E enjte, 18.04.2024, 06:28 AM (GMT+1)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Letërsia dhe kritika si propagandë

E enjte, 26.12.2013, 08:14 PM


Letërsia dhe kritika si propagandë

Nga Nuhi Ismajli - gjuhëtar

Në kohë të fundit, në shkrimet tona ka zënë të imponohet gjithnjë e më tepër edhe një lloj shkrimi i individëve titullmëdhenj e me pozita të larta institucionale, i cili synon të heshtë e të mënjanojë si të pavlershëm autorë e shkrime me vlerë, kurse të vetëmburrë e të lavdërojë autorë e ndonjë klan të tyre. Shkrimet e tilla, si një propagandë banale, e marrë dhe tejet qesharake, po bëhen nga titullmëdhenj e nga pozita e kuadrit universitar, pikërisht nga ata dhe nga atje ku duhet të ketë qëndrime dhe parime të qëndrueshme shkencore dhe ku tendencat e dukuritë e tilla jo vetëm nuk duhet të ndodhin, po duhet luftuar ngulmërisht.

Gjer më tash, kemi pasur rast të shohim shkrime të ndryshme të kësaj natyre, por në këtë rast po ndalemi te një nga shembujt e publikuar së fundit, në shkrimin: ”Prishtina letrare: petit Paris”, të K. M. Shalës (“Jeta e re”, Prishtinë, 2013, nr. 2, f. 350-370).  Shkrimi i përmendur, i cili na paraqitet kinse si një shkrim shkencor, paraqet shembullin tipik të mungesës së argumenteve e të etikës shkencore, shembullin tipik të mohimit të vlerave krijuese të të tjerëve dhe shembullin tipik të një shkrimi propagandues e qesharak.

E para, K. M. Shala, në shkrimin e tij, pa asnjë mbështetje shkencore, disa krijues (si: M. Raifi, I. Rugova, R. Ismajli, S. Hamiti e Z. Rrahmani), i barazon me shkencëtarët parisienë e evropianë të letërsisë e të gjuhësisë: “Prishtina letrare: petit Paris është formulimi që shenjon Prishtinën e dijes letrare, përmjet një përngjasimi me Parisin e teorive moderne, të projektuar si miniaturë te studiuesit e Kosovës në vitet ’70 të shekullit të kaluar.” (f. 350); “Ky formulim shenjon...përnjëherë dijen letrare moderne shqipe, të formuluar e të propozuar nga Qarku i Prishtinës.” (f. 350); “Teoria letrare u bë paradigmë e Prishtinës letrare, e tillë që vetë krijoi paradigmat e mëdha të mendimit letrar e të kërkimeve letrare direkte.” (f. 352) etj..

Krahasime të tilla të çuditshme të barazisë së autorëve shqiptarë me autorët e shquar botërorë janë bërë edhe më parë nga anëtarët e të ashtuquajturës “Shkolla e Prishtinës”. N. Krasniqi p.sh, poetin S. Hamiti e krahason me poetin Bodler! (“Autori…”, f.255), ndonëse asnjë element, si natyra e forca artistike, përmasat e afirmimit dhe të ndikimit tek autorët tjerë në botë etj., nuk i japin mundësi për një krahasim të tillë barazie. Mendimi i paqëndrueshëm i K. M. Shalës, lidhur me krahasimin e barazisë së studiuesve prishtinas me shkencëtarët parisienë e evropianë të letërsisë e të gjuhësisë, është lehtësisht i kuptueshëm.

Studiuesit prishtinas, të cilët K. M. Shala i krahason me shkencëtarët parisienë dhe evropianë të letërsisë e të gjuhësisë, nuk janë fare krijues teorish të reja e origjinale letrare e gjuhësore, e lëre më krijues teorish të mëdha letrare e gjuhësore, të njohura botërisht, siç janë autorët me të cilët krahasohen. Krahasimi i studiuesve prishtinas me shkencëtarët parisienë e botërorë, vetëm pse kanë mësuar prej tyre, pse kanë përkthyer veprat e tyre ose pse shkrimet shqipe i kanë vështruar nën ndikimin e ndonjë pikëpamjeje të tyre, është mëse qesharak.

Po kështu, pohimi i K. M. Shalës, sipas të cilit, anëtarët e të ashtuquajturit Qarku i Prishtinës, apo “Autorët themelorë të Prishtinës letrare”, si quhen, sipas tij, “zbuluan traditën letrare e nacionale nga fillimi, ashtu siç hapën për së pari dijet moderne.” (f.351), domethënë të mos njohësh gjithë kontributin e madh të autorëve të shumtë shqiptarë e vlerën e madhe shkencore të studimeve të tyre për traditën shqiptare, në njërën anë dhe të mbyllësh sytë para të metave të ndryshme të studimeve të të ashtuquajturve anëtarë të qarkut të Prishtinës, në anën tjetër.

Një shembull: si i ka kontribuuar p. sh. S. Hamiti zbulimit të traditës letrare e nacionale nga fillimi, kur gjithë përmbajtjet e veprave të njohura të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, i redukton vetëm në përmbajtjen fetare dhe kur, për shkak të përmbajtjes fetare, letërsisë së përmendur ia mohon vlerën letrare?! (“Shkrimet e autorëve të vjetër filobiblikë nuk janë shkrime letrare estetike në vështrimin e sotëm të fjalës…”, në: S. Hamiti: “Letërsia e vjetër shqiptare…”, “Albas”, 2004, f. 77). Si i ka kontribuuar p. sh. S. Hamiti zbulimit të traditës letrare e nacionale nga fillimi, kur fillimet e letërsisë shqipe i sheh në letërsinë e bejtexhinjve (po aty, f. 78, 79, 80, 83, 168 etj.), kurse themelues të letërsisë kombëtare shqipe konsideron rilindësit ose romantikët shqiptarë?! (“Let. rom. shqiptare 11”, “Albas”, 2004, f. 11). Etj.

Duke lidhur kuptimisht edhe me të ashtuquajturin Qarku i Prishtinës, K. M. Shala reagimin Vox Clamantis in Deserto (1971), të nënshkruar nga një grup krijuesish, e vështron dhe e vlerëson si një reagim dhe kundërvënie të vetme ndaj letërsisë soc-realiste, por edhe si një kundërvënie ndaj gjithë autorëve dhe veprave të letërsisë shqipe të kohës dhe si një kërkesë të vetme për letërsinë moderne shqipe dhe me orientim evropian (“Vox Clamantis in Deserto e kundërshtoi publikisht realizmin socialist…në kohën kur ai tinëzisht po shpallej ideologji shqiptare…

Nënshkruesit e Vox-it...shenjonin letërsinë moderne universalisht  dhe letërsinë moderne të Qarkut të Prishtinës.”, f. 354).  Vox-i nuk mund të vështrohet si një akt i një reagimi të vetëm intelektual i një grupi të krijuesve, në kundërshtim me të gjithë krijuesit shqiptarë të Kosovës e veprat e tyre, dhe si akt i një reagimi të një grupi të krijuesve, në kundërshtim me gjithë krijuesit shqiptarë dhe veprat shqipe të kohës. Përmes tij nuk mund të përjashtohen krijuesit nga qëndrimi i drejtë dhe përpjekja e tyre e dëshmuar për lirinë krijuese, për një krijim letrar modern dhe lidhjen kulturore shqiptare me kulturën evropiane.

Gjithë krijuesit e Kosovës, të cilët nuk e nënshkruan Vox-in, nuk domethënë se ishin kundër lirisë krijuese, kundër letërsisë moderne dhe kundër lidhjeve me kulturën evropiane. Dihet se edhe disa nga ata që, sipas K. M. Shalës, janë përfaqësuesit e të ashtuquajturit Qarku i Prishtinës, si I. Rugova, S. Hamiti etj., p. sh., nuk ishin nënshkruesit e Vox-it (1971), por kjo nuk do të thotë se ata ishin në kundërshtim me të, ose se ishin kundër letërsisë moderne e me orientim evropian, dhe ithtarë të soc-realizmit. Veprat e krijuesve shqiptarë të Kosovës, në pjesën dërrmuese të tyre, tregojnë se ishin ngushtësisht të lidhura me praktikat krijuese moderne dhe në kundërshtime të mëdha me kërkesat e letërsisë soc-realiste.

Po kështu, Vox-i (1971) nuk është e qëndrueshme të vështrohet as në kundërshtim me gjithë autorët shqiptarë të Shqipërisë dhe gjithë veprat e tyre. Vepra të ndryshme të P. Markos, I. Kadaresë, D. Agollit, F. Arapit, J. Xoxës etj., etj., janë edhe vepra me elemente postmoderne. Duke iu përgjigjur në radhë të parë kërkesave esenciale të artit e jo kërkesave të letërsisë zyrtare, u krijuan vepra në kundërshtim me kërkesat e letërsisë soc-realiste, vepra të cilat u censuruan apo u penguan në mënyra të ndryshme, kurse mjaft autorë të tyre u burgosën ose u gjenden në situata të tjera të vështira.

Veprat letrare të autorëve shqiptarë, ndonëse të krijuara në rrethanat e imponimit të vrazhdë të politikës zyrtare ndaj letërsisë, në pjesën dërrmuese të tyre, janë vepra tejet moderne dhe të pëlqyera nga lexuesit dhe kritika letrare botërore. Prandaj, duke marrë parasysh situatën e shkrimtarëve shqiptarë të Shqipërisë, duhet çmuar lart kontributin e tyre për refuzimin e kërkesave e letërsisë zyrtare dhe krijimin e një letërsie moderne e me vlera të admirueshme. Deklarimet publike të autorëve dhe ndonjë vepër me frymë soc-realiste, në rrethanat e një sistemi totalitar, nuk tregojnë shumë për qëndrimin negativ të krijuesve.

Ka krijues që, për të siguruar pak liri krijuese, ka shprehur ndonjë deklarim publik negativ, por në krijimtari ai shpreh të kundërtën. Prandaj, vështrimi i Vox-it (1971), në kundërshtim me gjithë autorët shqiptarë dhe veprat e tyre, shkencërisht është një vështrim tejet i paqëndrueshëm. Ndaj edhe shkrimet, si: “Prishtina letrare: petit Paris”, të cilat pretendohet të na paraqiten si  hulumtime teoriko-letrare, kurse në fakt janë shkrime thjesht propaganduese e komike, nuk i kontribuojnë mendimit letrar, as letërsisë përgjithësisht.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora