E premte, 29.03.2024, 01:12 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Eleonor Roosevelt, shenjtorja e mençur

E diele, 01.06.2008, 11:42 AM


Eleonor Roosevelt është një nga personazhet më interesantë të politikës amerikane edhe pse ajo nuk mori pjesë drejtpërdrejtë në të. Eleonor, që u dha shumë pas të drejtave të njeriut, nuk ishte thjesht vetëm një Zonjë e Parë idealiste. Një koleksion i letrave të saj, i publikuar së fundi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hedh dritë mbi anë të tjera të panjohura të gruas së Presidentit amerikan. Sipas këtyre letrave, ajo ishte njëherazi shumë e zgjuar, e disiplinuar dhe një stratege e vërtetë. Eleonor mbahet mend për qëndrimin e saj shumë të drejtë, në aspektin fizik dhe për qartësinë morale që e rrezatonte në çdo diskutim. Sipas letrave, thuhet se një herë ajo shkoi te një kiromante (person që merret me shpjegimin e fatit, duke u nisur nga linjat e pëllëmbës së dorës) për të lexuar dorën. Mesazhin që mori e ruajti më pas me fanatizëm në sirtarin e tryezës së punës, së bashku me poezitë që e frymëzonin më shumë. Kiromantja i kishte thënë se gishti që tregon veti lidershipi është shumë më i madh në dorën e majtë. Dora e majtë tregon potencialin real të një personi, ndërsa e djathta atë që i ndodh realisht. Sipas kiromantes, Eleonor kishte aftësi të jashtëzakonshme lidershipi, por për shkak të pozicionit, shpesh i duhej që t‘i shkelte e t‘i shtypte ato brenda vetes. Fakti që Zonja e Parë e mbajti këtë dokument për vite e vite të tëra në sirtar, është shumë më domethënës se vetë fjalët e kiromantes. A besonte ajo vërtet te thëniet e gruas? Pavarësisht të gjitha arritjeve të Eleonor dhe vendit që ajo ka zënë në historinë amerikane, mbetet ende një pyetje për t‘u bërë: Çfarë do të kishte mundur të arrinte kjo grua nëse do të ishte lënë e lirë të vepronte pa pengesat e vendosura nga gjinia e saj, apo pa martesën me ish-presidentin Franklin Delano Roosevelt? Letrat e Eleonorës janë mbledhur në disa vëllime. Në vëllimin e parë, "Vitet e të drejtave të njeriut 1945-1948", jepen fakte interesante për personalitetin "e fshehtë" të Eleonor. Ai nis me vdekjen e Franklin Roosevelt-it dhe përfundon me një pasazh të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, në të cilën Eleonor luajti një rol kyç. Teksa sheh letrat e saj, fjalimet, shënimet e ditarëve, të shfaqet një tjetër grua, ndryshe nga sa e kanë portretizuar deri më tani. Ajo del qartë si një person shumë pragmatist dhe i kthjellët. Eleonor, në të gjallë, ishte armike e të gjithë stereotipave dhe vazhdimisht këmbëngulte se nuk i interesonte pushteti, ndërkohë që ajo ishte një grua e pushtetshme, madje me një pushtet gjithnjë e në rritje. Kur flet për Eleonor Roosevelt nuk mund të mos të të shkojë mendja te Hillari Klinton. Ngjashmëritë janë të dukshme: të dyja kishin bashkëshortë jo besnikë dhe të dyja janë të zgjuara dhe zonja të para, aspak siç do ta donte zakoni i Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, e sigurt është se pas Eleonor-ës që njihet nga librat e historisë, fshihet një tjetër grua. Si edhe i shoqi, ajo kishte dy anë të saj diametralisht të kundërta: ishte shumë e ngrohtë në disa raste dhe tepër e ftohtë në disa të tjera. Edhe bashkëshorti i saj dinte të ishte shumë karizmatik në raste të caktuara, madje një herë ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Churchill e krahasoi gjendjen e mirë të Roosevelt-it me hapjen e një shisheje shampanje. Nga ana tjetër, ai dinte të ishte edhe shumë i ftohtë. Për këtë anë të tij, Truman-i është shprehur se "Roosevelt-i është njeriu më i ftohtë që kam takuar ndonjëherë". E tillë ishte edhe Eleonor në disa aspekte. Shumëkush mund të mendojë se dihet gjithçka për të, ndërkohë që nuk është kështu dhe miti që amerikanët zgjodhën të besonin thotë më shumë për shijet e amerikanëve se sa për vetë karakterin e vërtetë të Eleonor. Miti dominues, sipas botueses së librit të parë të letrave, është se Eleonor ishte një liberale e përulur dhe e s‘qullët, që nuk kishte asnjë lloj përvoje në hartimin e politikave për çështje të vështira, çka nuk është e vërtetë. Ajo i fshihte të gjitha aftësitë e një gruaje shumë të mprehtë, pas imazhit të saj tradicional. Në letrat e Eleonor thellohet njohja për të, për një grua jashtëzakonisht të zgjuar, me një inteligjencë tepër të mprehtë që i dha mend shumë politikanëve në momente të rëndësishme, paçka se ata nuk e kanë përmendur kurrë një fakt të tillë. Për Eleonor janë shkruar shumë biografi, që kur ajo ndërroi jetë në vitin 1962. Në të gjitha këto botime është tipizuar në një mënyrë me të cilën, nëse do të ishte gjallë, nuk do të kishte qenë kurrë dakord. Një nga biografitë e para i është bërë nga një shkrimtar që e kishte njohur personalisht dhe e kishte dashur. Ai e përshkruan Eleonor-ën me ngjyra surreale, e tipizon si një grua-zot, që arriti të mposhte e t‘i bënte ballë të gjitha vështirësive të jetës së saj: sëmundjeve, një familjeje që nuk funksiononte dhe dashurisë së të shoqit për një grua më të re dhe shumë më të bukur. Në të jepet një grua që nuk ka të bëjë me seksin dhe që është një shenjtore e suksesshme. Madje krahasohet në një pasazh edhe me Terezën e Avilës. Më pas erdhën biografitë e feministeve, të cilat e quajtën një nga heroinat më të mëdha të shekullit XX, duke i nxjerrë në pah të gjithë punën dhe aktivizimin për refugjatët, afro-amerikanët dhe gratë. Më pas aktivistët e kohëve moderne kanë qenë aq të "uritur" për imazhin e saj, saqë kërkuan ngritjen e një statuje të saj në Memorialin e Roosevelt-it në Uashington. Megjithatë, trashëgimia e Eleonor në çështjet e të drejtave të njeriut është e jashtëzakonshme dhe dha shumë rezultat. Kur Franklin Roosevelt u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eleonor deklaroi se nuk do të kishte Zonjë të Parë në aspektin tradicional të kësaj fjale dhe se ajo do të ishte thjesht zonja Roosevelt, e tërhequr dhe nuk do të binte sy. Por nuk ndodhi kështu. Ajo shkruante çdo javë në shtyp, dëshmoi para komiteteve të ndryshme të Kongresit Amerikan në lidhje me çështje të të drejtave të njeriut dhe organizonte konferenca të përjavshme për shtyp me gazetaret femra. Ajo bënte deklarata të debatueshme për çështje shumë delikate. Shpeshherë i shoqi ngrinte supet dhe hiqte dorë nga përgjegjësia e veprimeve të së shoqes dhe thoshte se nuk mund ta kontrollonte Eleonor-ën. Nga ana tjetër, ajo vazhdimisht lobonte tek i shoqi në lidhje me politikat ndaj të varfërve, apo të diskriminuarve. Një herë madje, Roosevelt i kërkoi asaj që të mos i fliste për më shumë se tri çështje brenda një nate. Por shpesh ai e dëgjonte në lidhje me çështje të tilla si taksat dhe lëvizjet rinore, ndërkohë që vetë Eleonor thoshte se nuk kishte asnjë ndikim për sa i përket emërimeve në administratë. Por pretendimet e saj nuk janë bindëse. Sipas botueses së letrave të Eleonor, Zonja e Parë gënjente kur paraqitej si e papushtetshme, pasi ajo në të vërtetë kishte një pushtet të jashtëzakonshëm. Ka nga ata që thonë se Eleonor nxitej e motivohej në punën e saj nga dëshira për të ndihmuar të tjerët, por si mund të bëhej një gjë e tillë në rast se ajo nuk do të ishte një grua e pushtetshme? Asaj i duhej pushtet për të përballur ata me të cilët nuk ishte dakord. Atë e kritikuan ashpër kur pranoi një post në Zyrën e Mbrojtjes Civile. Ky sulm e bëri që të ndryshonte taktikë dhe të mos dilte shumë në publik, të operonte më shumë përmes korrespondencës dhe të organizonte takime gjoja të rastësishme në drekat dhe darkat e organizuara në Shtëpinë e Bardhë. Një ndër poezitë që asaj i pëlqente më shumë ishte ajo e Stephen Vincent Benet: "Ajo gabonte shpesh, por nuk qe e verbër/ dhe dinte mirë detyrën e grave/ të mbajnë barrën dhe të kenë pushtetin/ e njëherazi të duken si luledielli të brishta." Kjo "luledielli" konsiderohej në shumë rrethe si gruaja më e fuqishme në Uashington, apo si një ministër pa portofol. Eleonor, sipas disa përshkrimeve, ishte një politikane e vërtetë dhe shumë aktive, edhe pse gjithmonë hiqej e papushtetshme dhe thoshte se gjithçka e bënte për t‘i ardhur të shoqit në ndihmë. Sipas letrave të saj, vdekja e Roosevelt-it, i dha fund një periudhe të historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se gjithë ata që jetuan nën hijen e tij duhet që të nisnin një tjetër ekzistencë për të parë se çfarë mund të bënin tani të vetëm e pa të. Kur mbërriti pas varrimit në apartamentin e saj, ajo u tha gazetarëve të pranishëm: "Historia mori fund". Por sigurisht që nuk ishte tamam ashtu. Asaj edhe pas vdekjes së të shoqit iu kërkua që të merrte pjesë në jetën politike të vendit. Ajo vazhdoi që të shprehte e të bënte të njohura pikëpamjet e saj në letrat dërguar kryetarit të Komitetit Kombëtar Demokrat dhe të shkruante editorialet e saj në gazeta. Në dhjetor të vitit 1945, Presidenti Truman e emëroi si delegate në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kështu ajo bëri xhiron e botës, duke mbajtur fjalime dhe duke organizuar takime, ndërkohë që vazhdonte të shkruante në gazeta dhe të dërgonte letra, duke deklaruar hapur se për herë të parë në jetën e saj ishte e lirë të thoshte atë që donte. Si kryetare e Komisionit të Kombeve të Bashkuara për hartimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Eleonor luajti një rol kyç në aprovimin e saj, duke bërë bashkë vende që kishin probleme me njëri-tjetrin dhe duke arritur kompromise të paimagjinueshme. Kur debatoi me delegatin e delegacionit sovjetik në lidhje me politikën e refugjatëve, fitorja e diskutimit të saj doli në faqet e para të gazetave në të gjithë botën. Ajo madje u shpreh edhe kundër qeverisë së saj në disa raste. E tillë ishte një letër drejtuar asistentes së sekretarit të Shtetit, në të cilën ajo akuzonte vetë institucionin për mungesën e rëndësisë që i kushtonte çështjeve të të drejtave të njeriut. Në vitin 1947, Eleonor i shkroi një letër shumë të ashpër edhe vetë Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Truman, në lidhje me disa probleme brenda Departamentit të Shtetit, të cilat sipas saj, çuditërisht, ishin të stilit sovjetik. Puna që Eleonor bëri dhe kundërshtitë e saj edhe ndaj më të fuqishmëve i dhanë një respekt të madh në arenën ndërkombëtare. Shembulli i saj tregoi se është plotësisht i mundur bashkëpunimi mes përfaqësuesve të të fuqishmëve dhe përfaqësuesve të atyre që nuk e kanë këtë fuqi. Ajo kishte një sens të lartë dinjiteti për veten, por edhe për qenien njerëzore në përgjithësi, duke i konsideruar të gjithë të denjë për respekt dhe të drejtën e të pasurit dinjitet. Sipas disa biografish, me kalimin e kohës, Eleonor ishte shndërruar në gjyshen e të gjithëve dhe ndryshe nga sa mendohet për anën e saj të brishtë, ajo në fakt ishte jashtëzakonisht e fortë, tepër këmbëngulëse, e mprehtë politikisht dhe e pakomprometueshme. Në vitin 1934 e pyetën nëse ishte e afërt dita kur një grua mund të kandidonte dhe të bëhej Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Ajo u përgjigj: "Shpresoj se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse ajo do të merret në konsideratë për aftësitë e saj si individ, e jo për shkak të përkatësisë gjinore. Kjo mund të ndodhë vetëm kur shumica e njerëzve do të besojnë në integritetin e saj dhe aftësitë e saj personale". 74 vjet më pas, një tjetër ish-zonjë e Parë po kërkon me ngulm besimin dhe votën e amerikanëve, Hillari Klinton. Ajo ka qenë gjithmonë një nga admirueset më të mëdha të Eleonor Roosevelt-it, madje në kujtimet e saj ka shkruar se ka biseda imagjinare të vazhdueshme me paraardhësen e saj. Gjatë fjalimeve zgjedhore, Klinton ka tentuar të nënvizojë gjithmonë aspektin e fortë të Eleonor-ës dhe i pëlqen të përmendë thënien e saj se "një grua është si një paketë çaji, që vetëm në ujë të nxehtë kuptohet se sa e fortë është". Megjithëse Klinton nënvizon aspektin e forcës, Eleonor ishte shumëdimensionale. Ishte një person me shumë humor, ndryshe nga sa shfaqet në fotografi të ndryshme gjatë periudhës së presidencës së të shoqit, por edhe në Shtëpinë e Bardhë. Asaj i pëlqenin darkat dhe fustanet e ballos dhe vendoste për politikat për refugjatët dhe ato të të drejtave të njeriut ndërsa ndodhej te parukierja, apo te manikyristja. Sikur të ishte gjallë, gjatë viteve të fundit me siguri që do të kishte qenë një zë i fuqishëm kundër luftës dhe do të kundërshtonte ashpër politikën e frikës dhe të presionit të gatuar dhe diktuar nga Uashingtoni.

Thënie të saj:

Për të ardhmen

E ardhmja u përket individëve që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre

Për kurajën

Forca, kuraja dhe besimi fitohen pas çdo përvoje, gjatë së cilës ti ke refuzuar ta shohësh frikën në sy. Duhet të bësh atë gjë për të cilën mendon se nuk mund ta bësh dot.

Për inferioritetin

Askush nuk mund të të bëjë të ndihesh inferior pa pëlqimin tënd.

Për zgjedhjet

Jemi ne që i japim formë ekzistencës sonë dhe vetvetes. Ky është një proces që përfundon vetëm me vdekjen. Çdo zgjedhje është përgjegjësi personale.

Për komunikimin

Ne duhet të përballemi me faktin se ose do të vdesim të gjithë bashkë, ose do të mësojmë të jetojmë së bashku dhe nëse do të vendosim të jetojmë së bashku na duhet të komunikojmë.

Për shansin

Ndoshta zbulimi më i madh që kam bërë në jetën time është se nëse ti përgatitesh me të gjitha mundësitë e tua, me të gjitha mjetet që ke në dispozicion, sado modeste që mund të të duken, do të jesh i aftë të rrokësh shansin në momentin që ai do të të shfaqet. Nuk mund të shfrytëzosh kurrë një rast pa përgatitje paraprake.

Për gratë

Një grua është si një paketë çaji: vetëm në ujë të nxehtë kuptohet se sa e fortë është.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora