E enjte, 28.03.2024, 10:53 PM (GMT)

Faleminderit

Gjergj Kastrioti ishte i gjatë 1.98 M

E diele, 01.06.2008, 11:10 AM


Lek Previzi: betejat e shqiptarve
GJERGJ KASTRIOT SKëNDERBEU ISHTE I GJATë 1.98 M

Në historiografinë shqiptare, por edhe atë botërore, për shumë kohë kishte mbetur e pazgjidhur shtatlartësia e trupit dhe dukja fizike e Skënderbeut. Duke parë punime të ndryshme pikture, skulpture, gravura dhe gdhendje të shumta të autorëve të njohur, por edhe atyre anonimë, krijohet një ide, jo shumë e qartë, për zhvillimin fizik të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Edhe pse shumica e biografëve dhe autorëve që janë marrë me Skënderbeun bëjnë përshkrime të hollësishme, asnjëri nga ata, llogarisim këtu edhe Barletin dhe Dh. Frangun, nuk na kanë lënë të dhëna të sakta për gjatësinë dhe dukjen fizike të Skënderbeut. Ky problem do të mund të zgjidhej lehtë sikur të ishte ruajtur varri i Skënderbeut në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë; duke bërë vëzhgimin e skeletit ose duke aplikuar metodën e DNK-së. Për fat të keq, një gjë e tillë është e pamundur, ngase turqit, pas pushtimit të Krujës, hapën varrin e Heroit tonë Kombëtar dhe morën të gjitha gjërat që ishin aty, natyrisht edhe pjesët e skeletit, të cilat i mbanin si nuska të shenjta. E vetmja shpresë mbetej që një ditë të zbulohej ndonjë dokument apo përshkrim i ndonjë bashkëkohaniku, për të përcaktuar gjatësinë dhe dukjen e saktë fizike të Skënderbeut.

Në arkivin e Venedikut fondi: Senatus de Maritimis provinciis et negotiis Deliberationes [Sen. Mar.] Registro VI, C., f. 26V-27V, (shih at Z. Valenitni, "Shejzat" XV/1971, nr. 1-3, f. 78, përkthyer edhe shqip nga Ë. Kamsi) shfrytëzuam një dokument që mban datën 8 korrik 1457, në të cilin bëhet fjalë për gjatësinë e Skënderbeut. Dokumenti është i shkruar në gjuhën italiane dhe latine dhe përbëhet prej tri faqesh tekst. Është i dërguar nga kancelaria e Skënderbeut, përmes kancelarit [noterit] dhe njëherësh përfaqësuesit të tij diplomatik në Venedik, priftit Gjergj Pelini, abat në abacinë e Shën Mërisë së Ratacit, në afërsi të Tivarit.

Dokumenti në fjalë përbëhet nga nëntë kapituj të ndryshëm, dhe secili në vete përbën një tërësi të veçantë. Në kapitullin e dytë është ky tekst: "Ad Secundum. Guarda per J panni Jquali me hano promesso de dar do veste alano, che me diano le Veste lequal son per mi, chomo hano dado ali altri signori, perche dixeno che me po esser de braza 16 de veste, deche signori guarde quanti brazi da panno me pono esser do veste, tanto me dadi, Mo signori, quello che piaxe ala vostra Signoria quelo farete de quello panno che bexognera per mi". (Përkthimi i lirë në gjuhën shqipe do të ishte: "E dyta. Shikoni, në lidhje me cohën që më kanë premtuar, për dy petka në vit, që të më japin petka të përshtatshme për mua, si ju kanë dhënë zotërinjve të tjerë; pasi që, sipas pohimit të tyre, nuk më mjaftojnë 16 kutë, për dy palë petka; por, zotërinj, shikoni se sa kutë më nevojiten, për dy palë petka dhe aq më dërgoni; sidoqoftë, zotërinj, ajo që ju pëlqen, Zotërisë Suaj, atë gjë, do të bëni në lidhje me cohën, që është e nevojshme për mua").

Ishte praktikë e kohës, që Senati Venedikas, qytetarëve të tij të nderit, ju dhuronte, veshje dhe cohë luksi, për petka solemne; ndër të tjerë edhe princave shqiptarë, ku bënte pjesë edhe Skënderbeu.

Senati Venedikas përgjigjej në këtë mënyrë: "Responsio. Et si capitulum sit clarum, et aperte loquatur, Jnclinati tamen ad ea que sibi grati sint, ordinabimus quod sibi dentur brachia 18 scarlatini secundum consuetudinem pro duabus vestibus pro Magnificentia sua prout in capitulo continetur". (Përkthimi i lirë në gjuhën shqipe do të ishte: "Vendim. Që kapitulli të jetë i qartë, e të flasim hapur, me gjithë këtë, të nisur në atë rrugë, që të jetë e pranuar për Të, do të urdhërojmë që t‘i jepen: 18 kutë skarlatini, sipas zakonit, për dy palë petka, për Shkëlqesinë [Madhërinë, m.a.] e Tij, për sa vendoset në kapitull".

Duke analizuar me vëmendje dokumentin nxjerrim përfundim se: princërve dhe bujarëve të tjerë shqiptarë, Senati Venedikas ju dhuronte nga 16 kutë cohë, për dy palë petka luksi, ndërsa Skënderbeut i dhuron 18 kutë, po për dy palë petka, ngase 8 kutë cohë nuk i mjaftonin për një palë petka, pra i duheshin 9 kutë cohë. Pas një llogaritjeje të thjeshtë nxjerrim përfundimin se Skënderbeu ishte më i lartë se princërit dhe fisnikët e tjerë shqiptarë. Duke pasur parasysh se 8 kutë cohë jepeshin për një fisnik, gjatësia e të cilit ishte deri në 1.75 m, atëherë, 9 kutë cohë, për Gjergj Kastriot Skënderbeun na japin gjatësinë prej 1.98 m. Është e njohur se 1 kut cohe venedikase kishte gjatësinë prej 0.793 m. Pra, derisa për një princ shqiptar duheshin mesatarisht 6.344 m cohë luksi, për Skënderbeun duheshin 7.137 m cohë luksi për një palë petka. Petkat që ju dhuroheshin princërve dhe fisnikëve, ishin të gjëra dhe të gjata deri në fund të këmbëve, shkak ky, që princërit dhe fisnikët të dukeshin sa më hijerëndë.

Nuk na është e njohur që të jetë ruajtur ndonjë petkë origjinale e kohës. Ky është mëkat i vërtetë, pasi nga rreth 50 palë petka luksi që Skënderbeu kishte marrë dhuratë nga Venediku, do të ishin një raritet i mrekullueshëm. Disa elemente nga këto petka luksi na janë ruajtur në piktura dhe medaljone të Skënderbeut, të cilat mjaftojnë për të bërë një rikonstruktim komplet të një apo disa petkave luksi venedikase që i mbante Skënderbeu në raste solemne. Këtu nuk janë llogaritur petkat e tjera, si dhuratë të marra nga: Napoli, Lisbona, Barcelona, Malta, Milano, Dubrovniku... etj.

Pos dokumentit të cekur më lartë, në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit ruhet një kodeks Latin; URB. LAT. 512, ku autori: Luigi Machiaveli, ka punuar një pikturë dhe një stemë origjinale të Skënderbeut dhe ka lënë disa shënime për shtatlartësinë e Skënderbeut dhe dukjen e tij fizike. Në kodeks është shënuar viti i saktë i punimit të stemës dhe të një pikture, për të cilën ne nuk kemi njohuri se ekziston. Viti është 1467, pra vizita e fundit e Skënderbeut që i ka bërë Vatikanit. Machiaveli kur përshkruan Skënderbeun, pohon: "Është një burrë i shtyrë në moshë, me tipare shumë fisnike. Ka një mjekër të zbardhur, po të rregulluar me gusto. Sytë i shkëlqejnë shumë dhe ka një hundëshqiponjë. Flokët e thinjura i ka të prera shkurt. Është veshur me petkë napolitane, mëndafshi. Gjatësia e tij është 1.98 m". Ky shënim në mënyrë të prerë, për herë të parë, na jep shtatlartësinë e saktë të Skënderbeut.

Machiaveli pastaj ka punuar stemën, të cilën e kishte para vetes me rastin e kësaj vizite dhe e cila është autentike. Poshtë stemës janë 4 rreshta tekst, të cilët lexohen: "Castrioti questj vene de Albania erano valentj homenj et f. il bon portamento de fece Schanderbecho in Albania el fo fare del Consegio del 1467, et delj suj ne sono al presente".

Pos këtyre të dhënave për gjatësinë dhe dukjen fizike të Gjergj Kastriot Skënderbeut nga "Medaljoni i Zagrebit", i vitit 1449, mund të vërejmë për herë të parë dukjen fizike autentike dhe besnike të Heroit tonë Kombëtar, kur ai nuk kishte më shumë se 50 vjeç.

Në Zagreb, në Muzeun Arkeologjik, në fondin e "Numizmatikës Mesjetare", ruhet një medaljon i Skënderbeut, i panjohur deri tani. Ky medaljon është prej bronzi me dimensione 95 x 97 mm dhe peshon 169.96 gr. Autori është i panjohur, po kemi të dhëna të sakta se medaljoni është punuar në Venedik, në vitin 1449. Në dy dokumente gjejmë të dhëna për vitin e punimit të medaljonit, po jo edhe për autorin. Dokumentet janë të pabotuara dhe ruhen në fondin "Senato Mar. Bust. V". Siç duket medaljoni është punuar me porosinë e një familjeje fisnike shqiptare që jetonte në Venedik.

Medaljoni ka formë të rrumbullakët, është i gdhendur dhe ka shënime vetëm në njërën anë, në avers, ndërsa në revers nuk ka ndonjë dekorim, shënim apo diçka të ngjashme. Në avers, Skënderbeu është në profil, i kthyer në të djathtë. Në kokë ka një kapele venedikase, të thyer në të dyja këndet, ndërsa veshur ka një pelerinë venedikase, nga ato që mbanin bujarët vendas, venedikas, me disa dekorime të bukura, që na bën të kuptojmë se autori e kishte parë Skënderbeun të gjallë e jo nga ndonjë përshkrim, me siguri gjatë qëndrimit të tij në Venedik. Mjekrën e ka të gjatë, por jo të zbardhur.

Në medaljonin e Zagrebit, Skënderbeu nuk është më i madh se 50 vjeç

Është me rëndësi të ceket se Skënderbeu në këtë medaljon duket shumë i ri, gjë që e bën shumë më të vlefshëm dokumentin që ne kemi shfrytëzuar për të datuar medaljonin. Vijat e fytyrës tregojnë se nuk kishte më shumë se pesëdhjetë vjet. Hunda nuk ka pozicionin e një "Hundëshqiponje", po është e drejtë.

Brenda shiritit anësor, në gjerësi prej 11 mm, është i gdhendur teksti:

GEORGIVS CASTRIOTT DE SCANDERBEG INVICTISS.

Ky tekst duhet të lexohet:

[D/OMINUS/] GEORGIUS CASTRIOTT[VS] DE SCANDERBEG INVICTISS[IMVS];

ndërsa i përthyer në gjuhën shqipe lexohet:

Gjergj Kastriot Skënderbeu [më] i pamposhturi.

Teksti fillon në anën e majtë, në nivelin e supit dhe mbaron në anën e djathtë, te cepi i jelekut, që dallohet nga pelerina. Për rrugën historike të këtij medaljoni, për fat të mirë ekzistojnë disa të dhëna. Në Zagreb, në fondin e numizmatikës mesjetare, kanë arritur në vitin 1912, pasi janë blerë për një shumë jashtëzakonisht të madhe parash, 251 kruna ose 10 dukatë floriri dhe një krune e argjendtë, në ankandin e Frankfurtit nga Josip Brunschmid, (1858-1929), në atë kohë drejtor i Muzeut Historik të Zagrebit. Në këtë ankand, ky medaljon i Skënderbeut kishte arritur çmimin më të lartë nga të gjitha eksponatat e tjera që shiteshin.


Rëndësia e veçantë historike e këtij medaljoni

Medaljoni i Gjergj Kastriot Skënderbeut ka një rëndësi të shumëfishtë. Fakti se ai u punua derisa ishte gjallë Skënderbeu dhe pos kësaj dhe në një moshë mjaft të re, ka një peshë të veçantë, sepse autori (mjeshtri), e kishte parë me sytë e tij heroin shqiptar. Të dhënat i kishte të sakta, d.m.th. nuk bazoheshin në gojëdhëna, rrëfime apo përshkrime të të tjerëve. Tiparet dhe karakteristikat që i gjejmë në këtë medaljon bëjnë shumë të qartë fytyrën e Skënderbeut, veshjen e tij dhe moshën, gjëra këto, që kanë qenë shumë pak të njohura deri më sot. Medaljoni i Zagrebit është shumë ekskluziv, pasi është punuar në vitin 1449, pra, vetëm njëmbëdhjetë vjet më vonë, pas medaljonit të parë (nga viti 1438) që njihet në histori, të cilin e ka punuar Pisanello, me rastin e pjesëmarrjes së Gjon Paleologut VII, në koncilin e Ferrarës. Fjala medaljon në gjuhë të ndryshme ka funksion të njëjtë, p.sh., në latinisht metallum, në italisht medaglio, në anglisht medal, në frëngjisht médaille, në gjermanisht Medaille, në kroatisht kolajna, etj. Medaljoni mund të jetë nga floriri (ari), argjendi, bronzi, plumbi dhe legura të tjera.

"Debatet për gjatësinë e njerëzve të shquar nisin gjithnjë atëherë kur nuk ka më dyshime për ekzistencën dhe origjinën e tyre. Edhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, nuk i ka shpëtuar debateve, fillimisht i mohohej ekzistenca, pastaj origjina, e pasi këto u bënë të ditura botërisht, u fillua të debatohej për gjatësinë e trupit. Duke qenë legjendë, ashtu si shumë princa të tjerë evropianë që luftuan kundër Perandorisë Otomane, shpesh figura e tij ishte zmadhuar, flitej se shpatën e tij nuk e mbanin dot 20 burra, kali i tij linte gjurmë të stërmëdha edhe në gurë etj. Ky zmadhim është tipik sidomos për periudhën mesjetare. Por në epokën moderne, njerëzit kërkojnë me të drejtë saktësimin e përmasave, por ka edhe prej atyre që përfitojnë nga rasti dhe mezi presin ta shkurtojnë Gj. Skënderbeun" (A. Brahusha), duke shënuar në shkrimet apo studimet e tyre përmasa qesharake qoftë të trupit, qoftë të kokës, duke marrë si shembull përkrenaren që ruhet në Vjenë etj. Ndërsa e vërteta është krejt ndryshe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora