E enjte, 18.04.2024, 06:46 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Përse-të e Qoses!

E shtune, 28.12.2013, 09:04 PM


Përse-të e Qoses!

Nga Elvi Sidheri

Më është bërë traditë tashmë që të mos i kushtoj fare ose shumë pak vëmendje dokrrave dhe përsiatjeve të zakonshme të Rexhep Qoses nëpër faqet e ndryshme të shtypit tiranas.

Gazeta tonat të njohura...edhe ndër ato me më tepër influencë e autoritet, nuk kanë munguar kurrë që këtij njeriu i cili sa herë i vjen mundësia, vetëparaqitet si mendja më e ndritur e shqiptarizmës (dhe enverizmës, orientalizmës, prapanizmës etj), t’i dhurojnë hapësira për intervista të pafundme, plot me gjykime, dënime “a priori”...pa gjyq, sentenca dhe deklamime ekstremiste.

Shkurt dhe me pak fjalë, përpara se zotëria (apo shoku) në fjalë, t’ia niste lajthitjes masive dhe fantazive të tij ku shoku Enver zë vend domosdo dominant (si dhe qëndron ulur galiç brenda shpirtit të Qoses), gjëja e vetme që unë si qytetar i thjeshtë shqiptar dija për të, është se Rexhepi na ishte një personazh eminent nga trojet shqiptare të Kosovës, një tip akademiku, ndër të tjera edhe pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të 1972-shit në Tiranë.

Si mbështetës i lirisë së kujtdo shqiptari, për të folur dhe gëzuar dialektet shqipe të zonës së tij, aq sa edhe mbështetës i bindur i gjuhës sonë të njëhësuar letrare, e vetmja gjë pra që m’a sillte në mendje Qosen si figurë, ishte fakti që e lidhja automatikisht këtë njeri, me gjuhën letrare shqipe dhe Kongresin e vitit 1972.

Të kishte qëndruar kjo përshtypje e largët vetëm brenda këtyre suazave, atëherë Qosja do të më mbetej më tepër indiferent sesa tjetërgjë.

Por zotëria e tij nuk di (apo nuk do) që t’u rrijë indiferent njerëzve dhe bën të pamundurën që nëpërmjet korit mediatik që i mban ison, tezat e veta trushpëlarëse komunisto-prapanike t’i bëjë të kumbojnë porsi tinguj këmbane të përmortshme në ditë varrimesh, kudo ku shqiptarët jetojnë.

Nuk ka nevojë që të merrem tepër gjatë me ato çfarë ky njeri bën dhe thotë e predikon.

Të gjithë jemi në dijeni të bindjeve të tij, ashtu si edhe të figurave që ka fort përzemër (t’i ketë për vete, ç’arsye ka që të na rrokanisë neve të tjerëve kokën ndërkohë?).

Ia njohim gjerësisht përqasjet si dhe orientimet ideologjiko-rajonale, apo edhe mendimet e tij për periudhat e ndryshme të errëta (Monizëm-Pushtim 5 shekullor osman).

Qosja për lexuesin apo shqiptarin e thjeshtë që i hedh ndonjëherë një sy edhe shkarazi gazetave, është si një libër i hapur.

I kemi stërdëgjuar deklaratat e tij për Enver e Parti, për dashurinë e vet të pakufishme si për sistemin monist, ashtu edhe për pasuesit gjenetikë dhe ligjorë të partisë së 1941-shit, e dimë mirë sesa koka dhe shpirti i qëndrojnë të ndarë në një skizëm të përherëshme, mes Realitetit Socialist dhe Orientit të errët osman.

Atëherë përse ky papagall vetpërsëritës na sillet dhe risillet rregullisht, me një saktësi të admirueshme edhe nga ora më e përpiktë zviceriane, në mediat tona papushim?

Të ishte se na pati prerë malli për regjimin e para 90-ës, mjaftojnë, dalin dhe teprojnë filmat me partizanë trima, me mitralierë heroikë e me njësite guerrilë, kemi historitë e pafundme me sigurimsa, me ndërtime atdheu, me armiq të popullit e kështu me rradhë.

Sa e lodh dhe i bëj sallatë apo përshesh trutë e mia duke u përpjekur të dëgjoj (aq më tepër të kuptoj) Rexhepin, më lehtë do e kisha që të ndiqja ndonjë dokumentar propagandistik të AQSHF-së, ku ai zëri tipik i spikerit triumfalist (nën çdo regjim diktatorial, spikerët e këtyre dokumentarëve model AQSHF-je, Istituto LUCE fashist etj, njëlloj tingëllojnë sa komikë aq edhe acarues për veshin e dikujt që është rritur në demokraci)...të çan veshët duke u rrekur të të tregojë sukseset e “jashtëzakonshme” të Shqipërisë socialiste.

Gjithësesi e kam të qartë që Qoses aq i bën që unë e shumë të tjerë, nuk duam t’ia dimë për marrinat e tij!

Fakti që për të flitet, diskutohet, ngrihen teza dhe hipoteza apo synohen e thuren konspiracione tavolinash kafeneje përmbi intervistat e këtij personazhi bizarr me prirje të lindura drejt groteskut më absurd, lejon që ai dhe hija e tij ndotëse, të mos na ndahen edhe neve që ngenë Qoses nuk ia kemi aspak.

Ç’na pati thënë dhe pohuar ky tipi së fundi?

Ja që Enveri nuk ishte i krahasueshëm me Hitlerin e që padyshim do na e kishte pasur edhe ndonjë vlerë të madhe si figurë historike e ku di unë çfarë thagmash të tjera të këtij lloji.

Tani, që shoku Enver nuk ka qenë Hitleri, këtë gjë e dimë edhe vetë ne, pa u shfaqur fare nevoja që “ujin e lagur” t’a sjelli kokën deri në Tiranë që të na e shpjegojë dhe zbulojë Rexhep Qosja.

Ka diçka në këtë mes, që qysh në kohën e lëvizjeve të mëdha demokratike pas dhjetorit 1990, u bë e njohur spontanisht shprehja “Enver-Htiler”!

Ndoshta Qosja e ka parasysh një slogan të tillë që nuk i vë në krahasim, por për më tepër i barazon për nga ligësia këta dy monstra-diktatorë.

Ndërkohë periudha kur kanë jetuar (dhe vrarë e prerë njerëzinë) Enveri ynë me Hitlerin e gjermanëve, është e ndryshme.

Të dy dihet të kenë qenë personazhe të mugët, të fshehtë, të mistershëm, tepër keqanë në karakter dhe natyrë, aspak njerëzorë në sjellje, paranojakë si dhe cazë deviantë në sferën e tyre intime aq sa edhe të dështuar në jetën që bënin para ngritjes në fronin e Diktatorit apo Fyhrerit.

Por në të njëjtën kohë kemi lexuar ose dëgjuar që Hitleri nuk e kishte tepër të preferuar heqjen qafe të bashkëpunëtorëve me të ngushtë si ky merhumi ynë (Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Beqir Balluku...pse jo edhe Qemal Stafa e shumë idealistë të tjerë të orëve të para, të cilët “rastësisht” spiunoheshin dhe binin pak si shpesh në prita të armikut).

Po ashtu Adolfua aleatët nuk i ndërronte sipas humorit siç bënte rëndom Enveri jonë.

Duan të thonë historianët e mirëinformuar si edhe librat e kësaj fushe, që Mussolinin e vetëshpallur “DUX” ose italisht “il Duce” (që domethënë “udhëheqës” në latinisht dhe italisht...prandaj edhe vetëquajtja si “udhëheqës” në një demokraci, aq më shumë me një prapavijë tejet të rëndë dhe dramatike diktatoriale si kjo e jona, është aventurë e rrezikshme)...Hitleri e liroi nga burgimi pas 8 shtatorit 1943 dhe kapitullimit të Italisë fashiste.

I marri i Berlinit, pak aleatë kishte dhe atë më të afërtin e besnikun, nuk e la në baltë fundja.

Ky birboja jonë çfarë bëri ndërkohë?

Iu ngjit si “m... pas këpucës” jugosllavëve pikësëpari.

Si i shtrydhi dhe i përdori ata, si ua kopjoi një më një UDBA-në (drejtorinë e sigurimit shtetëror, pra “Sigurimin” tonë) bashkë me shumë metoda të tjera gjakatare jugosllavëve, udhëheqësi ynë vizionar, iu qep “pashqepshmërisht” mbrapa edhe sovjetikëve.

Kur edhe nga këta nuk kishte më çfarë të thithte si dhe kur ylli polar shoku Stalin, shkoi në botë më të mirë, atëherë brenda njëfarë kohe u gjet kontakti dhe vija e njëjtë politike edhe me shokët kinezë, me revolucionet e tyre të tmerrshme kulturore, me baletet e “Detashmenteve të kuqe të grave” dhe me anti-kulturën e ngritur në piedestal.

Jemi po ashtu të informuar, që politika shfarosëse e përkryer nazisto-hitleriane, synonte kryesisht shtetasit gjermanë me kombësi dhe origjinë, sikur edhe të largët, hebreje mbi të gjitha.

Më pas u vinte rradha njerëzve të etnisë rome, shtetasve me probleme mendore apo trupore e sigurisht edhe atyre (të paktëve) që e mendonin ndryshe nga teoritë nacional-socialiste.

Ky humbamenua ynë ndërkohë?

Ky jo më që nuk merrej me të tjerë përveç shqiptarëve (sepse megjithë hakërrimet dhe çjerrjet gjasme kërcënuese, tërë aparatin ushtarako-propagandistik e pati kurdisur eksluzivisht në shërbim të një sistemi thelbësisht dhe vetëm mbrojtës e kurrësesi sulmues ndaj ndokujt), por gjithë peshën e diktaturës së proletariatit e vendoste me dorë të hekurt, mbi shpinën e popullit të vet të ngratë.

Po qe se Hitleri njihet për atë që u bëri hebrejve, Europës dhe botës së qytetëruar, për krimet dhe kampet e shfarojses në masë ku dërrmueshëm e pësuan të huajt e çdo këmbësie të mundshme (hebrej, romë, rusë, polakë, francezë, anglezë, italianë, amerikanë, jugosllavë, shqiptarë etj), Enveri njihet dhe do të mbetet në histori për shkak të gjëmës së pashoqe që i bëri popullit të vet.

Kaq çnjerëzor, kaq i pashpirt, kaq kthjelltësisht kriminal ndaj njerëzve të gjakut të vet, do pranuar se jo vetëm në shekullin e kaluar, por edhe në histori, pakkush ka mundur të jetë!

Ndoshta Pol Poti në Kamboxhian e viteve 70-të (duke mbajtur përherë parasysh se Shqipëria ishte dhe është një vend europian, pra jo ndonjë kënd i botës i harruar nga Zoti, ku mund të testohen edhe eksperimente makabre si ky i lartpërmenduri me miliona të vdekur si pasojë e marrëzisë komuniste)...mund të krahasohet për nga shtypja dhe metodat çnjerëzore të përdorura kundër popullit të tij, me atë që qytetarët shqiptarë kanë hequr në kurriz nga personi për të cilin jargëzon ditë e natë Rexhep Qosja dhe shpura e të ngjashmëve me të në Shqipëri e gjetkë.

Ndryshimet  e njohura midis Enverit dhe Hitlerit nuk mbarojnë me kaq dhe detaje të modelit “njëri me mustaqe e tjetri pa to”, nuk bëjnë ndonjë diferencë të madhe.

Di t’i them shokut Qose, se po qe se Adolfi tmerroi dhe trembi gjer në palcë një botë të tërë, ky i joni, ia hëngri mishin megjithë palcë dhe kocka, vetëm popullit të vet, asgjë më tepër.

Për botën gjatë sundimit të tij vrastar, Shqipëria dhe populli i saj, figuronte nëpër harta dhe dijenitë e të huajve, si një kënd i panjohur, i bunkerizuar, me një lider të rrjedhur nga trutë i cili vuante nga deliri i madhështisë e që duke u vetëkonsideruar si “Luan Europe” përballë homologut kinez, ndihej në luftë me gjithë globin dhe i rrethuar nga armiq të jashtëm e të brendshëm.

Fakti që pas plot 23 vjetësh demokraci, ende kushdo gazetar apo turist i huaj, kur të flasë apo shkruajë për Shqipërinë, sërish do të prekë qoftë edhe përciptazi 700 mijë bunkerët dhe udhëheqësin delirant izolacionist, shërben për të na treguar, se hija e idhullit të Qoses, vështirë të na ndahet neve shqiptarëve, edhe po e futur gojën në punë ky i “ftofmi n’tajare”.

Pa dashur fare të merrem me arsyetimin dhe deformimet e dukshme të personalitetit të shokut Rexhep, duke ia mirëkuptuar atij fare çiltërsisht dashurinë,  përkushtimin dhe besnikërinë e devotshme për veprën dhe mësimet e “paharrueshme” të xhaxhit Enver, sidoqoftë do kisha sugjeruar edhe një zgjidhje për t’a kufizuar sadopak praninë e tij mediatike.

Tashmë që e kemi marrë vesh të tërë, pa përjashtim feje, krahine dhe ideje se ku e ka punën, çfarë mesazhi synon përherë të përçojë përmes intervistave të tij tek publiku i gjerë ky njeri, ndoshta edhe për hir të mirëqënies së tij personale, ashtu si edhe për t’a shpënë sa më afër “udhëheqësit”, do të ishte e udhës që Qosen t’a propozonte dikush për “Roje Nderi” me grushtin lart, mundësisht edhe shallin e kuq të “Pionerëve të Enverit” lidhur në qafë, që të ngulet 24 orë në 24 para varrit të merhumit.

Do të ketë kohë ashtu për të kuvenduar natë e ditë me fantazmën apo versionin “zombie” të vdekur të pakallur të diktatorit e mundësisht ne të tjerëve do na zhduket nga sytë njëherë e mire.



(Vota: 78 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora