E enjte, 28.03.2024, 03:45 PM (GMT)

Kulturë

Irida Dragoti: Jam e para Venus shqiptare

E enjte, 26.12.2013, 05:15 PM


Flet mexosopranoja Irida Dragoti:

Femrat shqiptare kanë një sharm, bukuri dhe inteligjencë të rrallë

“Jam e parà Venus shqiptare”

“Tannhauser” erdhi në Shqipëri si premierë absolute

Nga Albert ZHOLI

Opera e fundit që ajo ka luajtur është opera e madhe e kompozitorit Vvagner. “Tannhauser”.

Në këtë vepër ajo luante rolin e Venusit, perëndesha e bukurisë dhe dashurisë. Provat u organizuan me një staf shumë profesional që kishte ardhur nga Amerika. Dhe regjisori Daniel Helfgot i dha një frymë moderne kësaj opere.

Cili ishte roli kryesor në këtë opera?

Roli kryesor ishte ai i “Tannhauser” dhe dy femra që rregullohen në jetën e tij: Venusi që është femra trasgresive dhe Elizabeth, e cila është femra shenjtore... Opera u vu në TKOB në kuadër të 200- vjetorit të lindjes së kompozitorit R.Vvagner.

Gjithë teatrot në gjithë botën kanë vënë opera të Verdit dhe Vvagner-it për 200- vjetorin e lindjes. Është një oportunitet shumë i madh për TKOB që “Tannhauser” vjen në Shqipëri si premierë absolute.

Kritika theksoi se, kjo oper u prit mirë nga kritika?

Publiku tiranas e priti shumë mirë, megjithëse, Vvagner është një kompozitor i shkëlqyer, por muzika e tij është shumë e sofistikuar dhe ndonjëherë mund të jetë e vështirë të kuptohet nga publiku i gjerë. Duke parë shfaqjet mendoj se publiku e priti entuziast operën. Dhe salla ishte plot. Duket se publiku shqiptar është edukuar me operën.

Roli juaj më i vështirë ka qenë ky i fundit?

Po! Deri tani roli më i vështirë ka qenë ky i Venusit. Duke qenë se unë jam një mexosoprano, zë më i errët sesa ai i sopranos ishte shumë i vështirë realizimi pasi mu desh të punoja me një intonacion të lartë. Sipas kolegëve të mi të ardhur nga Gjermania e Amerika thuhet se, roli i Venusit është shumë i vështirë edhe për intonacionin e notave edhe për regjistrin, ku shtrihet. Gjithashtu, vështirësia e madhe që kisha, vinte se do të këndoja në gjermanishten e vjetër. Kemi bërë stazhe apostafat vetëm për shqiptim. Le të themi që unë preferoj italishten për të kënduar operën. Gjermanishtja e lodhi pak zërin tim dhe pozicioni i të kënduarit nuk ishte i lehtë. Por ne këngëtarët lirikë, duhet t’i kalojmë këto vështirësi pasi jemi të detyruar të këndojmë në shumë gjuhë të ndryshme dhe t’i përshtatemi stilit të kompozitorit dhe kohës dhe stilit e kulturës që ai përcjell.

Sa bashkëpunime keni me TKOB?

Me Teatrin e Operës Tiranë është bashkëpunimi i pestë dhe më kanë qëlluar premierà të parà shqiptare. Edhe ky rol që sapo bëra me entuziazmoi thellësisht, pasi jam e parà Venus shqiptare. Në fakt unë jam larguar nga Shqipëria dhe tani jetojmë për momentin në Romë. Kësaj radhe u ktheva për operën e Vvagner. Por sa herë që vij në TKOB ndjej një ambient shumë familjar,  jo vetëm me artistët, por me gjithë punonjësit e teatrit.

Jeni ambientuar në Itali, pasi ju keni dhe bashkëshort italian?

Unë kam origjinë italiane, pasi gjyshja ime nga ana e babait ishte italiane. Kështu që, kemi qenë gjithmonë një familje shqiptare me pak influencë italiane. Njëkohësisht, unë kam bashkëshort italian. Bashkëshorti im është gjëja më e bukur e jetës, që e kam pasur dhuratë nga Zoti. Quhet Andreas Mazza dhe është një njeri, i cili më plotëson dhe më kupton në brendësi të shpirtit. Nuk është e lehtë aspak të jesh i martuar me një artist. Pasi jemi emocionalisht shumë të ngarkuar  kemi shpesh shpërthime emotive pasi na shërbejnë për t’ia përcjell publikut, që jo për çdo njeri do ishin të lehta për t’u përballuar. Unë vet jam shumë e ndjeshme si personalitet dhe për mua Andreas është shpatulla, ku mbështes kokën. Gjithashtu, bashkëshorti e adhuron Shqipërinë, shqiptarët, familjen time edhe pse si profesion ai është i lidhur me komunikimin shkruan, përkthen, është munduar të kuptojë rrënjësisht botën e artit. Kur po bënim operën e “Skënderbeut” të Preng Jakovës Andreas vinte shpesh në prova. Regjisori italian Carlo Saleti e vuri re Andreasin dhe i propozoi të bënte figurantin në teatrin e Tiranës. Ai shkoi aq mirë sa ka marrë pjesë në të 4 operat, ku kam kënduar edhe unë. Ky është sekreti i raportit tonë. Duam të kuptojmë botën e njëri- tjetrit dhe jemi gjithmonë së bashku. Megjithëse, jeta martesore nuk është e lehtë pasi secili ka mendjen e vet, kulturën e vet, por me komunikim dhe dashamirësi, pa egoizëm dhe konkurrencë gjendet një gjuhë e përbashkët. Edhe pse nuk i përkasim të njëjtit vend, apo vendlindje, është forca për të kaluar vështirësitë që na bashkon më së miri. Ne jemi shumë besimtarë të dy së bashku me vajzën. Çdo mëngjes, çdo drekë edhe darkë parà se të flemë i lutemi zotit të na ndihmojë të kalojmë gjithë vështirësitë që na dalin përpara. Jeta me besim është ndryshe, pasi arrin të falësh e të kuptosh njerëzit.

A të kufizon nga puna familja?

Kur po shkruaja intervistën duhet të isha në natën e tretë të operës  “Tannhoiser”, të shikoja kolegët e mi që këndonim pasi ishte mbrëmja që unë isha pushim, gjithashtu, do shikoja edhe Andreasin (bashkëshortin) që ka bërë edhe në këtë opera figurantin. Parà se të dilnim nga shtëpia vajza jonë patì dhimbje barku dhe filloi të qante. E kuptova që ishte një mesazh për mua që më thoshte më ke lënë pasdore, kam nevojë për ty sonte. Unë e kisha të domosdoshme të shkoja në teatër të takoja të gjithë kolegët nga Amerika pasi nesër do nisen. Por Christine është gjëja më e rëndësishme. Ndenjëm të dyja në shtrat derisa e zuri gjumi. I tregova 5 përralla. Ajo u bë më mirë, ishte e lumtur që unë isha pranë saj. Nuk është e lehtë të jesh nënë pasi ke të bësh me një qenie njerëzore që e bën pasqyrë e karakterit tënd. Fëmijët dëgjojnë pak fjalë, por ndjekin shumë shembullin e prindit. Një nënë artiste është shumë e vështirë pasi presioni i punës është i vështirë dhe duhet të jesh 100 për qind për publikun. Por duhet gjetur një ekuilibër pasi fëmija ka nevojë për prezencën e prindit. Unë i jap përparësi familjes edhe pse jam shumë serioze në punën time. Por nuk është e lehtë nuk është fushë me lule. Një artist beqar e ka më të lehtë të eci përpara, por ka dizavantazhin që ndihet vetëm. Unë preferoj pak nga të dyja, por duhet të them se edhe në këtë rast meritat i ka Zoti, pasi ai të jep një ekuilibër mendor dhe emocional për të kuptuar përparësitë.

Si do t’i cilësonit femrat shqiptare?

Femrat shqiptare kanë një sharm, bukuri dhe inteligjencë, që rrallë shikoj nëpër vende të huaja. Kjo mund të sjellë pak xhelozi tek meshkujt shqiptarë që jo gjithmonë, por në disa raste shumë të veçanta bëhen agresivë dhe arrijnë deri në dhunim fizik. Kjo është një gjë e gabuar pasi mashkulli nuk ka nevojë të përuli dinjitetin e një femre për t’u ndjerë më i fortë. Megjithatë, edhe femra duhet të kuptojë për mendimin tim personal që burri ka nevojë që ta ndjejë veten që është në komandën e një familje, besoj për ta mbrojtur atë dhe për t’i dhënë dinjitetin që i përket familjes.

Pra shoqëria shqiptare është maskiliste?

Deri diku po. Për mua maskilizmi është një frikë e mashkullit që po nuk u shërua sjell violencë fizike.

Po femrat janë të pagabueshme?

Një femër e lënduar mund të shkatërrojë gjithë njerëzit rreth saj emocionalisht. Ka shumë raste të femrave intrigante që sjellin shumë probleme emocionale në shoqëri. Prandaj, besoj se femra duhet të kuptojë në radhë të parë që Zoti i ka dhuruar jetën dhe asnjëherë një mashkull s’mund të kuptojë botën e brendshme siç ajo e kupton. Kurse mashkulli ka një forcë fizike, por duhet ta përdorë për të mbrojtur familjen e jo për ta vrarë atë. Dhe meshkujt nuk duhet të kenë frikë nga femra, por t’i avancojnë ato në mënyrë të barabartë. Meshkujt duhet të jenë lider, bashkëpunues në fillim në familje e pastaj për shoqërinë... Unë jam për barazi, por duke kuptuar pikat e forta të secilit nga sekset për të sjellë ekuilibrin e shenjtë.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora