E premte, 19.04.2024, 05:05 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Një festë jo vetëm për fëmijët…

E shtune, 28.12.2013, 09:12 PM


Një festë jo vetëm për fëmijët…

Nga Entela Binjaku

Veçantia e ditëve të fundvitit  qëndron kryesisht  tek atmosfera në  të cilën përfshihen njerëzit dhe  tek  angazhimi  i  tyre për të krijuar (brenda mundësive por dhe me sakrifica disa ditë të ngrohta gëzimi. Ka ndër ta qytetarë që  janë më aktivë nisur  nga fusha që lëvrojnë.  Me nismën e bashkëpunëtorëve  të Fondacionit që drejtoj vendosëm të organizonim një festë me fëmijët në një nga shkollat e  kryeqytetit.

Për këtë përzgjodhëm një shkollë  9-vjeçare që  në vlerësimin tonë u cilësua si periferike, krahasuar me të tjerat që gëzojnë një lloj popullariteti, duke vlerësuar se nuk duhet të mungojë kontributi ynë në komunitetin ku jetojmë e punojmë.  

Kjo nismë pasoi aktivitetin e disa ditëve më parë në  gjimnazin “Partizani” në  kryeqytet gjatë të cilit u zhvillua një bashkëbisedim mes maturantëve dhe  psikologëve të këtij fondacioni në qendër të të cilit ishin veçoritë dhe veçantitë e adoleshencës.  Nismës sonë për të festuar me fëmijët e  shkollës “4 dëshmorët”, drejtueset  e kësaj shkolle  ju përgjigjën menjëherë dhe me një dashamirësi e gadishmëri të lartë.  Qëllimi ishte të argëtonim fëmijët, të afronim tek ata muzikën e luajtur nga artistët e ardhshëm, repertorin e zgjedhur, risinë e kontaktit me instrumentat muzikorë, “të prekurin” e muzikës nga afër.

Mbështetur  në parimet se  “muzika edukon” dhe “fëmijët kanë nevojë për edukim”, se  “edukimi i shoqërisë nis me fëmijët”, u mendua që programi të  përzgjidhej  në përshtatje me psikologjinë e moshës së fëmijëve dhe  larg manierizmave që nuk mungojnë nëpër aktivitete e organizuara.

Gjatë takimeve të para me drejtuesit  e shkollës u diskutua natyra e programit pra festiviteti, veçoritë e pjesëve muzikore,  pra  pjesë që i takojnë  atmosferës së kësaj  periudhe të vitit,  bashkëpunimi, me hartimin i një programi të atillë ku fëmijët do të interpretonin këngë dhe valle dhe instrumentistët do t’i shoqëronin ata.

Përveç kësaj u diskutua të pëfshiheshin në program edhe dy pjesë instrumentale të luajtura enkas për këtë rast për të zgjuar kërshërinë e fëmijëve për këtë lloj muzike. Këto ishin pjesë të gëzueshme që nxisnin fantazinë e lojës dhe përshtateshin me atmosferën, që mun d të nxisnin edhe pasionin e fshehur për artin.

Deri këtu puna zhvillohej  në nivele të rriturish, mes  nesh, mësueses së muzikës  dhe drejtorisë së shkollës.    

Takimi me fëmijët ishte një befasi e vërtetë:  të sjellshëm, të përkushtuar, të talentuar dhe mësuesen “ e shihnin në dritë të syrit”.

Nuk kishim parë kaq kohë një lidhje të këtillë të fëmijëve me mësuesen e muzikës, siç nuk kishim parë as një punë kaq të madhe të mësuesve të muzikës me fëmijët. Në informacionin tonë muzika është ndër lëndët mësimore më të pavlerësuara në shkollat tona, e  përdorur kryesisht për të plotësuar orët e mësuesve të lëndëve të tjera,  në raste të rralla ndodh që ajo të zhvillohet nga  mësues të diplomuar në këtë fushë.

Ka shumë shkolla  të vendit që nuk kanë mësues që të kenë formim muzikor duke e zhvleftësuar tërësisht  këtë lëndë dhe rëndësinë e madhe që ka ajo në kultivimin e shijeve tek fëmijët, pasurimin e botës së tyre me elementë artistikë. Dhe kjo ndodh edhe në qytetet kryesore të vendit…pa shkuar më tej…ku situata është dramatike pasi  ka shkolla ku mësuesi i muzikës nuk di të lexojë as notat!

Mbetëm shumë të impresionuar nga ajo që pamë: një punë me dashuri, një pasion të admirueshëm  për të punuar, një përkushtim ndaj profesionit që vazhdon edhe kur je në pension.  Në ndihmë të mësuese së muzikës erdhi dhe një mësuese tjetër tashmë në pension, e cila ishte dhe autorja e librave të muzikës me të cilën përgatiteshin  fëmijët e kësaj shkolle.

Festat bashkojnë brezat,  kudo ku jetojnë.  Në ditë të tilla, të gjithë janë në një mendje sa i takon rëndësisë së tyre, nevojës që njerëzit kanë për të festuar,  për të shpresuar në ditë më të mira. Festat nuk kanë kuptim pa muzikën por, kur është fjala për muzikë të luajtur nga profesionistë dhe përzgjedhur me  shije,  kjo aksiomë kthehet në një formulë magjike. Këngët e  Krishtlindjes të shqipëruara  vinin natyrshëm në zërat e fëmijëve, të cilët të shoqëruar edhe me instrumentat muzikorë krijuan një mjedis të hareshëm e të mrekullueshëm. Kori i fyejve  ndërthurur me poezinë, prezantimin e këndshëm të një vogëlusheje, vallet e Kukësit, të Tiranës dhe vallëzimi i mjelmës, shoqëruar me ardhjen simbolike të Vitit të Ri dhe me përcjelljen tradicionale të “Vitit të vjetër”,  krijuan një tablo të larmishme.

 Në një ditë të vetme  u bashkuan në një atmosferë të bukur feste fëmijët, prindërit e tyre, mësuesit, studentët e Universitetit të Arteve, aktivistë të Fondacionit “Harriet Martineau”. Vëmendja e të rriturve atë ditë ishte tek fëmijët.  Duhet të mbesë përherë e tillë!  

Kur bashkohen në një të vetme  kujdesi për kulturën  që përcillet  dhe puna për edukimin ky bashkim mund të rrezatojë në mbarë shoqërinë.   Por është në detyrimin e shoqërisë  të tregojë kujdes për cilësinë e edukimit, për materialin kulturor që përvetësojnë fëmijët, të tregohet kritike kur puna me ta  nuk është ajo që duhet.  Vetëm në këtë mënyrë ne I kemi siguruar vazhdimësinë shoqërisë me qytetarë që kanë një ngritje kulturore.

Përveç shoqërimit me instrumenta studentët luajtën edhe dy  pjesë nga më të bukurat e repertorit botëror, për t’i njohur fëmijët nga afër me muzikën instrumentale, për të zgjuar  kërshërinë e tyre për kulturën muzikore dhe ndoshta edhe pasionin për luajtur në instrumenta të tjerë muzikorë, veç fyellit, i cili është në programin e detyrueshëm.

Festa në shkollën “4 dëshmorët” ishte një mësim  për të gjithë: një shembull sesi pasioni mbizotëron në punë, sesi duhet të punohet me fëmijët. Kjo përvojë na tregoi se respekti për hierarkinë është i domosdoshëm, sesi bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve të përfshirë është shumë i rëndësishëm, sesi mbarëvajtja e një aksioni kërkon sakrificë, sesi mirënjohja vjen e natyrshme edhe kur nuk është qëllim në vetëvete.

Të rinjtë universitarë që studiojnë muzikë në Shqipëri nuk janë nga më të lumturit, veçanërisht kur vjen koha e diplomimit, si në këtë rast. Përkundrazi ata e ndjejnë veten në prag të një tregu pune që nuk ka “hapsëira” për ta. Në bisedat që zhvilloja herë-pas here shihja se puna e mësuesit të muzikës ishte e papërfillur prej tyre, ndoshta gjëja e fundit që do të bënin pasi të diplomoheshin. Sepse  dhe puna e mësuesit të muzikës tek ne është nga më të pavlerësuarat.

“Kur nuk plotësohesh me orë…merr disa orë muzikë”…kjo është filozofia me të cilën është trajtuar pozicioni i mësuesit të muzikës.

Ky aktivitet  ju tregoi  këtyre të rinjve se kur puna bëhet me pasion, ajo shndërrohet në një burim të frymëzimi  për fëmijë e të rritur bashkë.

Kjo festë ju tregoi se mund të jenë shembull për më të vegjlit, duke zgjuar tek ata dashurinë për artin dhe për instrumentat muzikorë, por mund të jenë shembull edhe për bashkëmoshatarët e tyre duke nxitur vlerësimin për punën dhe për vullnetarizmin në dobi të shoqërisë.

Në përfundim të kësaj feste, të gjithë ishin të kënaqur dhe  duke marrë secili mësimin  e vetë!

  muajin shkurt kjo shkollë do të festojë 70 vjetorin e themelimit…ne e morëm një ftesë!




(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora