Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ismail Kadare: Djajtë e kanë gjumin e lehtë

| E enjte, 26.12.2013, 08:56 PM |


Djajtë e kanë gjumin e lehtë

Nga Ismail Kadare

Historia na tregon se urrejtja racore dhe persekutimi fetar janë djaj që nuk mund të zhduken aq kollaj dhe që u rikthehen shpesh kombeve. Edhe kur mbarojnë punë duke shkatërruar, ata nuk zhduken, por bien në një gjumë të qetë, nga i cili zgjohen me provokimin më të lehtë e rifillojnë punën e tyre rrënuese.

Përpjekjet për anëtarësimin në BE të Islandës kanë shkaktuar trazim te shtetet e Ballkanit mijëra kilometra më larg. Ballkani ia ka dalë gjithmonë që t’ia transmetojë problemet dhe vuajtjet pjesës tjetër të kontinentit evropian, kështu ka ndodhur dhe kësaj here.

Në momentin kur Bashkimi Evropian do të vendosë se cili nga vendet e Ballkanit, të cilët ndodhen nën vëzhgimin të pandërprerë dhe dashamir të tij, do të pranohet në familjen evropiane, është e kuptueshme që do shpërthejnë rivalitetet e vjetra.

E gjitha kjo nuk ka sjellë xhelozi për Islandën e vogël nordike, por ka çuar në më shumë xhelozi mes vendeve ballkanike. Vendimi i BE për të hequr vizat me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi është një shenjë se këto vende po afrohen më shumë me Evropën. E meqë me Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjën nuk ka ndodhur e njëjta gjë, këto vende ndjehen të diskriminuara dhe kjo ka zgjuar armiqësitë e vjetra.

Vendimi i BE nuk u kritikua vetëm në Ballkan, por nuk u prit mirë në të gjithë Evropën. Ky favor nuk u pa si një hap drejt stabilizimit të rajonit, por më shumë u vlerësua në të kundërt si një vendim që do sjellë pakënaqësi.

Dy gjëra mund të sjellin shqetësim: Në radhë të parë një nga vendet që përfitoi është Serbia, e cila jo para shumë kohësh druhej nga sanksionet e BE dhe NATO-s për shkak të të kërkuarve për krime lufte gjatë viteve të fundit. Nga ana tjetër, vendet e diskriminuara nga vendimi, Bosnja dhe Kosova, janë viktima të këtyre krimeve të luftës.

Kështu, të krijohet përshtypja se Evropa po kërkon ndjesë dhe po rimendon pozicionin e saj politik e moral ndaj sulmeve ushtarake në Ballkan, të cilat u dhanë fund vrasjeve. Sipas mendimit të shumë ekspertëve, ky do të ishte një hap i madh prapa në historinë moderne të Evropës.

Një tjetër çështje shumë e ndjeshme është fakti se tri nga vendet e lëna jashtë kanë shumicën e popullsisë myslimane, çka rizgjon një tjetër keqkuptim që supozohej se ishte zgjidhur prej kohësh në Evropë.

Në Bosnjë Sllobodan Millosheviç përdori një argument mashtrues përpara komunitetit ndërkombëtar që hezitonte për të sulmuar. Në vitin 1999, kur ngrihej sërish e njëjta pyetje, tirani serb ishte i bindur se serbët “kristianë” në Kosovë do të masakroheshin. Por Evropa dhe NATO kësaj radhe nuk do mashtroheshin nga paragjykimet e vjetra.

Në vend që t’ia linin tiranit të Ballkanit çështjen në dorë, ata luajtën një rol qendror në çlirimin e rajonit, që do të hyjë në histori.

Ky vendim i palumtur i BE ndoshta nuk përbën një rrezik për konflikt potencial, që do të rrezikonte ekuilibrat aktualë, dëmi mbetet i kufizuar, por kërkohet më shumë kujdes.

Konfliktet e fundit në Ballkan me masakrat, gjenocidin dhe përdhunimet e tmerrshme nuk duhen harruar kurrë.

Marrë nga “Frankfurter Rundschau” - VOAL