E premte, 29.03.2024, 07:33 AM (GMT)

Kulturë

Flet këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci

E merkure, 25.12.2013, 01:47 PM


Flet këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci: Kënga ime flet për problemet sociale shqiptare

Së bashku me Irma Libohovën, bëjmë një shekull në skenë

Nga Albert Zholi

Në këtë festival këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci, vjen me një këngë të veçantë, me një këngë, ku pasqyrohen problemet sociale të Shqipërisë, të këtij vendi që zoti e ka bërë të begatë, por që politika e ka lënë në harresë. “Ditë shprese”  titullohet kënga me tekst të Agim Doçit dhe me muzikë të vetë Fredrikut. Kjo këngë, sipas tij, është një këngë e veçantë, që domosdoshmërisht tërheq vëmendjen për tematikën. Ndërsa këngën e dytë duet, këngën shoqëruese të festivalit, ai do ta këndojë së bashku me të mirënjohurën Irma Libohova. Ky duet do të jetë me këngën e kënduar nga Avni Mula dhe Ema Qazimi “Shqipëri o vendi im”, një këngë që ka bërë bujë për kohën. Sipas Ndocit, pjesëmarrja në Festivalin Europian duhet të bëhet si një përzgjedhje e tre kompeticioneve të Këngës së Muzikës së Lehtë, Këngës Magjike, Top -Fest dhe Festivalit në RTSH.

Me çfarë kënge do të merrni pjesë në këtë festival?

Në këtë festival, qysh para disa muajsh mua m’u bë një propozim që të merrja pjesë në një këngë që do të këndohej me dy autorë, me këngë të traditës. Unë u thashë do të vij, por njëkohësisht unë do të përgatis enkas për Festivalin e 52 një këngë të muzikës së lehtë dhe më pas do të këndoj duet dhe një këngë me këngëtaren e madhe Irma Libohova. Dhe kështu bëra. Unë kompozova një këngë dhe tekstin e këngës, pasi dëgjoi muzikën e bëri poeti Agim Doçi, i cili ju përmbajt apo më mirë të themi u iniciua nga kjo muzikë për të bërë një tekst ndryshe.

Si titullohet kjo këngë?

Në protokoll kjo këngë titullohet “Ditë shprese” ndërsa si titull i autorit pas krijimit, është “Më dhëmb”, ku në të janë përfshirë ë gjitha dhimbjet aktuale të Shqipërisë. Pra është një titull social, me përmbajtje tërësisht sociale, ku jepen ato shqetësime të mëdha që ka megjithëse bëhet shumë zhurmë të mbulohen këto dhimbje. Shpesh herë duket sikur ne Shqipërinë e duam shumë por në fakt, këto janë false, pasi ne jemi ata që e kemi shfrytëzuar barbarisht, e kemi mjelë në emër të kësaj “atdhetarie”. Pra deri diku jemi atdhetarë false, pasi dashurinë tonë e kemi shprehur me fjalë dhe jo me vepra.

Në fakt Shqipëria s’e meriton këtë fat të keq, pasi me emrin e saj kanë luajtur shumë?

Po, shumë e drejtë. Vetë NASA, qendra botërore e zbulimit dhe informimit satelitor  ka thënë që në Ballkan ndodhet një vend, një shtet që është çelësi i të gjithë orientimit hapësinor botëror. Pikërisht në vitin 1912  NASA ka zbuluar se në malin e Tomorrit, është një pikë orientuese, një sinor, një emblemë, mbi 6 mijë vjeçare, e cila lidhet me një Yll që mban çelësin e gjithë globit. Njëkohësisht ne kemi shumë figura të shquara si Nënë Tereza, Skënderbeu, por dhe qindra shkencëtarë që i kanë dhënë emër artit apo shkencës botërore dhe ne sot, jemi vendi më i varfër, vendi, ku heronjtë apo personalitete nuk vlerësohen, nuk marrin vendin që u takon. Pra këto çështje trajton kënga ime në këtë festival, kënga që është në konkurrim.

Cila është kënga e dytë që do të këndoni në këtë festival?

Kënga e dytë është  një këngë e bukur që do ta këndoj së bashku me Irma Libohovën. Është një këngë e kënduar nga Avni Mula dhe Ema Qazimi “Shqipëri o vendi im”, një këngë që ka bërë bujë për kohën. Për mua mbetet një ndër këngët më të bukura, një këngë që i ka rezistuar kohës, një këngë që ka në vetvete tharmin shqiptar, tekstin shqiptar, muzikën e bukur dhe të pastër shqiptare. Në atë regjim, që unë s’dua ta ideologjizoj këngën, por edhe sot mbetet një ndër këngët më të pëlqyera të Festivaleve në RTSH. Pra unë pasi të këndoj sol këngën time, me tekst të Agim Doçit, pastaj do të këndoj këngën “Shqipëri o vendi im” së bashku me këngëtaren e mirënjohur Irma Libohova.

Çfarë përbën për ju dalja në skenë së bashku me të mirënjohurën Irma Libohova?

Përbën një rekord, madje më shumë se kaq. Unë dhe Irma jemi dy këngëtarë që kemi dalë në skenë këtu e 50 vjet më parë që fëmijë. Pra ne të dy së bashku bëjmë një shekull në skenë dhe kjo nuk është pak.  Një shekull nuk është pak. Ne të dy jemi rritur me Festivalet në RTSH. Kemi ndarë shumë gëzime dhe hidhërime në to, por sërishmi mund të themi se Festivali i RTSH ka një histori, një traditë të pazëvendësueshme. P.sh me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë u dekoruan me dhjetëra aktorë, artistë apo intelektualë dhe Irma Libohova u la në heshtje. Të gjitha vlerësimet sot bëhen mbi baza njohjeje mbi baza miqësish dhe tarafesh.

Deri më sot në sa festivale ka marrë pjesë Frederiku?

Unë kam pasur dhe festivale që nuk kam marrë pjesë. Nuk kam marrë pjesë ahere kur kam menduar se nuk kam qenë aty, ku duhet. Por nga ana tjetër di të them se në të gjitha festivalet që kam marrë pjesë gjithmonë kam marrë çmime. Pra çmimet e mia kanë qenë të para të dyta ose të treta. Pra s’ka pas asnjë festival që të kem marrë pjesë dhe të mos kem marrë çmim.

Ju keni marrë pjesë dhe në Festivalin Europian para disa vjetësh, keni ende atë dëshirë për të marr pjesë në të?

Jo. E deklaron që edhe n.q.s marr vend të parë në këtë Festival të 52 të Këngës së Muzikës së Lehtë në RTSH, nuk do të marrë pjesë në Festivalin Europian. Do të lejoj me gjithë dëshirë të shkoj në këtë event atë që do të marrë çmim të dytë.

Pse kjo deklaratë?

Pasi s’më meritonte ai vend që më dhanë i 11-ti. Di të them se në të gjitha sondazhet paraprake këngë jonë ishte ndër më të pëlqyerat. S’e di se si erdhi ai rezultat. Jam befasuar, pasi ne ndoqëm të gjitha sondazhet tona. Ne kudo ku u zhvillua Festivali, Europian, në çdo lokal, në çdo qendër argëtimi, pyesnim dhe vlerësimet për ne ishin shumë më ndryshe. Pra them me bindje se, asnjëherë nuk ka vlerësim real as në Europë.

Si do të ishte për ju më mirë pjesëmarrja në Eurovizion?

Për mendimin tim pjesëmarrja më e mirë do të ishte duke seleksionuar këngët fituese të tre kompeticioneve të këngëve të muzikës së lehtë, Top- Fest, Kënga Magjike dhe Festivali në RTSH dhe prej aty të nxirrej kënga fituese. Mendoj se, vetëm kështu do të përfaqësoheshim më denjësisht, për vetë faktin se dhe në kompeticionet e tjera marrin pjesë këngëtarë të mirë, këngëtarë të afirmuar, sigurisht edhe në ato ka këngë të bukura. Pra pas përfundimit të secilit kompeticion, një juri profesioniste duhet të zgjedhë se kush nga këngët e tre kompeticioneve fiton të drejtën për të shkuar në Eurovizion.

Këto kohë për Frederikun ka qenë kohë mbingarkese?

Po kam pasur shumë punë, kam lëvizur gjatë, kam shkuar në Amerikë, Kanada, Gjermani, ku kam pasur shumë kërkesa nga shoqata të ndryshme me rastin e festave të nëntorit. Tashmë këto lëvizje janë bërë normale për mua.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora