullgarët edhe pasi formalisht u pranuan me të drejta të plota në BE, iu nënshtruan përçmimit të përgjithshëm dhe kufizimeve të shumta lidhur me punësimin e qytetarëve të tyre brenda vendeve të pasura të unionit.

IRJ Maqedonia ka ngecur në cektinat e lajthitjeve antiko-kleptomane të marrëzisë së ithtarëve të partisë që qeveris në Shkup, por të paktën kryeministri i këtij vendi fqinj, fajin nuk e hedh në Bruksel, por e gjen përgjithësisht me dëshirë tek Greqia e së fundi edhe Bullgaria, vende që me të drejtë ndërkohë, kontestojnë emrin dhe gjuhën e këtij shteti eksperimental të krijuar nga mendja e mprehtë e marshallit Tito kohë më parë.

E gjithë kjo parantezë do të thotë që deri më tani, Erdogani në formulimin e tezave të tij fantaziplota, mbushur dingas me konspiracione të huaja (BE-ja që s’i do turqit se është klub i krishterë) dhe forca të errëta të brendshme (shoqëria laike civile, të rinjtë jo-trushpëlarë, media e lirë dhe ushtria dikur gardiane e Qemalizmit, por tanimë edhe ish aleati i fuqishëm, kleriku Fetullah Gylen)...pati mbetur i vetëm.

Kjo deri kur në një ditë të bukur funddhjetori të vitit që tashmë lamë pas, kryeministri ynë që e kanë votuar “1 milionët shpulladhënës” për të qeverisur, por i cili ndërkohë synon hapur vetëm që të “udhëheqë”, e tha me plot gojë të njëjtën gjë, pra që neve shqiptarëve dhe shtetin tonë Shqipërinë, na mbajnë larg BE-së, s’na japin statusin pra, sepse Bashkimi Europian është një klub ekskluziv i krishterë!

U morëm vesh tani?

Kaq, t’a flemë mendjen domethënë se kjo punë kështu është dhe kot që të lodhemi duke i rënë derës së Europës!

Fundja në mos na pranon ndonjë ditë Rusia tek unioni i saj komercial dhe doganor, bashkë me vende “shembullore” për nga normat demokratike si për shembull Bjellorusia e Llukashenkos (diktator prej pale sa vjetësh, ku akoma ekziston KGB-ja e kohës sovjetike), Kazakistani ku sundon prej 20 e ca vjetësh i njëjti president gjysëm-zot fuqiplotë, Ukraina ku lideren e opozitës e kanë plasur dhe po e vdesin ngadalë burgjeve e vetë Rusia ku njerëzia është e lirë të bëjë gjithçka përveçse të shajë Putinin (në kampe pune siberiane pastaj, si në kohë të Stalinit)...sido që të jetë, ku i dihet ndonjë konfederatë moderne me Turqinë s’na e përjashton kush si mundësi!

Sepse në botën tonë reale, opsion tjetër të mirëqenë veç Europës dhe BE-së, nuk ka dhe pikë!

Niveli tejet i ulët i demokracisë, keqtrajtimi i vazhdueshëm i minoriteteve (kurdët që përbëjnë një përqindje tepër të lartë të popullsisë së Turqisë, të paktën 10 milionë banorë dhe që ende nuk gëzojnë as të drejtën minimale për të mësuar në gjuhën e tyre amëtare të paktën, për të mos përmendur armenët e mbetur në Turqi të cilët prej 100 vjetësh, prej genocidit të 1915-ës akoma jetojnë të maskuar si turq në jetën e përditshme, duke i ruajtur trajtat e traditës armene në fshehtësi, si “kripto armenë”), shkelja e të drejtave të medias etj, janë shkaqet përse Turqia nga 1964-a nuk bën hapa kuptimplotë përpara në rrugën e integrimit në Europë.

Zgjidhjen magjike për këtë kënetëzim të marrëdhënieve me Europën demokratike, Erdogani e gjen tek fraza e klubit të krishterë e thënë shpesh e më shpesh, e cila si rrallëherë gjeti jehonë edhe tjetërkund, kësaj rradhe në gojën e kryeministrit tonë pak ditë më parë, në vend të urimit për festa për qytetarët e vendit të vet dhe si formë pseudo-presioni ndaj Brukselit.

Po mirë, ky kryeministri jonë, për t’i treguar se e ka gabim kësaj Europës gjasme klub ekskluziv i krishterë, përse nuk vete personalisht, si shqiptar dhe ortodoks nga nëna dhe babai (pra i krishterë)...t’u thotë se Shqipëria nuk është as vend “musliman”(se firoi edhe “y”-ja që përdornim neve zakonisht) e as më pak “i krishterë”, por thjesht atdhe i shqiptarëve myslimanë, të krishterë, të pafe dhe ateistë e asgjë më shumë?

Shqipëria është vend laik, shumëfetar, ku si edhe ky kryeministër, vetëm pas viteve 90-të ka patur tre kryeministra të tjerë ortodoksë për nga feja, ashtu si edhe një president të këtij konfesioni religjioz, vend me president mysliman, ish kryetare parlamenti katolike, ish kryeminstër sërish mysliman, politikanë bektashinj dhe një ish diktator ateist.

Kjo është Shqipëria fundja, politika nuk bën gjë tjetër veçse reflekton besnikërisht mënyrën sesi qytetarët shqiptarë e përjetojnë fenë e tyre në përditshmëri.

Të vihesh sot në linjën e isos së këngëve të zbërdhylura të Erdoganit duke shantazhuar (në tentativë) Europën me fraza të dala mode që mëtojnë t’a gjejnë shpjegimin e dështimit, tek çështjet fetare apo të veprosh me klishe sipërfaqësore të modelit Zapatero duke avancuar në pamje të parë pozitën dhe kuotat e femërore në qeverisje, pa u kujdesur për thelbin dhe situatën e vërtetë të gruas në shoqërinë shqiptare, do të thotë se fillimi apo 100 ditëshi i parë i kësaj qeverie, lë vend për mjaft pikëpyetje.



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora