E premte, 19.04.2024, 02:28 AM (GMT+1)

Mendime

Gjergj Perluca: Dimensioni i fshehtë i historisë

E shtune, 31.05.2008, 12:48 PM


Dimensioni i fshehtë i historisë       
 
Nga Gjergj PERLUCA

Europa para se të jetë një hapësirë e të mirave materialeve dhe e një stabiliteti ekonomik e shoqëror të një niveli të lartë, ajo është një bashkësi njerëzore me një kulturë të plazmuar në rrjedhën e historisë. E kaluara e saj, përveç angazhimeve dhe rezultateve madhështorë në shkencë, art dhe në ndërtimin e shteteve demokratike, përmban edhe hapësira të dhunës dhe të fajit të popujve të saj njëri kundrejt tjetrit. Sigurisht, ato nuk kanë mbetur pa u analizuar dhe veçanërisht edhe konstelacionet përkatëse nën të cilat janë shfaqur edhe katastrofa njerëzore, siç kanë qenë dy luftërat botërore. Për këto analiza është e huaj ideja e dominacës së ndikimeve të importuara dhe transferimi i fajësive tek të tjerët, por linjë permanente e mendimit shkencor, ajo e prurjeve historike, që kanë shkaktuar idetë e rrezikshme nacionaliste, e supermacisë racore, apo ide të tjera sterile, ato nuk produktojnë asgjë dhe pengojnë futjen e ideve efikase, doktrina dhe ideologji të pathemelta. Europa ka mësuar nga historia dhe sido që të ketë mësuar, ajo nuk është bërë pa dhembje, refleksi pozitiv i të cilave përmblidhet në konluzionin konceptual, dimensioni i fshehtë i historisë. Dinamizmi i vrullshëm i jetësimit të konceptimeve dhe mënyrave modern të të menduarit, jo rrallë e turbullon shikimin për të parë se qasje dhe angazhime të motivuara nga ide dhe mendësi të kapërcyera, por të paraqitura dhe të propaganduar nën një mantel bashkëkohor, që u mundësojnë personave të caktuar pa kurrfarë formati të inkuadrohen në elitat politike përkatëse duke e cënuar fortë kualitetin e tyre. Kjo pasqyrohet në mënyrë të pashmangshme edhe në kualitetit e vendimmarrjeve të tyre, ngandonjëherë edhe me pasoja shumë të rënda. Më vonë pjesa e mirëfilltë elitore është ndërgjegjësuar dhembshëm, se ka pasur indikacione të mjaftueshme për t’i frenuar disa bashkëpunëtor. Ky ndërgjegjësim i vonuar ka pasur në thelb konotacionin filozofik, se askush nuk mashtrohet pa pjesën e tij të vetëmashtrimit, refleks i dimensionit të fshehtë të historisë. Fatkeqësisht tek ne ky ndërgjegjësim shfaqet rrallë, tepër rrallë. Por kurdoherë ai zvarritet ngadalë, pa forcën e duhur, duke na lënë përsëri në vorbullën e atij dimensioni, që theksuam më lartë. Shembuj të shumtë nga jeta politika, mediatike, shoqërore e vërtetojnë këtë. Në një paradrekë, kur po zhvillohej një seance parlamentare, ku po diskutohej rreth plagosjes së rëndë të të ndjerit Azem Hajdari, nga një koleg parlamentar një ditë më parë, po ndihmoja të ndiqte punimet e kësaj seance një gazetar gjerman. Në një moment të caktuar u ngrit deputeti i PS, z. B. Zeneli, i cili formuloi qortimin “monumental” ndaj mbajtjes të asaj seance: “Deputetët nuk duhet të jenë këtu, por të gjithë tek spitali pranë kolegut tonë të plagosur”. Posa ia përktheva gazetarit këtë populizëm të mendësisë ballkanike erdhi pyetja e tij: “Ëarum?” (Përse ?), e cila nga toni dhe shprehja e fytyrës së tij demonstronte një ngulmim, të ngjashëm me atë kur njeriu kërkon një informacion për të gjetur një shteg nga një situatë gati parrugëdalje. Nuk kisha përse të simuloja, por e interpretova qortimin si refleks i mentalitetit tonë. Deputetët duhet të shkonin tek spitali dhe para kamerave televizive duhet të silleshin me fytyra të pikëlluara e të vrerosura duke pirë cigare dhe ia linin popullit të bindej sesa e padëshirueshme ka qenë për ta ngjarja, që po përjetonin. “Një refleks populist, banal i mentalitetit të vetshërbimit për të grumbulluar pikë pozitive”, ishte komenti ironizues i këtij gazetari për propozimin e bërë, pasi kishte dëgjuar interpretimin tim. Të nesërmen takova shumë deputetë dhe politikan shqiptar, të cilët e lavdëronin propozimin e bërë nga z. Zeneli, duke e stilizuar atë si rafinesë e produktuar nga bagazhi diplomatik i tij. Këtë opinion ia komunikova edhe zhurnalistit të shquar gjerman, ndërsa po pinim kafe në hotel Rogner, i cili pas një pauze të shkurtër shqiptoi verdiktin tronditës me fjalën “trostlos” ( e pangushëllueshme) për këtë qasje të një pjese të klasës sonë politike. Kisha mbetur i pezmatuar thellë nga artikulimi i këtij verdikti dhe për këtë kisha arsye. Trostlos do të thoshte një gjendje pa rrugëdalje dhe pa ngushëllim. Përballimi i sfidës jetike për krijimin e një elite politike të mirfilltë rezultonte si pamundësi. Kisha lexuar shumë libra të tij, ku ai përshkruante ngjarje makabre, që ai kishte përjetuar në luftërat civile në Liban dhe Bosnje. Analiza të mprehta dhe kritika asgjësuese me një stil empfatik për këto ngjarje dhe autorët e tyre, por asgjëkundi fjala “trostlos”. Në përgjithësi fjalët me ngarkesa ekstreme,elozhe apo kritike shfaqeshin rrallë në formulimet e tija dhe si të tilla të denja për tu medituar. E kisha ndeshur këtë fjalë në shkrimet e tija vetëm, kur ai përshkruante populizmat tejet banale, pa substancë dhe krejt të panevojshme, që përpiqeshin të justifikonin të gjithë krahët e politikës në Egjipt zgjedhjen e presidentit me një kandidaturë të vetme, atë të Mubarak-ut. Vetëdija kolektive e këtij vendi ishte parametri vendimtar, që përcaktonte atë klimë politike, që e konsideronte të pazëvendësueshëm një person duke bllokuar konkurrencën dhe duke i shkaktuar deficite kolosale demokracisë. Ky aspekt dëshmonte qartë se klasa politike e këtij vendi i druhej angazhimit për të reduktuar distancën emocionale të një opinioni popullor të papërkufizueshëm ndaj një udhëheqësi dhe zvarritej prapa tij me populizma. Parametri i standardit elitor të një klase politike është aq më i lartë, sa më e vogël të jetë frika e saj të mos jetë populiste. Elita politike garanton vendimmarrje racionale, efikase, të guximshme, dhe me vizione. Mungesa e kësaj elite është prognoza e sigurt e desastrit e çdo vendi dhe këtë e ka provuar në mënyrë bindëse historia. Një humbje e tillë është e pangushëllueshme, sepse është preludi i një orteku humbjesh të tjera të pashmangshme. Besoj të jem në një terren të sigurt po të supozojë, se në rekomandimet e këtij zhurnalisti tek organet përkatëse të shtetit të tij për qasjet ndaj klasës politike shqiptare, e cila gjendet në një vorbullë kaotike për shkak të funksionimit të historisë, populizmi grotesk, por edhe gjithsesi i rrezikshëm i këtij “diplomati” duhet të ketë qenë një element solid i argumentimit të tij. Një argumentim me një konkluzion të disfavorshëm për kulturën tonë politike, si një pjesë e identitetit tonë, i cili ndoshta na ka detyruar t’i bëjmë kurban aftësitë tona shtetbartëse, për ta bartur shtetin në nivelin e sfidave të kohës. Një populizëm absurd që kishte gjetur një rezonancë tejet pozitive në mjedisin e klasës sonë politike demonstronte fare qartë një raport të ngërcur të kulturës sonë politike me atë europiane. Shkuarja e deputetëve socialist në ambientet e spitalit, ku trajtohej i plagosuri do të thoshte prani provokative ndaj një mase të madhe përkrahësve të tij, të cilët i sundonte shpirti i aventurës dhe i agresionit dhe situata mund të fermentohej deri në eksplozion. Gjendja e të plagosurit mund gravohej me një përfundim fatal, gjë që kjo prani krijonte premisa për besueshmëri të çfarëdo insinuate për të justifikuar dhunën. Ky populizëm rezultonte një gjest patetik pa asnjë element vetrefleksioni, por autori i tij do të dërgohej ambasador në Gjermani, në një shtet i spikatur në shkallë botërore për aftësinë e të menduarit me disiplinë. Gjatë një interpelance në parlament, si Ministër i Mbrojtjes z. Sh. Vukaj do të deklaronte se deputetët në vërejtjet e tyre, ndaj punës së tij, nuk merrnin parasysh, se ai hyri në këtë ministri për herë të parë si ministër. Me këtë, ai donte të theksonte se nuk kishte asnjë njohuri ushtarake, pa mundur të ndërgjegjësohej për impaktin shokues, që përcillte tek zhurnalistët e huaj kjo deklaratë. Katër vjet si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë nuk kishte arritur të informohej se Ministri i Mbrojtjes në sistemet demokratike nuk lejohej të ishte ushtarak. Funksionimin e një shteti demokratik e dinë nxënësitë e klasës së nëntë në vendet e Europës Perëndimore, por kjo nuk e pengoi atë të katapultojë në ambasador në një vend si Rusia, ku përqendrohet diplomacia më e rafinuar botërore. Personalitete të tilla diplomatike me kualitete mizerabël intelektuale, zhargoni diplomatik i matrikullon në analet e saja nën siglën pezhorative “elefanti në dyqan të qelqurinave”. Përballë sfidës për një dinamizmi kompetitiv të suksesshëm në sajë të kompetencës njohëse të shtetit dhe të së drejtës, të historisë, shkencës, artit, kulturës, vizioneve për të ardhmen dhe zhdërvjelltësisë për të zhongluar me fjalën dhe argumentin ai rezulton i ngurtësuar si kufomë, sepse është i vetëdijshëm se çdo lëvizje e tij shkakton skandal. Ky diplomat mjeran, që nuk arriti kurrë të ndërgjegjësohet për vlerat e kulturës europiane, për shkak të mosnjohjes të asnjë gjuhë të saj, që mund të ndërmjetësonte për këtë, na ndërgjegjëson dhembshëm dhe hidhur për rolin fatal, që luan vetëdija kolektive e shoqërisë sonë për t’i krijuar stinë karrierës të personaliteteve pa kurrfarë formati. Është edhe një fakt tjetër, që e ridimensionon dhembjen dhe idhtësinë e këtij ndërgjegjësimi gati deprimues me konotacionin e zhgënjimit të thellë. Nuk është asfare e rëndësishme, se ai vjen nga një mjedis familjar i hermetizuar totalisht nga kultura europiane, por shumë relevante armiqësia virulente e trashëguar e këtij mjedisi ndaj kësaj kulture si element kontinuiteti, e cila qysh në fëmijëri u ngjiz mesa duket në personalitetin e tij si një amanet historik. Familja nga ai vjen dhe pothuajse i gjithë fisi, që ajo i përkiste, i është kundërvënë egër kryengritjes të vitit 1911 dhe zemërimi i kryengritësve do ta kishte asgjësuar atë, në qoftë se pararendësit e shkruesit të këtij artikulli, që ishin udhëheqësit kryesor të tyre, nuk do të kishin intervenuar energjikisht dhe duke iu ekspozuar rreziqeve të jashtëzakonshme për të vendosur pajtimin fetar dhe krahinor, një vepër që pati jehonë edhe në Europë dhe që konfirmohet nga shumë dokumente. Sigurisht z. Vukaj nuk ka përse të përjetojë ndjenjën e fajësisë për qasjen e pararëndësve të tij, faji nuk trashëgohet dhe as nuk mund të jetë kolektiv, por ai duhet të përjetojë ndjenjën e përgjegjësisë për të vërtetat historike dhe t’i përpunojë ato në përputhje me standardet europiane, çfarë rezulton për të një utopi e mirëfilltë. Ai dhe pothuajse të gjithë anëtarët e familjes së tij u involvuan me një angazhim fanatik politik në sistemin e diktaturës komuniste. Ky angazhim ka lënë padyshim reminishenca tejet të hidhura, veçanërisht në krahinën më të persekutuar të Shqipërisë gjatë diktaturës, nga ku ai vjen, por kjo nuk i ka penguar disa udhëheqës të PD, ta justifikojnë qënien e tij si Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, duke deklaruar se pavarësisht nga grupimi politik që ai vjen, jemi të bindur se ai është patriot dhe se vjen nga një familje patriotike. Asgjë nuk demonstron më qartë se kulti i kësaj shmatje është element i atij arsenali anakronik të kulturës sonë politike, që e ka bërë dhe e bën aq të vështirë dhe të mundimshme rrugën tonë për të qenë anëtar të familjes europiane. Në një seancë parlamentare ku shqyrtohej mocioni i dytë i mosbesimit kundër kryetares së kuvendit z. Topalli, deputeti z. Ndoka, kryetari i PDK, pas një kritike të ashpër ndaj metodës, stilit dhe sjelljeve arrogante të kryetares dhe një kritike asgjësuese ndaj fjalës së mbajtur prej saj në parlament, konkludon me verdiktin befasues të grupit të tij parlamentar të votave kundër këtij mocioni. I ndërgjegjësuar për diskrepancën ndërmjet kritikës dhe verdiktit të tij e konsideron atë të eliminuar duke e shpallur faljen si një nga parimet themelore të veprimtarisë politike të demokristianëve, por pamundur të ndërgjegjësohet se kështu ai demonstroi mosnjohjen e tij të plotë të parimeve dhe të kontributeve të demokristianëve europerëndimor në ndërtimin e shtetit të së drejtës, duke mundësuar kështu krijimin e një shoqërije tejet laike. Ishin demokristianët europerëndimor që formuluan për herë të parë dhe u angazhuan energjikisht për të realizuar maksimën brilante: “Kisha nuk ka detyrë të ndryshojë botën, por në qoftë se ajo e përmbush detyrën që i vë laicizmi për tu sekularizuar, bota ndryshohet”. Njëqind vjet më parë ata nëpërmjet strukturimeve ligjore u kishin dhënë përgjigje të pakonkurrueshme pyetjeve; A mund të ketë falje pa njohje të fajësisë nga pala që ka bërë faj?. Në bazën e cilit legjitimitet bëhet falja?. Kush e ka të drejtën e faljes dhe mbi bazën e cilës procedurë e bën atë?, etj. Ishte këmbëngulja energjike e demokristianëve gjermano-perëndimor, që në parlamentin gjerman u miratua ligji për të mos parashkruar kurrë krimet e nazistëve kundër njerëzimit. Në këtë kontekst nuk është vetëm tronditës fakti, se për z. Ndoka të gjitha këto janë shumë më pak të njohura se fshatrat kineze, por ende më tronditës se rrebelimi fshataresk mistik i tij kundër laicizmit, duke formuluar falje groteske, nuk ndeshi në asnjë reaksion kundërshtues, por u stilizua si rafinesë politike. Është dimensioni i fshehtë i historisë sonë, që njerëzve me një botëkuptim narodnik banal, i markës më primitive, u mundëson të katapultojnë deri edhe ministra. Kritikë asgjësuese për sistemin diktatorial, që e përjetuam gati pesëdhjetë vjet, denoncime dhe akuza të bazuara, por edhe apelative, për asgjësim, relativim apo shpërfillje vlerash gjatë kësaj periudhe. Nuk mund të mohohet, se gjatë asaj periudhe ka pasur edhe krijime vlerash, por gjithashtu dhe vlera fiktive dhe “aftësim” me dekrete politike; grada shkencore dhe tituj tejet fiktiv, që mund të verifikohen lehtë. Por këto konstatime u shpërfillën dhe për disa personalitete të larta të PD u bën bazë e argumentimit të vendimmarrjeve të tyre për të bërë persona të caktuar autoritete, për t’iu akorduar tituj të ri, madje për t’i caktuar deri rektorë dhe ambasador, të cilët nuk zotërojnë asnjë gjuhë të huaj. Ironia groteske dhe tragjike e kësaj qasje është se autorët e këtyre vendimmarrjeve janë në skalionin e parë të kritikës ndaj sistemit totalitar të përjetuar, veçanërisht për goditjen e vlerave dhe improvizim vlerash për personalitete mjerane. Për më tepër ata nuk arrijnë të ndërgjegjësohen për t’i dhënë një korpus të prekshëm kritikës së tyre, as atëherë, kur paralajmërohen nga shoqata kompetente, për fiktivitetin e vlerave të personave, që nuk duhet të dekretohen si rektorë apo ambasadorë. Edhe produkti politik, fondacioni “Qemal Stafa”, nuk është e nevojshme të merret nën lupë, për të hetuar qëllimet dhe motivet e kësaj krijese. Jo vetëm një shërbim ndaj mentalitetit të elektoratit socialist, por, para së gjithash, refleks i dimensionit të fshehtë të historisë, që i garanton kësaj krijese shërbesën pothuajse për të gjithë, e jetëson atë me një vitalitet tronditës, sepse demonstron qartë sesa të vështirë e kanë shqiptarët të reduktojnë distancën e tyre nga identiteti europian. Fondacionet me emërtime të personave konkret funksionojnë kudo në Europë për të përhapur e për të zhvilluar më tej ide dhe praktika sociale të formuluara dhe të zbatuara nga këta persona, që kanë mundësuar të mjeshtërohen kriza tejet virulente, të jetësohen metoda dhe modele për projekte me rezultate madhështore, vizione me rrezatime për angazhime të guximshme, të cilat po të mungonin, do ta çonin shoqërinë e vendit të tyre, por edhe shoqërinë njerëzore, në stacione, ku pështjellimet dhe krizat do të ishin rutina permanente. Dhe këtu një gjë duhet evidencuar; elementi i luftëtarit me armë ka qenë pjesë tejet sekondare e identitetit të tyre, ose ka munguar. Asimetria e personit, qe emërton fondacionin socialist, me ato analoget europiane, Adenauer, Brandt, de Gol, do të mjaftonte të justifikonte cilësimin europian për disa qasje tona politike si kryeneçësi ballkanike; përzgjedhje për të qëndruar dhe për të lëvizur vetdijshëm në terrene irracionale, e imponuar kjo nga një mendësi politike orientale (dimensioni i fshehtë i historisë), ku spektakularja e qëllimtë, por pa substancë, ia invadon tërësisht vendin thelbësores me një pafytyrësi provokative, e cila bruskon, brutalizon, margjinalizon, diskriminon, dhunon, penalizon apo i shpallë heretike ndryshmenduesitë. Debate dhe diskutime intensive, argumente dhe kundërargumente, që u karakterizuan nga motive dhe angazhime, psikologji dhe sensibilitete, emocione dhe afekte të kundërta, që shpesh degjeneruan në një përzierje të akribive sterile me mllefe e kanë invaduar skenën politike shqiptare disa herë për të përcaktuar datën e Çlirimit, 28 apo 29 Nëntorin. Por as pasuesit e mbretit Zog, i anatemuar, i syrgjynosur, i spiunuar dhe i denigruar nga komunistët, as ballistët e përndjekur, të dënuar, të masakruar, të përqeshur e të stigmatizuar si tradhtar, as republikanët e shpronësuar, të margjinalizuar dhe të vuajtur, as demokratët e shtypur, të diskriminuar, të burgosur e të internuar nuk reaguan për datën e 5 Majit si dita e Dëshmorëve të Kombit, megjithëse ajo përfaqëson një produkt të mirëfilltë komunist me konotacionin tipik të kësaj mendësie, që e shpallte patriotizmin kulmor monopol të saj. Ky mos reagim, një qëndrim afirmativ, sado implikit, ndaj kësaj date shpërfillë në mënyrë provokative dhe cinike ato efekte meditative me konkluzione përkatëse të pashmangshme që shkakton kjo alibi. Idhtësia e antipatisë ndaj kësaj alibije kulmon, kur kujton se emri me të cilin pagëzohet ky fondacion do të ishte i panjohur, në qoftë se do të kishte munguar vullneti komunist i mentalitetit të vetëshërbimit të diktatorit për ta përjetësuar atë. Kjo qasje aplauduese e këtyre grupimeve politike për këtë përzgjedhje të tij është një refleks i mirëfilltë i dimensionit të fshehtë të historisë, një prezencë dominante e masshtabeve anakronike e anti-europiane për tu orientuar në terrenin e historisë. Asnjë akrobaci verbale nuk mund të fshehë se “toleranca” e tyre për t’u pajtuar me datën 5 Maj inspirohet nga ideja për të bllokuar analizën historike, e cila do të çonte datën e Dëshmorëve të Kombit në një stacion tjetër, të padëshiruar prej tyre, tek kryengritja e vitit 1911. Ky episod me jehonë tronditëse është shumë sinjifikativ, sepse demonstron brutalisht, se lidhja emocionale e tyre me të kaluarën osmane të shqiptarëve është aq e madhe, sa asnjë katastrofë, apo dizastër nuk mund ta tundi atë. Histografia jonë e të gjitha kohërave e konsideron si një konkluzion të pakonkurrueshëm, se përpjekjet e shqiptarëve për liri kanë një kontinuitet shekullor, me stacione të kobshme gjaku, burgimi, internimi, denigrimi, vuajtjesh dhe privacionesh, të cilat kulmojnë me kryengritjen e vitit 1911-12 dhe shpalljen e pavarësisë. Por, shpejt harrohet ky perceptim duke e vendosur ditën e dëshmorëve më 5 Maj, por ama të vitit 1942 .Të gjithë krahët e politikës, të gjitha shoqatat, forumet shkencore historike e të tjerë bëjnë unison në këtë çështje dhe kjo stilizohet nën zë si një “Gentlemen’s Agreement” për të evituar strapacime sensibilitetesh apo tensione të panevojshme. Ky “argumentim” defensiv është një provë tjetër më shumë për vërtetësinë e maksimës, se askund nuk janë më të mëdha forcat tunduese për utopi sesa në politik. Një disfatë e thellë politike, një kundërvënie eklatante ndaj logjikes historike, nuk mund të transformohet në një triumf moral me pretendimin e pabazuar, se respektojmë sakrificat e shqiptarëve për liri, pavarësisht nga profili politik. Para se të deklarojmë për një bashkëjetesë shembullore fetare dhe krahinore duhet të kuptojmë qartë se ajo është një proces që duhet të parametrizohet. Një nga parametrat kryesor të saj është edhe vlerësimi real, adekuat me të vërtetat historike, i kontributeve të tyre për çështjen kombëtare. Në qoftë se kryengritja e MbiShkodrës 1911 kontribuojë për pavarësinë e Shqipërisë, gjë që ka mundësuar vlerësimin dhe ngritjen e monumenteve të patrioteve shqiptarë anekënd vendit, është provokacion absurd që luftëtarët e kësaj kryengritje të mos kenë askund monumente. Çdo qytetar i vetishëm për historinë e Shqipërisë, e veçanërisht pasardhësit e atyre burrave të shquar që bënë sakrifica sublime kundër hordhive të Turgut Pashës, kalojnë me ndjenja të përziera dhe me indinjatë pranë monumenteve të pashallarëve të Turqisë, të cilët u kane zënë vendit paraardhësve të tyre. Është detyrë imperative që t’i çlirojmë këta qytetarë nga turpi dhe pesha e këtij provokacioni. Nuk duhet të ngjasë ajo që nuk mund të durohet, por kundër së cilës nuk ka shanse për asnjë reagim, sepse kjo do të thoshte humbje e detyruar e atdheut. Kush diskriminohet, dhunohet dhe nuk mbetet vetëm i rrezikuar, por mund të bëhet edhe i rrezikshëm gjithsesi, sepse tek ai mund të plazmohet ideja, se shkelja e vlerave dhe shpërfillja e virtyteve është pjesa thelbësore e strategjisë së mbijetimit. Kjo i sheston varrin mirëkuptimit dhe bashkëpunimit konstruktiv, duke i shkaktuar dëme gjithë shoqërisë. Diskriminimi shpërblen keq të dyja palët, jo vetëm të diskriminuarit, por edhe diskriminuesit dhe kjo është një nga mësimet më të vyera që ka fiksuar historia. Fiksionet e shpikura dhe të konstruktuara qëllimisht nuk mund të luajnë rolin e të vërtetave. Ata vetëm provokojnë. Në një debat televiziv deputetët e PD, z. Paloka dhe z. Xhaferri, këmbëngulën me një kryeneçësi adoleshente, ku nuk ekziston asnjë element i një fleksibileti të domosdoshëm, për ta analizuar ngjarjen tragjike të Gërdecit mbi bazën e masave të marra nga qeveria për eliminimin e pasojave të shkaktuara. Është fare e qartë se dezastri politik, ushtarak dhe moral i kësaj tragjedie nuk mund të mjeshtërohet vetëm me maniera teknokratike. Kjo vetkuptueshmëri e atakuar në deklaratat e tyre demonstron fare dukshëm se ndjenja e luajalitetit të tyre ndaj një korseti të ngurtë të shestuar në parti, për krijimin e të cilit ata mesa duket s’e kanë një kontribut të konsiderueshëm, i detyron ata për këtë ritual. Në sforcimet hektike të deklaratave të tyre, shpesh me një sintaksë të cenuar, tingëllonte qartë prononcimi implikit i shpalljes se pavlefshme të parimeve të demokracive perëndimore. Në Europë asnjë politikan nuk do t’ia lejonte vetes, që në deklaratat e tija të shfaqej hija sado e lehtë e shpërfillje të parimit se: “Politika duhet të jetë më shumë termostat, sesa termometër”. Sidomos pas ngjarjes tragjike të Gërdecit historia e qeverisë aktuale do të mund të tregohet si kronologjia e shpresave të zhgënjyera dhe fare pak si një punë e vogël e arsyeshme në kushte të vështira. Përse janë përheshtur nga të gjithë ato fakte të caktuar të konstatuara, që objektivisht e çuan trenin ekspres korruptiv në një stacion tragjik dhe vendin në një pozicion difamues në shkallë botërore. Analiza e krizës së besimit për dobinë e deklarimit të vërtetave e veçanërisht e krizës së përheshtjes, si vepër penale, e shmangies nga detyrimi ligjor për të denoncuar fakte të caktuar si pasojë e pranimit të detyrës shtetërore përkatëse, merr në këto momente statusin e një sfide konkrete, prioritare për ndërtimin e një shteti demokratik. Do të ishte tejet irealiste t’ia ngarkonim mëkatin e përgjegjësisë për këto kriza që përjetojmë vetëm mazhorancës aktuale apo të djeshme, sepse do të ishte mohim antishkencor i rolit të dimensionit të fshehtë të historisë. Kjo nuk do të thotë aspak t’i dorëzohemi dëshpërimit, por optimizmi që nuk përfillë forcën produktive të dyshimit degjeneron në utopi. Në këtë rast spekticizmi është i mirëargumentuar.

*Kryetar i shoqatës ”Integrim në Europë” 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora